Situata komplekse ekonomike dhe aktualiteti i ndërlikuar financiar në Botë,kanë për shkak madhor pandeminë COVID-19. Efektet boomerang të saj, kanë ndikuar në planet dhe prognozat e vendeve të ndryshme. Një sërë prej këtyre vendeve kanë përjetuar një ndryshim tërësor të objektivave dhe projektimeve ekonomike. Në këtë situatë të rënduar, lufta me armiq të pamëshirshëm si varfëria dhe pabarazia, bëhet edhe më e mundimshme edhe më komplekse.

Megjithatë, shtete të ndryshme pamvarësisht kësaj goditjeje cunamike, po ia dalin ose ia kanë dalë ta mbajnë situatën nën kontroll. Madje, rasti i tyre tejkalon surprizshëm faktin që po hedhin hapa të mëtejshëm drejt arritjes së pikësynimeve të paracaktuara.

Një ndër vendet me kryesim tejkalimi, padyshim që po shfaqet dhe dëshmohet globalisht, Kina.

Historia e luftës së Kinës ndaj varfërisë nuk është kurrësesi e re. Është vështirë të gjendet një vend tjetër që është përfshirë kaq shumë në një betejë të tillë, me objektiva të qarta të pasqyruar në numra konkretë, si dhe me një strategji kombëtare të strukturuar dhe të përfshirë në kuadër të objektivave të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 1981, sipas Bankës Botërore, rreth 90% e popullsisë së Kinës e gjente veten poshtë kufirit ndërkombëtar të varfërisë. Në vitin 2019, vetëm 1% e popullsisë gjendej poshtë këtij kufiri. Më shumë se 850 milionë njerëz janë hequr nga skamja në katër dekadat e fundit. Këto janë statistika të qarkulluara ndërkombëytarisht jo vetëm prej informacionit të brendshëm kombëtar kinez, por edhe në kuadër të statistikave të OKB-së për varfërinë në Botë.

Këto statistika janë vërtetë impresionuese, jo vetëm pasqyrojnë një punë të madhe drejt objektivave të caktuara shumë kohë më parë, por tregojnë që objektivat po mbahen ndonjëherë edhe para kohës së parashikuar.

Vjet, Kina realizoi zhdukjen e varfërisë absolute në mbarë vendin sipas standardit aktual, duke shenjuar kështu një fitore të rëndësishme për propagandën kineze. Presidenti Xi, mund të gëzojë fitoren e një arritjeje në një luftë të cilën e kishte marrë përsipër personalisht. Afishimin këmbëngulës kundër saj e shpalosi në të gjitha eventet e mëdha politike brenda republikës si dhe në ballafaqimet ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, këtij objektivi ekonomiko-politik i bashkangjiti edhe vlerën e rrezatimit diplomatik të modelit ekonomik antivarfëri të vendit të tij.

Megjithatë, jo ҫdo gjë është kaq e lehtë dhe e bukur sa duket.

Pavarësisht arritjeve të mëdha në këtë drejtim, sfidat e mëtejshme janë të po këtyre përmasave. Fillimisht, duhet kuptuar ҫfarë shenjon kjo arritje.

Standardi i Kinës për varfërinë ekstreme është 4000 juan në vit. Një kufi pak më i ulët se ai i vendosur nga Banka Botërore. Ndërkohë që varfëria ekstreme është mundur, shumë persona vazhdojnë të jetojnë me mungesa të theksuara. Kina vazhdon të përballet me një grup të madh popullsie, të përbërë kryesisht nga ata pa edukim dhe të moshuarit, që kanë të ardhura të ulëta.

Diferenca në të ardhura është rritur. Një pabarazi në rritje është vërejtur në të ardhura dhe në standardin e jetesës, kryesisht mes zonave urbane dhe atyre rurale. Kjo pabarazi në rritje mund të jetë shumë e rrezikshme. Por strategjistët ekonomikë të vendit dhe projektimi politik i afishuar prej udhëheqësit më të lartë të vendit kanë përcaktuar me kohë objektivin sfidues të luftës kundër varfërisë në zonat rurale të vendit.

Programet zyrtare dhe afishimet e projekteve konkrete të qeverisë kineze, jo vetëm që japin dijeninë zyrtare për risqet dhe rreziqet që ofrohen prej varfërisë rurale, por po bashkëshoqërohen me investimin e programuar antivarfëri në këto zona.

Qeveria kineze e vetëdijshme, (sic dallohet dhe nga programet dhe planet qeveritare) po realizon një aksion antivarfëri në kategoritë më në nevojë sociale në krejt vendin. Ajo është në kërkim të një mekanizmi për të siguruar që njerëzit nuk do të rikthehen sërish në varfëri, dhe për të konsoliduar kësioj arritjet e deritanishme. Me një fjalë po zbaton një projekt që mishëron jo zgjidhjen e përkohshme, por atë afatgjatë.

Për ta mundësuar këtë, fokusi është vënë te jetesa e banorëve në fshatra. Autoritetet kineze kanë theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e “rigjallërimit të zonave rurale”, duke u kushtuar vëmendje në mënyrë të veҫantë punëve të lidhura me agrokulturën dhe modernizimin e saj, zonat rurale dhe banorët e tyre si dhe impaktimin e aseteve dhe kapaciteteve vendore të tregut dhe punës.

Një gamë e gjerë masash do të mishërojë zhvendosjen në një politikë që do të nxisë përmirësimin e edukimit, sistemin shëndetësor dhe infrastrukturën e transportit për zonat e varfëra që përjetojnë mungesa të mëdha. Kjo gamë masash shkon edhe me përmirësimet e shpejta në kohë të infrastrukturës dhe tejcimit të teknologjisë në shumë lëmi prodhimi dhe aktivitetesh.

Kështu, pritet që pabarazia e madhe mes shtresave të popullsisë të limitohet. Larmishmëria e masave të këtilla, përveҫ luftës ndaj varfërisë dhe problemeve të ndryshme sociale, do të hidhte edhe një hap tjetër drejt zgjerimit të tregut të brendshëm kinez, edhe për shkak të hapësirave tejet të mëdha rurale dhe mundësive që ato ofrojnë. Zgjerimi i tregut është një hap i rëndësishëm për sigurimin e vazhdueshmërisë së rritjes ekonomike që synohet nga shteti i Kinës. Sikundër eficenca përmes inkurajimit të grupmoshave më të afta për punë dhe aktivitet.

Në dekadat e kaluara, bota ka ndërmarrë hapa të konsiderueshme drejt uljes së varfërisë. Si një nga aktorët protagonistë të kësaj lufte të gjatë, Por në ditët e sotme, periudha pandemike duket se tronditshëm po e ngadalëson dhe në jo pak shoqëri të kësaj bote edhe po e ndal uljen e varfërisë.

Kina ndeshet sot me sfida të ndryshme nga ato që ka parë dekadat e shkuara. Në kushtet e kësaj pandemie botërore që ka ndryshuar rrënjësisht situatën ekonomiko-sociale, Kina përballet me sprovën e konsolidimit të arritjeve të konsiderueshme të saj, duke siguruar edhe një balancë sociale. Evidentimi dhe dukja ndërkombëtarisht e kësaj balance të brendshme sociale, po i japin lëvdim institucional prej organizmave dhe kombeve të Bashkuara. Zgjerimi atraktiv i ndikimit kinez në tregëtinë dhe hapësirën ekonomike të Botës si dhe intensifikimi i partneriteteve ekonomiko-financiare me shtete dhe aleanca ndërkontinentale, janë arsyeja themelore pse po i shtohet simpatia ekonomike kaq shumë.

Ky nuk është vetëm një hop në këtë periudhë dhe sidomos në këto ditë, por mesa duket, një politikë dhe program i sistemit të vet që impakton ndër shtete dhe hapësira të jetës ekonomike globale.

Aleksandër Çipa