
Një mënyrë për të matur zhvillimin e prosperitetit në shoqëri është vlerësimi i aktivitetit ekonomik. Mënyra më e përdorur për vlerësimin e fuqisë dhe performancës së një ekonomie është Prodhimi i Brendëshëm Bruto (PBB). Prodhimi i Brendëshëm Bruto është vlera totale e të gjithë mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar në vend minus vlerën e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për prodhimin e tyre. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, në vitin 2020 Prodhimi i Përgjithshëm Bruto pati një rritje reale me 2.3 përqind, krahasuar me vitin 2019, duke arritur në vlerë në një nivel prej 101 599 Miliard Yuan. Rezultatet e rritjes së Prodhimit të Brendëshëm Bruto për tremujorin e dytë, të tretë dhe të katërt të vitit 2020 në Kinë, kanë qënë befasuese duke përmbysur trendin rënës të ekonomisë.

Mbas një tkurrje në tremujorin e parë në - 6.8 përqind për shkak te pasojave negative të pandemisë globale Covid -19, në tremujorin e dytë ekonomia tregoi shenja të rimëkëmbjes dhe të një rritje të lartë. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë ishte pozitive në 3.2 përqind. Tremujori i tretë dhe i katërt shënoi një rritje më të lartë ekonomike krahasuar dhe me tremujorin e dytë, respektivisht 4.9 përqind dhe 6.5 përqind. Kontributi më i lartë në rritjen ekonomike e ka dhënë industria primare me një rritje 3.0 përqind krahasuar me vitin 2019.
Megjithëse rritja reale ekonomike e Kinës është më e ulët se në vitet e mëparshme, në kushtet e krizës globale rezultati i vitit 2020 konsiderohet një arritje e jashtëzakonshme krahasuar me kontraktimin ekonomik dhe tkurrjen e saj në vendet në nivel global. Ekonomia botërore shënoi një rënie ekonomike në -4.4 përqind dhe ekonomitë e 7 vendeve të avancuara shënuan një rënie ekonomike në -5.9 përqind. Rënien më të lartë ekonomike e shënuan vendet e Unionit Europian ne -7.6 perqind dhe vendet e Amerikes Latine ne -8.1 perqind.
Rritja e Prodhimit të Brendëshëm Bruto në përqindje në vitin 2020:

Burimi : IMF, World Economic Outlook - October 2020 dhe kalkulimet e autorit
Gjatë 40 viteve të fundit, rritja reale e Prodhimit të Brendëshëm Bruto të Kinës është zgjeruar me një mesatare prej 9.3 përqind në vit. Prodhimi i Brendëshëm Bruto në periudhën 40 vjeçare është rritur nga 454 Miliard Yuan në vitin 1980, në 102 491 Miliard Yuan në vitin 2020. Plani pesëvjeçar i miratuar në vitin 2016 përcaktoi si objektiv dyfishimin e prodhimit të përgjithshëm bruto në periudhën 2010 – 2020, duke synuar që vendi të shndërrohet në një "shoqëri me një nivel mirëqenie dhe begatie të moderuar". Reforma e ndërmarrë përcaktoi një koncept thelbësor ideologjik që formoi qasjen e re të Kinës ndaj rritjes ekonomike. Prodhimi i Brendëshëm Bruto në periudhën 2010-2020 u rrit nga 40 850 Miliard Yuan në 102 491 Miliard Yuan, ose një rritje rreth 2.5 herë më shumë.

Burimi : IMF- World economic Outlook, October 2020 dhe kalkulimet e autorit
Nëse krahasohet me vendet e tjera të zhvilluara, Prodhimi i Përgjithshëm Bruto i Kinës në vitin 2020 është 14 860 775 Miliard $ Amerikanë pothuajse i barabartë me Prodhimin e Brendëshëm Bruto të Unionit Europian në vlerën e 14 926 538 miliard $ Amerikanë. I krahasuar me 6 vendet më të zhvilluara si Kanada, Francë, Gjermani, Itali , Japoni dhe Mbretëria e Bashkuar, niveli i Prodhimit të Brendëshem Bruto i Kinës në vitin 2010 ishte rreth 33.5% e këtyre vendeve të marra së bashku. Ndërsa në vitin 2020 Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës është rreth 85.8% e këtyre vendeve. Prodhimi i Brendëshëm Bruto i krahasuar me nivelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2010 ishte 40% ndërsa në vitin 2020 është 71% e Prodhimit të Brendëshëm Bruto të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Burimi : IMF- World economic Outlook, October 2020 dhe kalkulimet e autorit
Kina aktualisht është një nga kontribuesit më të mëdhenj të rritjes së ekonomisë globale. Rritja ekonomike në vitin 2021 parashikohet të jetë në rreth 8.2 përqind, ndërsa ekonomia globale do të rritet në 5.2 përqind, vendet e avancuara në 3.9 përqind dhe vendet e Unionit Europian në 5.0 përqind. Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar analizojnë ecurinë e rritjes ekonomike deri në vitin 2025. Si rezultat i ritmeve të larta të rritjes ekonomike, Kina do t’i afrohet Prodhimit të Brendëshëm Bruto të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të tejkalojë atë të Unionit Europian si dhe të gjashtë vendeve më të avancuara të marra së bashku. Sipas këtyre vlerësimeve Prodhimi i Brendëshëm Bruto i Kinës në vitin 2025 do të arrijë në nivelin 23 029 813 Miliardë $ Amerikanë, ndërsa Prodhimi i Brendëshëm Bruto i SHBA do të arrijë në nivelin e 25 783 444 miliardë $ Amerikanë, i Unionit Europian në 20 300 911 Miliard $ Amerikanë dhe i gjashte vendeve më të avancuara të marra së bashku si Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni dhe Mbretëria e Bashkuar do të arrijë në nivelin e 22 404 950 Miliardë $ Amerikanë.
Prodhimi i Brendëshëm Bruto për frymë është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i performancës ekonomike dhe një njësi e dobishme për të bërë krahasime të standardeve mesatare të jetesës dhe mirëqenies ekonomike. Prodhimi i Brendëshëm Bruto për frymë matet si raporti i Prodhimit të Brendëshëm Bruto me numrin e popullsisë totale të atij vendi. Kina aktualisht klasifikohet si një vend me të ardhura mesatare të larta, duke shënuar një progres në rritje të vazhdueshme. Nga një vend me të ardhura të ulta deri në vitin 1996, Kina ka kaluar në një vend me të ardhura mesatare të ulta në vitin 1997 deri në vitin 2009, për t’u rankuar në vitin 2010 dhe në vazhdim në një vend me të ardhura mesatare të larta.
Në vitin 2020, Prodhimi i Brendëshëm Bruto për frymë, arriti në 10 582 $ Amerikanë krahasuar me 307 $ Amerikanë në vitin 1980. Në yuan të ardhurat për frymë arrijnë në vitin 2020 në 72 982 Yuan krahasuar me 460 Yuan në vitin 1980. Ndërsa krahasuar me periudhën 2010 - 2020 të ardhurat për frymë janë rreth 2.4 herë më të larta në vitin 2020 krahasuar me vitin 2010. Në vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të ardhurat për frymë parashikohen të arrijnë në 16 242 $ Amerikanë ose 108 256 Yuan.

Burimi: IMF, World economic Outlook – October 2020 dhe kalkulimet e autorit
Në veçanti mbas viteve 2010, rritmet e larta të rritjes të prodhimit të përgjithshëm bruto si dhe të atij për frymë, tregojnë harmonizimin e rritjes së lartë dhe cilësore ekonomike, zhvillimin dhe industralizimin e balancuar rajonal; reduktimin e kostove; reduktimin e varfërisë dhe kujdesin shëndetësor; inovacionin teknologjik; zhvillimin e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit; hapjen tregtare dhe atë ndërkombëtare të investimeve të huaja; reformimin e sektorit financiar me ekonominë reale.
Prof. Dr. Petraq Milo







