
Këto ditët e fundit janë publikuar disa të dhëna interesante mbi outputin ekonomik të Kinës në tremujorin e fundit të vitit 2020.
Kështu mësojmë se në tre muajt e fundit të vitit që sapo kemi lënë pas, Kina ka patur një rritje prej 6,5 për qind dhe rritja vjetore e gjithë vitit që sapo u mbyll arriti 2.3 për qind pavarësisht pandemisë globale. Rritja ishte përtej parashikimeve të shumë analistëve dhe institucioneve financiare globale të cilat mendonin se do të ishte më e vogël për shkak të ndikimit negativ që pandemia ka shkaktuar. Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ekonomia kineze do ta kalojë atë amerikane aty rreth vitit 2028, më herët me dy vite nga parashikimet e mëparshme që e mendonin për në 2030 një gjë të tillë. Të dhënat për Kinën janë akoma edhe më inkurajuese nëse mendohet fakti se gjatë tremujorit të fundit 2020 rritja prej 6,5 për qind ishte më e madhe se në tremujorin e fundit të 2019 kur ishte 6 për qind. Pra në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ekonomia kineze është rritur edhe më shumë se para pandemisë.

Suksesi i Kinës në kontrollin e pandemisë e ndihmoi atë në zgjerimin e tregtisë së jashtme por mbi të gjitha në konsumin e brendshëm. Interesante janë të dhënat e sektorit high-tech, i cili shënoi një rritje prej 10,6 për qind në vitin 2020. Ky sektor është bërë një qëllim në vetvete në programet ekonomike të Kinës, dhe lidershipi Kinez e ka përmendur disa herë si një sektor prioritar për zhvillimin e vendit.
Po ti marrim këto të dhëna dhe ti vëmë në kontekstin e kohës që po jetojmë, atëherë mund të vihet re se ndërsa e gjithë bota po vuan ekonomikisht pasojat e pandemisë, dhe flet jo për rritje por flet sa e vogël apo e madhe do jetë rënia ekonomike, atëherë rezulton se menaxhimi i pandemisë në Kinë ishte arsyeja kryesore që ka lejuar një rritje të tillë. Për më tepër, shpërthimi i pandemisë dhe kontrolli i saj i mëpasshëm u kthyen nga gati në një tragjedi, në një mundësi për të konsoliduar tregun e brendshëm të konsumit dhe zgjerimin e tij.
Në një perspektivë më të gjatë, me shikimin përtej pandemisë, të dhënat ekonomike për vitin 2020 janë inkurajuese sa për Kinën aq edhe për ekonominë globale. Për shkak të rritje së peshës ekonomike të Kinës në ekonominë botërore, pasojat e rritjes së ekonomisë së saj janë pozitive edhe për pjesën tjetër të botës. Në këtë prizëm - atë të hapjes së ekonomisë kineze - duhet parë marrëveshja për investime mes Bashkimit Europian dhe Kinës në fundin e muajit të kaluar. Në rrethanat e jashtëzakonshme që po kalojnë shumë vende për shkak të mbylljes së detyruar për tu mbrojtur nga rreziku i Covid-19, pritet që ekonomia në një pjesë të mirë të botës të vuajë edhe gjatë këtij viti. Por mendohet se fushata e gjerë vaksinimesh që sapo ka filluar në perëndim, do të pasohet nga një hapje graduale edhe të ekonomisë. Gjasat janë që kjo hapje të pasohet me një rritje të aktivitetit ekonomik në të gjithë sektorët.

Potenciali është i jashtëzakonshëm për zhvillim në të gjithë atë pjesë të botës që akoma është në zhvillim e sipër, ose është e pazhvilluar. Por edhe në vendet e pasura dhe me të ardhura të mesme ka një potencial të madh zhvillimi që përkon me investimet në teknologjitë e informacionit, në ato high-tech, dhe në një ekonomi të gjelbër që është në harmoni me natyrën. Në Kinë i është mëshuar fort pikërisht këtyre sektorëve, të cilët mendohet se mund të bëjnë diferencën në të ardhmen afatmesme dhe afat gjatë, dhe që mund të jenë kontribut madhor në shndërrimin e rritjes ekonomike nga një rritje tout court, në një rritje cilësore. Një seri iniciativash janë vënë në lëvizje anembanë Kinës të cilat fokusohen pikërisht në investimet në ekonominë e gjelbër, por mbi të gjitha në zhvillimin e sektorit high-tech, i cili ka një potencial të madh për shkak edhe të rritjes së forcës punëtore të specializuar në Kinë gjatë këtyre viteve të fundit. Kjo është ndihmuar edhe nga politikat anti kinezë të ish presidentit Trump, i cili me disa nga dekretet e tij për ndalimin e bashkëpunimit me Kinën në disa fusha kërkimore, ka bërë që një seri shkencëtarësh kinezë që punon në Shtetet e Bashkuara, të mendojnë të kthehen në Kinë ku mund të japin kontribut në zhvillimin e këtyre sektorëve prioritarë për të ardhmen.

Bota postpandemike nuk do të jetë si ajo para saj. Pikësëpari pandemia ka vënë në pah rolin e shkencës dhe të sektorëve që kërkojnë investim të madh. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që një vaksinë të zhvillohej në kaq pak kohë. Kjo ka ndodhur sepse informacionet qarkullojnë më shpejt se më parë, dhe se shkenca është një rrjet i gjerë në shkallë globale e cila shkëmben informacione në mënyrë të vazhdueshme, duke tejkaluar diferencat me natyra të tjera, si ato politike, sociale, etj. Së dyti pandemia, ka nxjerrë gjithashtu në pah rëndësinë e të pasurit të një rrjeti logjistik të përparuar që të jetë në gjendje t'u përgjigjet nevojave imediate në raste emergjencash në nivel global. Këto faktorë, dhe të tjerë akoma, kanë shtuar rëndësinë që sektorët ekonomikë ku dora e shkencës është e fortë janë ato që do të jenë prioritet i ekonomive të zhvilluara. Do ishte në interesin e të gjithëve që kjo të mos shndërrohet në një garë mes superfuqive, e cila do ta shtrembëronte qëllimin e vërtetë të shkencës dhe ekonomisë, por një mundësi për më shumë solidaritet e bashkëpunim mes vendeve.
Presidenti Kinez Xi Jinping, ka theksuar disa herë se Kina do të mbajë kursin e saj të hapjes ndaj ekonomisë globale dhe se i gjithë njerëzimi është një komunitet me fat të përbashkët. Por fati i përbashkët nuk mund të ndërtohet nga asnjë vend i vetëm, dhe për pasojë një qasje më bashkëpunuese në nivel global do të nevojitet për të bërë të mundur që të mirat e ekonomisë globale të arrijnë të gjithë cepat e njerëzimit, me qëllim zhdukjen e disa fenomeneve si pabarazitë e thella ekonomike, varfëri e skajshme në Jugun e botës, dhe konflikte e shfrytëzime që janë bërë pjesë e paesazhit ekonomik që nga revolucioni industrial e këtej. Sfida e vërtetë do të ishte kthimi i kësaj pandemie në një rifillim të freskët për t’ju dhënë mundësinë e zhvillimit të gjithë vendeve, nëpërmjet një tregtie globale në kushte të barabarta dhe me akses të barabartë.
Ylber Marku







