
Nuk është aspak befasi që ekonomia e Republikës Popullore të Kinës shënoi rritje në vitin më të vështirë atë 2020. Askush nuk e kishte menduar se kjo rritje në kushtet e krizës që shkaktoi Covid-19 do të ishte e tillë, prej 2,3 përqind, dy herë më shumë sesa e kishte parashikuar Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për herë të parë në historinë e Kinës GDP tejkalon nivelin e 100 trilionë juanë, e barabartë kjo me GDP-në e Japonisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës të marra së bashku.
Kur në dhjetorin e vitit 2019 u shfaq virusi Covid-19 bota mendoi se Republika Popullore e Kinës do të kalonte periudhën më të vështirë në historinë e saj moderne sa i përket zhvillimit ekonomik të saj. Por papritmas gjithçka u përmbys në favor të këtij zhvillimi. Bilanci tashmë është pozitiv. Ekonomia e dytë më e madhe në botë nuk ra në recesion. Përkundrazi është ndër ekonomitë e rralla në glob që i qëndroi fort presionit të pandemisë globale. Deri në marsin e vitit të kaluar askush nuk besonte në një mrekulli si kjo. Tremujori I parë i vitit 2020 shënoi 8.4 përqind të prodhimit bruto më pak se tremujori I parë i vitit 2019. Eksporti gjithashtu u ul me 11 përqind në atë tremujor.

Shangai
Edhe bizneset ishin pesimiste për të ardhmen. Në një investigim të organizatës së tregtisë së jashtme gjermane të marsit 2020 vetë firmat dhe kompanitë kineze nuk besonin në një rezultat pozitiv. Nga 300 sipërmarrës të intervistuar marsin e vitit 2020, mbi 90 përqind e tyre besonin se gjatë vitit që shkoi do të kishin një bilanc financiar negativ krahasuar me vitin 2019. Por shkalla e besimit se ekonomia do të dilte nga kriza erdhi në rritje. Një muaj më vonë, në prill, vetëm 46 përqind e sipërmarrësve ishin pesimistë.
Në vijim gjithçka shënoi përmbysje. Kina filloi që në tremujorin e dytë të japë sinjalet e daljes nga kriza. Sigurisht pasi mposhti pandeminë e Covid-19, duke izoluar tmerrësisht shumë rastet që u shfaqën. Përballimi a pandemisë i dha frymëmarrje ekonomisë, edhe pse lëvizja e lirë e njerëzve për shkak të saj vazhdoi të jetë e kufizuar. Dhe ja ku jemi. Republika Popullore e Kinës shënon rekordin botëror të rritjes. Ndoshta është e vetmja nga ekonomitë e mëdha botërore me rritjen më të madhe.

Guangzhou
Ekspertët vlerësojnë se shkak i rritjes ekonomike ishin disa faktorë. Së pari duhet thënë se ajo erdhi falë stimulit fiskal e monetar të qeverisë kineze për sektorë dhe sipërmarrje të rëndësishme të ekonomisë kineze, për punësimin dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik. Në analizën e ekspertëve të Bankës thuhet se pa këtë stimul nuk do të kishte një rezultat të tillë pozitiv.
Një nga analistët e OANDA, Edward Moya, beson gjithashtu se Kina tashmë e ka mposhtur krizën e Covid-19 dhe parashikon që në dhjetë vitet e ardhshme ajo do të jetë lojtar ekonomik i rëndësishëm në ekonominë botërore dhe të rritë ndikimin e saj, gjithnjë nëse Pekini hap tregtinë e kapitalit. Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se është e nevojshme rritja e konsumit, si kusht i rritjes ekonomike. Pandemia bëri që miliona punonjës kinezë të izolohen dhe për një periudhë kohe të mos punojnë. Ndaj vitin që shkoi konsumi u rrudh. Ekonomistja kineze në HSBC, Jingyan Chen, thekson se është e nevojshme që të nxitet tregtia dhe të orientohen më mirë klientët në sektorët e shërbimeve të ndryshme. Ajo rritjen e konsumit e sheh si rrugën më të sigurt të stabilitetit në rritje të ekonomisë së përgjithshme.

Chongqing
Një mundësi tjetër, për të cilën flasin ekspertët, ka të bëjë me rritje e pjesëmarrjes në bursë. Në Republikën Popullore të Kinës sot jetojnë 47 milionë kinezë me të ardhura vjetore mbi 50 mijë dollarë amerikanë. Kina numëron më shumë milionerë sesa çdo vend tjetër në botë. Ky është një potencial i jashtëzakonshëm jo vetëm për zgjerimin e shtresës së mesme, por edhe për ndikim më të madh në bursën ndërkombëtare dhe rritjen e potencialit monetar. Në këtë aspekt janë të favorshme investimet e huaja, të cilat edhe në kushtet e Pandemisë vitin e kaluar u rritën me 5.8 përqind. U investuan gjithsej 137 miliard dollarë amerikanë. Ndërsa në vitet në vijim, nisur dhe nga marrëveshja e investimeve me Bashkimin Evropian, potenciali i rritjes së investimeve të huaja në Kinë do të jetë enorm.
Dihen tashmë masat e rëndësishme për liberalizimin e tregut të brendshëm dhe hapjen e saj me tregun e jashtëm nga shtatori i vitit 1876 kur vdiq Mao Ce Dun, e deri më sot. Por reformat e privatizimit dhe revokimit të politikave të kolektivizimit në dhjetë vitet e fundit kanë dhënë rezultatet e premtuara. Politikat pragmatike në ekonomi të Ten Hsia Pin u thelluan në periudhën e drejtimit të shtetit nga ana e presidentit Xi Jinping.

Si rezultat u krijuan kushte të favorshme për investime në infrastrukturë. Shteti kinez lehtësoi dukshëm veprimtarinë ekonomike edhe përmes investimeve kapitale të tilla. Përveç tjetrash, në dekadën e fundit Kina ka ndërtuar mbi 100 mijë km autostrada. Por dhe dhjetëra mijë km hekurudha të shpejtësisë së lartë. E gjitha kjo ka ndikuar dukshëm në rezultatet ekonomike dhe garanton një perspektivë të sigurt për të ardhmen.







