Më 25 janar 2021 do hapet në Davos Forumi Ekonomik Botëror. Në këtë forum ndër më të rëndësishmit në botë, përkrah përfaqësuesve të mjaft vendeve të botës dhe teoricienëve dhe filozofëve më në zë në botë, do marrë pjesë edhe udhëheqësi i popullit kinez, Presidenti i vendit Xi Jinping me anë të një videolinku.

Forumi Ekonomik Botëror do zhvillohet nga data 25 janar deri në 29 janar dhe gjatë këtyre ditëve do zhvillohet videodialogu “Agjenda e Davosit”, ku udhëheqës politikë dhe të biznesit nga mbarë bota do të diskutojnë me anë të internetit për veprimet e përbashkëta për të përballuar pandeminë. Tema e Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2021 do jetë “Kapja e vitit kyç dhe rindërtimi i besimit të palëve”.

Presidenti i Kinës Xi Jinping në videodialogun e datës 25 janar, do i drejtohet botës me një fjalim të posaçëm. Ai vjen me fjalimin e tij special me ftesë të kreut të Forumit Ekonomik Botëror, themeluesit dhe drejtorit të saj ekzekutiv, Klaus Schwab.

Në janar të vitit 2017, Presidenti Xi Jinping ju adresua, po në Davos, mendimit politik, ekonomik, social dhe filozofik botëror me propozimi e veçantë të globalizimit ekonomik, duke vënë theksin në bashkëpunimin drejt një bote më të afërt dhe më miqësore dhe më të mirëkuptueshme për të tërë.

Tashmë, në kuadër të gjendjes së recesionit në arenën ndërkombëtare, për shkak të COVID – 19 dhe tërheqjes strukturore ekonomike botërore, duket se përvoja e Kinës drejt një orientimi të ri bashkëkohor ndërkombëtar do të ndihmojë dhe ndikojë në mënyrë pozitive për të përmirësuar atë se si duhet që udhëheqësit e vendeve të tjera t’a shikojnë të ardhmen e përbashkët dhe fatet e përbashkëta të njerëzimit. Duket se është Kina ajo që ka tashmë kurën për sëmundjen e recesionit të viteve 2020 e përtej.

Kura është: ndërtimi konsensusit global, ndërtimit të besimit shumëpalësh, zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, shtimit të kontributeve për zgjidhjen e problemeve dhe presioneve të ndryshme që dalin përballë komunitetit ndërkombëtar.

Kina shpesh gjatë viteve të fundit ka propozuar me maturitet dhe në momentet më të përshtatshme ndërkombëtare, praktikimin e multilateralizmit, promovimin dhe ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore, bërjen e globalizimit ekonomik më të prekshëm, më gjithëpërfshirës, më të balancuar dhe për përfitime për të gjithë, kjo duke nxitur ndërtimin dhe promovimin e një komuniteti me të ardhme të përbashkët për të ardhmen e njerëzimit.

Përballë gjendjes aktuale jo optimiste në ekonominë botërore, përballë një Perëndimi tashmë të konsumuar dhe me ide jo të freskëta zhvillimi, Kina duket se ofron urtësinë dhe forcën saj në rritje në arenën ndërkombëtare, që paraqet një shpresë dhe më shumë optimizëm për komunitetin ndërkombëtar dhe kryesisht për vendet e varfëra dhe në zhvillim dhe jo vetëm.

Duket se Kina së shpejti do jetë lideri i botës përballë krizave ekonomike, mjedisore, shëndetësore, kulturore, për të patur një riparim më të shpejtë të dëmeve të pandemisë, për t’u përballur me problemet globale dhe për të përmirësuar qeverisjen globale.

Në “Raportin mbi rreziqet globale”, publikuar më 19 janar nga Forumi Ekonomik Botëror, theksohet se “pandemia e COVID-19 ka acaruar polarizimin midis të pasurve e të varfërve dhe ndarjen shoqërore dhe kjo pengon zhvillimin ekonomik në tre deri pesë vitet e ardhshëm. Kjo do nxisë tensionet gjeopolitike gjatë 5 deri 10 viteve të ardhshëm”. Gjendja jo e mirë e krijuar pas pandemisë erdhi për shkak të unilateralizmit e populizmit, fajësimit të të tjerëve, racizmit dhe politizimit të epidemisë, duke penguar bashkërendimin ndërkombëtar kundër pandemisë. Kjo krijoi mundësinë që koronavirusi të përhapet gjerësisht në mbarë botën”. Kjo konsiderohet si kriza e shëndetit publik më serioze gjatë 100 vjetëve të fundit, me mbi 2 milionë viktima dhe është “pikë historike dëshpëruese", sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres. Paralelisht ekonomia globale ra në recesionin më serioz pas Luftës së Dytë Botërore. Rënia e PBB-së së shumë vendeve shënoi rekorde historik. Organizata Ndërkombëtare e Punës vlerësoi se kriza e ekonomisë dhe e punës si pasojë e pandemisë do të shkaktojë afro 25 milionë të papunë të rinj në mbarë botën, ndërsa në sektorin e turizmit humbën punën rreth 170 milionë njerëz sipas Organizatës Botërore të Udhëtimeve dhe Turizmit. Në fillim të vitit 2021, presidentja e FMN-së Kristalina Georgieva ju drejtua përsëri botës me mesazhin se “gjendja e pasigurt e ekonomisë globale do të vijojë”.

Kjo gjendje tregon se kur bëhet fjalë për shëndetin publik, sëmundjet nuk bëjnë dallime, ato prekin këto, pa dallim race e pasurie. Por ka një alternativë. Duhet të mbledhim forcat dhe të shtrëngojmë dhëmbët sepse “fitorja dhe / ose humbja, janë të të gjithë ne”. kjo duket se nuk është një lojë ku ai që fiton “i merr të gjitha dhe ku një palë fiton dhe tjetra humbet”. Këtu ka vetëm një palë. Njerëzimi.

Në fjalimin e tij katër vjet më parë, Xi Jinping tha se “njerëzimi është bërë një bashkësi me fate të përbashkëta, me interesa të ndërthurura e me ndërvarësi nga njëri-tjetri” dhe rruga e zgjidhjes së sfidave të përbashkëta të njerëzimit dhe e kalimit të udhëkryqit përballë të cilit njerëzimi ndodhet është që bota të ndërtojë një sistem ekonomik të përgjegjshëm global. Zgjidhja është një sistem ekonomik global i shëndetshëm.

Pajtimi, rindërtimi i konsensusit, rifillimi i bashkëpunimit global dhe konsultimet për krijimin e “bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit”, janë rruga e pritshme, e nevojshme dhe e domosdoshme për daljen nga kjo gjendje, për të rikthyer besimin që të tërë presim. Besim në të cilin Kina mund dhe duhet që të luajë rolin që i takon në arenën ndërkombëtare.