
Produkti i Përgjithshëm Bruto i Kinës kaloi 100 trilionë juanë, në vitin 2020. Pavarësisht pandemisë, që gjunjëzoi botën dhe dëmtoi rëndë edhe një pjesë të sektorëve të ekonomisë kineze, kryesisht përgjatë dy tremujorëve të parë të vitit të kaluar, Kina e mbylli vitin 2020 me rritje cilësore ekonomike dhe me një miksturë sektorësh të ekonomisë më të lidhur me njëri tjetrin dhe edhe më solidë brenda tyre.
Motori i ekonomisë kineze duket se nuk u ftoh, por mblodhi forcat dhe me energjinë e paçmuar të popullit të madh kinez vazhdoi të punojë edhe pse mes vështirësish kryesisht të importuara nga përkeqësimi i gjendjes në tregjet ndërkombëtare. Duket se kjo është një nga arsyet se përse Presidenti i Kinës Xi Jinping insiston në të ardhmen e përbashkët globale, në mënyrë që kombet dhe ekonomitë të mbështetin njëri tjetrin dhe të mësojnë dhe të ecin së bashku drejt një hapësirë të re ekonomike dhe bashkëpunuese për të patur rritje ekonomike mbarë globale. Për këtë pjesa tjetër e botës duket se ka se çfarë të mësojë nga rritja e PPB-së së Kinës në vitin 2020, me shifrën domethënëse 100 trilionë juanë.
Parashikimet flasin qartë se PBB-ja e Kinës do të arrijë të kalojë edhe PPB të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pak përpara vitit 2030, që është edhe 2 – 3 vite më herët se parashikimet dhe kjo sipas specialistëve për shkak se kriza COVID-19 mund të përshpejtojë zhvendosjen e ekuilibrit ekonomik të botës drejt Azisë, ku Kina është zemra shumëdimensionale, ekonomike, komerciale, kulturore e këtij rajoni.

Po si erdhëm deri në këtë fazë të zhvillimit?
Sipas agjencisë më të madhe të respektuar të lajmeve në botë, Reuters, rritja ekonomike e tremujorit të katërt të Kinës në vitin 2020 arriti në nivelin para-epidemisë, duke realizuar një rritje vjetore 2.3 për qind, si ekonomia e vetme të madhe në botë që nuk pati tkurrje vitin e kaluar, kur vendet e tjera ende përballen me pandeminë dhe pasojat e saj.
Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, rritja e PPB-së për tremujorin e fundit të vitit 2020 tejkaloi edhe parashikimet e agjencive më në zë që nuk e prisnin këtë zgjerim dhe thellim të vibrimit të ekonomisë kineze. Rritja ekonomike prej 2.3% tregon se Kina udhëheq me rritje ekonomike pozitive përkundrejt edhe ekonomive më të rëndësishme në botë. Tashmë ekonomia kineze përbën rreth 14.5% të tërë ekonomisë globale me një rritje të këtij treguesi në vazhdimësi.
Edhe shitjet totale me pakicë pësuan një rritje të papritur në Kinë në fund të vitit 2020. Totali i bilancit tregtar të Kinës u rrit rreth 2% këtë tremujor të fundit të 2020 me një rritje 4% të eksporteve, me rritje rreth 6% të eksporteve të produkteve mekanike dhe elektrike. Investimet në high-tech u rritën me 10.6% në 2020 dhe në këtë sektor investimet në e-comerce dhe shërbimet e informacionit, respektivisht me 20% dhe 15.2%. Ky tregues përbën një shans që edhe në fillimin e vitit 2021 dhe në vazhdimësi kjo prirje të vazhdojë dhe të konsolidohet.
Kina po përpiqet që të manaxhojë rritjen e konsumit të brendshëm me një sistem fiskal më të përshtatshëm për të nxitur ekonominë më tej, duke krijuar një situatë të re zhvillimi, me qarkullimin e brendshëm si fuqi kryesore dhe qarkullimin e jashtëm si fuqi nxitëse.
Me një synim për më shumë kujdes për tregun vendas, Kina kërkon zgjerim në tregjet ndërkombëtare me një konkurrencë të drejtë. Konkurrenca në tregjet ndërkombëtare për Kinën nuk është çështje hegjemonie. Është thjesht në të mirë të ekonomisë botërore. Prania e rritur e ekonomisë kineze në tregjet ndërkombëtare nuk duhet parë si kërcënim, përkundrazi, duhet parë si prirja globale për fate të përbashkëta të njerëzimit për produkte dhe shërbime cilësore në mbarë globin, kudo ku qenia njerëzore kërkon të ecë përpara dhe të zhvillohet në dimensione të reja.
Faktet e mësipërme nuk kanë lidhje me pikëpamjen e disa teoricienëve perëndimorë, që gabimisht u mbështet edhe nga disa politikanë të këtyre vendeve që thanë nga mesi i vitit 2020 se nga Kina do “tërhiqen investimet e huaja” dhe se do ketë një “shkëputje të FDI-ve nga ekonomia kineze”. Në fakt, ndodhi krejt e kundërta. Besimi te ekonomia kineze u shtua edhe më shumë në arenën e FDI-ve dhe gjallëria e ekonomisë kineze tregoi se teoritë e ekonomistëve neoliberalë dështojnë kur bëhet fjalë për një sistem ekonomik që këta teoricienë nuk janë në gjendje ta kuptojnë, pasi neoliberalizmi, për shkak të themeleve të dobëta teorike dhe praktike të pas Luftës II Botërore, nuk e studion me kujdes dhe detaje modelin ekonomik të ekonomisë me plane pesë vjeçare.

Ngjarjet që kanë ndodhur në ekonominë botërore përgjatë 30 viteve të fundit dhe paralelisht me to, edhe ecurinë e ekonomisë kineze, mund ta shpjegojë vetëm teoria konservatore. Është e dukshme se ekonomia kineze mbështet fort në forcat e brendshme, në forcën e mendimit ekonomik të ekonomistëve më të mirë të popullit kinez dhe në vizionin e udhëheqësit të vendit Presidentit Xi Jinping dhe deri këtu nuk ka asnjë gjë që mund të ngelet pa shpjeguar edhe sipas Frojdit, edhe sipas Marksit, edhe sipas John Lockut, edhe sipas doktrinës Kisinger, edhe sipas Berlinguerit, edhe sipas Leninit. Të tërë këta teoricienë dhe mendimtarë të mendimit psikologjik, filozofik dhe ekonomik botëror deklarojnë hapur se është udhëheqësi ai që i bën njerëzit të motivuar të punojnë fort për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe të brezave të ardhshëm, kur interesat e shtresave të popullsisë përputhen më së miri dhe kur vendi arrin që të manaxhojë me sukses faktorët e prodhimit.
Bota është në fazën e kuptueshmërisë së rolit që Kina dhe ekonomia e saj kanë dhe do kenë në të ardhmen e afërt dhe të largët. Kjo është mundësi dhe zgjedhje strategjike për se cilin vend të globit dhe në këtë pikë unë mendoj se është e udhës që mos ta shikojmë me xhelozi Kinën dhe popullin e saj të mrekullueshëm, por ne, njerëzit e përgjegjshëm në glob, të mendojmë fort se si të mësojnë nga arritjet dhe sukseset e Kinës dhe nga mënyra se si modeli ekonomik kinez arrin të implementohet në praktikë me anë të planeve zhvillimore pesë vjeçare, që nuk janë as më shumë dhe as më pak por thjesht zbatime në praktikë më mësimeve të Henry Fayol, Henry Ford, Eduard Deming, John Keynes, Milton Freedman, Frederik Engels, etj.
Nga: Dr. Enriko Ceko







