Pekin, Nëntor 2012 - Xi Jinping takohet me një delegacion të huaj, për herë të parë pasi mori detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës, njëkohësisht President i Republikës Popullore të Kinës, dhe shprehu: “[..]bashkësia ndërkombëtare është bërë gjithnjë e më shumë një komunitet me të ardhme të përbashkët.”

Astana, Kazakistan 2013 - hera e parë që bota dëgjoi për Iniciativën “Një Brez, Një Rrugë”, gjatë një vizite të Presidentit Xi në vend, i cili deklaroi: “Shaanxi, krahina ime e lindjes, është pika fillestare e Rrugës së Mëndafshit. Ndërsa qëndroj këtu, reflektoj në histori, pothuajse mund të dëgjoj këmbanat e deveve që jehojnë mes maleve dhe shikoj gungën e tymit që ngrihet nga shkretëtira. E gjitha më kujton shtëpinë ... gjatë mijëvjeçarëve, popujt e vendeve të ndryshme përgjatë Rrugës së Mëndafshit kanë krijuar bashkërisht kapituj miqësie që janë transmetuar brez pas brezi deri në ditët tona”.

Nga sa më sipër mund të shihet një plan ambicioz për politikën e jashtme kineze, po aq sa është një përfshirje dhe sfidë personale për numrin një të politikëbërjes së Republikës Popullore të Kinës. Fillon me evokimin e së kaluarës, ndërsa gjurmon udhëzimet për bashkëpunimin e ardhshëm të vendeve të përfshira në nismë, dhe jo vetëm. Nga ai vit e më tej, vërehet një qëndrim shumë proaktiv i Kinës në arenën ndërkombëtare.

“Mbretëria e Mesme”

Zhōngguó, nëse përkthehet fjalë për fjalë do të thotë Mbretëria e Mesme/Qendrore, ose emri i Kinës në kinezishte të thjeshtuar. Shekuj më parë, zona e brendshme e Kinës - ajo që ne njohim sot si Azia Lindore - u organizua në bazë të marrëdhënieve të ndërthurura që në bazë përfshinte shtetet fqinj të cilat pranonin epërsinë kulturore (dhe jo vetëm) të Kinës dhe fuqinë e saj dërrmuese. Vendet e rajonit u lidhën me ‘Mbretërinë e Mesme’ me anë të sistemit tributar, për të patur në kthim përfitime dhe mbrojtje. Ky lloj sistemi, ra viktimë e kolonizimit të Azisë Lindore nga fuqitë evropiane, dhe u zëvendësua nga sistemi i shtetit-komb Westfalian. Me pak fjalë, Mbretëria e Mesme ishte një mekanizëm qeverisje centripetal, rreth të cilit të tjerët tërhiqen me rotacion drjet gravitetit qëndror, dhe ku ‘të tjerët’ nuk janë parë nën prizmin e merkantilizmit ose pushtimit, por më shumë si partnerë.

Partia

Partia Komuniste Kineze, duke kryesuar transformimin e gjithanshëm të vendit, do të lërë një gjurmë të thellë në modernitetin kinez dhe më gjerë. Ka krijuar dhe rikrijuar shtetin kinez, ribashkoi Kinën pas një shekulli të përçarjes; luajti rolin kritik në disfatën e kolonializmit japonez dhe shpiku e administroi strategjinë që përfundimisht i dha Kinës premtimin, pas një shekulli ose më shumë rënieje, të rivendosjes së statusit dhe fuqisë së saj në botë.

Zgjerimi global i Kinës nuk ndodhi nga rastësia. Ajo u rrit direkt nga Partia Komuniste dhe politikat qeveritare të nisura në të famshmet Seanca Plenare të Komitetit Qëndror deri në influencën e direktivave në çdo cep të vendit. Mënyra se si Partia ka trajtuar ndryshimin dhe evoluimin e botës dhe të vetë Kinës duhet parë nën prizmin e ‘si e sheh Kina veten, jo se si e sheh bota Kinen’. Për të analizuar Kinën, nga pjesa tjetër e botës janë marrë optika dhe kalibre Westfaliane, gjë që në thelb është një perceptim i shtrembëruar.

Kohët në të cilat jetojmë

Epoka jonë është unike. Për arsye të shumta, veçanërisht komunikimi i menjëhershëm global, kushtet tona gjeopolitike janë sui generis, të cilat duhet të na japin pauzë për të reflektuar para se të reagojmë. David Shambaugh, shprehet se pllakat tektonike të energjisë që kanë karakterizuar Azinë për gjysmë shekulli po zhvendosen, dhe Kina po kthehet në rolin e saj tradicional si aktor qendror në Azi dhe jo vetëm. Ndërsa Kina ka vazhduar të grumbullojë atributet tradicionale të fuqisë së madhe, diplomacia e vetë Kinës është rritur më e sigurt, e gjithëdrejtuar dhe proaktive; ekonomia e saj tani është një motor kryesor i rritjes rajonale; ushtria e saj po modernizohet në mënyrë të vazhdueshme; dhe qëndrimi i sigurisë shihet gjithnjë e më shumë si beninje. Ndikimi global i Kinës ndihet gjithnjë e më shumë në çdo kontinent, në pjesën më të madhe të institucioneve ndërkombëtare, dhe për shumë çështje globale. – Si rrjedhojë e sa më sipër, patjetër Kina duhet të ketë zërin e saj në çështjet madhore bashkëkohore, pasi Kina është zhvendosur nga periferia në qendër të sistemit ndërkombëtar dhe paraqitet dukshëm në vëmendjen globale.

Lideri - Epoka e Xi Jinping!

Në këto kohë vjen në fuqi administrata e Xi Jinping, dhe domosdoshmërisht e shikon botën me optikën e saj – kryefjala në marrëdheniet me jashtë ka qënë ‘komuniteti me fate të përbashkëta’. Ideja e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin është paraqitur nga Presidenti Xi në shumë panele kombëtare dhe ndërkombëtare si : Seksioni i 70-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në 2015; Forumi Ekonomik Botëror në Davos, në Janar 2017; Forumi “Një Brez, Një Rrugë” për Bashkëpunim Ndërkombëtar i mbajtur në maj 2017 në Pekin; Takimi i Liderëve të BRICS në Shtator 2017 në Xiamen; në seancën hapëse të Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës Tetor 2017 madje edhe gjatë fjalës së tij në një ceremoni për të përkujtuar dyqind- vjetorin e lindjes së Karl Marks, ku Xi i bëri thirrje përsëri botës për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe për të krijuar një botë më të bukur!

Ky koncept në vetvete i shërben interesave të përbashkëta dhe themelore të popullit të Kinës dhe të gjithë botës; për më tepër, Presidenti Xi bën thirrje për nxitjen e një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare që përmbajnë respekt të ndërsjellë.

Për vite me radhë, ky vizion është thelluar duke marrë jehonë globale dhe duke u bërë një zë i fortë në një botë me ndryshime të mëdha. Në kohët e vështira në të cilat po jetojmë, është parë në praktikë, se si një 'komunitet me të ardhme të përbashkët për njerëzimin' mund të luftojë një virus. Përhapja e COVID-19 ka sprovuar njerëzimin duke lënë pas vuajtje dhe frikë në shkallë të paprecedentë. Duke kërkuar solidaritet në këto kohë provash, kjo situatë, na kujton edhe një herë se mirëqenia dhe e ardhmja e të gjitha vendeve janë të ndërlidhura.

Vizioni global i Xi Jinping përmban në vëtëvete traditen e lashtë të Mbretërisë së Mesme që gjithmonë i ka parë fqinjët si miq dhe si oportunitet për rritjë të ndërsjellë; përmban në të filozofinë tërësisht dinamike dhe adaptuese të PKK, reflekton kushtet dhe kohët në të cilat jetojmë, dhe përmban patjeter, vizionin personal të Presidentit që sikurse u shpreh në Shaanxi – është pikënisja e mirëqënies dhe miqësisë mes popujve.

Në fjalët e tij: “Shpresojmë që bota të bëhet një vend më i mirë. Ne kemi të gjitha arsyet për të besuar se do të bëhet. Në të njëjtën kohë, ne jemi të vetëdijshëm që ndërsa e ardhmja është e ndritshme, rruga që të çon drejt saj mund të jetë e trazuar.”

Dr. Marsela Musabelliu