
Ngjarjet e 6 janarit në Kapitol Hill ishin shokuese. Akoma më dramatie i bën këto ngjarje fakti që presidenti ende në detyrë, Donald Trump, i nxiti përkrahësit e tij të ushtrojnë dhunë mbi tempullin e demokracisë amerikane. Ato ngjarje ishin kulmi i akteve anti-demokratike të zotit Trump në qeverisjen e tij. Por kjo nuk do të thotë se ushtrimi i dhunës së 6 janarit e ka rrënuar demokracinë amerikane. Drama e 6 janarit në Kapitol Hill solli 4 viktima, një prej të cilave nga radhët e policisë. Por jo vetëm kaq. Ajo datë do të shënohet si një nga ditët më kërcënuese, jo vetëm për demokracinë, por edhe për paqen e stabilitetin e Amerikës.
Në fakt 6 janari ishte epilogu i një odiseje veprimesh të pakontrolluara të Donald Trump. Me ardhjen e tij në Shtëpinë e Bardhë ai ndryshoi ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të politikës. Në Shtëpinë e Bardhë prej dekadash kishin kaluar presidentë demokratë e republikanë, por të gjithë kishin vijuar strategjinë e përgjithshme amerikane në një linjë të pacenueshme. Donald Trump ndryshoi gjithçka dhe me këto ndryshime mori mbështetjen e fansave të anti-establishment.
Ai ndryshoi marrëdhëniet politike brenda vendit, duke u përpjekur që t'i japë përparësi rolit të tij si president në raport me pushtetin legjislativ dhe gjyqësor në Amerikë. Por kjo nuk funksionoi siç ai dëshiroi. Kushtetuta amerikane e mbrojti demokracinë amerikane nga autoritarizmi I Trump. Ndërsa në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos në raport me Europën, ai pati suksese. Ia arriti të përçajë Europën. U largua nga marrëdhënia tradicionale amerikane me kontinentin e vjetër për shkak të promovimit të vlerave të demokracisë.
Ky largim u shfaq me një lloj agresivi verbal kundër Gjermanisë dhe zonjës Merkel, por edhe me masa për pezullimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Më pas u shoqërua me nxitjen e Britanisë së Madhe dhe kryeministrit të saj, Boris Johnson, për daljen nga Bashkimi Europian. Më tej akoma kur riorganizoi diplomacinë amerikane në Europë, duke promovuar politikën e mbështetjes së forcave ekstremiste e populiste, të cilat synojnë shkatërrimin e BE-së. Ndërkaq ai vuri në diskutim ekzistencën e Aleancës Atlantike, duke krijuar njëfarë kaosi në zhvillimet në botë.

Donald Trump ndërtoi strategjinë e krijimit të një rendi të ri botëror. Ai bëri presion të jashtëzakonshëm që të bllokojë funksionimin e të drejtës ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore, bojkotoi disa agjenci të OKB-së dhe kritikoi ashpër funksionimin dhe vendimmarrjen nga ana e tyre. Preteksti ishin kuotat e larta të donacioneve amerikane për këto agjenci dhe mbi këtë arsyetim ai ndërtoi kërkesën që SHBA-të të dominojnë në vendimmarrjen e tyre.
Në fillim pati përkrahje të gjerë në këto iniciativa, sepse besohej që bota do të ishte më e mirë nëse ajo do të funksiononte me rregulla më të drejta të së drejtës. Rendi i sotëm botëror është tashmë i vjetëruar. Por të përpiqesh ta ndryshosh atë duke iu kundërvënë aktorëve europianë të këtij rendi është më shumë se e rrezikshme. Vërtet pesha e Europës, ashtu si edhe e SHBA-së nuk është më në kuotat e kohës së Luftës së Ftohtë, por pa Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën vështirë se mund të vendoset për rregulla të reja loje në teatrin e sotëm ndërkombëtar. Donald Trump i eleminoi këto fuqi europiane me arrogancë të pashembullt.
Ndërkaq presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës harroi se rendi botëror prej Kongresit të Vjenës e këtej është ndërtuar në frymën e konsensusit. Gjithmonë pa patur një fuqi dominuese në skenën botërore të politikës. Por nuk ka qenë kurrë e mundur të ndryshojnë rregullat pa konsensusin e të gjitha palëve.

Mënyra dhe fryma autoritare e Donald Trump në përceptimin dhe ndryshimin e rendit të ri botëror synoi rikthimin e konceptit të udhëheqjes së këtij rendi bazuar në opsionin nacionalist. Kur ai bëri thirrjen dhe punoi me idenë "Amerika e para"!, në fakt nxiti të gjitha vendet e tjera që të forconin nacionalizmin ekstrem dhe e njohu ekstremizmin si forcë lëvizëse të kësaj bote. Ndërkohë është bërë e njohur tashmë se nacionalizmat ekstremë prodhojnë konflikte të brendshme të pandërprera. Nacionalizmat ekstremë nxitin izolimin e shteteve dhe të vendeve të ndryshme e për pasojë edhe kontradiktat midis tyre.
Gjithkush e di se çfarë mund të sjellë dezintegrimi i Bashkimit Europian dhe i Aleancës Atlantike. Kaosi dhe rrëmuja do ta sundonin botën e sotme e për pasojë konfliktet do të bëhen pjesë e rendit të ri botëror. Konfliktet dhe luftërat lokale, kontinentale apo globale janë dhe mbeten rrezik kryesor për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në botë.
Mbijetesa e demokracisë amerikane dëshmoi se institucionet e këtij vendi janë solide. Kushtetuta dhe ligjet amerikane janë ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk lejojnë askënd, qoftë ky dhe presidenti i vendit, të ndryshojë kursin demokratik të vendit. Ngjarjet e fundit të 6 janarit në Kapitol Hill dëshmuan se nuk është ekzekutivi shtylla e demokracisë së SHBA-ve, por është balanca e krijuar e pushtetit midis presidentit, legjislativit dhe gjyqësorit. Kjo balancë dhe ushtrimi i pavarur i funksioneve të çdo gjymtyre të pushtetit e ruan demokracinë amerikane edhe nga arroganca dhe arbitrariteti i një presidenti të papërgjegjshëm!







