The Eagle Has Fallen. Donald Trump si simbol i krizës së demokracive liberale në perëndim.

The eagle has fallen është titulli i një filmi aksion i para disa viteve, jo veçanërisht mbresëlënës, në të cilin një grup i armatosur sulmon Shtëpinë e Bardhë dhe i vë flakën. Filma të tjerë të para shumë viteve mundet gjithashtu të jenë metaforë e asaj çfarë ndodhi me sulmin e protestuesve pro-Trump në Kongresin Amerikan me 6 Janar 2021. Por pavarësisht filmave apo serive të ndryshme që mund të kemi parë që vërtiten rreth pallateve të pushtetit në Amerikë, ajo që ndodhi në Washington nga mbështetësit e presidentit Trump është një falimentim i imagjinatës së shumëkujt, që vështirë të ketë çuar nëpër mënd që një skenë e tillë me mijëra njerëz që shkallmonin dyert e Kongresit Amerikan, tempullit të demokracisë më të madhe në perëndim, të jetë në fakt një ngjarje reale që ndodhi nën shikimin e qindra miliona njerëzve që i panë ato skena me 6 Janar 2021, kur Kongresi Amerikan u pushtua nga një turmë e irrituar mbështetësish të presidentit Trump i cili i thirri të protestonin kundër asaj që ai në mënyrë spekulative e quante vjedhje të zgjedhjeve. Turma ishte e bindur se zgjedhjet në Amerikë ishin manipuluar dhe se Kryetari i Senatit Amerikan që është Zv. Presidenti i Amerikës, nuk duhej të numëronte disa prej votave të Kolegjit zgjedhor, dhe kështu ai, sipas Trumpit, duhej të mundohej të përmbyste me procedurë rezultatin e dalë nga vota e popullit e cila me diferencë prej gati 5 milionë më shuma vota i kishte dhënë fitoren kandidatit Joe Biden.

Shqiptarëve kjo ngjarje në vetvete mundet që edhe mos t’ju ketë bërë shumë përshtypje. Gjatë këtyre 30 viteve demokraci jo demokratike në Shqipëri, gjenerata ime është rritur duke parë shumë zjarrvënës të pallateve të pushtetit për kauza jo fisnike dhe interesa meskine, dhe shumë pak zjarrfikës. Përsëri, edhe në Shqipëri shumë veta u shokuan që skena të tilla nuk po vinin nga një vend i botës së tretë në zhvillim e sipër me institucione të brishta, por nga demokracia më e madhe e njohur ndonjëherë në sferën perëndimore.

Komentet në mediat botërore për atë që ndodhi janë nga më të ndryshmet. Prestigjiozja Wall Street Journal i bëri thirrje presidentit Trump të largohej menjëherë, dhe e quajti ngjarjen si një sulm mbi atë institucion të cilin pikërisht për ta mbrojtur nga sulmet terroriste me 11 Shtator 2001, pasagjerët e fluturimit United 93 të marrë peng nga terroristët islamikë zgjodhën të përlesheshin me ta dhe të rrëzoheshin e vdisnin për të mos lejuar rënien e qëllimshme të avionit mbi selinë e Kongresit, apo edhe mbi Shtëpinë e Bardhë. Në një media evropiane analistë të ndryshëm e komentonin këtë veprim të Trump si një grusht shteti ndaj pushtetit për ti dhënë vetes më shumë pushtet (sel-coup), dhe e krahasonin Trumpin me personazhe të tjerë që kishin vepruar në mënyrë të ngjashme si Nicola Maduro në Venezuelë, apo të tjerë. Të tjerë analizonin se si ky ishte një veprim në vazhdën e shumë veprimeve të diskutueshme që Trump ka ndërmarrë gjate gjithë presidencës së tij dhe që këta analistë i shikojnë plotësisht të ngjashme me veprimet gati diktatoriale të shumë udhëheqësve të cilët edhe pse mbajnë zgjedhje parlamentare e presidenciale, në fakt më pas kapin të gjitha pushtetet. Në rastin e Trump përmenden disa prej veprimeve të tij sikurse është emërimi i shumë gjykatësve me simpati ndaj republikanëve në gjykata federale, dhe mbi të gjitha emërimi i 3 anëtarëve të gjykatës supreme gjatë viti të fundit të presidencës së tij. Qasja për të vënë njerëz besnikë në Pentagon dhe në agjencitë e tjera ligj zbatuese, sulmi ndaj të gjitha mediave dhe në përgjithësi ndaj lirisë së fjalës nëpërmjet twiteve të tij, dhe sulmi në përgjithësi ndaj vetë sistemit politik nga i cili vetë kishte dalë, duke e quajtur atë të vjetër e korruptuar.

Por çfarë është Donald Trump në fakt?

Donald Trump është gjithçka është thënë për të nga analistë të shquar, por mbi të gjitha është produkt dhe emblemë i kohës së vështirë që politika në perëndim po kalon dhe që e ka fillesën në krizën financiare të filluar në vitin 2008 pikërisht në Amerikë. Në këto 30 vitet e fundit kapitali financiar në Europë e Amerikë ka marrë një pushtet të gjithëfuqishëm i cili me spekulimet e tij futi në krizë të thellë ekonominë Amerikane dhe la pa kursime dhe deri edhe pa shtëpi miliona njerëz që kishin rënë pre e mashtrimeve financiare. Megjithëse jo plotësisht, Amerika u mëkëmb shpejt nga kjo krizë, por kriza shumë shpejt u zhvendos në Europë dhe nga e cila Bashkimi Europian akoma nuk ka dalë, për fat të keq e vështirësuar edhe nga goditja e fortë nga pandemia Covid-19. Kjo krizë ekonomiko financiare në të cilën një herë Amerika dhe pastaj Europa hynë, shtoi pakënaqësinë e masave popullore dhe zhgënjimin e tyre me klasat politike të vendeve respektive duke i parë ato të pa afta të kontrollojnë ekonomitë e perëndimit. Dhe në fakt politika e tillë qe.

Shekulli i ri në të cilin ndodhemi pati filluar me një triumf të liberalizmit ekonomik i cili me rënien e Murit të Berlinit një dekadë më herët i hapi krahët një kapitalizmi të shfrenuar i cili nuk kishte asnjë antagonist ideologjik në perëndim. Politika në mënyrë progresive dhe të pashmangshme ja la vendin ekonomisë në vendimmarrjen e saj (e cila edhe më parë dominonte në vendimmarrje politike), dhe politika vetë u zhvendos nga pallatet e pushtetit ku një herë e një kohë ishte disi e pushtetshme, në studiot televizive ku u bë dhe vazhdon të jetë pjesë e një spektakli mizerabël në të cilin politikanë të të gjithë krahëve (majtas, djathtas, qendër) mundohen të argumentojnë dhe bindin njerëzit për zgjedhje dhe vendime që në fakt janë marr tashmë tjetërkund në pallatet e ekonomisë. Kjo ka bërë që Politika në Europë e Amerikë (dhe në perëndim në përgjithësi) te shihet me mosbesim nga Europianët dhe Amerikanet dhe te ketë një rritje të lëvizjeve të ashtuquajtura populiste në të cilin personazhe si Trump shihen si outsiders dhe si shpëtimtarë sepse flasin një gjuhë kundër politikës së vjetër, megjithëse rrallë herë propozojnë gjëra të reja. Shkurt, liberalizmi ekonomik që rezultoi në një pushtet të fuqishëm të sektorit më pak prodhues të ekonomisë që është ai financiar, futi në krizë gjithë sistemin politik në perëndim.

Platoni thoshte se politika është arti më fisnik, (Basilike tekne (greqisht) – tecnica regia në përkthimin latin) sepse nëse të gjitha artet e tjera (teknikat e tjera si mjekësia, inxhinieria, etj) na tregojnë sesi të bëhen gjërat, politika në fakt vendos nëse duhen bërë dhe përse duhen bërë ato. Në kohën e sotme, të paktën në perëndim politika vendos fare pak. Ja pse personazhe si Trump triumfojnë, sepse ato janë fryt i dëshpërimit dhe zhgënjimit të shumëkujt që e shikon politikën jo si shprehje të interesit popullor, por si zëdhënëse e interesave okulte dhe pak transparente të një ekonomie financiare të dalë pothuajse jashtë kontrollit dhe që shpesh vepron kundër jetës së njerëzve.

Giovanni Sartori, një politolog i famshëm italian, ka shpjeguar sesi duhet patur kujdes nga idealizimi i tepërt i mekanizmit të zgjedhjeve në politikë. Sartori thoshte se zgjedhjet janë vetëm një mënyrë për të zgjedhur kryetarin, dhe se ka shumë mënyra të tjera, dhe se demokracia për të qenë vërtetë e tillë, nuk mund të identifikohet vetëm në zgjedhjet. Ato, edhe pse të domosdoshme në vende me sisteme politike të bazuara në pluralizmin politik, thoshte Sartori, shpesh herë çojnë në majat e pushtetit personazhe të dëmshme sikurse, themi ne, ishte Trumpi këto 4 vitet e fundit për Shtetet e Bashkuara, i cili me veprimet e tij në vend që të ndërtonte ura bashkëpunimi ka ngritur më shumë mure, duke polarizuar në ekstrem politikën e brendshme amerikane. I tillë ishte edhe në politikën ndërkombëtare. Një herë duke vënë në dyshim soliditetin e aleancës me vendet evropiane, e pastaj fillimi i një antagonizmi konstant ndaj Kinës, me nisjen e një lufte tregtare e cila rezultoi në sulme të hapura politike dhe me pasoja për stabilitetin në rendin politik ndërkombëtar.

Por pushtimi i Kongresit Amerikan ka një domethënie edhe më tragjike me implikime ndërkombëtare. Ky akt i ka dhënë një goditje të fuqishme demokracisë më të madhe të botës perëndimore sepse ngjarjet e Kongresit goditën fuqinë tërheqëse që demokracia amerikane ka ushtruar mbi vende e popuj anë e kënd botës. Nuk ka dyshim se Demokracia Amerikane duke qenë 250 vjeçare ka mekanizmat e vet për tu ngritur përsëri në këmbë, dhe për tu shëruar nga sëmundje si trumpizmi, por ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi soliditetin e saj. Tashmë detyrë e presidentit të ri Amerikan Joe Biden, nuk do të jetë vetëm zbatimi i axhendës së tij ekonomike e sociale, por do ti duhet që me vendimmarrjen e tij të mund të rifitojë besimin e njerëzve në demokracinë amerikane, dhe besimin e aleatëve dhe partnerëve në marrëdhëniet ndërkombëtare të Amerikës. Por në një rrafsh më të gjerë se një term presidencial amerikan, nëse politika nuk bëhet më pak elitiste, dhe nuk sforcohet për t’ju përgjigjur interesave të njerëzve duke i përfaqësuar ato më së miri, atëherë trumpizmi si fenomen do qëndrojë shumë gjatë mes nesh, dhe mund të bëhet normaliteti i së nesërmes.