Ndryshimi i klimës përmban brenda vetes gjithshka për të qënë një temë globale, ajo ndikon në jetën e njerëzve, ashpërson krizat ekzistuese, por edhe nxit kriza të reja. Dekada që sapo kaloi ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë, por edhe viti që lamë pas dëshmoi se rreziqet e ndryshimeve klimatike sa vijnë e bëhen më të mprehta e më ndikim të madh. Shkencëtarët në të gjithë botën publikojnë të dhëna dhe kanë dhënë alarmin se jemi në kufij kritikë për marrjen e masave të menjëherëshme për të parandaluar katastrofa të cilat vënë në pikëpyetje jetën mbi tokë. Çlirimi i gazrave ka ardhur në rritje dhe në se nuk ndërhyhet në mënyrë frontale nga të gjithë shtetet, bota ballafaqohet me një sfidë shumë të madhe që paraqet rreziqe imediate.

Marrëveshja e Parisit, e arritur përmes debateve shumë të gjata e një angazhimi të madh, u hodh poshtë nga Presidenti Trump, duke frenuar përparimin që pritej me aq shumë interesimin .

“Nuk dua të dëmtohet ekonomia për të ruajtur disa standarde “ – shprehej Presidenti amerikan pas daljes nga Marrëveshja e Parisit. Tablloja pritet të jetë ndryshe tani që në Shtëpinë e Bardhë do të vijë Biden, i cili është shprehur se do të jetë veprimi i parë njohja dhe zbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja.

Lufta kundër ndryshimeve klimatike është një luftë globale dhe mbase më e madhja në momentin e tanishëm. Në këtë luftë Kina, që ishte në qendër të kritikave të Presidentit në ikje Trump, i cili kërkonte të justifikonte veprimin e tij për moszbatimin e Marrëveshjes së Parisit, është në krye të masave efektive, konkrete, afatgjata dhe të studiuara, për mbrojtjen e klimës. Megjithatë, qëndrimi jomiqësor i zotit Trump ndaj shkencës së ndryshimeve klimatike, nuk i ndali negociatorët e OKB-së të merrnin një sërë masash dhe të organizonin samite të ndryshme, për të konkretizuar hapat për zbatimin e marrëveshjes.

Në Samitin e Ambicies për Klimën, mbajtur në fund të vitit 2020, Presidenti kinez Xi Jinping paraqiti një propozim prej tre pikash, të cilat janë udhërrëfyese në punën e përpjekjeve konkrete për ndryshimet klimatike. Duke ndjekur zhvillimet e reja, sidomos pas shfaqjes së pandemisë së koronavirusit, që kërkon një reflektim të thellë e të menjëhershëm në marëdhëniet e njeriut me natyrën, Kina po i shikon këto marrëdhënie në një optikë të re. Propozimet e Presidentit kinez kanë vënë në lëvizje pozitive të gjithë, pasi siç theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres : Klima nuk zgjidhet me një vaksinë !

Duke analizuar tre propozimet e presidentit kinez, vëren se ato janë platformë efektive, por edhe mundësi bashkëpunimi duke krijuar një energji të re për përfitime të përbashkëta për qeverisjen e klimës.

Përballë sfidës së ndryshimit të klimës, fatet e njerëzimit janë të lidhura ngushtë. Pala kineze mirëpret siç theksoi Xi, që vende të ndryshme të përkrahin Marrëveshjen e Parisit dhe të japin kontribut më të madh përballë ndryshimit të klimës.

Po kështu forcimi i një mekanizmi të ri të qeverisjes klimatike. Vendet e ndryshme duhet të ndjekin parimin e përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme dhe të shtojnë masat sipas situatës dhe aftësisë së tyre. Vendet e zhvilluara duhet t’u ofrojnë vendeve në zhvillim, mbështetje në financim, teknologji dhe në ndërtimin e kapaciteteve.

Gjithashtu, forcimi i besimit dhe këmbëngulja në konceptin e ri të përtëritjes së gjelbër në qeverisjen e klimës mbetet një drejtim shumë i rëndësishëm.

“Duhet të mbështesim me forcë një stil jetese të gjelbër e me lëshim të ulët karboni dhe të kërkojmë mundësi zhvillimi e motivim nga zhvillimi i gjelbër” – ka nënvizuar Presidenti kinez në theksimin e tij të planit prej tre pikash.


Mobilizimi i komunitetit ndërkombëtar për të forcuar veprimet lidhur me klimën realizohet vetëm përmes ballfaqimesh të masave konkrete e rezultateve të prekëshme. Kina në mënyrë konkrete ka shfaqur angazhimin e saj serioz në këtë drejtim, duke u larguar nga polemika, të cilat e devijojnë thelbin e çështjes dhe nuk orientojnë në zgjidhjen e problemeve. Përkundër atyre kritikave që vijnë në drejtim të Kinës për përgjegjësinë në emetimin e gazrave, ajo ka vënë përballë shifra e rezultate mbresëlënëse dhe po ndjek një rrugë e cila ka sjellë ndryshime shumë të mëdha.

Lëshimet e dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së ranë më një të pestën krahasuar me nivelin e vitit 2015 dhe do të ulen me 65 % krahasuar me vitin 2005. Është një shifër kjo e cila nuk mund të mos tërheqë vëmendjen por edhe të rrisë garancinë e një sfide të re që po realizon vendi më i madh i botës në përballjen më të vështirë. Pjesa e qymyrit në vëllimin e përgjithshëm të energjisë ishte më pak se dy të tretat, nga 72 % që ishte një dekadë më parë, ndërsa përdorimi i energjisë së pastër zuri një të katërtën e energjisë së konsumit. Duke vazhduar me shifrat, është e nevojshme të theksohet se pjesa e karburanteve jofosile në konsumin e energjisë parësore do të rritet me 25 %, ndërsa vëllimi i rezervës pyjore me 6 miliardë metër kub krahasuar me nivelin e vitit 2005 si dhe do të shtojë kapacitetin e energjisë diellore dhe të erës me 1.2 miliardë kilovat.

Problemet e sigurimit dhe përdorimit të energjisë mbeten të mprehta dhe zgjidhja e tyre për një marrëdhënie sa më miqësore me ambientin paraqet një ekuacion të vështirë. Për të optimizuar e diversifikuar strukturën e saj të prodhimit me energji, Kina po punon në mënyrë konstante dhe me plane të qarta zhvillimi për të promovuar përdorimin e pastër dhe efikas të energjisë fosile, duke i dhënë përparësi zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme, zhvillimin e energjisë bërthamore në një mënyrë të sigurt dhe të rregullt.

Përmes nismës “Një brez, një rrugë” është intensifikuar puna për promovimin e energjisë së gjelbër, duke realizuar një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturën energjitke me ato vende që janë të përfshira në këtë nisme dhe kanë ndërlidhje energjitike. Kina mbetet një nga vendet me pjesmarrjen më aktive në qeverisjen globale të energjisë dhe kohët e fundit ajo ka intensifikuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin energjetik me shumë vende, jo vetem ato kufitare, por edhe më gjerë.

Kina i ka kthyer në një nga prioritetet më të mëdha të politikës së saj çështjet që lidhen me mbrojtjen e ambientit, mbrojtjen e ekosistemeve natyrore dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. Ajo që ka nënvizuar në samitin virtual të ambicies për klimën në fundin e këtij viti, Presidenti kinez, përbën sigurisht një platformë shumë të rëndësishme, por ajo është rrjedhojë e një këmbënguljeje e drejtimi politik në të cilin po punohet prej më shumë se një dekadë.

Vitet e fundit është intensifikuar puna dhe rezultatet janë befasuese. Në se deri para një apo më shumë dekadave përqëndrimi ishte tek zhvillimi ekonomik i cili shoqërohej me një kosto ambientale, në dekadën e fundit çdo gjë ka ndryshuar rrënjësisht. Presidenti Xi e vuri theksin që në fillim në harmonizimin e drejtë të zhvillimit ekonomik, përmes miqësisë me natyrën dhe pati një ndjeshmëri të rritur në këtë drejtim. Një zhvillim i qëndrueshëm e cilësor nuk mund të jetë agresiv me natyrën dhe gjithë mjedisin. Pikërisht këtë koncept implementoi ai në të gjithë strategjinë e tij të zhvillimit dhe sot rezultatet janë të prekshme për të gjithë ata që e kane vizituar më parë Kinën dhe mund t’i rikthehen asaj për të prekur nga afër ndryshimin.

Sigurisht që ka qenë një rrugë e vështirë, ka patur edhe kostot e veta dhe vazhdon t’i ketë në planin ekonomik. Mbyllja e disa minierave, vendosja e masave të rrepta të peshikimit në lumin Yangtze në disa raste me moratorium deri në 10 vite, mosimportimi i mbetjeve të ngurta nga jashtë që u vendos në ditët e fundit të dhjetorit, kufizimet e ndjeshme në përdorimin e mjeteve motorrike me naftë, por edhe mjaft masa të tjera, i kanë krijuar ekonomisë probleme, por kanë zgjidhur për një periudhë të shpejtë një efekt klimaterik pozitiv, si edhe kanë orientuar drejtuesit lokalë por edhe ato qëndrorë në gjetjen e rrugëve të reja sidomos në fushën e bujqësisë e të agroturizmit. Nga periudha afatshkurtër e pasojave që shkaktuan disa masa drastike, tani është kaluar në një qëndrueshmëri në rritje ekonomike e me ndikim pozitiv në mjedis.

Tashmë Kina është kthyer jo vetëm për Bashkimin Evropian, por për të gjithë shtetet e angazhuara seriozisht në Marrëveshjen e Parisit, në një partner të domosdoshëm bashkëpunimi dhe koordinimet mes paleve sa vijnë e rriten. Kina me shumë bujari ofron përvojën e saj në “green economy” dhe mbetet një shembull që duhet ndjekur, pasi ajo po e udhëheq konkretisht dhe me përvoja të certifikuara sfidën për klimën.

Gezim Podgorica