
Shtatë vite biseduan midis tyre Brukseli dhe Pekini për të mbërritur te 30 dhjetori i vitit që sapo kaloi. Objekti ishte lidhja e një marrëveshjeje të përbashkët për mbrojtjen e investimeve. Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, përveç Irlandës, votuan të mërkurën e javës së kaluar për miratimin e projektit të negocuar nga kryesuesja e radhës së unionit, Angela Merkel. Kësisoj ata hapën një etape të re bashkëpunimi në marrëdhëniet ekonomike midis dy palëve. E nënshkroi këtë marrëveshje edhe Emmanuel Macron, i cili ishte kundërshtari kryesor i saj. Se si Angela Merkel e bindi presidentin francez për këtë hap, është e panjohur, por fakt është se këmbngulja e Merkel solli përfundimin e kësaj marrëveshjeje historike.
Mbrojtja e investimeve midis Bashkimit Europian dhe Kinës do të thotë gjithashtu bashkëpunim i ngushtë midis të të dy palëve në të gjitha fushat e marrëdhënieve ekonomike e tregtare. Kjo shënon themelin e të gjitha marrëdhënieve në zgjerim. Nga mbrojtja e investimeve varet gjithçka tjetër në ekonomi. Tashmë Pekini dhe Brukseli kanë hapur rrugën e një parteriteti të ngushtë midis tyre. Në vitet '90 e këtej Pekini ishte vënë në shënjestrën e kundërshtarit europian, gati në atë masë sa c’ishte ish-Bashkimi Sovjetik në periudhën e Luftës së Ftohtë.
Me këtë marrëveshje gjithçka ndryshon. Përfituesit e saj realë janë investitorët europianë, ndërtuesit e automjeteve, prodhuesit e imdustrisë së ndërtimit të fabrikave dhe uzinave, ata të teknologjisë, transportit, spitaleve dhe sektorëve të tjerë të jetës ekonomike e sociale, deri te arsimi. Tregu kinez do të presë dhe do të shohë miliarda euro investimeve në Kinë dhe tregu europian do të pranojë investimet miliardëshe të saj. Kompanitë europiane me këtë marrëveshje do të kenë të garantuar kapitalet dhe pronën e tyre, do të investojnë dhe mbrohen nga ligjet ndërkombëtare përmes arbirtrazhit ndërkombëtar dhe nuk do të jenë të kufizuar në masën ose fushat e investimit. Ndaj këto investime janë pranuar edhe në vendet kritike si Holanda e Franca dhe sipërmarrësit europianë bëjnë festë. Ata kanë mundësi që me rregulla të standardit europian të shtrijnë kapitalin e tyre në një treg shumë të madh e të ndërsjelltë.

Gjatë shtatë viteve kritikët e kësaj marrëveshjeje heshtën. Ata u shfaqën fuqishëm vetëm një ditë pas nënshkrimit të saj, duke kërkuar që marrëdhëniet me Kinën të kushtëzohen me respektimin e të drejtave të njeriut. Në fakt, marrëveshja parashikon hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Por në këto kundërshti vihet re se në disa qarqe politike europiane, të cilat nuk shqetësohen për shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi, u zgjua menjëherë sentimenti për mbrojtjen e këtyre të drejtave në Kinë! Abuzim apo ndershmëri, kjo mbetet për t'u parë!
Ndërkaq kritika vijnë dhe nga skeptikët europianë, të cilët nuk besojnë në atë se firmat kineze me mbështetje të kapitalit shtetëror do të jenë fair. Ndaj dhe marrëveshja bazohet në përparësinë e kapitalit privat për investime. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe politikanë të partive ambjentaliste në Europë, të cilët kërkojnë më shumë vëmendje për mbrojtjen e mjedisit dhe marrëveshja të kushtëzohej më tepër me këtë aspekt të strategjisë europiane të zhvillimit.
Ndërsa nga pikëpamja gjeopolitike europianët nuk shohin ndonjë rrisk, nëse bashkëpunimi me Pekinin merr përmasat e një partenriteti të sinqertë. I vetmi problem është reagimi i Uashingtonit. Pra nëse kjo marrëveshje i cënon osë jo lidhjet e ngushta trans-atlantike! Por besohet se marrëveshja europiano-kineze është nënshkruar pas një rekordimi me presidentin e ri Biden nga ana e zonjës Merkel, e cila di të jetë e matur në raste të tilla! Fakti që Merkel e ka përshëndetur me entusiazëm të madh zgjedhjen e Biden shihet si kapërcim i ndonjë konflikti në marrëdhëniet transatlantike për këtë çeshtje.
Marrëveshja e investimeve midis Bashkimit Europian dhe Republikës Popullore të Kinës do të miratohet në Parlamentin Europian dhe Kongresin e Popullit të Kinës. Disa shtete, si Franca, duan që këtë marrëveshje ta kalojnë në legjislativin e tyre. Kësisoj do të duhet kohë derisa kjo marrëveshje të bëhet ligj.

Por unifikimi dhe votimi i saj nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Irlandës, është një mesazh edhe për vendin tonë. Shqipëria nuk ka asnjë arsye bindëse pse ta shohë Kinën me të njëjtin sy, siç sheh Rusinë. Edhe në kushtet kur Pekini financonte 60-70 përqind të investimeve në Shqipëri, kurrë nuk u përmend as nga Hoxha si një vend që rrezikonte sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. U pa thjesht si një vend që dëshiron ta ndryshojë qëndrimin politik të vendit tonë ndaj Perendimit! Nëse konflikti shqiptaro-jugosllav e më pas shqiptaro-rus i periudhës së komunizmit është interpretuar edhe si konflikt për arsye gjeopolitike, përveçse si konflikt ideologjik, konflikti me kinezët ishte thjesht dhe vetëm ideologjik. Ndaj dhe qëndrimet e ngurta e izoluese të sotme nga investimet kineze janë të pashpjegueshme!
Derisa Bashkimi Europian hapet për investimet kineze, Shqipëria ka të drejtën morale dhe politike që të rishikojë qëndrimet e saj ndaj këtyre investimeve. Kjo diktohet edhe nga nevojat e mëdha të vendit tonë për kapitalin e huaj, me të cilat shtohen vendet e punës dhe rritet mirëqenia e qytetarëve. Sigurisht që një qeveri e aftë do të duhet ta orientojë investimin kinez në sektorë të leverdisshshëm të ekonomisë sonë. Ndaj dhe ndoshta duhet marrë në konsideratë inicimi i një marrëveshjeje shqiptaro-kineze e modelit të asaj midis Brukselit dhe Pekinit.
Enver Bytyçi







