Në romanin klasik, Murtaja, Albert Camus komenton mosbesimin me të cilin pandemitë janë pritur në histori: "Të gjithë e dinë që murtajat shfaqen herë pas here në botë, megjithatë e kemi të vështirë ta besojmë se një ditë të bukur me qiell blu ajo na bie mbi krye. Shumë shpejt portat e qytetit mbyllen dhe vetëveçimi bëhet i detyrueshëm...Ato kanë qenë po aq fatkeqësi sa luftërat në histori, por gjithnjë plagët dhe luftërat i marrin njësoj njerëzit në befasi.”

Teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë analizuar gjerë e gjatë se si sillen shtetet gjatë luftërave. Sjellja e shteteve gjatë pandemive, megjithatë, është më pak e njohur. Viti 2020 ka identifikuar shumë kanalizime të reja e të vjetra mbi sjelljen e shteteve të fuqishme në kohë krizash globale, ka kundërshti dhe paragjykime, por ka dhe solidaritet – një shprehi tipike e solidaritetit është ndihma materiale direkte.

Në Kinë Programi i Ndihmës së Jashtme koordinohet nga Ministria e Tregtisë, Ministria e Punëve tё Jashtme dhe ambasadat lokale, megjithatë përfshin edhe donacione nga fondacione private, ndërmarrje shtetërore dhe qeveritё rajonale të RPK.

Në fillim të pranverës avionët kinezё me ndihma për Italinë që u godit pa masë nga Covid-19 bënë xhiron e botës. Por Italia nuk ishte e vetmja, nga Amerika Latine në Afrikë, nga Azia dëri në Europë, ndihma kineze me pajisje mjekёsore dhe ekspertizë nuk u kursye. Kina filloi të ndihmojë vendet e tjera të prekuara nga Covid-19 ende pa e shfarosur tërësisht virusin në territorin e saj. Dhe kur më në fund situata u vu nën kontroll, u bë edhe një bilanc zyrtar dhe mediatik për situatën në dy raste specifike.

Më 24 Maj 2020, u mbajt një konferencë për shtyp, gjatë së cilës Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi iu përgjigj pyetjeve të mediave kineze dhe të huaja në lidhje me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet e jashtme të Kinës dhe specifikisht mbi pandeminë. Në këtë rast, Ministri i Jashtëm u shpreh se në kulmin e betejës së Kinës me COVID-19, ne morёm ndihmë dhe mbështetje nga e gjithë bota. Kjo është diçka të cilën ne gjithmonë do ta çmojmë dhe do të jemi mirënjohës. Po kështu, kur vendet e tjera goditen nga virusi, populli kinez ndieu dhimbjen e tyre dhe me lehtësi zgjat dorën e ndihmës – tha ai. Për të vënë në veprim vizionin e Presidentit Xi Jinping për një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, Kina filloi operacionin më të madh global humanitar në historinë e Republikës Popullore. Deri në fillim tё qershorit u dërguan furnizime mjekësore në afro 150 vende dhe shumë organizata ndërkombëtare për të përmbushur nevojat e tyre të menjëhershme, u ndanë me ekspertët protokollet të provuara të diagnozës, trajtimit dhe kontrollit pa asnjë rezervë. Janë dërguar dhjetra ekipe ekspertësh në shumë vende për të siguruar informacion në kohë dhe udhëzime. Fabrikat kineze kanë operuar me kapacitet të plotë për të prodhuar pajisje mjekësore me cilësi të lartë që janë shumё të nevojshme në të gjithë botën, duke eksportuar 56.8 miliardë maska kirurgjikale dhe 250 milion veshje mbrojtëse, ndër shume të tjera (deri në mes të vitit).

Ministri Wang Yi përfundoi duke thënë se: “Kina i ka bërë të gjitha këto sepse, para së gjithash, ne kinezët jemi një komb mirënjohës. Ne jemi gjithnjë të gatshëm për t'u përgjigjur me veprime miqësie dhe mirësie të tjerëve. Për më tepër, Kina është gjithmonë bujare dhe e gatshme për të ndihmuar të tjerët. Kur miqtë tanë janë në hall, ne kurrë nuk mund tu rrimë pranë duke mos bёrё asgjë.”

Rasti i dytë ishte më 8 Qershor 2020 kur u bë publike “Letra e bardhë”, e titulluar ‘Lufta ndaj COVID-19: Kina në veprim’, e cila u lëshua nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit. Përveç një analize kronologjike të ngjarjeve që prej shpёrthimit të sëmundjes u theksua edhe se në shenjë solidariteti, Kina ka marrë pjesë aktive dhe ka njoftuar pezullimin e ripagimeve të borxheve nga 77 vendet në zhvillim. Përveç furnizimeve mjekësore të dërguara, ekipet e ekspertëve mjekësorë të dërguar nëpër botë, Kina do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të ofruar mbështetje. Kjo përfshin dërgimin e pajisjeve më urgjente mjekësore, kryerjen e bashkëpunimit në teknologjitë mjekësore dhe dërgimin e më shumë ekipeve me ekspertë mjekësorë dhe forcave të punës. Kina siguron gjithashtu mbështetje totale për Planin Global të Përgjigjes Humanitare Covid-19 të OKB dhe aty zotohet se në momentin që vaksina kineze do ishte aprovuar, Kina do ndihmonte vendet e tjera me të. Dhe kёshtu ndodhi, në dhjetor 2020 vaksina e zhvilluar nga Sinovac-Biotech e Kinës u nis në Brazil, Turqi, Egjipt etj.

Kina në ndihmë tё Shqipërisë - historia përsëritet në solidaritet!

Kina dhe Shqipëria gëzojnë një miqësi të hershme dhe tradicionale. Ndërkohë që Kina ka qënë aktivisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër pandemisë, në Shqipëri gjatë vitit 2020 ka pasur tre kontigjente ndihmash të ardhura nga Kina me qëllim luftën dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Kontigjenti i parë, arriti në Shqipëri vetëm 21 ditë pas rastit të parë të konfirmuar. Më 31 mars, me koordinimin e Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, kitet e testimit për koronavirusin e ri, të dhuruar nga Mammoth Foundation, një fondacion kinez bamirësie, mbërrijnë në Tiranë, duke sjellë dashamirësinë e popullit kinez ndaj popullit shqiptar. Pas mbërritjes së kiteve testuese, qeveria dhe qarqet e ndryshme shqiptare kanë shprehur falënderimet e përzemërta për ndihmën kineze në kohë të vështirë.

Kontigjenti i dytë mbёrriti më 25 prill në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me materialet e ndihmës së qeverisë kineze për Shqipërinë për të luftuar kundër epidemisë së Covid-19. Në aeroport kishin dalë për të pritur këto materiale ambasadori i Kinës në Shqipëri z. Zhou Ding, zv/Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë Mira Rakacolli.

"Ne e ndiejmë nga afër kërcënimin me të cilin po përballet pala shqiptare dhe qëndrojmë në mënyrë të vendosur pranë popullit shqiptar, për të luftuar së bashku kundër Covid-19 nëpërmjet ndihmës me materiale mjekësore dhe ndarjes së përvojës së parandalimit dhe të kontrollit" – tha ambasadori Zhou. Materiale si: kite testuese, veshje mbrojtëse, maska mjekësore N95, syze mbrojtëse, doreza etj...

Kontigjenti i tretë, mbёrriti më 3 qershor, sërish me anë të koordinimit të ambasadës së RPK në Tiranë. Dorëzimi i tyre u bë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" nga ambasadori kinez në Tiranë. Ky grupim i materialeve të ndihmës, përfshinte ndër të tjera edhe 100 mijë maska fytyre të dhuruara nga ndërmarrjet kineze dhe shqiptarët që jetojnë në Kinë.

Gjatë një interviste për median shqiptare më 24 Shtator 2020, ambasadori Zhou shprehu : “Si miq të Shqipërisë, ne u përgjigjëm menjëherë sapo morëm kërkesë nga qeveria shqiptare. Kemi kaluar pengesa të mëdha për transportimin ndërkombëtar dhe i siguruam Shqipërisë pajisje mjekësore për emergjenca, duke përfshirë kite testimi, kostume mbrojtëse, doreza dhe maska, me vlerë mbi 500.000 Euro. Ekspertë të shëndetit dhe personeli mjekësor kinez kanë mbajtur video-konferenca me palën shqiptare për të ndarë eksperiencat e tyre. Kompani kineze dhe individë kanë mbështetur Shqipërinë në mënyrat e tyre. Në këtë pandemi të paparë, Kina ka qenë dhe është gjithmonë pranë Shqipërisë.”

Në një kohë kur pala kineze ende po përballej me sfida të mëdha në punën parandaluese të epidemisë dhe kur kërkesa ndërkombëtare për furnizime mjekësore rritej me shpejtësi; dhe kur transporti, logjistika, fluturimet ishin shumë të vështira - ndihma mjekësore e qeverisë kineze i është dhënë Shqipërisë pa rezerva. Këto materiale thelbësore mjekësore u zgjodhën dhe u shënjestruan siç duhet nga pala kineze, veçanërisht në këndvështrimin e çështjes më të spikatur në Shqipëri gjatë shpërthimit, testimi dhe parandalimi.

Si përfundim, duke u rikthyer në ndihmёn e Kinës në shkallë globale duhet shënuar se edhe kur Kina ndihmon pjesën tjetёr të botës, dyshohet për qёllimet e mёtejshme të saj. Këtë e pranoi edhe vetë Ministri Wang duke shprehur: “Ne jemi të vetëdijshëm se disa forca politike po e karakterizojnë keq qëllimin tonë. Por ne kemi bërë gjithçka në mënyrë të hapur dhe kemi një ndërgjegje të pastër. Asgjë nga ajo që bëjmë nuk ka lidhjë me kalkulime gjeopolitike, ose në ndjekje të fitimeve ekonomike, apo me ndonjë qëllim politik të bashkangjitur. Ne përpiqemi të jemi një mik në nevojë, një partner i sinqertë, në të cilin mund të mbështeteni në kohë vështirësie.”

Nëpёr botë, skeptikёt e quajtën ‘diplomaci maskash’ – të ndjellë nga një mentalitet që mund të shqipërohet loja me përfundim zero, ose fitimi i x është humbja e y (zero sum game), shpejt Kina u dyshua edhe për ndihmën humanitare. Megjithatë, kjo nuk e ndali Pekinin të ndihmonte kombet e botës, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Dhe ajo që nga disa u quajt me konotacion dyshues diplomaci maskash, në Kinë u quajt ‘Rruga e Mëndafshit shëndetёsore’! Përtej emërtimeve, është substanca që ka rëndësi, dhe substanca është që ndihmat u ofruan dhe ato u pranuan dhe u përdorën në rast nevoje ekstreme.

Thjesht një FALEMINDERIT do kishte qenë më dinjitoze dhe nuk do i prishte punë askujt!

Dr. Marsela Musabelliu