
CMG: Jemi në ditët e fundit të vitit dhe çdo fund ka një bilanc. Ky ishte një vit i mbrapshtë për mbarë botën dhe për Shqipërinë. Cili do të ishte bilanci i vitit 2020?
Gëzim Podgorica: Ky ishte, siç e thatë dhe ju një vit i vështirë, me shumë probleme. Ishte sfida e pandemisë e cila jo vetëm vuri në pikëpyetje shëndetin e njerëzve, por u ballafaqua dhe me probleme shumë të mprehta në fushën e ekonomisë, të zhvillimit të një jete normale dhe të ritmeve që duheshin kapur pas gjendjes së parë që shkaktoi pandemia.
Shqipëria është një vend i vogël dhe ballafaqimi me pandeminë ishte i vështirë, por mbi të gjitha e vështirë u bë situata ekonomike. Shqipëria në vitin 2020 hyri pas një traume jo vetë psikologike, por dhe të rëndë që pësoi në tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe e gjitha kjo reflektoi probleme të mprehta në ecjen dhe ritmin e ekonomisë shqiptare. Megjithatë ekonomia shqiptare arriti të ruajë ekuilibrin, të mos kalojë në recesion dhe të mbajë atë ritëm tek i cili besojmë dhe shpresojmë që viti 2021 mund ta gjejë të mundur, që të futet në shina normale.

Këtë vit Shqipëria priste anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pra hapjen e negociatave, një moment i mprehtë dhe shumë i rëndësishëm politik. Për fat të keq, edhe kësaj radhe Shqipëria nuk arriti të marrë notën kaluese që priste prej kaq vitesh dhe kjo do të vonojë integrimet e vendin në BE, por dhe në rrjedhat normale të zhvillimit. E rëndësishme është që Shqipëria pavarësisht kësaj, ka nevojë të ketë një orientim të qartë në të gjitha ekuilibret dhe marrëdhëniet e veta politike.
Duhet domosdoshmërisht që të ketë një barazlargim dhe një qasje normale me të gjitha qendrat e vendimarrjes globale. Ruajtja e këtij ekuilibri do t’i bëjë shumë mirë Shqipërisë.
Shqipëria është një vend i vogël, me një ekonomi jo shumë të fuqishme, por i duhet një orientim i saktë dhe një vendimarrje normale. Gjatë këtij viti ka patur dhe korrente politike të fuqishme, të cilat e kanë vënë në një lloj vështirësie në vendimarrje vendin e vogël ballkanik, por mbi të gjitha është e rëndësishme që krahas këtyre korrenteve politike, të ketë një platformë editoriale politike që të shkojë në drejtimin që duhet. Në historinë e vet politike vendi ynë ka patur në kuptimin metaforik “dashuritë e veta” me shtetet e mëdha, ashtu siç ka prodhuar dhe konflikte. Nuk është në luksin politik të Shqipërisë që të prodhojë konflikte, jo thjesht se është një vend i vogël, por dhe për faktin se duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë dhe resurset që i jepen.
Pavarësisht kësaj, mendoj që në vitin 2020 në bilancin përfundimtar Shqipëria ka ditur të ruajë një lloj ekuilibri të domosdoshëm dhe të nevojshëm politik, jo vetëm në rajon por dhe në marrëdhënie me shtetet e mëdha dhe mbetet për t’u verifikuar në ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë këtij viti, se cili do të jetë orientimi që do të ndjekë Shqipëria në vitin 2021.

CMG: Pandemia është bërë kryefjala e vitit 2020, jo vetëm për Shqipërinë por për mbarë botën. Si e vlerësoni situatën aktuale pandemikë në Shqipëri dhe masat e mara prej 9 muajsh, që nga nisja e saj në mars ?
Gëzim Podgorica: Situata pandemike është në momente kritike. Ne jemi një vend me një shfaqje të përditëshme dhe një kurbë të lartë rritjeje, por këto ditë ka patur një farë ekuilibri numri i të infektuarve dhe viktimave. Ndodh kështu pasi ne jemi një vend tranzit dhe në Shqipëri gjatë stinës së verës ka patur turistë nga Kosova, Maqedonia dhe vende të tjera dhe e gjitha kjo e ka rënduar situatën pandemike, duke e ballafaquar Shqipërinë me një risk më të lartë. Ky risk po verifikohet në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor ku shifrat e të infektuarve në raport me numrin e popullsisë janë të larta.
Masat që ka marë qeveria, jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende ngelen me një pikëpyetje të madhe. Unë mendoj që ndërgjegjësimi qytetar është i vogël. Pavarësisht riskut shumë të madh ka në periudhën e fundit një rritje të ndërgjegjësimit, por po të shohësh klubet, ambjentet publike ato vazhdojnë të jenë të mbipopulluara. Besoj dhe siç e dinë të gjithë kjo nuk është çeshtje spitalesh apo infrastrukture shëndetësore, sa është çeshtje e ndërgjegjësimit publik.

CMG: Në vitin 2021 kryefjala do të jetë vaksina kundër covid19. Bashkëjetesa me epideminë po na mëson se duke zbatuar masat, jeta vazhdon. Cilat gjykoni si pritshmëri për shqiptarët në vitin 2021?
Gëzim Podgorica: Çeshtja e vaksinës është shumë imediate. E rëndësishme është që vaksina ka dalë. Unë mendoj që Shqipëria në këtë rast duhet të jetë shumë praktike. Janë prodhuar disa vaksina dhe ne si vend nuk kemi luksin të presim një ose dy prej tyre. Janë disa oferta në treg të vaksinës amerikane, angleze, ruse dhe kineze dhe të gjitha kanë rezultuar deri tani pozitive. Shqipëria në rastin më të mirë duhet të shfrytëzojë njerën nga këto oferta, pasi janë në shërbim të njerëzve dhe po verifikohen në praktikë si të suksesshme. Nuk e them me humor por realisht, nuk ka nevojë që ne t’i vendosim dhe vaksinës konotacion gjeopolitik. Nëse e kemi mundësinë që të marim një vaksinë kineze, ruse apo angleze duhet të shpejtojmë sepse situata e pandemisë në Shqipëri është në kufijtë e vijës së kuqe.
Intervistoi Eda Merepeza







