Viti 2020 ka qënë ndoshta viti më i vështirë që nga fillimi i shekullit të ri. Pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19 nxori në pah të gjitha dobësitë e njeriut, ndarjet mes vendeve, paragjykimet, dhe rivalitetet për pushtet mes fuqive të mëdha. Për më tepër, pandemia e zhyti ekonominë e shumë vendeve në nivele të tilla rënie saqë do duhen shumë vite për të rimarrë veten akoma. Por pandemia vuri gjithashtu në test kapacitetet shkencore të njeriut dhe tregoi se shkenca ka përparuar dukshëm në përballimin e këtyre fatkeqësive. Pavarësisht se duke parë numrin e lartë të viktimave është e vështirë të dallohet diçka pozitive në këtë aspekt, është po ashtu fakt se si asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit në më pak se një vit u ideuan, testuan dhe zhvilluan një numër vaksinash potencialisht të gjitha efektive për mposhtjen përfundimtare të pandemisë.

Viti 2020 ishte gjithashtu edhe viti në të cilin është folur shumë për klimën. Sikurse është përmendur këtu edhe më parë, vende si Kina apo Europa, që me zhvillimin e tyre kanë shkaktuar ndotje të ambientit në shkallë të gjerë, si asnjëherë më parë e kanë vendosur mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm në krye të listës së prioriteteve të tyre për dekadat që vijnë.

Por viti 2020 ishte edhe viti përmbyllës i administratës Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një nga presidentët më kontrovers i cili ka shkaktuar jo pak telashe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me mbylljen e mandatit të tij mbyllen edhe disa diskutime mbi rolin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Bashkimin Europian, lidhje të cilat Trump i vuri disa herë në diskutim. Por për fatin e keq trashëgimia më e madhe e tij në arenën ndërkombëtare do të jetë lufta tregtare që ai ndërmori kundër Kinës, dhe vënia në diskutim të vazhdueshëm e parimeve të multilateralizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aq të pashmangshme janë parimet e multilateralizmit për shkak të ndërlidhjes gjithnjë e më të fuqishme të ekonomive të të gjithë botës në një rrjet të gjerë ekonomik ndërkombëtar, saqë e kanë bërë të pamundur ndjekjen e rrugëve unilaterale në përballimin e sfidave të shumta që shekulli i ri sjell. Asgjë më shumë sesa pandemia globale nuk nxori në pah nevojën për më shumë multilateralizëm.

Viti 2020 ishte po ashtu edhe viti në të cilin si asnjëherë më parë është folur kaq shumë për Kinën, kjo ndoshta më shumë për shkak të shpërthimit të pandemisë në Wuhan. Por nëse pandemia pati shpërthimin e vet të parë masiv në atë qytet, po aty është edhe fillimi i suksesit të mposhtjes së virusit në të gjithë Kinën në një kohë shumë të shkurtër. Në fakt, megjithëse me një kosto ekonomike të konsiderueshme, mbyllja e shpejtë dhe testimi masiv i popullsisë i siguruan Kinës një sukses të shpejtë në përballimin e situatës. Si asnjë vend tjetër, Kina nuk pati asnjë valë të dytë apo të tretë sikurse shumë vende të tjera që për arsye të ndryshme dhe shpesh të kuptueshme, nuk ndoqën shembullin e Kinës. Gjithashtu, Kina ofroi eksperiencën e vet në përballimin e pandemisë, por edhe dha ndihma konkrete për përballimin e saj. Shqipëria është një nga ato shumë vende që mori ndihma nga Kina gjatë pandemisë. Disa krijuan menjëherë paragjykime dhe nuk ngurruan dhe e quajtën këtë si një tentativë të Pekinit për të ushtruar influencë politike nëpërmjet ndihmave mjekësore, duke i vënë edhe emrin diplomaci maskash. Të jetë si të jetë, realiteti është se Kina, duke qënë edhe vendi i parë i goditur ashpër nga pandemia, pati mundësinë dhe nuk hezitoi të ndante me botën të vërtetat shkencore të dala nga studimi i këtij virusi, por edhe të ofronte ndihma konkrete ndaj vendeve në nevojë.Në të njëjtën kohë është po kjo pandemi e cila ka treguar se shkenca dhe ekonomia janë dy fusha të cilat nuk mund të zhvillohen pa një komunikim dhe bashkëpunim në shkallë të gjerë globale.

Por edhe një arsye për të cilën Kina ka tërhequr vëmendjen është fakti se ky vit ka shënuar fundin e varfërisë absolute në territorin e saj. Është një arritje spektakolare për një vend me një popullsi rreth 1.4 miliardë njerëzish në të cilin vetëm para katër dekadave shumica e popullsisë jetonte në varfëri. Sot varfëria absolute është zhdukur, dhe objektivat realiste të vëna nga autoritetet këtu synojnë që gjatë dekadës që vjen të ardhurat mesatare të rriten në shkallën e një vendi plotësisht të zhvilluar.

Viti 2020 ishte po ashtu edhe viti i konflikteve të armatosura e të përgjakshme në shumë vende të botës, si në Afrikë (Etiopi, Nigeri apo vende të tjera të cilat përballen me terrorizmin islamik) apo gjetkë si konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kjo edhe një herë solli në vëmendje sesi lufta e ftohtë ka lënë plagë të pashëruara në shumë anë të botës, dhe se një luftë e re ftohtë mes fuqive të mëdha mund të thellojë plagë të vjetra por edhe të hapë telashe të reja në formën e konflikteve të armatosura me pasoja të paparashikueshme.

Viti 2020 shënoi gjithashtu edhe 75 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Megjithëse një organizatë që shpesh herë është akuzuar për mungesë efektiviteti, nuk duhet harruar se është e vetmja organizatë që bashkon të gjitha vendet e botës në një seli të vetme për të diskutuar mbi gjithçka ka lidhje në marrëdhëniet ndërkombëtare por është edhe i vetmi forum gjithëpërfshirës që ndërmerr iniciativa globale mbi çështje që prekin të gjithë. Megjithëse nuk flitet shumë, është falë kësaj organizate që miliona njerëz sot në botë ndihmohen me nevoja parësore për shkak se ndodhen në zona lufte apo në situata të fatkeqësive natyrale. Sot, me gjithë nevojën për reformë të kësaj organizate, ajo është një forum i domosdoshëm për njerëzimin, një forum ku nevojat dhe potencialet e të gjithë vendeve mund të gjejnë hapësirë për tu komunikuar dhe për të bashkëpunuar. Paradoksalisht disa vende themeluese të kësaj organizate vitet e fundit e kanë vënë në dyshim punën e saj dhe parimet mbi të cilat është ngritur. Në anën tjetër, ka fuqi të mëdha sikurse është Kina që janë ngritur hapur në mbrojtje të saj, dhe në mbrojtje të parimeve të multilateralizmit që janë parime që Pekini i sheh si gur themeli për një qeverisje globale sa më efektive. Duke parë pas në histori dikujt mund ti duket paradoks, por sot Kina është një nga mbështetësit më të fuqishëm të multilateralizmit dhe në retoriken e saj publike bota përcillet si një komunitet me një fat të përbashkët dhe të pashmangshëm.

Ylber Marku