
Kur mё 17 janar 2017, ndёrsa zhvillonte punimet Forumi Ekonomik Botёror nё Davos (World Economic Forum) pёr tё marrё nё konsideratё pasojat qё do tё kishte pёr ekonominё evropiane dhe jo vetёm çёshtjen e Brexit, presidenti i Republikёs Popullore tё Kinёs, Xi Jinping shpaloste rolin e ri tё Kinёs nё botё si "bazё e e globalizimit". Ky fakt e ka njё shpjegim. Sipas vlerёsimeve tё Bank of International Settlements-BIS, deri nё fund tё vitit 2014, rezervat monetare zyrtare tё deklaruara nga Kina kishin arritur nё 4 trilion dollarё. Nёse rregullat e kёmbimit monetar nё Kinё ia kishin vёshtirёsuar SHBA-ve eksportimin e valutave tё huaja nё mёnyrё tё drejtpёrdrejtё, u desh njё marrёveshje tjetёr ndёrmjet SHBA-ve dhe Kinёs pёr tё marrё hua dollarё, pёr tё blerё komoditete, pёr tё patur njё pozicion mё tё mirё tё Yuan-it dhe pёr tё rritur investimet nё Kinё me bazё monedhёn vendase dhe jo monedhat e huaja. Nga kjo manovёr, Kina pёrfitonte nё tre mёnyra: sё pari, ulte shpenzimet e kёmbimeve dollar-yuan; sё dyti, rritej vlera e pasurive tё patundshme, dhe sё treti, rritej kёrkesa pёr mallrat kineze.

Gjatё katёr dekadave tё fundit Republika Popullore e Kinёs pёrjetoi njё reduktim tё varfёrisё nё njё shkallё tё paimagjinuar mё parё nё tё gjithё historinё e njerёzimit. Sipas tё dhёnave tё fundit, vlerёsohet se rreth 400-600 milion kinezё dolёn nga varfёria. Ky ishte njё sukses i madh pёr Republikёn Popullore tё Kinёs pёr tё patur vendin qё i takonte nё çёshjet ndёrkombёtare. Ka shumё arsye pёr tё shpjeguar mrekullinё ekonomike tё Kinёs, por do tё pёrmend shtatё mё tё rёndёsishmet. Sё pari, ndryshim thelbёsor i pёrdorimit tё burimeve tё alokuara; sё dyti, ndryshim i politikёs kombёtare nga pothuajse e izoluar nё angazhim total nё ekonominё botёrore. Eksportet pёsuan njё inkurajim tё madh tё ndihmuar nga sistemimi i normёs sё taksave; sё treti, shfrytёzimi i potencialeve tё diasporёs kineze kudo nё botё, anёtarёt e sё cilёs duke patur njohuri tё shkёlqyera sesi tё komunikonin me botёn, vepruan si njё urё lidhёse ndёrmjet kontinentit kinez dhe pjesёs tjetёr tё botёs; sё katёrti, dividenti demografik ishte njё tjetёr element qё ndihmoi nё shkёlqimin e tё bёrurit biznes nё Kinё; sё pesti, lёvizja e krahut tё punёs nga bujqёsia masive drejt aktiviteteve mё prodhuese; sё gjashti, kinezёt njihen pёr nivelin e lartё tё kursimit dhe tё investimeve, shifёr qё arriti gjysmёn e prodhimit kombёtar nё disa vjet; sё fundi, investimi nё sektorin arsimor.

Republika Popullore e Kinёs qё nga viti 2013 e ka treguar veten si njё vend i fuqishёm dhe i pashmangshёm nё çёshtjet ekonomike ndёrkombёtare. Gjatё vizitёs sё zhvilluar nё vitin 2014 nё Bruksel, nё selinё e Bashkimit Evropian, presidenti Xi Jinping mbajti njё fjalim edhe nё Kolegjin e Evropёs (College of Europe) nё Bryzh (Bruges), nё tё cilin theksoi rёndёsinё e bashkёpunimit ndёrmjet BE-sё dhe Kinёs si "partnerё tё civilizuar". Nё kёtё kontekst, presidenti Xi deklaroi:
"Kina pёrfaqёson njё udhё tё rёndёsishme tё qytetёrimit Lindor, ndёrsa Evropa ёshtё vendlindja e qytetёrimit Perёndimor. Kinezёt janё tё dhёnё pas çajit dhe belgёt duan birrёn …Kur miqtё bёhen bashkё, ata mund tё pijnё pёr shёndet tё njёri tjetrit nё shenjё miqёsie …Nё Kinё, ne e vlerёsojmё idenё e ruajtjes sё 'harmonisё pa njёtrajtshmёri', dhe kёtu nё Evropё njerёzit theksojnё nevojёn e 'bashkimit nё diversitet'. Le tё punojmё sё bashku qё tё gjitha lulet e civilizimit njerёzor tё lulёzojnё sё bashku".
Nё fakt, Kina i ka qёndruar kёsaj politike gjatё viteve tё fundit. Vizita e ministrit tё jashtёm kinez Wang Yi nё fund tё muajit gusht nё pesё vende tё rёndёsishme tё Bashkimit Evropian, tregoi kёtё vijimёsi politike. Republika Popullore e Kinёs po lёviz me shpejtёsi dhe me hapa tё sigurtё drejt ekonomisё globale. Sipas tё dhёnave paraqiti nё vitin 2007 Goldman Sachs, ekonomia e Kinёs do tё ketё pothuajse tё njёjtёn masё me ekonominё e SHBA-ve deri nё vitin 2025.
Ekspansioni ekonomik global i Kinёs nuk ndodhi rastёsisht. Gjatё tё gjithё viteve '80 tё shekullit tё kaluar, Kina e ftoi botёn drejt politikёs sё saj tё dyerve tё hapura. Nё vitin 2008, Kina aplikoi "blicin" kultural global pёr tё bёrё tё njohur nё botё kulturёn e saj nё pёrpjekje pёr t'i treguar njerёzimit imazhin e saj si fuqi e butё (soft power). Imazhi i vёrtetё qё Kina i dha botёs ishte kurorёzimi me sukses i tridhjetё viteve pёrpjekje pёr sukses ekonomik, sukses qё u arrit falё reformave dhe politikёs sё dyerve tё hapura, gjё qё solli mё 11 dhjetor 2001, pranimin e saj [Kinёs] nё Organizatёn Botёrore tё Tregtisё (WTO). Falё reformave tё saj tё hapjes me botёn, Kina pёrfitoi jashtёzakonisht shumё. Pas anёtarёsimit tё saj nё WTO, investimet e huaja direkte i sollёn vendit njё pёrfitim ekonomik prej 1 trilion dollarёsh nё pesёmbёdhjetё vitet e para pas anёtarёsimit. Nё vijim tё kalimit tё prodhimit nё Kinё, vendi gjigant aziatik u bё "shtёpia" bazё e eksportit botёror. Eksportet kineze nga 266 miliard dollarё qё ishin nё vitin 2001, arritёn nё 2.3 trilion dollarё nё 2015. Njё tjetёr shifёr interesante ёshtё se nё vitin 2013, sipas tё dhёnave, Kina ia kishte kaluar edhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs si kombi nr. 1 nё tregtinё botёrore (Mark Wu, "Is China keeping its promises on trade?" Harvard University Press, 2018).

Kina ёshtё njё vend qё nё shekullin XXI ka motivuar bizneset e mbarё botёs pёr tё investuar dhe bёrё tregti me Kinёn. Unё do tё ndalesha tek katёr tipe tё investitorёve tё huaj qё kanё gjetur Kinёn si motivim pёr tё investuar atje: investitorё kёrkues tё burimeve natyrore, investitorё kёrkues tregu, investitorё kёrkues efikasё, dhe investitorё kёrkues strategjikё. E gjithё kjo "valё" investitorёsh u bё e mundur falё reformave hapёse dhe procesit tё "çlirimit" tё njё tregu prej 1.4 miliard njerёzish, fryt i ndryshimit mё domethёnёs tё realitetit socio-ekonomik dhe inovacionit institucional nё tё gjithё historinё njerёzore. Kina i hapi derёn tregtisё me botёn dhe investimeve tё huaja, gradualisht liberalizoi çmimet, diversifikoi pronёn, forcoi tё drejtat e pronёs dhe e mbajti inflacionin nёn kontroll. Ajo çfarё ёshtё e dallueshme dhe bёri ndryshimin ndёrmjet Kinёs dhe vendeve tё tjera qё kishin eksperimentuar njё sistem komunist ishte se, kolapsi qё pёrjetuan ato vende politikisht dhe ekonomikisht nuk e preku Kinёn. Si kishte mundёsi? Sistemi komunist mbijetoi nё Kinё sepse u aplikua me devocion instrumenti i "performancёs legjitime" nga i cili rrodhi rritja ekonomike impresionuese e epokёs post-Mao dhe rritja e ndikimit kinez nё botё. Njё tjetёr hap i rёndёsishёm i ruajtjes sё legjitimitetit politik nё Kinё ishte se nё vitin 1993, 'Vendimet e Komitetit Qendror tё Partisё Komuniste tё Kinёs lidhur me çёshtjet e Vendosjes sё njё Strukture Ekonomike tё lidhur me Tregun Socialist' u mirёpritёn nё vend. Kjo lёvizje, forcoi akoma mё shumё idenё e ashtuquajtur 'socializёm me karakteristika kineze pёr epokёn e re'. Me kёtё metodё, u duk se Kina kishte gjetur sesi tё dallohej nё botё nё sistemin ekonomik, me tregje private dhe pronё shtetёrore qё ekzistonin krah pёr krah duke zhvilluar njё politikё industriale e cila drejtonte tregun.

Nё kёtё mёnyrё, krahasimi i rritjes ekonomike tё Kinёs me ekonomitё e suksesshme tё Azisё lindore, tregoi qartё se Kina ndan pothuajse tё njёjtёt elementё qё kanё lidhje edhe me suksesin e atyre vendeve, si psh., niveli i lartё i kursimeve dhe investimeve, industrializimi i thellё, dhe eksportet kryesisht tё pёrqendrura nga prodhimi dhe investimi nё pёrhapjen e kulturёs kineze nё botё.
Viti 2020 ishte njё vit i vёshtirё nё kuptimin e plotё tё fjalёs. Pandemia Covid-19 nuk ndihmoi nё pёrmirёsimin e kushteve pёr tё zhvilluar proces edhe marrёdhёnie normale ekonomike ndёrmjet vendeve tё botёs. Megjithatё, ёshtё e nevojshme tё kuptohet se pa bashkёpunim shumёpalёsh suksesi ёshtё i pamundur dhe mosmarrёveshjet do tё rriten. Politika multilaterale qё po pёrpiqet tё aplikojё se fundmi Republika Popullore e Kinёs, ndoshta do tё jetё njё prej rrugёzgjidhjeve tё rikthimit tё normalitetit ekonomik nё marrёdhёniet ndёrkombёtare.
Dr. Gjon Boriçi







