
Një pjesë themelore e reformave ekonomike ka qenë lëvizja për të rindërtuar Kinën si pjesë e ekonomisë globale si kontribuese e rritjes ekonomike, e tregtisë ndërkombëtare dhe investimeve të huaja. Në të njëjtën kohë që kanë filluar reformat e brendshme që transformuan ekonominë në vitet 1980 dhe ’90, Kina filloi hapjen ndaj ekonomisë globale. Ky transformim përfshiu ndërtimin e institucioneve të reja si në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare; zhvillimi i strategjive të reja industriale; krijimi i zonave të veçanta ekonomike (p.sh., Pudong, Shenzhen, Zhongguancun). Në 1980, Kina zbatoi politikat e saj të hapjes në një pjesë të vogël të rajonit bregdetar, ku u krijuan katër zona të veçanta ekonomike (SEZ) në provincën Fujian (Xiamen) dhe provincën Guangdong (Shantou, Shenzhen dhe Zhuhai). Provincat lindore kanë qënë gjithmonë pikat më të forta të rritjes në ekonominë kineze. Më pas provincat perëndimore, duke përfshirë Tibetin, Chongqingin dhe Guizhou si dhe me provinca të tjera qëndrore dhe perëndimore si Jiangxi, Anhui, Yunnan, Henan dhe Ningxia, udhëhoqën vendin drejt rritjes ekonomike. Nëse Shenzhen ishte një simbol i Kinës në vitet 1980 dhe Pudong (pjesa e re e Shangait) në vitet 1990, atëherë Chongqing mishëron Kinën në dekadën e parë të shekullit të 21. Ndërsa doktrina e Deng Xiaoping i mundësoi Kinës të zhvillohej me rritme të shpejta ekonomike, "Era e Re" e presidentit Xi Jinping synon të bëjë rritjen ekonomike të qëndrueshme. ".

Tranzicioni i Kinës në një ekonomi tregu ka prodhuar norma të larta të rritjes duke e bërë që vendi të jetë kontribuesi kryesor i rritjes globale. Gjatë 40 viteve të fundit, PBB-ja reale e Kinës është zgjeruar me një mesatare prej 9.0% në vit. PBB në vitin 1980 llogaritej në rreth 303 027 miliard $ amerikanë, ndërsa në vitin 2020, PBB parashikohet të arrijë në 14 926 538 miliardë $ amerikanë. Në vitin 2020 ekonomia e Kinës renditet e dyta mbas asaj të SHBA, dhe pothuajse është e barazuar me prodhimin e brendëshëm bruto të Unionit Europian. Kina gjeneron një nivel kursimesh në rreth dy herë më të lartë se UE, dhe 2.5 herë më të lartë se SHBA që mundëson një nivel po aq të lartë dhe të investimeve.

Burimi : IMF - World Economic Oitlook, October 2020 dhe kalkulimet e autorit.
Sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (Tetor 2020), rezultatet e PBB-së për tremujorin e dytë të vitit 2020 në Kinë kanë qënë befasuese nga përmbysja e trendit rënës. Mbas një tkurrje në tremujorin e parë në -6.8%, në tremujorin e dytë dhe të tretë rritja ekonomike është pozitive respektivisht 3.2% dhe 4.9%. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Zona e Euros vazhduan kontraktimin. Në vitin 2021 parashikohet që niveli i rritjes së ekonomive të vendeve të avancuara të jetë 3.9 përqind, ndërsa në rang global të jetë 5.2 përqind. Perspektiva ekonomike për Kinën është shumë më e lartë se për shumicën e vendeve. Rritja ekonomike në vitin 2021
parashikohet të jetë në rreth 8.2 përqind. Në një të ardhme shumë të afërt, si rezultat i ritmeve të larta të rritjes ekonomike, Kina do t’i afrohet prodhimit të brendëshëm bruto të SHBA dhe do të tejkalojë atë të Unionit Europian. Sipas vlerësimeve të FMN-së të vitit 2020, rritja ekonomike e prodhimit të brendëshëm bruto i Kinës në vitin 2025 do të arrijë 23 029 813 miliardë $ amerikanë, i SHBA do të arrijë në 25 783 444 miliardë $ amerikanë dhe i Unionit Europian në 20 300 911 miliard $ amerikanë. Pas dekadave të rritjes me shpejtësi të lartë, qeveria aktualisht po përqendrohet në rritjen cilësore të ekonomisë.

Burimi : IMF – World Economic Outlook Tetor 2020 dhe kalkulimet nga autori
Rritja e tregtisë ndërkombëtare dhe stoku i investimeve të huaja ka kontribuar që ekonomia e vendit të jetë më e integruar me pjesën tjetër të botës. Kina po bëhet gjithnjë e më shumë një kreditor i madh ndërkombëtar, përfshirë dhe iniciativën e fundit të rrjetit të vendeve të rrugës së mëndafshtë (Belt Road Initiative - BRI), iniciativë që mund të sjellë të dyja mundësitë, atë të lidhjes dhe rritjen më të madhe ekonomike. Kina është një kontribues i madh në tregtinë globale. Në vitin 2019 Kina zë vendin e dytë në botë të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve. Importi dhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve në vitin 2019 janë 5 156 637 miliard $ amerikanë ndërsa të SHBA janë 5 633 389 miliard $ amerikanë. Ndërsa në nivelin e eksporteve dhe importeve të mallrave Kina zë vendin e parë. Eksportet dhe importet e mallrave llogariten në 4 577 840 miliardë dollarë amerikanë me një suficit tregtar prej 421 071 miliardë dollarë amerikanë. Eksportet dhe importet e mallrave të SHBA llogariten në 4 257 382 miliard $ amerikanë. Kina zë vendin e parë në botë gjithashtu për eksportet e mallrave dhe shërbimeve. Importet kryesore janë makineritë, produktet e çelikut dhe metalet e tjera, automobila, produktet sintetikë, produktet kimike, bujqësore, të gomës, grurit, anije, etj. Ndërsa, eksportet kryesore të ekonomisë kineze janë veshja dhe aksesorët, tekstilet, produktet e naftës, produktet e lëkurës dhe këpucëve, të telekomunikacionet dhe makineritë.


Burimi : UNCTAD dhe kalkulimet e autorit
Iniciativa e BRI u shpall nga Presidenti Xi Jinping në vitin 2013, për të promovuar lidhjet tregtare me Europën dhe vendet përgjatë rrugëve origjinale të mëndafshit, me qëllimin e përmirësimit dhe krijimit të rrugëve të reja tregtare. Kjo iniciativë do të mundësojë lidhjen dhe mundësitë e biznesit me mbi 60 vende, përgjatë Azisë, Evropës, Lindjes së Mesme dhe të Afrikës me mbi 60% të popullsisë botërore dhe të prodhimit të përgjithshëm bruto, ose ekuivalente me 33% të pasurisë botërore. Kjo është konsideruar nga qeveria kineze si raundi i tretë i hapjes së Kinës pas zhvillimit të Zonave të Veçanta Ekonomike në vitin 1980 dhe pranimit të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001. BRI nënkupton dy rruge : (i) rrugën tokësore të mëndafshit e destinuar për të lidhur Kinën me Azinë Qendrore, Europën Lindore dhe Perëndimore, si dhe (ii) rrugën detare të shekullit 21 që shkon në perëndim nga bregu lindor i Kinës në Europë, nëpërmjet Detit të Kinës Jugore dhe Oqeanit Indian dhe në lindje në Paqësorin e Jugut.
Stoku i investimeve të huaja direkte në Kinë në vitin 2019 arrin në 1 769 486 miliard $ amerikanë. Kina zë vendin e tretë në botë për nivelin e stokut të investimeve të huaja mbas SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar, Kina është bërë një nga destinacionet më të rëndësishme për flukset e investimeve të huaja në botë duke u renditur në pesë ekonomitë më të mëdha pritëse të investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit. Objektivi është përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë dhe strukturës së IHD-ve nisur nga avantazhet që ofron Kina për investimet e huaja. Investimet në rritje në shërbimet dhe në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kryesisht të bazuara në rajonet bregdetare, janë një tregues se Kina po përceptohet si një treg në të cilin kërkesa për mallra dhe shërbime me cilësi të lartë po rritet. Investimet e Huaja Direkte gjithnjë e më shumë po synojnë sektorë të avancuar të prodhimit, të cilat janë të përqendruar kryesisht në zonën bregdetare. Ndërsa investimet direkte të Kinës në vendet e huaja arritën nivelin 2 499 457 miliard $ amerikanë në vitin 2019, duke e bërë atë eksportues të kapitalit me pjesëmarrje prej 6.1% të aksioneve globale ose një nga gjashtë pjesëmarrësit më të mëdhenj në botë. Kina zë vendin e tretë në botë për stokun e investimeve të huaja mbas SHBA dhe Hollandës.

Burimi : UNCTAD dhe kalkulimet e autorit
Duke pasur parasysh rritmet e rritjes së ekonomisë, të rritjes seë konkurrueshmërisë së kompanive kineze dhe mënyrat ekonomike të operimit jashtë shtetit, Kina shfaqet si një motor i rëndësishëm i investimeve të huaja gjatë viteve të ardhshme. Për një kohë të konsiderueshme, industritë nxjerrëse ishin përfituesit më të mëdhenj neto të investimeve jashtë vendit të Kinës, pasi kompanitë kineze që investonin jashtë shtetit, ishin kryesisht të përqendruar në blerjen e energjisë dhe burimeve minerale për të mbështetur prodhimin vendas. Ky trend është zhvendosur gjatë viteve të fundit, dhe më shumë kompani kineze po investojnë për të blerë teknologji, ekspertizë dhe marka të produkteve me cilësi të lartë. Qeveria kineze ka shpallur një sërë politikash për të udhëhequr investimet jashtë vendit të kompanive kineze, në mënyrë që të arrijnë burime operacionale me cilësi të lartë, që të mund të lehtësojnë përmirësimin industrial të vendit, të përmirësojnë aftësitë e tij me risi vendase dhe të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së konsumit.
Prof. Dr. Petraq Milo







