Shqipëria dhe Republika Popullore e Kinës kanë një histori bashkëpunimi të veçantë. Nga viti 1957 e deri në fund të viteve '70 të shekullit të kaluar këto marrëdhënie u bazuan në ideologjinë e përbashkët të të dy vendeve, por ato ndihmuan sidomos për përparimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Mbi 400 vepra industriale u ndërtuan në Shqipëri me kreditë dhe investimet e Kinës. Ndërkaq, nëse i referohemi një interviste të ish-zv. shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, gjeneral Rrahman Perllakut, rezulton se aso kohe Republika Popullore e Kinës kishte investuar në funksion të mbrojtjes së Shqipërisë me 11 miliard dollarë amerikanë, ndonëse pikëpamja kineze ishte se "Shqipëria nuk kërcënohet nga ndonjë rrezik i jashtëm"! Së paku këtë pikëpamje e kishte ndarë kryeministri kinez, Çu En Lai, në bisedimet me kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, gjatë një vizite të tij në Tiranë.

Ndërkohë kjo periudhë ndihme dhe bashkëpunimi reciprok prej dy dekadashu shoqërua me një kontribut të veçantë të Shqipërisë për afrimimin e Republikës Popullore të Kinës në botë. Shqipëria inicioi rezolutën me të cilën Kina u bë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe zuri vendin e saj në Këshillin e Sigurimit, por kjo nuk do të thotë se roli i Shqipërisë ishte përcaktues për këtë. Më së shumti ishin rrethanat ndërkombëtare dhe afrimi i Pekinit me Uashingtonin faktorët kryesorë të pranimit të Kinës në organizatën më të madhe të planetit.

Duhet thënë se marrëdhëniet Shqipëri-Kinë filluan të përkeqësohen atëherë kur Kina filloi të afrohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky afrim filloi me lojën e Pingpongut, e cila u përhap në botë si nocion me atë që u quajt "diplomacia e pingpongut"! Më vonë, Tirana zyrtare shprehu rezervat e saj lidhur me vizitat e ish-sekretarit të Shtetit, Henry Kissinger në Pekin. Dhe së fundi kjo marrëdhënie Kinë - SHBA u përmbyll me vizitën e presidentit Nikson në Kinë, të cilin ish-kryeministri kinez, Çu En Lai do ta shëtiste vetë me varkë.

Afrimi kino-amerikan i viteve 1970-1972 shkaktoi reaksione negative në elitën e qeverisë komuniste të Shqipërisë dhe prej këtij momenti marrëdhëniet midis dy vendeve filluan të ftohen. Aq sa Hoxha eliminoi grupet "armiqësore" të Beqir Ballukut në ushtri dhe të Koço Theodhosit në ekonomi, duke i trajtuar si grupe që lidheshin me "veprimtarinë armiqësore të Kinës kundër Shqipërisë"! Për këtë arsye para gati 50 vitesh Shqipëria u izolua plotësisht për shkak të absurdit. Donte t'i imponohej një vendi prej 800 milionë banorësh në politikën e tij të jashtme.

Po tani çfarë ndodh me marrëdhëniet e Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës?! Kur socialistët erdhën në pushtet, kryeministri i vendit udhëtoi disa herë në Pekin dhe kryeqytete të tjera, kryesisht europiane, për të prezantuar vendin tonë në iniciativën 17+1. Pati një entusiazëm të madh, se investimet kineze do të ndryshonin ekuilibrin ekonomik në favor të zhvillimit të infrastrukturës së tij. Kishte një lloj pritshmërie se diçka pozitive do të ndodhte.

Në fakt marrëdhëniet ekonomike, të investimeve dhe të tregtisë me Kinën nuk përparuan sipas parashikimeve. Nëse analizojmë shkaqet e kësaj situate jo të suksesshme, atëherë duhet të dallojmë disa prej tyre: Së pari, u shfaq koncepti, sipas të cilit "Republika Popullore e Kinës duhet të na ndihmojë me kredi dhe investime", duke vënë një paralele me ndihmën që ajo jepte në vitet 1960-1970. Mentaliteti se vendi mund të zhvillohet përmes ndihmave dhe kredive kineze edhe në kushtet e ekonomisë së tregut nuk u shkul nga mendësia e disa administratorëve të qeverisjes si dhe në një pjesë të opinionit shqiptar. Madje kishte nga ata që duke i besuar propagandës së kohës së komunizmit, shkuan edhe më tej duke thënë se “Kina na ka borxh”! Për pasojë klima e bashkëpunimit u helmua me reminishencat e mentalitetit të kohës së komunizmit.

Së dyti, këto marrëdhënie u kushtëzuan nga psikoza e kundërt e asaj çfarë kishte ndodhur në vitet 1972-1978. Nëse aso kohe u ndërprenë marrëdhëniet me Kinën për shkak të bashkëpunimit të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe armiqësisë së Hoxha-së më Amerikën, në kohët e periudhës post-komunizëm çdo bashkëpunim shqiptaro-kinez u bllokua për shkak të armiqësive të SHBA-ve ndaj Kinës dhe miqësisë së Tiranës me Uashingtonin, veçmas në periudhën e administratës Trump. Kjo sjellje shpesh herë ishte e pakërkuar nga Uashingtoni. Dhe në të dy rastet kemi një qasje të njëjtë. Përkushtimi ndaj të mëdhenjve vjen në funksion të përfitimeve politike për ruajtjen e pushtetit.

Bashkëpunimi shqiptaro-kinez është i domosdoshëm dhe Shqipëria ka më shumë nevojë për këtë bashkëpunim. Eshtë e drejtë dhe detyrë e autoriteteve shqiptare të kujdesen për ruajtjen e ekuilibrave në këto marrëdhënie në pajtim me parimet e Bashkimin Europian ku duam të integrohemi dhe vendet kryesore të tij. Eshtë e neosjme të ruhen gjithashtu ekuilibrat me vendet e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët jemi në të njëjtën aleancë. Por kalimi në ekstrem, refuzimi i çdo bashkëpunimi me Pekinin, është i gabuar dhe i dëmshëm, sepse Shqipëria vuan veç tjerash edhe mungesën e investimeve të huaja. Në fund të fundit, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem politik e Republikën Popullore të Kinës dhe nëse ajo afrohet me Pekinin aq sa afrohen vendet e tjera të rajonit dhe të Europës, nuk cënon asnjë interes strategjik e jetik të vendit! Prandaj duhen marrë seriozisht marrëdhëniet me Kinën, që të shfrytëzohen potencialet e saj për investime kapitale në Shqipëri! Për ta arritur këtë synim sigurisht që duhen flakur tej mentalitetet frenuese që kemi trashëguar nga e kaluara.

Enver Bytyçi