“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi…” - Migjeni e ndjente dhe e njihte mirë varfërinë, ai përshkruante dhe e përjetonte. Shqiptarët e kujtojnë, e njohin mirë dhe shumë ende vazhdojnë të mishёrojnë atë kafshatë që s’kapërdihet dot, një shekull pas vargjeve të tij. Ndër shekuj, individë e kombe e kanë ëndërruar zhdukjen e kësaj plage shoqërore.

Victor Hygo gjatë një fjalimi në Asamblenë Legjislative Franceze, në korrik 1849 qortoi kolegët duke thёnë: “Varfëria është një sëmundje e shoqërisë... jam një nga ata që mendojnë se është e mundur të shkatërrohet varfëria ekstreme. Shënojeni ju, zotërinj, nuk jam duke thënë zvogëlo, kufizo, kontrollo, thashë shkatërro.”

Mjerimi s’don mёshirë, por don vetëm të drejtё – vazhdonte Migjeni. Por ku gjendet kjo e drejtë, kush e krijon dhe kush e mban? Cili është përgjegjёs dhe cili implementues? Ku e gjen mjerimi drejtësinë?

Duke bërë një kalim nga letërsia në politikë ekonomike, po e lemë për një çast dimensionin human dhe shpirtëror të varfërisë për të parë një histori suksesi nga e cila vetëm mund të nxirren mësime të vyera praktike (dhe pragmatike): misioni i çrrënjosjes së varfërisë në Kinë.

Performanca e gjithanshme e Kinës gjatë 40 viteve të fundit ka qenë në gjendje të prodhojë një rritje ekonomike rekord dhe të largojë në mënyrë domethënëse dhe të papreçedentë 850 milion njerëz nga varfëria. Kjo do të thotë se ky zhvillim nuk është shprehur vetëm në terma abstraktё ekonomikё, por është i prekshëm edhe në aspektin e standardeve të jetesës. Rrugëtimi i Kinës për të eleminuar varfërinë ekstreme deri në vitin 2020 është një histori mbresëlënëse. Ndërsa për gjithëkënd mund të tingëllojë si një mision i pamundur, koha tregoi se ky vend ia doli. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë premtuar se mrekullia ekonomike do të ndryshonte fatin e të gjithë kinezëve, pa asnjë përjashtim - dhe fushata kundër varfërisë ka qenë prioritet për çdo brez të lidershipit kinez.

Në Kinë shkaqet e varfërisë janë komplekse dhe të ndryshme, për më tepër magnituda e këtij problemi ishte sa e gjerë aq dhe e thellë. Hendeku i madh në zhvillimin rajonal, kushtet e këqija natyrore në zonat perëndimore dhe infrastruktura joadekuate, e bënë eleminimin e varfërisë një detyrë të vështirë. Që të adresohen siç duhet shkaqet e ndryshme të varfërisë, duhet të ketë në funksion lloje të ndryshme dhe të kombinuara në kohë dhe në trajtë të masave për eleminimin e saj.

Detyra kolosale për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë varfërisë ekstreme në Kinë u bë qëllimi parësor i administratës shtetërore nën drejtimin e Xi Jinping. Që në fund të vitit 2012 qeveria filloi tё zbatojë metoda të paracaktuara të zbutjes së varfërisë dhe nisi tё implementojë politikat e synuara ad hoc të lehtësimit të varfërisё duke adresuar shkaqet madhorë të saj.

Nga ‘zbutje’ në ‘çrrënjosje’ – slogani që i përshtatet synimeve

Zbutja e varfërisë ka qenë gjithmonë një detyrë kryesore për qeveritë kineze, por në epokën e Xi Jinping, kjo betejë kundër varfërisë u lakua në qarqet më të larta të politikëbërjes. Filloi investimi masiv nga qeveria qëndrore për projekte që synonin eleminimin e saj, nga viti 2013 deri në vitin 2017 janë investuar miliarda për këtë kauzë. Për më tepër, ajo që mori më shumë admirim dhe shpresë brenda vendit dhe shumë çudi jashtë kufijve të Kinës ishte premtimi i vitit 2015 – ku u tha specifikisht se ‘qeveria vendos qëllimin për të eleminuar plotësisht varfërinë deri në vitin 2020. Asnjë rajon i vetëm i varfëruar, dhe as një individ që jeton në varfëri nuk do të mbetet pas.’

Asnjë nuk do të mbetet pas!

Në përgjigje të kësaj situate Kina prezantoi fillimisht të ashtuquajturin migrim ekologjik (qëllimi për të zhvendosur njerëzit në vende me terren mё tё mirё); më tej u fokusua prodhimi për të rritur zhvillimin lokal, konservimi ekologjik për të lehtësuar turizmin, edukimi për të trajnuar të rinjtë e provincave, një rrogë minimale nga shteti për të përmbushur nevojat themelore, për më tepër, mbarë populli u mobilizua gjerësisht për të marrë pjesë në zbutjen e varfërisë. Edhe më praktikisht psh., 10,000 kompani për 10,000 fshatra, një nismë e qeverisë që i jep një kompanie në patronazh një fshat, me detyrën që të rrisë mirëqënien. Pra, ata që kanë fituar më shumë nga zhvillimi i Kinës, bizneset e suksesshme po japin mbrapsht diçka nga fitimet komunitetit; me tej, platforma si biznesi me fermerët, industria e-commerce me promovim tё produkteve lokale etj. bёjnё tё mundur eksperiencat zhvillimore tё qyteteve me mirёqёnie tё lartё tё dublikohen edhe nё provinca.

Afati i fundit që qeveria i kish lënë për detyrë vetes, 2020, dhe realizimi i këtij misioni të madh erdhi në njё vit të vёshtirë prej pandemisë, por bazuar në historinë e tij të gjatë, populli kinez beson se sprovat dhe shtrëngimet kanë shërbyer për të rienergjizuar vendin, ata kanë besim se do të arrijnë ripërtëritjen kombëtare dhe ata presin që lidershipi do të vazhdojë të luajë rolin udhëheqës në misionin e saj të madh. Përmes tetë viteve të punës së vazhdueshme, Kina ka hequr të gjithë popullsinë e varfër rurale nën standardin aktual nga varfëria dhe gati 100 milion njerëz nuk janë më nën kthetrat e varfërisë vetëm nën drejtimin e qeverisë aktuale.

Po tё shkojmё mё tej nё histori, nё vitin 1978 niveli i varfёrisё nё Kinё ishte 96%. Në terma ekonomikё, varfëri ekstreme quhet gjendja kur një individ jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, varfëri e moderuar quhet kur një person jeton me më pak se 5 dollarë në ditë (të dyja në baze të kalkulimeve të çmimeve të shportës ushqimore me treguesin e Paritetet të Fuqisë Blerëse, PFB). Por, ky indeks është disi i paqëndrueshёm, po të shohim në praktikёn kineze. Këto terma janë përkthyer në realitetin vendas me 4 qëllime: së pari, të ardhurat vjetore për frymë të fermerëve në mënyrë që të kenë mjete të sigurta jetese; së dyti, shërbimet themelore publike në zonat e varfra të jenë afër mesatares kombëtare; së treti, ata që jetojnë në varfëri nuk duhet të shqetësohen më për ushqimin dhe veshmbathjen;e fundit, por jo më pak e rëndësishme, aksesi në të ashtuquajturën ‘tre garancitë’ që janë përkatësisht arsimi i detyrueshëm, përkujdesja bazë mjekësore dhe strehimi i sigurtё, të gjitha të siguruara nga shteti, me qëllimin final pasja e një jetëse dinjitoze.

Si përfundim, në sferën e rendit botëror në një kohë të caktuar dhe në dinamikat e marrëdhёnive midis shteteve, varfëria ka nënkuptuar margjinalizimin ose përjashtimin efektiv nga vendimmarrja globale; rritja ekonomike në të kundërt ka bërë të mundur që të rritet pushteti dhe prestigji në rang botëror. Me pak fjalё historia e suksesit të brendshëm të një kombi bëhet një pasaportë për privilegjin global.

Kjo pasaportë mëse e merituar kineze, jo rrallëherë anashkalohet, disa herë edhe është kontestuar në bazë mendimesh ndryshe – por shifrat nuk janë opinione, ato janë kokëfortësisht fakte. Nëse bota e vendeve të zhvilluara nuk është e gatshme të lartësojë një histori suksesi nuk është thënë se ajo nuk ekziston. Për pjesën tjetër të botës, për ato vende që akoma luftojnë të zhdukin atë ‘kafshatë që nuk kapërdihet dot’ do ishte e udhës që këto leksione nga Kina të merren në konsideratë dhe analizohen sipas kushteve socio-ekonomike vendase. Në fund të fundit, historitë e suksesit, vetëm leksione të vyera sjellin.