Samiti Suzhou Kunshan


Nisma 17 + 1 e inicuar 8 vite më parë si 16 + 1 dhe me bashkimin e Greqisë, tashmë ka hyrë në korsinë e saj të shpejtë. Pandemia e këtij viti sigurisht ka vështirësuar disa projekte e mundësi komunikimi, por Kina me aftësinë e vizionin e vet ka ditur të gjejë shtigjet për t’i dhënë kësaj Nisme një dimension të ri. Samiti i Suzhout dhe Kunshan-it, nën një vello artistike mbresëlënëse, dëshmoi se shpirti artistik i popujve, i sendërtuar në krijimet e secilit komb, është një urë e fuqishme dhe e patjetërsueshme komunikimi e bashkëpunimi. Ashtu si në të gjitha samitet e tjera, edhe në Suzhou u konfirmua vullneti dhe angazhimi i palës kineze për të ecur dorë për dore, me besim të plotë dhe përpjekje të përbashkët, nëpërmjet bashkimit më të mirë të mundshëm të strategjive të zhvillimit të secilës palë, për të gjetur më shumë pika takimi, për të nxjerrë në pah potencialet, në mënyrë që vullneti i bashkëpunimit të përkthehet në projekte konkrete.

Samiti Suzhou Kunshan

Samiti Suzhou Kunshan

Përpiqem ta përfytyroj Suzhoun nën dekorin dhe ritmin artistik të artit që gjeti jo vetëm kohezion shpirtëror me qytetin, por edhe dashurinë për të përcjellë vlerat e përfaqësimit të 18 kombeve, të shkrirë në një . Isha tre vite më parë në Suzhou. Në librin tim “ Kina, një gravitet i epokës së re” i kam kushtuar këtij qyteti impresionues një refleksion të gjatë. Ajo që kisha lexuar për këtë qytet, si një ndër 10 qytetet më të bukur në botë, kur e vizitova e ndjeja dhe bëhej e prekshme. Ishte pranverë dhe shpërthimi i luleve ngjante me qëndismat Su që e kanë traditën pikërisht këtu. Ato ishin marramendje artistike që nuk ngopeshe duke i parë. Jo vetëm në oborret e ndërtesave, por edhe në parqet e qytetit, kompozimet shumëngjyrëshe të luleve rrëzëllitëse, kurrsesi nuk mund të linin pa të joshur në mrekullinë artistike që realizonin aq mjeshtërisht dekoratorët. Ishte diçka e ngjashme me Versajën, kopshtet e së cilës përbëjnë kurorën artistike që i rri aq mirë Parisit, Francës. Simetria me të cilën ishin qëndisur lulet me ngjyrat, përbënin një kompozim artistik që i kalonte kufijtë e arkitektit.

Kanalet e shumta që qarkojnë qytetin dhe varkat që lëvizin pareshtur të krijojnë një imazh më të plotë të këtij qyteti që ka brenda vetes si referencën ekonomike të zhvillimit, ashtu edhe atë kulturore, historike të mbështetur në një sfond natyror të papërsëritshëm. Qyteti ngjan në shumë pika me Amsterdamin, jo vetëm për koridoret ujore që përbënin arterien kryesore të tij, por edhe urat e shumta, një stil ndërtesash që në disa raste takoheshin, si dhe lulet shumëngjyrëshe, të cilat në Evropë nuk i ndesh askund më shumë se në Amsterdam e Versajë.

“ Parajsa në qiell, qyteti në tokë “ është një përcaktim i vjetër që kinezët me shumë të drejtë i kanë bërë Suzhout dhe vërtetë kanë goditur në shenjë. Impresionet nga Suzhou janë të fuqishme, por ata erdhën edhe një herë në vemendjen time këto ditë festive të takimit të përfaqësuesve politike në kuadër të Nismës 17+1. Jo rastësisht ishte zgjedhur Suzhou dhe Kunshan, si vende përfaqësuese të shpirtit artistik, por edhe atij novator e teknologjik, të zhvillimit kompleks me të cilin ecën Kina dhe dëshirës së saj për të mbështetur vendet e familjes së 17 + 1 në nisma që i shërbejnë rritjes së ritmeve të zhvillimit.

Pamje nga ekspozita e bashkëpunimit të Nismës 17+1

Pamje nga ekspozita e bashkëpunimit të Nismës 17+1

Bashkëpunimi 17+1 është një mekanizëm inovativ i bashkëpunimit miqësor ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së. Ai përbën një pjesë të rëndësishme dhe plotëson marrëdhëniet e gjithanshme të partneritetit strategjik kino-evropian. Ky bashkëpunim kësaj radhe ishte planifikuar të kalonte përmes rrugëve të artit, i cili ka magjinë të depërtojë më shpejt në shpirtin e njerëzve dhe të rrisë sensibilitetin e komunikimit. Me të drejtë diplomatët pjesmarrës në qendrën e Kunshan-it e vlerësuan Galanë si një festë arti, por edhe si një rrugë e re dhe efektive e bashkëpunimit midis 17 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore me Kinën.

Suzhou me natyrën dhe arkitekturën mahnitëse, Kunshan si vendlindja e operës Kunqu, por edhe si vendi me kontenë shumë të zhvilluar, plotësuan tablonë e madhe të bashkëpunimit jo vetëm në planin ekonomik e social, por edhe atë kulturor, duke ngritur themelet e një komunikimi në një plan më të gjerë dhe afatgjatë.

Atmosfera dhe takimet në Suzhou e Kunshan dëshmuan se sa shumë potenciale mund të zgjohen dhe marrin forcë kur vendet bashkëpunojnë.

Bashkëpunimi në kuadër të kësaj Nisme vazhdon të rritet dhe krahasuar me 8 vite më parë ai ka një progress të dukshëm në mjaft vende, por bëhet referencë për vendet e tjera që të jenë konkretë dhe intensivë në mundësitë që ofrohen. E rëndësishme është që besimi midis Kinës dhe vendeve përkatëse në këtë Nismë vjen duke u thelluar e plotësuar vazhdimisht. Bashkëpunimet pragmatike janë zhvilluar e konkretizuar, duke sjellë kështu përforcimin dita – ditës të një marëdhënie të re që karakterizohet nga hapja, përfshirja dhë përfitimi i përbashkët.

Në kohën e kësaj sfide globale, afërsia dhe komunikimi më intensiv në Nismën 17 + 1 tregoi se është një mundësi për të kaluar më shpejt edhe pandeminë . Përballimi sëbashku i situatës së krijuar, bëhet i mundur kur ka më shumë komunikim e solidaritet, harmonizim të përpjekjeve dhe indentifikim të mundësive. Nga ky bashkëpunim është koha për të marrë maksimumin e efektit. Kultura dhe arti që folën aq bukur në Kunshan, relaksuan dhe bënë më të afërta komunikimet edhe në fushën e biznesit, tregëtisë dhe të investimeve.

Edhe Shqipëria që është pjesë e kësaj Nisme, ka gjithë koridoret e hapura për t’u integruar në një bashkëpunim efektiv dhe me përfitime të ndërsjellta. Ndërkombëtarizimi pa pengesa i flukseve tregëtare dhe investuese ka dëshmuar se mbetet një rrugë e shpejtë për t’i dhënë një impuls me ritëm të lartë ekonomisë. Me të drejtë ambasadori shqiptar në Pekin, Selim Belortaja në një intervistë ekskluzive për CRI Shqip thekson se :

“ Komplementariteti ndërmjet dy anëve, çfarë ofron Kina dhe çfarë mirëpret terreni ynë ekonomik, do të thosha që prodhimi industrial mbetet një mundësi bashkëpunimi, transferimi i kapaciteteve në vendet tona, që është edhe një interes i Kinës, por edhe i vendeve tona për të riaktivizuar disa industri që u pezulluan me tranzicionin ekonomik . Urbanizimi ynë kërkon sot elemente të reja teknike dhe këto elemente Kina i ofron mjaft mirë dhe me cilësinë më të lartë botërore.”

Ambasadori shqiptar në Kinë z. Selim Belortaja

Ambasadori shqiptar në Kinë z. Selim Belortaja

Tani që bashkëpunimi 17+ 1 është pjekur më shumë, është bërë më efektiv dhe ka nxjerrë rezultate të frytshme, është koha për të shpejtuar ritmin e për të identifikuar çdo mundësi. Samiti i Suzhou – Kunshanit dëshmoi edhe një herë se trafiku në urën e bashkëpunimit i ka të gjitha korsitë e hapura për të ecur më shpejt.