
Për filozofin e Greqisë së lashtë Heracliti natyra ishte “ai sfond i pandryshueshëm që asnjë zot e asnjë njeri nuk e ka bërë: ka qënë, është dhe do të jetë”, dhe se detyrë e njeriut është ndërtimi i një ekzistence në harmoni me të.
Që atëherë filozofia ka ndryshuar dhe me të edhe ekonomia duke e vendosur njeriun në krye të zhvillimit, dhe për pasojë duke e bërë natyrën një terren shfrytëzimi për ekzistencën e tij.
Duke ardhur më afër ditëve tona, mbaj mend se ne vitet e para të fillimit të shekullit 21-të Kina vazhdimisht përmendej në shumë rrethe mediatike në Europë për ndotjen e jashtëzakonshme të burimeve natyrore shkaktuar nga zhvillimi i vrullshëm ekonomik – probleme që edhe sot vazhdojnë të jenë prezentë. Në Europë nga ana tjetër, kishin kaluar më shumë se dy shekuj industrializim me pasoja tepër të rënda për ambientin. Sigurisht kjo nuk e bënte çështjen e ndotjes në Kinë më pak urgjente.
Revolucioni industrial i cili filloi në Britaninë e Madhe në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, dhe pastaj u përhap së pari në Europë dhe pastaj në Amerikë, ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme për ekosistemet e brishta të tokës. Ky revolucion në të njëjtën kohë i ka lejuar vendeve perëndimore të bëheshin dominues të sistemit ekonomik botëror. Shfrytëzimi i burimeve natyrore, dhe me to edhe i ndotjes apo i shkatërrimit të ekosistemeve të brishta, mori përmasa globale kur kompanitë e mëdha perëndimore filluan shfrytëzimin e burimeve natyrore të vendeve që fuqitë e mëdha kontrollonin. Kjo me një kosto ambientale gati të pariparueshme.

Përballë kësaj panorame, dhe kur efektet e ndotjes së më shumë se dy shekujsh industrializim filluan të jepnin efekte shkatërrimtare në Europë, çështja e ndotjes së ambientit nuk ishte më një çështje ekonomike, por tashmë edhe sociale me pasoja të rënda mbi shëndetin e njerëzve. Gjithashtu po shfaqeshin në rritje fenomene të luhatjeve klimatike me pasojë erozionin e tokës, përmbytje të shumta dhe jo normale, u shfaq rritja e niveleve të oqeaneve, dhe fenomene të tjera të lidhura. Kështu, në fillim të këtij shekulli çështja e mbrojtjes së ambientit, mbrojtjes së ekosistemeve natyrore, dhe rëndësia e zhvillimit të një ekonomie të gjelbër filluan të jenë pjesë e prioriteteve politike në shumë vende. Sot mbrojtja e ambientit dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë bërë pjesë e kurrikulave shkollore, janë pjesë e diskursit publik në rrafsh ndërkombëtar, janë pjesë e punës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por edhe janë bërë një çështje që kërkon zgjidhje afat gjata.
Deri para 10 apo 15 vjetësh ruajtja e ambientit nuk ishte në krye të shqetësimeve në Kinë, megjithëse një farë ndërgjegjësimi për këtë çështje po merrte formë. Synimi ishte zhvillimi ekonomik, i cili me gjithë koston e lartë ambientale, ishte një prioritet i domosdoshëm për të nxjerrë nga varfëria qindra miliona njerëz. Gjithçka ndryshoi duke filluar nga viti 2012 kur në pushtet erdhi Xi Jinping. Që në vitin 2005 kur Xi kishte qënë sekretar i partisë në provincën Zhejiang, ai do shprehej se “ne do donim lumenj të kristaltë e male të harlisura ashtu siç edhe do donim male me ar dhe argjend. Por në fakt ujëra të kristalta dhe male të harlisura mund të jenë po aq të shtrenjta sa ari dhe argjendi”. Me të ardhur në pushtet, Xi i bëri çështjet ambientale pjesë të pandashme të konceptit të zhvillimit ekonomik. Nuk ishte një qëndrim idealist, por një ndryshim mentaliteti thelbësor që synonte kalimin nga zhvillimi ekonomik tout court në zhvillim ekonomik në harmoni me ambientin, pra zhvillimi i qëndrueshëm e cilësor. Me pak fjalë sfida ishte ndërtimi i një modeli ekonomik që duke respektuar ambientin të sillte njëkohësisht përfitime ekonomike të konsiderueshme dhe të prekshme për operatorët ekonomikë të të gjithë niveleve.
Si simbol i këtij ndryshim mentaliteti mund të merret

fshati Yucun në Zhejiang
, i cili fillimisht e kishte bazuar zhvillimin ekonomik në hapjen e minierave dhe përpunimin e mineraleve, me pasojë ndotjen e lumenjve dhe të nëntokës. Kështu, nga viti 2003 autoritetet lokale vendosën të mbyllnin industritë minerare. Në afatet afatshkurtra kjo pati pasoja të rënda sepse të ardhurat e banorëve u ulën ndjeshëm, por dalë ngadalë filluan të mbilleshin plantacione çaji, u pyllëzuan mijëra hektarë tokë për rreth zonës, dhe filluan të hapeshin agriturizmat e parë për të pritur turistë. Autoritetet raportojnë se në vitin 2019 ky fshat me vetëm 280 shtëpi, me modelin e ri ekonomik të zhvillimit të qëndrueshëm, arriti të ketë një output ekonomik prej rreth 40 milionë dollarësh.

fshati Yucun në Zhejiang
Po të vizitoni Shenzhenin, çdo kush mund të vërejë sesi i gjithë parku u autobusëve të transportit publik, dhe të gjitha taksitë e qytetit janë elektrike. Kjo është një tendencë në të gjithë Kinën. Elon Musk, sipërmarrës i njohur për idetë e tij novatore dhe investimet në teknologjitë e reja, ka hapur në Shanghai fabrikën më të madhe në botë për prodhimin e makinave elektrike Tesla. Në të gjithë Kinën është në ndërtim në shkallë të gjerë infrastruktura e nevojshme për qarkullimin e automjeteve elektrike në nivel kombëtar. Gjithashtu, janë ndërtuar me qindra parqe për prodhimin e energjisë nga era, e gjithashtu qindra parqe fotovoltaike për prodhimin e energjisë nga dielli. Në raportet ndërkombëtare Kina përmendet si një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të energjisë së rinovueshme.

fshati Yucun në Zhejiang
Janë bërë përpjekje të mëdha në pastrimin e lumenjve të vendit dhe parandalimit të ndotjes së tyre të mëtejshme, për ndaljen e procesit të dezertifikimit (shkretëtirës) në veri dhe veriperëndim të vendit, duke shtuar zonat e gjelbra. Një studim i NASA-s në vitin 2019, konkludonte se nga viti 2000 deri në vitin 2017 Kina ka krijuar një të tretën e të gjithë zonave të gjelbra në botë. Por Kina ka akoma shumë për të bërë, dhe ndotja e ambientit mbetet një nga shqetësimet kryesore në shumë anë të Kinës. Kjo është edhe arsyeja pse autoritetet e vendit kanë planifikuar që deri në vitin 2050 Kina të investojë dhjetëra trilionë dollarë që do të mundësojë tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër.
Edhe në nivel global Kina kaloi shumë shpejt në një mbështetës të fuqishëm të mbrojtjes së ambientit dhe ndaljes së ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale. Në konferencën e përvjetshme të Kombeve të Bashkuara në Shtator 2020 presidenti Xi premtoi arritjen deri në vitin 2060 të neutralizimit te emisioneve të karbonit në Kinë. Kina ka qënë pjesë aktive e negociatave për arritjen e Marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimet klimatike e cila u nënshkrua në vitin 2016. Kjo marrëveshje, e cila zëvendëson Protokollet e Kyotos, synon mbajtjen nën kontroll të ngrohjes globale nëpërmjet uljes së impaktit të njeriut, pra uljes së emisioneve të karbonit dhe uljes së ndotjes. Në vitin 2017 presidenti Amerikan Donald Trump vendosi daljen e Amerikës nga Marrëveshja e Parisit, por si Kina edhe Bashkimi Europian i rinovuan angazhimet e tyre respektive rreth kësaj marrëveshje.
Megjithëse në disa dokumente të vetat politike Bashkimi Europian e quan Kinën “Një Rival Sistemik”, kur vjen puna te çështjet klimatike, Kina bëhet “Një Partner Bashkëpunimi”. Të dyja palët duken në sinergji të plotë rreth kësaj teme. Bashkimi Europian ka kohë që ka ndërmarrë hapa për rikonvertimin e ekonomisë së saj, megjithëse problem mbeten ndryshimet e thella nga një vend anëtar në tjetrin përsa i përket investimeve në këtë drejtim. Në fakt dalja e ShBA-ve nga Marrëveshja e Parisit e ka shtuar më shumë koordinimin dhe kontaktet mes Brukselit dhe Pekinit rreth kësaj çështje. Në nëntor 2019 gjate vizitës së presidentit francez Emanuel Macron në Kinë, në takimin me presidentin Xi, ai do shprehej se “ndryshimet klimatike dhe biodiversiteti janë në zemër të axhendës sonë multilaterale”. Në deklaratën e tyre do shpreheshin se i qëndrojnë angazhimeve të mëparshme dhe do të përditësonin çështjet klimatike në mënyrë që të reflektonin “një progres me ambicien më të lartë të mundshme”. Çështjet e ndryshimeve klimatike u diskutuan edhe gjatë vizitës së presidentit Xi Jinping në Francë në 2019 së cilës ju bashkua edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Në ktë fushë të dyja palët (BE dhe Kina) kanë shumë për të bashkëpunuar por edhe shumë eksperienca për të ndarë. Si në Bashkimin Europian ashtu edhe në Kinë gara për kalimin në një green economy është në zhvillim e sipër, dhe mund të jetë një model i mirë për tu ndjekur nga të gjithë. Nëse dy nga ekonomitë më të mëdha në botë bashkojnë forcat për të parandaluar ngrohjen globale, atëherë gjasat janë që efektet shkatërrimtare të impaktit të njeriut mbi natyrën të fillojnë të ndalen dhe mundësi të reja të hapen për një zhvillim të qëndrueshëm dhe në harmoni me natyrën.
Ylber Marku







