Ekonomia globale ka pësuar një goditje të rëndë nga pandemia Covid- 19 dhe ringritja e saj do jetë e vështirë, aq më tepër që jemi në një periudhë kur vala e përhapjes sa vjen e rritet. Ekonomi të fuqishme kanë pësuar tronditje dhe ndikimi i tyre në ekonominë e sotme kapilare ndjehet shumë. Duke u ndalur në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe ato të Evropës Lindore e Juglindore, konstaton se trauma e pësuar sa vjen e thellohet, si pasojë edhe e vështirësive që kanë hasur këto shtete në konsolidimin e tyre ekonomik. Tkurrja prej 5 % këtë vit në ekonomitë e këtij rajoni, zeron pothuaj gjithë rritjen që është realizuar tre vitet e fundit. Realisht në këto kushte kemi hapa mbrapa, por perspektiva vijon të shoqërohet me pikëpyetje serioze, kur pothuaj të gjitha vendet gjenden përballe alternativës së rimbylljes, gjë që do të asfiksonte tej parashikimit rimëkëmbjen.

Për t’i dhënë një frymëmarrje ekonomisë së lodhur të kësaj periudhe dhe për të mbajtur standarde optimale të jetesës, sugjerimet e FMN-së shkojnë drejt efektvitetit të shpenzimeve si në rrugë, institucione arsimore e shëndetësore dhe komunikimin digjital. Mundësitë për të mbështetur këto investime janë të kufizuara, por nëse ka një mbështetje nga jashtë të këtyre shteteve nga ekonomi të fuqishme, një gjë e tillë bëhet e mundur. Ilhan Kyuchyuk, eurodeputet në grupin Renew Europe i Parlamentit Evropian, në konferencën e organizuar me nismën e tij me temë “ Ballkani Perëndimor përtej vitit 2020: Veprimet dhe zgjidhjet gjatë një pandemisë” nënvizoi rëndësinë që ka paketa e zgjerimit e miratuar së bashku me Planin Ekonomik dhe të Investimeve.

Ilhan Kyuchyuk, europarlamentar (Foto MIA)

Ilhan Kyuchyuk, europarlamentar (Foto MIA)

“Komisioni Evropian ka një angazhim drejt Ballkanit Perëndimor me fonde të mëdha si grante, ose si hua” tha Ilhan Kyuchyuk. Vëmendja ndaj Ballkanit Perëndimor është shumë e domosdoshme dhe KE po ndërhyn në këtë drejtim, por mbetet për t’u parë ritmi dhe efektiviteti i kësaj ndërhyrjeje. Fondet drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë ardhur edhe përmes Nismës kineze 17+1 pjesë e iniciativës së “Rrugës së mëndafshit”. Përfshirja në këtë nismë dhe iniciativë e shteteve të këtij rajoni i ka dhënë një frymëmarrje ekonomisë së këtyrë vendeve, por mundësitë janë sigurisht më të mëdha, nëse bashkëpunimi do të jetë më i relaksuar në të gjithë planet mes vetë vendeve të këtij rajoni, si dhe këtyre vendeve me Kinën, dyert e së cilës janë hapur në mënyrë shumë dashamirëse.

Nisma kineze 17+1

Nisma kineze 17+1

Këto ditë, në prag të mbajtjes së samitit të Nismës 17+1, vëmendja e këtyre shteteve duhet përqëndruar atje, për t’u intensifikuar në përfshirjen e projekteve të cilat kanë një impakt mjaft të fuqishëm në zhvillimin si të rajonit, ashtu edhe në atë global. Ekonomia kineze është e vetmja në botë që ka sfiduar pandeminë dhe ka arritur të realizojë një trend rritës. Prodhimi i brendshëm bruto në tremujorin e tretë të këtij viti në Kinë ka arritur nivelet e para krizës pandemike. Duke qënë se ekonomia e këtij vendi është e qëndrueshme e me tendencë rritjeje, bëhet jo vetëm burim kërkesash, por edhe referimi për të gjithë.

Samiti i Suzhoit do ta ritheksojë këtë gjë, por mbi të gjitha do të hapë dritare e do të identifikojë mundësi të reja, që të gjitha shtetet që janë pjesë integrale e këtyre nismave të shohin konkretisht mundësitë e reja që ofrohen bujarisht nga Kina.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të gjitha pjesë e Nismës 17 +1, kanë shansin të bashkërendohen dhe të rivitalizojnë projektet e nisura, veçanërisht në infrastrukturë, por edhe të koordinohen në mes tyre në projekte të përbashkëta.

Rajoni ka mbetur prapa sa i takon infrastrukturës dhe lidhjes rajonale. Mbështetja nuk ka munguar, por orientimi i këtyre shteteve për të gjetur ekuilibrin e duhur ndërmjet qëndrave të mëdha globale, nuk ka qënë ai i duhuri dhe ka munguar pragmatizmi i nevojshëm.

Investimet në infrastrukturë, aq më tepër që mbështeten nga donacione dhe projekte të BE-së dhe Nismat e mëdha të Kinës mbeten një mundësi e artë.

Në këtë periudhë kur ngadalësimi ekonomik është i dukshëm në vende me potenciale të fuqishme, në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe ato të Evropës Juglindore, ky ngadalësim është më i ndjeshëm dhe me gjurmë më të mëdha. Kështu që orientimi i investimeve në infrastruktë është i duhuri. Sipas specialistëve, çdo përqind e PBB e shpenzuar në infrastrukturë, prodhimi rritet me ½ deri në ¾ për qind në periudhën afatshkurtër dhe në 2 deri në 2.5 për qind në planin afatgjatë. Sigurisht që kërkohet një menaxhim sa më i mirë i projekteve dhe koordinim ndërshtetëror për të rritur përfitimet. Kthimi dhe prodhimi nga rritja e investimeve në infrastrukturë kanë mundësi për të qënë edhe më të larta nëse ka një efikasitet të ndjeshëm të investimeve publike dhe përqëndrim në projektet që përmisojnë lidhjen rajonale. Pikërisht projekte të kësaj natyre që janë të gatshme për të marrë oksigjenin financuar në kuadër të Nismës 17+1, si dhe atyre që janë pjesë e mbështetjes nga BE, kanë mundësi që ta lëvizin me ritmin e duhur ekonominë. Përfitimet do arrihen vetëm nëse projektet e infrastrukturës menaxhohen mirë. Forcimi i menaxhimit të infrastrukturës është kyç për të realizuar një kthim më të mirë të investimeve publike, por edhe në mobilizimin e përfshirjes së sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve më të mëdha.

Qeveritë e shumë vendeve janë detyruar që gjatë këtij viti të rishikojnë disa herë buxhetin, për të ruajtur në kufijtë e mundshëm, treguesit ekonomikë dhe për të gjykuar mbi përparësinë e investimeve. Qeveria serbe miratoi shpenzime shtesë në buxhetin e saj për të dytën herë brenda këtij viti, për të kompensuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga koronavirusi. Qeveria tha se ekonomia parashikohet të tkurret me – 1 % në këtë vit, por pritet të nisë ngjitjen vitin e ardhshëm.

Buxheti i rishikuar parashikon një rritje të defiçitit prej 4.87 miliardë dollarë, ose 8.9 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ministri rumun i financave publike, Florin Citu

Ministri rumun i financave publike, Florin Citu

Ndërkohë disa kompani në Rumani do të përfitojnë 190 milionë euro financim nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), kryesisht në sektorët e prekur më ndjeshëm nga ndikimi i efekteve të Covid-19. “Mundësimi i ndërmarrjeve në të gjithë Rumaninë për të vazhduar të investojnë është thelbësor për vendin, që të kapërcejë sfidat ekonomike, të punësimit dhe ato sociale, të shkaktuara nga Covid -19. E mirëpres këtë nismë të rëndësishme prej 190 milionë euro, që do të sigurojë mbështetje financiare për kompanitë në të gjithë vendin, në bashkëpunim me institucionet financiare. Skema e re është më e mirë dhe më fleksibël”. thekson Vasile-Florin Citu, ministri rumun i Financave Publike.

Ndërkohë në Bullgari, që nga fillimi i vititi 2020 janë lëshuar certifikatat për 22 projekte me vlerë 323 milionë euro nën Aktin e Nxitjes së Investimeve.

Këto sforcime buxhetore, mbështetje me paketa ndihmash, grante apo kredi kërkojnë që të orientohen saktë për të rritur efektivitetin e tyre. Shifrat që cituam janë një pjesë e vogël e shumave të mëdha që janë lëvruar apo presin të lëvrohen. Këto kanë për qëllim të shpenzohen në investime për rimëkëmbjen kombëtare dhe planet e reformave. Shfrytëzimi sa më i madh i këtij investimi, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe digjital, do të jetë më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër. Duke pasur një qasje fleksibël në këtë periudhë të vështirë të pandemisë, qeveritë po shikojnë rrugët të reflektojnë mbi ndryshimet në ekonomi, duke zgjedhur projekte me dividentin më të lartë të rritjes, krahasuar me koston e pritur. Infrastruktura digjitale në këtë rast mund të jetë ai drejtim në të cilin do të këmbëngulet dhe zhvillimi i saj pritet të jetë më i shpejtë se sektorët e tjerë. Investimet në infrastrukturën e qëndrueshme do të jenë një ndihmë e fuqishme në ndërtimin e ekonomisë të së ardhmes.

Vëmendja e shtuar ndaj Ballkanit Perëndimor nga BE dhe Kina shtrojnë nevojën e rritjes së efektivitetit të investimeve. Projektet kineze të investimeve, të cilat në kuadër të Nismës 17+1 riformulohen në kushtet e reja, janë produkt i vizionit kinez që mbështetet mbi multilaterizmin, si rruga efikase e përfitimeve reciproke dhe në një perspektivë afatgjatë të tyre. Qasja e kujdesshme, e studiuar dhe pragmatiste e këtyre ndihmave do të bëjë të mundur që lëvizja e ekonomisë në trend pozitiv të kapë ritme të shpejta .

Gëzim Podgorica