Prej vitit 2016 e këtej Republika Popullore e Kinës ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Pas një situate të vështirë 30 vjeçare në këtë fushë, sistemi legjislativ kinez më në fund para pesë vitesh vendosi të bëjë ndryshimin e madh dhe të përcaktojë rregulla e norma bashkëkohore sa i përket zhvillimit të industrisë në përgjithësi dhe asaj energjitike në veçanti. Gjithçka erdhi si rezultat i angazhimit të Republikës Popullore të Kinës në pajtim me marrëveshjet ndërkombnëtare, kryesisht atë të Parisit. Ndërkohë që Presidenti Amerikan, Donald Trump, po tërhiqej nga kjo nga Marrëveshja e Klimës e Parisit, Pekini kishte nisur përpjekjet e tij serioze në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe modernizimit të vendit në harmoni me politikat e tilla. Në fakt përkushtimi kinez në politikat për mbrojtjen e ambientit filluan që në vitin 1989, por pa ndonjë sukses të ndjeshëm. Kurse një ligj tjetër, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2015, konsiderohet si ligji i pare i Republikës Popullore të Kinës i shoqëruar me sanksione si ndëshkim për subjektet që ndotin ambientin, si dënime me heqje lirie prej 15 ditësh, gjobë deri në 13,500 euro ose mbylljen e biznesit përkatës.

Angazhimi kinez në mbrojtje të mjedisit u prit me entuziazëm nga partnerët ndërkombëtarë, sidomos nga vendet e Bashkimit Europian, si dhe nga spektri politik i interesuar e me program të qartë për mbrojtjen e mjedisit nga ndotjet dhe mbetjet industriale e ushqimore. Plani pesëvjeçar i Kinës 2016-2020 mund të konsiderohet si projekt i kapërcimit të madh në drejtim të modernizimit industrial dhe infrastrukturor të vendit. Rebecca Klug shkruante në qershor të vitit 2017 se Gjermania kishte zgjuar shpresa të mëdha nga vendimet e Republikës Popullore të Kinës për të aplikuar standardet ndërkombëtare në mbrojtjen e klimës. Sipas saj ato vendime e bënin Kinën më atraktive për investimet e huaja e posaçërisht ato gjermane.

Pekini

Pekini

Vendimet kineze për mbrojtjen e mjedisit i diktoi jo vetëm nevoja e popullsisë për të jetuar në një ambient të sigurt dhe cilësor për jetën. Ato vendime erdhën gjithashtu nga nevoja për hapjen ndërkombëtare të tregut kinez, si dhe nga angazhimi për konkurrencë në tregun ndërkombëtar. Ndërkaq lidershipi kinez kuptoi se për të qenë një Fuqi e Madhe e globit, krahas përgjegjësisë politike do të duhej marrë parasysh gjithashtu përgjegjësia morale. Një Fuqi e Madhe si Kina, nuk mund ta fitojë respektin e partnerëve dhe kombeve të tjera, nëse ajo nuk respekton marrëveshjet ndërkombëtare, veçmas në rrafshin e përmirësimit të klimës dhe mbrojtjes së mjedisit. Pikërisht këto kërkesa të nevojave të brendshme dhe ndërkombëtare të tregut diktuan që në pesë vitet e shkuara Kina të adaptojë politika mjedisore në përputhje me konventat dhe protokollet ndërkombëtare.

Christof Achammer, menaxher për Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën thoshte se ligji kinez për mbrojtjen e mjedisit është shumë i rreptë dhe vëzhgon dhe dënon në mënyrë drastike cilindo që e shkel atë. Bëhet fjalë për ligjin për mjedisin të janarit 2017, afërsisht katër vite më parë, një ligj i cili hapi një epokë të re për raportet e politikës shtetërore të Kinës me çështjet e mjedisit dhe të mbrojtjes klimaterike. Ai ligj parapërgatiti kushtet që qytetarët kinez të largohen nga mbajtja e maskës për shkak të ndotjes së ajrit, pavarësisht mbajtjes së saj në kushtet e pandemisë ode sëmundjeve epidemike.

Pekini

Pekini

Studimet e para vitit 2016 dëshmonin se Kina ishte shumë e rënduar nga ndotja e ambientit. Madje asokohe edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëronte për dëmet që smogu dhe ajri i ndotur i sillnin shëndetit të qytetarëve kinezë. Sidomos Shangai dhe Pekini, dy qytetet më të industrializuara të vendit, vuanin tmerrësisht nga ndotja e mjedisit. Në këto kushte ligji i janarit 2017 për të vendosur kritere dhe standarde në zhvillimin e industrisë përpunuese dhe energjetike çoi në marrjen e masave dhe mbylljen e shumë fabrikave, të cilat çlironin gaz karbonik. Paul Keser, një nga sipërmarrësit belgë të Grupit Van Bavel të Belgjikës që merret me monitorimin e zbatimit të standardeve ndërkombëtare për mjedisin, shpjegon se klientët e tij janë shumë të interesuar për sigurinë e produkteve që prodhohen në Kinë. Ndërkohë ai thotë se problemi është se tregu perëndimor e bazon bashkëpunimin e tij me Kinën te kostoja e lirë e prodhimit dhe nuk është i gatshëm të paguajë edhe shpenzimet shtesë që investohen në mbrojtjen e mjedisit, si kusht për sigurinë e cilësinë e produkteve, duke u kërkuar investitorëve dhe sipërmarrësve perëndimorë të pajtohen me kontributet shtesë financiare për mjedisin.

Megjithatë ligji i ka detyruar sipërmarrësit kinezë që të punojnë duke respektuar aspektet e mbrojtjes së mjedisit. Sipas Keser, kompania e tij ka audituar çdo fabrikë përmes vëzhgimit në vend si dhe dokumenteve dhe si rezultat i rezultateve të kontrollit janë mbyllur mbi 3500 fabrika. Ndërkaq ai bën një bilanc të arritjeve në këto 5 vite në fushën e mbrojtjes së mjedisit në Republikën Popullore të Kinës. Në tetor të vitit 2017 qeveria kineze mbylli përkohësisht deri në përmirësimin e raporteve me ligjin për mbrojtjen e mjedisit fabrikat dhe hidrocentralet e provincës Hebei, në të cilën jetojnë 90 milion banorë. Në përfundim 4000 sipërmarrës nga 7000 gjithsej u detyruan për këtë shkak të mbyllin veprimtarinë e tyre.

 Shangai

Shangai

Ndërsa në janar 2018 u ndaluan të riciklohen 24 materiale të ndryshme, ndër to edhe mjetet plastike, tekstilet dhe letrat e vjetra. Bazuar në rekomandimet e OBSH-së, këto materiale riciklimi u konsideruan të rrezikshme. Dhe në vitin 2019 qeveria kineze realizoi një revolucion të vërtetë për riciklimin e mbetjeve në Shangai, duke ndarë mbetjet në disa llojesh, si mbetje të thata ose të lagështa, të rrezikshme ose në material të riciklueshme. Një gazete gjermane, Tagesschau, shkruante aso kohe se 30 mijë vullnetarë u angazhuan në realizimin e këtij suksesi, gjë që i bërë banorët e metropolit të lumtur dhe optimistë.

Pas këtij angazhimi ligjor dhe realizimit të projekteve të mbrojtjes së mjedisit me seriozitet dhe këmbëngulje në pesëvjeçarin që shpejt do të mbyllet, presidenti kinez, Xi Jiping, kërkoi në takimin e G 20-së thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Objektivat kineze në këtë fushë kanë zgjuar besim e shpresë jo vetën te popullsia miliardëshe, por edhe në opinionin publik ndërkombëtar.

Mbrojtja e mjedisit tashmë është objekt konkurrence midis vendeve të zhvilluara dhe të civilizuara. Republika Popullore e Kinës ka kuptuar tashmë prej vitesh se sa më shumë që rritet fuqia ekonomike, politike dhe ushtarake e saj, aq më tepër angazhim do të duhet për të respektuar dhe konkurruar me botën e civilizuar në shumë fusha e sidomos në fushën e përmirësimit të klimës dhe mbrojtjes së mjedisit.

Enver Bytyçi