Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit Shqipëria përpiqet të rindërtojë shtëpitë e shembura, shkollat e kopshtet, madje qyteza të tëra të reja. Mbetet shumë punë për të bërë deri në rindërtimin e plotë të tyre, por nuk mungojnë përpjekjet.


Kryeministri Edi Rama në këtë përvjetor të pare të pas tërmetit ka publikuar një videomesazh, me anë të të cilit rrëfen çastet e vështira me të cilat është përballur në atë periudhë, vendimet që duheshin marë, mirënjohjen për të gjithë ata që u gjendën në krah të Shqipërisë, në ditët e vështira të saj.

Në një “intervistë imagjinare” me kreun e qeverisë Rama, njihemi me të gjitha përjetimet e tij, si qytetar, por dhe si burrë shteti në krye të rindërtimit.


Si u ndje kryeministri disa caste pas tërmetit të 26 nëntorit 2019?


Edi Rama: Një tmerr…dhe ndërkohë kisha një frikë të çuditëshme nga vetmia, nga një ndjenjë vetmie si ndjeheshin në këtë situate katastrofike ato mijëra njerëz. Kanë qenë netët më të çmendura të jetës sime. Nuk mbaja mend më as datat, as ditët. Ndërkohë kujtoj frikën e njerëzve dhe grumbullimet jashtë natën, turma-turma, apo daljet me fëmijë kur dikush shpërndante lajmin se po vjen prapë tërmeti.

Si i lindi ideja për strehimin e njerëzve që kishin mbetur në qiell të hapur?


Edi Rama: Ankthi ishte se sa kampe mund të ngriheshin me çadra me kushte minimale për gjithë atë milet. E pamundur. Duke kaluar me makinë në rrugën e plazhit më lindi ideja e hoteleve dhe çfarë lehtësimi ishte për çdo familje që futej në hotel. Iku dhe një…iku dhe një…iku dhe një. Ndërkohë hotelet mbusheshin e mbusheshin. U jam sinqerisht shumë mirënjohës në radhë të parë pronarëve të hoteleve, që happen dyert me stafet, me kushtet. Pastaj atyre që erdhën për të na ndihmuar për kërkim-shpëtimin. Na u gjendën aq shumë miq! Shqipëria pati aq shumë miq në atë moment aq të zymtë.

Kryeministri Rama shpreh mirënjohjen ndaj ndihmës ndërkombëtare për tërmetin e 26 nëntorit


Edi Rama: Konferenca e madhe e Brukselit! Ne përgatiteshim, sa në Thumanë, Laç, Kavajë, rrotull Tiranës, prapë e prapë në Durrës. Pastaj telefonata, telefonata. Por frika kishte kaluar, sepse gjërat po bëheshin bashkë dhe po mblidheshin ashtu siç duhet të gjitha energjitë. Arritëm të mbledhim më shumë se 1 miliard dhe krenaria ishte shumë e madhe. Ishte një mbështetje shumë e madhe sepse që në atë moment Shqipëria nuk kishte më telash me financimin nga buxheti i vet dhe me daljen nëpër tregjet e kapitaleve. Ishte e mrekullueshme se si njerëzit në të gjithë Shqipërinë dhe në diasporë u bënë bashkë.


Kryeministri Rama, një vit pas tërmetit shprehet se kjo krizë mund të shërbejë si mundësi.


Edi Rama: Çdo krizë është një mundësi. E dija që do ta shndërronim këtë fatkeqësi në një fillim të ri, fillim të mbarë, në një perspektive të re për mjëra e mijëra familje, për të rinjtë, për fëmijët e tyre, por dhe për Shqipërinë. Njerëzit kanë dalë më të fortë, më të lidhur me njeri-tjetrin dhe kështu po ndosh. Hap pas hapi njerëzit kanë filluar të rikthehen në shtëpi, hyjnë në shtëpitë e tyre të reja javë pas jave e muaj pas muaji. Nxënësit dhe mësuesit po kthehen në shkolla fantastike që as nuk krahasohen me atë që humbën atë natë. Sapo kanë nisur dhe pallatet e para në lagje të reja, që do të jenë po aq fantastike sa dhe shkollat e reja.

Çfarë përgjigje ka kryeministri ndaj ankesave të qytetarëve lidhur me rindërtimin?


Edi Rama:Njerëzit ankohen shpesh me të drejtë. Unë vetë nuk kënaqem kurrë nga puna ime se s’kam se si. Shqipërinë e gjetëm si ato pallatet, që nuk ranë por mezi mbaheshin. Në këtë punë kam mësuar durimin. Duhet shumë durim, sepse gjërat e mira duan kohën e tyre dhe për ti bërë mire duhet shumë durim. Bota shumë e shumë kohë më pare i ka ngritur ato që ne shohim sot. Ne kemi nevojë për kohë, që ti kryejmë punët sa më mire në të katër anët, njësoj si me rindërtimin edhe me ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin, me infrastrukturën e gjithçka. Që të ndërtojmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë na duhet vetëm kohë, punë e durim, sepse përkushtimi i madh nuk na mungon. Kjo mbase është pak, por është shumë e sigurtë.


Tërmeti i 26 nëntorit 2019 preku në mënyrë direkte dhe indirekte 202 mijë persona dhe që shkaktoi një bilanc me 51 viktima dhe 913 të plagosur.


11 bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.


Qeveria premtoi një program ambicioz për rindërtimin, madje krijoi edhe një ministri të posaçme me të njëjtin emër për mbarëvajtjen e procesit. 1,1 miliardë euro u premtuan nga donatorët në formën e kredive të buta dhe granteve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, këtë vit janë dhënë nga buxheti për Programin e Rindërtimit 31 miliardë lekë, ndërsa 3 miliardë pritet të jenë, deri në fund të 2020-s grantet.


Nëpërmjet fondeve të buxhetit parashikohet të zhvillohen objektet e reja dhe zonave të reja për zhvillim, përfshirë infrastrukturën publike përkatëse, si dhe rikonstruksionin e ndërtesave ekzistuese të dëmtuara. Gjithashtu, është parashikuar edhe rindërtimi i ndërtesave të shembura nga tërmeti.


Fondet e buxhetit për rindërtimin janë shpërndarë te 11 institucione. Pjesën dërrmuese të financimeve e ka marrë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 10.3 miliardë lekë dhe Bashkia e Tiranës me 7.9 miliardë, si institucionet që kanë edhe rolin kryesor në procesin e rindërtimit. Fonde janë dhënë edhe për Bashkinë e Durrësit, Institutin e Ndërtimit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ndërsa një financim prej 46.8 milionë lekë është adresuar nga buxheti për blerje apartamentesh në bashkitë Kamzë dhe Durrës.


Eda Merepeza