
Samiti G 20 i këtij viti kryesuar për herë të pare nga një vend arabik, përkatësisht Arabia Saudite, kësaj radhe pati një veçori: U organizua në kushtet e krizës së rëndë që ka shkaktuar Covid-19 dhe të shtimit të përpjekjeve për prodhimin e vënien në dispozocion të njerëzve të vaksinës kundër tij. Ndaj dhe pandemia e Covid-19 natyrishëm do të ishte në qendër të këtij samiti të 20 vendeve më të zhvilluara dhe më të fuqishme të botës.
Për këtë shkak ky samit virtual u prit me interes nga opinioni publik ndërkombëtar. Bota e përparuar, po më shumë se ajo vendet në zhvillim, hodhën vështrimin nga vendimet e 20 vendeve më të fuqishme të botës dhe pritën që këto vendime të ndihëmoin sado pak për zbutjen e krizës dhe të dhimbjeve që ajo i shkakton njerëzimit në ditët e sotme.
Bota e sotme është e zhytur në dhimbjen e pakrahasueshme, të cilën e ka shkaktuar pandemia, e samiti i G 20 duhej të ishte shpresa e profilaksisë së kësaj pandemie në planin njerëzor e atë ekonomiko-financiar. Por samiti përfundoi në një deklaratë të përgjithshme, pa ndonjë angazhim të përgjegjshëm në kushte të tilla. Deklarata e këtij samiti ishte thjesht një dokument pa nervin e marrjes së përgjëgjësive konkrete, ishte e përgjithshme dhe jo angazhuese për të marrë përsipër detyrimin humanitar për botën në zhvillim, e cila e ka të pamundur përballimin e situatës së krijuar nga përhapja e Covid-19.
Në dokument thuhet se vendet e G 20 janë "të angazhuara që edhe më tej të venë në veprim instrumentet politike për të mbrojtur jetën, vendet e punës dhe të ardhurat e njerëzve" si dhe për të "mbështetur rritjen globale të ekonomisë, si dhe për të forcuar aftësitë e sistemit financiar global, duke mënjanuar në të njëjtën kohë rreziqet që mund të vijnë në këtë drejtim"!
Por ajo që ra në sy ka të bëjë me faktin se munguan nocionet konkrete të këtij angazhimi. Presidenti kinez, Xi Jiping, kërkoi nga samiti që të lehtësohen vendet e varfëra e në zhvillim nga borxhet e jashtme, të cilat rëndojnë edhe më tej situatën ekonomike dhe financiare të këtyre vendeve. Ai u tha homologëve të tij se "Kemi nevojë më shumë se kurrë për masa thelbësore përballë Covid 19", ndërkohë që theksoi se "zhvillimi ekonomik e financiar është çelësi i suksesit për zhdukjen e varfërisë". Dukej se e të njëjtit mendim ishte dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Por presidenti amerikan, Trump, vijoi edhe më tej me filozofinë "Amerika e para", çka e zbeh angazhimin e të pasurve për të ndihëmuar të varfërit.

Ndoshta Republika Popullore e Kinës është shëmbulli unikal i angazhimit për të luftuar varfërinë në vendin e saj dhe përvoja kineze në këtë drejtim përbën një aset në angazhimin e përgjithshëm, sidomos të 20 vendeve më të zhvilluara të botës, për të ndihmuar vendet që kanë nevojë për të dalë nga varfëria ekstreme dhe absolute. Sipas statistikave, viktimat më të shumta në botë i shkakton mungesa e ushqimit, strehimit dhe varfëria ekstreme, madje shumë më tëpër sesa shkakton viktima Covid-19 apo sëmundje të tjera që shfaqen te nbjerëzit. Në kushtet aktuale Kina është në përpjekjet e fundit të saj për zhdukjen e varfërisë absolute dhe arritja e një objektivi të tillë në një vend prej 1,4 milard banorësh, gjysma prej të cilëve deri pak vitesh jetonin në kushtet e varfërisë ekstreme, është vërtet një sukses i jashtëzakonshëm.

Dhe të flasësh për reduktimin e varfërisë në kushtet e pandemisë, është jo vetëm përgjegjësi, por edhe guxim i spikatur. Megjithatë jo të gjitha vendet e G 20-ës qenë në një mendje me propozimet kineze. Më afër këtyre koncepteve u shfaqën përfaqësuesit e Bashkimit Europian. Ndërsa Kancelarja Merkel ofroi një ndihmë prej 100 milion dollarësh amerikanë për vendet në zhvillim. Disa liderë të tjerë pjesëmarrës në samit folën në përgjithësi me terma teorikë, sa i përket investimit kundër pandemisë në vendet e varfëra e në zhvillim, ose sa i përket sigurimit të vaksinës përkatëse për këto vende. Ndërkaq nevojat për ndihma, të cilat shkojnë thjesht për vaksinimin, llogariten në 5 miliard dollarë amerikanë. Ndërsa ndihma për të përballuar krizën do të shkonte në 38 miliardë dollarë amerikanë. Edhe sikur secili vend të financonte për këtë qëllim 100 milion dollarë, aq sa financoi Gjermania, përsëri shuma e përgjithshme do të kapte vetëm 2 miliard dollarë amerikanë. Kjo do të thotë se nuk mbulohet as në këtë rast hipotetik gjysma e nevojave për vaksinime në vendet e varfëra e në zhvillim.
Ndoshta rruga e lehtësimit të borxheve për këto vende, e propozuar nga presidenti kinez, do të ishte një mënyrë financimi, sepse lehtësimi i borxheve, përmes shtyrjes së shlyerjes ose uljes së apo faljes së interesave, lehtëson gjithashtu barrën financiare në vende të tilla. Megjithatë G 20-a, si dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, do të duhej të formulonin rregulla të forta në qeverisjen e këtyre vendeve, me qëllim luftën kundër korrupsionit. Duket qartë se varfëria është shumë më tepër produkt i keqmenaxhimit dhe korrupsionit shtetëror, sesa produkt i resurseve ekonomike e financiare të munguara në vende të tilla.
Qeverisjet e papërgjegjshme, keqmenaxhimi i taksave dhe buxhetit të shtetit, mënyrat korruptive të këtij menaxhimi dhe drejtimi në fushën ekonomike e financiare janë shkaqet kryesore të nivelit të varfërisë në vendet e varfëra e në zhvillim. Çdo masë e samitit të 20 vendeve më të zhvilluara për ndihmë, thjesht zgjidh një krizë të momentit, por nuk i jep zgjidhje të ardhmes së vendeve që aplikojnë kulturën korruptive të qeverisjes.

Pavarësisht kësaj, kujdesi i vendeve të pasura për të ndihmuar dhe rishpërndarë të ardhurat e veta në vendet e varfëra është i domozdoshëm dhe sigurisht i mirëpritur. Samiti i fundit i Riadit nuk arriti konsensus të formulojë një qëndrim parimor e konkret rreth kësaj teme. Për pasojë ndikimi dhe efektet e vendimeve të këtij samiti do të mbeten thjesht simbolikë e ritualit të mbledhjeve të mëparshme.
Por 2020-ta ishte një vit ndryshe nga vitet e tjera. Pandemia e Covid-19, për të cilën samiti foli më së shumti, është një sfidë, të cilën bota e ka përjetuar njëherë në 100 vite. Ndaj ky samit duhej të ishte ndryshe nga çdo samit i viteve të mëparshme dhe vendimet e Riadit do të duhej së paku të garantonin vaksinimin falas të të gjithë njerëzve të rrezikuar në planet.
Enver Bytyçi







