
Lufta për gjetjen e vaksinës është sfida më e fuqishme globale, por edhe zgjidhja për tejkalimin e situatës së vështirë, e cila mbetet një zgjidhje e përbashkët globale. Shtetet më të fuqishme janë në përpjekje të gjithanëshme dhe krahas masave që po marrin për të ruajtur parametrat ekonomikë, po aq janë edhe të investuar në intensifikimin e kërkimit e të përfundimit të provave, që pritet të lehtësojnë frymëmarrjen e botës. Jo rastësisht edhe takimi i G20-ës u përqëndrua tek kjo temë dhe i gjithë debati u fokusua në gjetjen e zgjidhjes për vaksinën. Rezultatet e deritanishme tregojnë se disa vaksina kanë efektivitet dhe OBSH që jep dritën jeshile të përdorimit, po pret të fillojë nga certifikimet. Shtimi progresiv i numrit të të infektuarve dhe i viktimave, veçanërisht ditët e fundit, ka bërë që shumë shtete të bëjnë porosi të avancuara për vaksinat, për të ndërprerë sa më shpejt që të jetë e mundur zinxhirin e trasmetimit të sëmundjes. Sipas të dhënave të deritanishme, pjesa më e madhe e dozave të vaksinave janë porositur apo edhe parapaguar nga vendet me të ardhurat më të larta.

Vaksina kundër koronavirusit
Ky është një trend tek vendet e pasura, por që ndryshon tek vende si Kina, e cila është angazhuar në prodhimin e vaksinës si për popullsinë e saj, ashtu edhe për ato të vendeve të varfëra, kryesisht të vendeve afrikane. “Corona Vac” një vaksinë e zhvilluar nga kompania farmaceutike kineze “Sinovac Biotech “ po rezulton e sigurt pas provave klinike dhe mund të japë një përgjigje të shpejtë imunitare. Vaksina mund të ruhet nga 2 deri në 8 gradë Celsius deri në tre vjet, çfarë e avantazhon atë në krahasim me vaksinat e tjera në këtë drejtim, ku kushtet e ruajtjes kërkojnë mjedise frogoriferike që shkojnë deri në minus 80 gradë, duke vënë përpara prodhuesve të tjera sfida.
Në publikimin e tij në “ The Lancet “, Zhu Fengcai (Çu Fengcai) nënvizon se “ Gjetjet tona tregojnë se Corona Vac është në gjendje të shkaktojë një përgjigje të shpejtë të antitrupave brenda katër javësh nga imunizimi me dy doza vaksine në një interval 14 ditor” .
Rezultatet e deritanishme tregojnë se niveli i antitrupave të injektuar nga vaksina është më i lartë se tek ato që kanë kaluar Covid 19 dhe rezulton efektive për mbrojtjen e trupit nga koronavirusi. Prej disa muajsh Kina ka lejuar injektimin e vaksinës kryesisht për punonjës dhe studentë të cilëve u duhet të lëvizin jashtë vendit si dhe ata të sektorit shëndetësor. Gjithashtu afro 1 milion vetë kanë bërë vaksinën eksperimentale të koronavirusit, të prodhuar nga Grupi Farmaceutik Kombëtar i Kinës “ Sinopharm “

Vaksina kineze anti Covid 19
Deri tani janë tre vaksina, dy nga “Sinopharm” dhe një nga “ Sinovac Biotech” të cilat janë pjesë e planit të emergjencës dhe që po rezultojnë me efektshmëri. Faza e tretë e provave klinike eksperimentale po zhvillohet jashtë Kinës me afro 60.000 vetë dhe mbi 40.000 vetëve u janë marrë analizat e gjakut 14 ditë pasi ata kanë bërë dozën e dytë. Testet janë kryer në disa vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Peru, Jordani, Egjipt e të tjerë.
Presidenti kinez Xi Jinping ka premtuar se çdo vaksinë e cila do të certifikohet e efektshme dhe do të marrë aporovimin nga autoritetet shëndetësore, do të bëhet “prodhim global”, dhe Kina do të jetë e angazhuar për ta vënë atë në dispozicion edhe të vendeve në zhvillim.
“ Pas shpërthimit të pandemisë, qeveria kineze në kohën më të shpejtë të mundshme vendosi pesë rrugë teknike duke përfshirë vaksinën e inaktivizuar, vaksinën e bazuar tek proteinat rekombinante, vaksinat e e vektorit adenoviral, vaksinën e gripit dhe vaksinën e acidit nukleik” deklaroi në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së jashtme kineze, Zhao Lijian (Çao Ligjian). Ai potencoi se institucionet më të rëndësishme kërkimore shkencore në vend, po hulumtojnë dhe bashkëpunojnë drejt zgjidhjes së këtij problemi dhe optimizmi për sigurinë e prodhimit të vaksinave është i bazuar dhe po jep rezultate.
Javët e fundit është rritur ndjeshëm konkurenca e kompanive farmaceutike për realizimin e një vaksine të efektshmme. Mediat botërore kanë publikuar ditët e fundit lajmin se bashkëpunimi i kompanive gjermane dhe amerikane Pfizer dhe BioNTech dhe kompania amerikane Moderna kane realizuar vaksina me efektivitet 95 % dhe kanë aplikuar për leje që të futet në përdorim masiv, mundësisht brenda dhjetorit të këtij viti.

Kreu i OBSH-s
Dy kompanitë po punojnë që brenda këtij viti të prodhojnë më shumë se 70 milionë doza të cilat do fillojnë të injektohen në masë sapo të merret licensimi përkatës nga autoritetet e shëndetësisë. Pavarësisht entusiazmit, studiuesit vazhdojnë provat e fazës së vonë për të provuar nëse vaksina mbron nga infeksioni një gamë të gjerë njerëzish, duke marrë në konsideratë edhe ata që kanë sëmundje të tjera. Revista Lancet ka botuar të dhëna që efektiviteti i vaksinës është i lartë tek njerëzit e moshës mbi 7o vjeç, të cilët janë më të ekspozuar dhe të ndjeshëm ndaj sëmundjes Covid-19 .
Krishtlindjet mund të jenë afati më i afërt kur do të mësohen rezultatet e provave në një dimension më të sigurt. Larg apo afër, është pyetja ? Sigurisht që përgjigja mbetet relative, por ankthi që ka pushtuar botën dhe përhapja e shpejtë dhe pasojat që vijnë e rëndohen, bëjnë që ditët deri tek certifikimi përfundimtar të mbeten shumë të rëndësishme.
Ugur Sahin, drejtori i përgjithshëm i firmës BioNtech në Gjermani, personazhi nga më mediatikët e ditëve të fundit, ka deklaruar se në fillim të dhjetorit kompania do të ketë gati një sasi të konsiderueshme vaksine, në pritje të miratimit nga Administrata amerikane e ushqimit dhe barnave.
“ Nëse gjithshka shkon mirë, ne mund të fillojmë t’i shpërndajmë vaksinat ne Evropë dhe Shtetet e Bashkuara në gjysmën e dytë të dhjetorit, që mund të konsiderohet si një dhuratë për Krishtlindje, por natyrisht më e rëndësishmja është që së pari t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve dhe të marrim miratimin” nëvizoi Sahin.
Arritja deri tek suksesi i një vaksine të efektshme është sigurisht shqetësimi dhe investimi kryesor në këtë periudhë, por menjëherë pas kësaj shtrohet pyetja: Si do shpërndahet ajo? Vendet e pasura kanë hapur menjëherë thesin e parave, ndërsa vendet e varfra mbeten në pritje, që nuk dihet sa mund të zgjasë. Presidenti kinez Xi Jinping është angazhuar për një shpërndarje komplmentare edhe tek vendet e varfra, duke e parë këtë jo vetëm si një mision human, por edhe si mundësinë efektive për uljen e rrezikshmërisë së pandemisë. Përvoja ka treguar se pabarazia në shëndetin global nuk është diçka e re. Sipas të dhënave nga OBSH janë mbi 20 milionë fëmijë në botë që nuk arrijnë të vaksinohen dhe pasojat në shëndetin e tyre janë vërtet të rënda.
Në samitin dy ditor të G20 –ës, Presidenti rus Putin u përqëndrua kryesisht tek zhvillimi i vaksinës dhe shpërndarja e saj. Ai deklaroi përpara pjesmarrësve në këtë samit, se Rusia është e gatshme të sigurojë vaksinën e saj Sputnik V për vendet që kanë nevojë për të. Rusia po përgatit vaksinën e saj të dytë e të tretë – tha Putin, duke shtuar se krijimi I një portofoli vaksinash është “ qëllimi ynë i përbashkët “ .

Laborator i prodhimit të vaksinës
Në rastin e vaksinës ndaj Covid, duket se vendet e mëdha janë më të ndjeshme dhe OBSH po punon për të harmonizuar programe ndihme për të financuar vendet e varfëra në këtë ballafaqim të vështirë me pandeminë. Amnesty International dhe Oxfam kanë ritheksuar se është e domosdoshme për të siguruar një qasje globale në vaksinat e ardhëshme. Ata po punojnë për të nxitur kompanitë farmaceutike që të japin më shumë ndaj OBSH dhe sëbashku të ndërtojnë strategjinë gjithëpërfshirëse në shpërndarjen e vaksinave. OBSH me të drejtë vijon të theksojë se të gjitha vaksinat, të cilat do të certifikohen duhet të jenë të disponueshme në të gjitha vendet në të njëjtën kohë për të luftuar virusin, pasi pandemia do vijojë të jetë kërcënuese nëse nuk luftohet frontalisht.
I gjithëpranuar si një virus me rrezikshmëri shumë të lartë dhe një përhapje të menjëherëshme, në periudhën e globalizimit të gjithshkaje, asnjë vend nuk mund të jetë dhe të ndjehet i sigurt, deri në momentin që mbrojtja të jetë e barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
Gëzim Podgorica







