Këtë vit Kina ka vënë si objektiv zhdukjen e varfërisë absolute në të gjithë territorin e saj, 10 vjet më herët se objektivi i Kombeve të Bashkuara për fundin e varfërisë absolute në nivel global që është viti 2030. Deri në këtë moment shumica e provincave kineze kanë raportuar fundin e varfërisë ekstreme në territorin e saj. Problemi më i madh ka qënë popullsia në zonat rurale ku varfëria ka qenë e vështirë të zhduket komplet. Në fakt nuk duket aspak e pamundur që ky objektiv të arrihet. Sipas statistikave zyrtare, në fillim të viti 2020 në të gjithë Kinën nuk ishin më shumë se 52 konte (county), me jo më shumë se 5 milionë njerëz, në një popullsi të përgjithshme prej rreth 1,4 miliardë. Standardet e daljes nga varfëria ekstreme janë ato në të cilat çdo personi i garantohet një e ardhur që i garanton ushqyerje dhe veshmbathje e mjaftueshme, akses i garantuar në arsimin e detyrueshëm, dhe akses në shërbimet mjekësorë bazë dhe të pasurit e një banese me kushte normale, dhe akses në ujë të pijshëm. Në shumë zona rurale miliona njerëz janë zhvendosur në shtëpi të reja të ndërtuara nga shteti, dhe miliona të tjerë janë ndihmuar me kurse trajnimi profesionalë.

Zhdukja e varfërisë ekstreme është përmbyllja me sukses e një procesi të gjatë të rritjes së mirëqenies që ka filluar me reformat e nisura në vitin 1978. Megjithëse rritja e mirëqenies së popullsisë ka qënë synim që nga themelimi i Republikës Popullore në vitin 1949, është Deng Xiaoping ai i cili ndërmori reforma të fuqishme ekonomike që nga viti 1978 e tutje. Deng shpalli se “të pasurohesh është e lavdishme”, dhe që nga ajo ditë populli punëtor kinez nuk ka rreshtur së punuari për rritjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së tij. Vendi u hap ndaj investimeve të huaja, u fut sipërmarrja private, dhe në shumë pak kohë Kina filloi një rritje vjetore ekonomike dyshifrore, e cila ka vazhduar e tillë deri kohët e fundit. Në 40 vitet e fundit më shumë se 800 milion njerëz në Kinë kanë dalë nga varfëria, dhe më shumë se 300 milion kanë të ardhura të mesme të larta, të krahasueshme me të ardhurat mesatare të vendeve më të zhvilluara perëndimore. Në përgjithësi e gjitha jeta e njerëzve në Kinë ka pësuar ndryshime cilësore të jashtëzakonshme këto vitet e fundit falë politikave ekonomike proaktive në zhvillimin e infrastrukturës, aksesin në shërbime, dhe rritjes së përgjithshme dhe të qëndrueshme të ekonomisë për një kohë të gjatë. Reformat në 4 dekadat e fundit kanë qenë të gjithanshme dhe kanë prekur të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shoqërisë. Reformat e thella të ndërmarra në ekonomi bënë të mundur anëtarësimin e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në vitin 2001, dhe në një numër të tjerë organizmash ndërkombëtarë të lidhura me OBT-në. Teknologji të reja u zhvilluan dhe u futën mekanizma të rinj ekonomikë, infrastruktura u zhvillua jashtëzakonisht shumë saqë një numër i madh projektesh janë bërë të famshme në të gjithë botën, sidomos në fushën e transportit hekurudhor. Tashmë Kina me teknologjinë e vet ka nisur eksplorimet hapësinore, dhe është vend pararojë në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale e cila ka implikime të jashtëzakonshme në të gjitha fushat si mjekësia, inxhinieria e fusha të tjera për progresin e njeriut.

Dokumentet ekonomike të shpallura së fundmi për planet e ardhshme shumëvjeçare të zhvillimit ekonomik tregojnë se modeli i zhvillimit kinez ka qënë i suksesshëm dhe mbi të gjitha ka bërë të mundur një zhvillim solid që i lejon ekonomisë së Kinës kalimin nga rritja sasiore në atë cilësore. Ky kalim do të bëjë të mundur që Kina të zhvendoset ekonomikisht drejt një ekonomie që bazohet në inovacion, kreativitet, teknologji të reja pararojë, dhe në harmoni me ambientin. Me pak fjalë, si pasojë e këtyre pak më shumë se 4 dekadave të fundit reformash dhe zhvillimi të gjithanshëm Kina është shndërruar në ekonominë e dytë në botë, dhe ekonomistët parashikojnë se nuk do duhet shumë kohë para se Kina të bëhet në fakt ekonomia e parë duke kaluar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prodhimin e përgjithshëm bruto.

Në të njëjtën kohë që Kina është duke zhdukur varfërinë ekstreme, ajo edhe ka ndihmuar vende të tjera ta luftojnë atë. Një numër i madh projektesh zhvillimi me ndihmën teknike e financiare të Kinës është implementuar në shumë vende të botës, si në Azi, Afrikë, apo Amerikë Jugore. Projektet më të mëdha i ka Afrika e cila ka mundësi të mësojë nga eksperienca kineze në luftimin e varfërisë. Ndihma e Kinës ndaj Afrikës i ka rrënjët që në vitet 1960. Në fakt Afrika është një nga thithësit më të rëndësishëm të asistencës teknike e financiare kineze pasi edhe në kuadrin e iniciativës së ndërmarrë nga presidenti kinez Xi Jinping, Një Brez Një Rrugë, Kina ka investuar një numër impresionues projektesh infrastrukturore dhe sociale. Në të njëjtën kohë që Kina po shënon arritje të reja në ekonominë e saj të brendshme, ajo vazhdimisht është impenjuar të vazhdojë hapjen e saj dhe ta bëjë mirëqenien e vet pjesë e rimëkëmbjes dhe rritjes globale.

Por çfarë domethënie historike ka ngritja ekonomike e Kinës? Po të lexohen me vëmendje historianët e ekonomisë dhe disa studiues që kanë studiuar me syrin krahasues ekonominë dhe civilizimin kinez, ndër ta Angus Maddison, por edhe të tjerë, mund të lexohet se Kina ka qënë në fakt deri në mesin e shekullit të 19-të një ndër ekonomitë më të fuqishme në rang botëror, dhe për shumë kohë edhe më e madhja. Ishte vetëm me fillimin e luftërave imperialiste të opiumit të nisura nga fuqitë e atëhershme perëndimorë në vitet 1840-42 që fuqia e Kinës filloi të binte, dhe vendi humbi peshën e vet. Kështu që ky sukses i Kinës me peshën e saj në marrëdhëniet e veta ekonomike në skenën ndërkombëtare është në fakt një rikthim në një pozicion me peshë në nivel global që Kina e ka pasur për shekuj me radhë. Kjo ngritje e paprecedentë e Kinës në një shkallë kaq të gjerë nga një vend i varfër ne një nga ekonomitë më të fuqishme në botë në vetëm pak dekada, është një eksperiencë e paprecedentë e një vendi të madh në historinë e njerëzimit.