Këtë muaj u nënshkrua marrëveshja e tregtisë së lirë mes 15 vendeve të Azisë dhe Oqeanisë, 10 vendet e Asociacionit të Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) plus Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Sipas disa vlerësimeve të analistëve ekonomikë që lexohen nëpër gazeta ndërkombëtare, kjo është marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë në botë. Rreth 30 për qind e popullsisë së botës do të jetë e lidhur në këtë marrëveshje, dhe do të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme nëse palët i përmbahen paktit. Disa analistë parashikojnë rritje të ardhurave vjetore globale në rreth 210 miliardë dollarë vetëm nga kjo marrëveshje, dhe një rritje e tregtisë botërore me rreth 500 miliardë dollarë deri në 2030.

Kjo marrëveshje është negociuar prej më shumë se 10 vitesh dhe është një sukses i vendeve të ASEAN. Në të njëjtën kohë fakti që përfshin Kinën ka një domethënie të madhe për shkak të përmasave të tregut kinez. Produkti i brendshëm bruto i Kinës është thuajse sa ai të gjithë vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë marrëveshje të marra së bashku. Nga ana tjetër kjo marrëveshje e lejon edhe Kinën të integrojë më mirë në atë rajon projektet e shumta ekonomike në kuadrin e iniciativës Një Brez Një Rrugë. Me pak fjalë duket një win win situation nga e cila të gjithë fitojnë.

Është interesante sesi kjo marrëveshje e gjerë rajonale integron ekonomitë e të gjithë Azisë Lindore në një kuadër të vetëm të përgjithshëm të tregtisë së lirë. Kjo është hera e parë që ndodh. Kjo vjen jo shumë larg nga koha kur Presidenti Trump u tërhoq nga një traktat i tregtisë së lirë mes ShBA-ve the disa vendeve të Azisë dhe Paqësorit, që paraardhësi i tij Obama e kishte negociuar për vite, dhe filloi promovimin e politikave të tij unilateraliste.

Por megjithëse një iniciative e vendeve përbërëse të ASEAN, për nga volumi i tregtisë rolin kryesor në këtë marrëveshje do ta luajë Kina. Kina është impenjuar për të mos ndryshuar kursin e saj të hapjes dhe të multilateralizmit. Në fakt përtej kësaj marrëveshje Kina është impenjuar të çojë përpara negociatat edhe me Japoninë dhe Korenë e Jugut për marrëveshje mbi investimet. Në këtë mënyrë Kina ka marrë një rëndësi të madhe për forcën e vet kontraktuale, por edhe për faktin se kursi i saj është më shumë i parashikueshëm sesa ai i Amerikës, ku me Presidentin Trump u tregua qartë se impenjime të marra si fryt i viteve negociata nga paraardhësi mund të hidhen në kosh brenda natës dhe kursi i multilateralizmit të kthehet në një kurs ekonomik konfrontimi dhe përballje me pasoja të rënda për rendin ekonomik ndërkombëtar.

Disa analistë të tjerë e shohin këtë nismë si një fitore të Kinës për të kundërbalancuar dhe mundësisht zëvendësuar Amerikën në Azinë Lindore. Mendoj se konsiderata të tilla politike edhe pse të rëndësishme, janë pjesë e logjikës së konfrontimit mes superfuqive. Në këtë periudhë Kina po mundohet të tregojë se nuk po kërkon konfrontim e as të zëvendësoje Amerikën, një proces që për disa duket gjithsesi i pashmangshëm. Por për Pekinin në këtë moment me sa duket është më i rëndësishëm bashkëpunimi me përfitime reciproke dhe angazhimi për të qenë anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar.

Në rajonin e Azisë Juglindore Kina ka një prezencë të konsiderueshme me investime. Tregu atje është në rritje ashtu sikurse në rritje është edhe bashkëpunimi në të gjitha fushat mes Kinës dhe vendeve të ASEAN. Kina ka një numër të konsiderueshëm projektesh në Indonezi, dhe po ashtu është e pranishme në Kamboxha. Me Vietnamin Kina ka pasur tradicionalisht shkëmbime ekonomike të gjithanshme. Po ashtu në Malajzi dhe në Filipine, por edhe vende të tjera të rajonit, projektet me financim kinez shpesh janë duke ndryshuar rrënjësisht panoramën ekonomike të këtyre rajoneve. Gjithashtu edhe shkëmbimet njerëzore kanë ardhur duke u rritur. Në fakt në vitet e fundit ka patur një rritje eksponenciale të bursave të studimit për studentët e këtyre anëve që duan të ndjekin studimet e tyre në Kinë. Pra marrëveshja e fundit është në koherencë me politikat afatgjata të Kinës për të bërë të mundur njëkohësisht rritjen ekonomike kombëtare dhe integrimin me dhe konsolidimin në tregjet ndërkombëtare. Kështu që kjo marrëveshje ka përfitime të jashtëzakonshme për vendet e ASEAN të cilat kanë një kornizë të konsoliduar ligjore që i lejon akses më të hapur në tregun e madh kinez. Një tjetër përfitim afatgjatë vjen nga kalimi i ekonomisë së Kinës nga rritja sasiore në atë cilësore. Kjo ka implikime të rëndësishme afatgjata për të gjithë rajonin. Deri vitet e fundit Kina është parë si fabrika e botës ku shumë firma nga e gjithë bota prodhonin produktet e tyre për shkak të kostos së ulët. Por tashmë Kina po kalon në një stad të ri të zhvillimit, atë cilësor, që përkon me rritjen e të ardhurave mesatare për frymë dhe kërkesat në rritje të tregut për mallra importi. Në këtë mënyrë Kina jep një kontribut direkt në ekonomitë e të gjithë këtyre vendeve.

Por marrëveshje të tilla ekonomike kanë edhe një rëndësi politike. Në një periudhë tranzicioni në Amerikë, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, vendet e lindjes dhe juglindjes së Azisë po mundohen të gjejnë forma të reja bashkëpunimi dhe të kenë një qasje multilaterale për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Shumë nga këto vende e kanë Kinën partnerin e parë dhe më të rëndësishmin ekonomik. Është njëkohësisht i rëndësishëm pjesëmarrja e Australisë dhe Zelandës së Re. Australia në veçanti e ka ashpërsuar gjuhën kundër Pekinit kohët e fundit, duke shkaktuar një konfrontim të paqenë përderisa me një gjuhë jo të ndryshme nga ajo e presidentit Trump, e ka akuzuar Kinën për një seri çështjesh të lidhura me pandeminë, megjithëse asnjë provë nuk e ka paraqitur për këtë. Pra megjithëse diferenca të theksuara ekonomike e politike mbeten prezentë mes vendeve që kanë firmosur këtë marrëveshje, ajo gjithsesi mund të shërbejë si një forum sa ekonomik edhe politik për të sheshuar diferencat dhe gjetur në bashkëpunimin ekonomik emëruesin e përbashkët të rritjes së marrëdhënieve dhe shkëmbimeve të gjithanshme me përfitime reciproke.

Ylber Marku