Duke uruar më 1 janar 2020 gjithë audiencën e huaj përmes Radios së Jashtme të Kinës, kryetari i Grupit Mediatik (CMG) Shen Haixiong bëri një shpjegim domethënës për një përkim simbolik:” 2020-a është një numër i lumtur dhe i bukur, që në gjuhën kineze ka shqiptim të ngjashëm me fjalët "Të dua, të dua" sipas përdoruesve të internetit kinez. Në të vërtetë ky vit kalendarik nuk rezulton i dashur për njerëzimin. Kina ishte vendi i parë që u godit nga virusi dhe me radhë pas saj edhe shumë vende të tjera. Mbërthimi i botës prej pandemisë jo vetëm që e ka strukur dhe izoluar dashurinë dhe afrimin njerëzor, por edhe ka shumëfishuar peshën e varfërisë dhe të varfërimit ekonomik të një pjese në shtim të njerëzimit. I vendosur në një kontekst të qëllimit politik kundër varfërisë dhe bazuar tek treguesit financiarë të investimit dhe përkujdesit zyrtar të Kinës, kuptimi i shpjeguar nga drejtuesi i medias zyrtare kineze, bëhet domethënës.

Në një shkrim pretencioz “Mungesë vizionesh” të Frank Sieren-it, ndër të tjera sillen disa statistika shprehëse: “Që në vitin 2007, Kina ka investuar mbi 29 miliardë dollarë në projektet e mëdha të ndërtimit në Europën Lindore. Më shumë nga të gjitha vendet ka përfituar Serbia, ku janë derdhur më shumë se 10 miliardë dollarë. Pas saj vjen Hungaria me gati 4 miliardë dollarë, e ndjekur nga Polonia me 3 miliardë dhe Rumania me 2,5 miliardë dollarë”.

Pra, janë shifra që mishërojnë një qëllim dhe synim influencimi ekonomik të Kinës mbi rajonin e prapambetur të Europës Lindore. Është një sipërmarrje e programuar dhe së pari e projektuar, e cila tejkalon ngathtësinë dhe sidomos paragjykimin historiko-politik që Brukseli ka ndaj kësaj pjese, të vonuar për integrim, brenda kontinentit.

Ndërkohë që autoritetet më të larta të Pekinit në gjuhën programuese dhe planifikuese të tyre nënëvizojnë se 2020 është afishuar si viti vendimtar për ndërtimin e një shoqërie të gjithanshme të mirëqenies dhe për zhdukjen e varfërisë absolute në një vend me 1.4 miliardë banorë. Kjo është ambicia më e pashpallur, gjer në këtë kohë, në historinë e botës. Në funksion të këtij projekti, ekonomia kineze ka planifikuar mbi 200 miliardë juanë, ose 29 miliardë dollarë amerikanë, të shpenzuar për zbutjen e varfërisë në mbarë Kinën gjatë këtij viti. Këto janë shuma drastike dhe që bëjnë diferencën me planifikimet e tjera financiare të shteteve të zhvilluara dhe sidomos të krejt ekonomisë globale.

Këtë kontribut Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Fabrizio Hochschild e konfirmon në kuadër të kremtimeve të 75 viteve pas themelimit të OKB-së. Sipas tij, Kina ka shkëputur 1.4 miliard vetë nga varfëria dhe po ndihmon për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së 2030. "Mendoj se Kina po bëhet ofruese e fondeve të planit të zhvillimit të drejtuar nga OKB-ja, që është shumë e rëndësishme për zhdukjen e varfërisë..."

“Përvoja kineze e Chinatown-it favorizon integrimin ekonomik duke konservuar kapsulimin kulturor,”- shkruajnë Ivan Krastev dhe Stephen Holmes në librin e ri të tyre “Drita që u shua” (një libër-debat rreth konkurueshmërive mes aktorëve më të mëdhenj globalë, ndër të cilët shquhet Kina).

Është tashmë e njohur se ekonomia kineze ka krijuar arkitekturë të re, në lëvizje të strategjisë ekonomike dhe financiare në nivel global. Është ndër vektorët më determinues të lëvizjeve dhe ndryshimeve gjeoekonomike në botë. Si e tillë, strategjia e ekonomisë dhe politikave kineze për afrimitete ekonomike me Europën dhe rajonet specike të saj, sikundër është Ballkani Perëndimor, është një paraqitje aktive dhe me akte atraktive ndikuese, si per shembull mbi tregtinë dhe infrastrukturën e prapambetur të shteteve lindore në Europë.

Projekti kundër varfërisë absolute në Kinë është paralel në lëvizje me atë për shtrirje ndikimi dhe shtimi të optimizmit infrastrukturor në vendet e varfëra të Europës Lindore. Për këtë të dytin, stilema ekono-diplomatike e “Rrugës së re të Mëndafshit” jo vetëm që ka ngjallur komente e analiza pafund, por ka krijuar edhe qasje të ndryshme qëndrimesh politike e diplomatike, sikundër edhe interpretime diversive, brenda Brukselit. Takimi i nivelit të lartë 16+1 i mbajtur në Dubrovnik, ku u gjend edhe kryeministri kinez Li Keqiang, ndërsa shtoi joshjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasoi edhe me bashkangjitje shtetesh të tjera të BE, si Greqia e cila mbarte statusin e vëzhguesit. Italia, u bë vendi i parë i industrializuar që iu bashkua “Rrugës së re të Mëndafshit”, pra bashkësisë së këtij projekti, ndonëse skepticizmi dhe dyshimi mes bashkësisë së BE është ende në fuqi dhe rritje.

Ndërkohë që strategjia e zgjerimit ekonomik të Kinës në Afrikë dhe kontinetet e tjera, për disa dekada rresht, ia ka dalë të ndryshojë qasjet si dhe rakordimet e platformave dhe megaprojekteve ndërkombëtare. Në kontinentin tonë, pra Europë, ka propozime nismash si ajo e Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor. Mirëpo Pekini ofron më shumë para dhe ka shmangur kushtet, duke zbatuar filozofinë e përgjigjes me “armët që i kemi dhënë vetë”. Vizioni dhe pragmatizmi kinez po avancon përballë ngathtësisë dhe paragjykimit burokratik të Brukselit.

Supremacia kineze për ndërtim dhe zgjerim infrastrukture në rajonin tonë, janë të lidhura më vizionin kinez për të ardhmen dhe ndikimin e vetëpërcaktuar politik të Pekinit zyrtar. Europa e Bashkuar, përgjatë dekadës së fundit, ofron një entusiazëm në mpakje dhe një krizë besueshmërie në shtim. Duket se platforma kineze e shprehur më së miri me vargun e poetit të tyre të shekullit të 7-të të dinastisë Tang (...”fqinjëria arrihet kur je larg”), krijon kontrast me paragjykimin europianist të Brukselit të cilin e ilustron më mirë e thëna e shkrimtarit britanik të shekullit XVIII, William Hazlitt:” Paragjykimi është fëmijë i padijes”.

Platforma kineze kundër pasojave alarmante të pabarazisë së lartë ekonomike, të varfërisë absolute dhe disbalancave në përkeqësim drastik, si në politikë dhe në shoqëri, bie ndesh me versionin e fuqive të tjera globale të cilat kanë rend tjetër preokupimesh. Për këtë arsye, Kina po potencon autoritetin e vet ndërkombëtar ekonomik duke investuar projektin e brendshëm antivarfëri dhe atë të jashtëm, sipas filozofisë së “fqinjërisë që arrihet kur je larg”.

Aleksandër Çipa