
Qeveria kineze ka përcaktuar vitin 2020 si vit i zhdukjes së varfësisë absolute. Varfëria absolute është një gjendje në të cilën një subjekt nuk ka mjete dhe akses për të përmbushur nevojat e tij themelore, ushqimi, uji, strehimi, arsimi bazë dhe kujdesi shëndetsor bazë.
Kombet e Bashkuara kanë përcaktuar si objektiv kryesor të mijëvjeçarit reduktimin e varfërisë dhe eliminimin e urisë deri në vitin 2030, parë kjo në këndvështrimin e zhvillimit të qendrueshëm.
Varfëria në përgjithësi dhe varfëria absolute në veçanti janë të vështira për t’u eliminuar, për shkak të institucioneve të dobëta, mungesës së politikave të qarta zhvillimore ose ekzistencës së politikave jo të detajuara dhe të përcaktuara qartë, si dhe nga disa faktorë të tjerë, specifikë për çdo rajon dhe vend.
Është vënë re se në përgjithësi varfëria absolute është reduktuar me hapa më të sigurt dhe më shpejt në ato vende ku nuk ka patur konflikte civile. Sipas USAID, brishtësia e legjitimitetit të qeverisë dhe e efektivitetit të saj ndikon në rezultatet jo të mira në luftën kundër varfërisë. Kjo bën që në këto vende të ndodhin trazira, konflikte sociale dhe dhunë në të tëra nivelet e shoqërisë. Edhe prirja për shtimin e popullsisë përtej mundësive ekonomike, sociale dhe natyrore ndikon shumë në nivelin e varfërisë absolute.
Në botë mendohet se në fund të vitit 2017 rreth 650 – 700 milionë njerëz jetonin me më pak se 1.9 dollarë në ditë, rreth 2 miliardë banorë me më pak se 3.20 dollarë në ditë dhe rreth 3.5 miliardë banorë me më pak se 5.5 dollarë në ditë në 2017. Në vitin 2018, katër në pesë persona që jetonin në varfëri banonin në zona rurale. Gjysma e të varfërve në botë ende dhe sot janë fëmijë. Gratë përfaqësojnë shumicën e të varfërve në botë dhe mendohet se rreth 70 % e të varfërve në mbarë botën të moshës 15 vjeç e lart nuk kanë shkollim ose kanë vetëm arsim bazë. Tashmë në periudhën e pandemisë numrit të atyre që jetojnë në varfëri absolute i janë shtuar edhe rreth 100 milionë njerëz, duke e rritur totalin e tyre në rreth 750 – 800 milionë.

Por çfarë po ndodh me Kinën, me popullsinë atje, me zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Duket se në Kinë është bërë një revolucion vërtet i madh në çrrënjosjen e varfësisë në zonat urbane dhe përgjatë 2 – 3 viteve të fundit ka patur shumë sukses edhe politika e çrrënjosjes së varfërisë në zonat rurale.
Kina ka patur rezultate shumë kuptimplota në luftën kundër varfërisë në përgjithësi dhe kundër varfërisë absolute në veçanti. Në Kinë edhe numri i individëve që gëzojnë të ardhura të mesme, të larta dhe shumë të larta është në rritje. Kjo sepse Kina ka përqafuar dhe zbatuar më së miri projektin e Partneritetit të Ri Global, Zhdukjes së Varfërisë dhe Transformimit Ekonomik Përmes Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Njihet botërisht suksesi i Kinës në eliminimin e varfërisë absolute në 30 vitet e fundit, gjë që ka bërë që më shumë se 850 milionë banorë të gëzojnë tashmë të ardhura të mesme dhe të larta, duke e lënë pas një herë e përgjithmonë varfërinë absolute. Në Kinë, shkalla e varfërisë ra nga 88 % në 1981 në 0.7 % në 2015. Në vend janë aplikuar reformat ë gjera ekonomike mbi bazën e të cilave të ardhurat për banor të pesëfishohen midis 1990 – 2000 (nga 200 në 1000 dollarë / person / vit). Edhe përgjatë periudhës 2000 - 2010, të ardhurat për frymë gjithashtu u rritën me të njëjtën normë (nga 1,000 dollarë, në 5,000 dollarë), duke bërë që fund të vitit 2020, ose në fillim të vitit 2021, institucionet financiare ndërkombëtare t’a rendisin Kinën midis vendeve me të ardhura të mesme.
Mendohet se në botë varfëria absolute do rritet edhe gjatë vitit 2020 dhe në vazhdim, për shkak të pandemisë COVID-19, konflikteve të ndryshme dhe ndryshimet klimatike, por Kina duket se po përballet më së miri me këto forca të errëta të kohëve moderne.

Ky është rezultat pozitiv jo vetëm për Kinën, por rezultat me përmasa, nga duhet të nxjerrin mësime jo vetëm vendet e varfëra por edhe vendet e pasura, ku edhe pse të pasura ka një shtim të varfërisë absolute, kryesisht në metropole.
Tashmë Qeveria e Kinës është e vetëdijshme se përmirësimi i cilësisë së jetës do të thotë më shumë produkte dhe shërbime cilësore për qytetarët, por oferta për produkte dhe shërbime cilësore në treg nuk mund të përballohet vetëm me prodhimin vendas.
Këtë e përcaktoi qartë edhe Plani 14-të 5 – vjeçar i zhvillimit, paraqitur para rreth në muaji, dhe edhe Panairin e Importit i Kinës, zhvilluar para disa ditësh, ku më shumë se ¾ e firmave të renditura në Forbes morrën pjesë në këtë veprimtari të madhe ndërkombëtare unikale biznesi për të treguar dëshirën e tyre për të qenë prezente në tregun e Kinës me produkte dhe shërbime cilësore.

Rritja ekonomike e Kinës ka qenë rreth 8 – 9% në një periudhë prej rreth 15 vitesh (1990 – 2005) dhe po përgjatë kësaj periudhe Kina u shkëput me hapa galopante nga vendet e tjera përreth. Kjo sepse Kina investoi në burimet njerëzore dhe u hap ndaj tregtisë së jashtëme, duke krijuar një klimë shumë të përshtatshme për investimet në sektorin privat, por sipas autoriteteve kineze, lufta kundër varfërisë në përgjithësi është një luftë afatgjatë. Ajo duhet të vazhdojë, në mënyrë që varfëria të mos jetë e kthyeshme.
Nga: Enriko Ceko







