Dëshmia e qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike, pavarësisht sfidës që ka vënë përpara gjithë globit pandemia e Covid19, u dëshmua shumëplanëshe në Panairin e Shangait (CIIE). Ka disa ditë që ai është mbyllur, por në fakt ai tani është më i hapur se asnjëherë tjetër, për faktin se urat e vendosura aty, po bartin trende të reja të komunikimit, por gjithashtu kanë vënë në lëvizje kompanitë më të mëdha për të shfrytëzuar ato mundësi që u verifikuan shumë të suksesshme në panair.

Ekspozita më e madhe në rang global kishte si synim drejtime të tilla si: Blerjet ndërkombëtare, komunikimin mes vendeve për nxitjen e investimeve, shkëmbimet kulturore dhe ndjekjen e suksesshme të politikës së hapjes nëpërmjet bashkëpunimit. Pikërisht në këto drejtime, pas largimit nga panairi po mendojnë e punojnë jo vetëm ata që ishin pjesëmarrës, por edhe drejtues kompanish e industrialistë të mëdhenj, të cilët përmes platformash digjitale si dhe informacionit që vazhdon të gjenerojë, u ballafaquan me novacione që sjellin një hop cilësor në rritjen e intensitetit të blerjeve dhe të mundësive që ofrohen.

Shifra prej 72,62 miliardë dollarësh e realizuar në këtë edicion, 2.1 për qind më e lartë se në edicionin parardhës, dëshmoi se Kina jo vetëm ka një qëndrueshmëri të lartë ekonomike, por po ruan tregues zhvillimi që pavarësisht pandemisë, ka ditur të gjejë shtigjet efektive të rritjes.

Sigurisht që Panairi i Shangait është një ekspozitë ndërkombëtare e importit të Kinës ku morën pjesë kompanitë më me emër në të gjithë botën, por duhej garancia e një ekonomie të fortë, që të hapte dyert e të ftonte të sigurta në të gjitha planet, drejtuesit dhe menaxherët e tyre, por edhe vizitorë të shumtë e blerës me potenciale të larta.

Një ditë pas mbylljes zyrtare të panairit, ku pati një vëmendje të shtuar për shitjet online si dhe programeve të ndryshme televizive, dallgët e asaj çfarë ndodhi brenda harkut kohor të qëndrimit hapur të panairit, u ndjenë më të fuqishme në 11 nëntor, në atë që njihet si “Dita e Beqarëve”. Mbi 243 miliardë juanë (afro 35.76 milardë dollarë) u realizuan vetëm nga gjiganti i tregtisë elektronike “JD.com”. Më të mëdha dhe me një kurbë rritjeje nga viti në vit u shënuan shitjet edhe nga “Tmail” në platformën e tregëtisë elektronike “Alibaba” me 498.2 miliardë juanë, afërsisht 74.7 miliardë dollarë. Periudha 1 deri më 11 nëntor ishte një bum i vërtetë shitjesh, por që kulmoi me 11 nëntorin dhe shifrat të cilave iu referuam janë mbresëlënëse.

Surprizuese në këtë vit, posaçërisht në “Ditën e Beqarëve” ka qënë numri shumë i lartë i blerësve që e kaloi shifrën në mbi 800 milionë duke përfshirë më shumë se 25.000 biznese dhe mbi 220 vende e rajone. Hapja e Kinës ndaj botës duke ofruar por edhe marrë produkte nga më të ndryshmet evidenton faktin se jo vetëm kemi të bëjmë me një normalitet ekonomik, por edhe me liberalizimin e tregut pa asnjë lloj paragjykimi. Në shumë vende të botës biznesi ose është në përpjekje të mundimëshme për të rimarrë veten, ose mbijeton përmes serumeve që injektojnë qeveritë. Duke marrë rolin e nxitjes së zhvillimit të ekonomisë globale, edhe mesazhi që dha ky panair pikërisht këtu synonte. Ky mesazh kishte gjuhë dhe të dhëna konkrete, pasi një fuqizim i ekonomisë globale, nepërmjet nxitjes së tregëtisë ndërkombëtare, u certifikua gjatë ditëve të panairit dhe vijon të ketë kurbë rritjeje edhe pas tij.

Dritarja për të vazhduar blerjet gjatë gjithë vitit përmes platformave që ofron panairi mbetet e hapur. Në prag të CIIE-së së dytë, në "Sunland " të distriktit Pudong qëndron e hapur një ndërtesë me sipërfaqe prej 7000 metrash katrorë ku evidentohen dhe dëshmohen veçantësi të mallrave nga rajonet përgjatë vendeve e rajoneve të ndryshme, pjesë e “Një brez, një rrugë”. Këtu ka pavione të veçanta nga vende si Rusia, Korea e Jugut, Irani, Afrika e Jugut, Tailanda, Spanja, Japonia e të tjerë dhe mund të blesh në çdo kohë mallra që ishin pjesë e CIIE-së. Pikërisht në drejtim të shitjes online, por edhe garancive në standardet që ofrohen, CIIE ka ekskluzivitetin e një fuqie që gjeneron mundësi shitjesh ndërkombëtare si në kohë normale, ashtu edhe tani në periudhën kritike të pandemisë globale.

Shumë vende të botës vazhdojnë të reagojnë me mjaft vështirësi në komunikimin dhe shkëmbimet globale, prandaj porta gjithnjë e hapur e CIIE-së, është një frymëmarrje e garantuar për të mbajtur në lartësinë e duhur shitjet ndërkombëtare.

Faktet që erdhën nga panairi për shitjet online ishin vërtet surprizuese dhe magjike për protagonistët. Këtë vit ishte China Media Group (CMG) ajo që i dha një impuls të ri këtyre shitjeve, duke sjellë një risi jo vetëm për botën mediatike, por për të gjithë korpusin e komunikimit. E filluar më parë, në CIIE-në e këtij viti CMG tregoi se në të gjithë zhvillimin e saj dhe qënien protagoniste përballë mediave më të fuqishme të botës, ka hyrë edhe në shtigje që akoma nuk kanë kaluar medie të tjera të globit.

Trasmetimet e drejtëpërdrejta më një numër të madh shikuesish që e ndiqnin nga shtëpitë panairin, duke u regjistruar si vizitorë në cloud, bënë të mundur që interesi i blerjeve të rritej ndjeshëm dhe Italia, Spanja, Rusia, Gjermania e të tjerë përmes produkeve të tyre të ishin të pranishëm në Kinë krej natyrshëm.

Shifrat janë surprizuese. Parashikohet që deri në fund të vitit 2020, vëllimi i tregtisë elektronike i shitur drejtëpërsëdrejti do të arrijë në më shumë se 960 miliardë juanë, ose 10 për qind e volumit të përgjithshëm të tregtisë elektronike të Kinës. Publiku i trasmetimeve të drejtëpërdrejta të tregtisë elektronike do të arrijë në 265 milionë, ose 47.3% e publikut të përgjithshëm të trasmetimeve të drejtpërdrejta.

Kurora e artë i përket pikërisht CMG, që aq mjeshtërisht dhe profesionalisht ka gjetur gjuhën e komunikimit me publikun, si brenda, ashtu edhe jashtë Kinës dhe mënyrës së shkëlqyer që ajo e servir produktin. Por gjithashtu përmes këtyre trasmetimeve, CMG ka rritur në mënyrë të ndjeshme edhe kreditet e saj të besueshmërisë dhe të një koorporate mediatike referenciale për globin. Mesazhi i fuqishëm i besimit dhe shpresës për një ringritje të fuqishme globale, është trasmetuar nga ekrani i CMG-së nga njerëzit e zakonshëm, deri tek biznesmenët më të mëdhenj, duke forcuar optimizmin se kjo pandemi po sfidohet dhe shembulli kinez është një dëshmi e sigurt.

CIIE-ja si ekspozita e parë e importit në botë, e cila ka ndërtuar një urë për tregun e madh të Kinës me bizneset për vendet e rajonet e botës, i dha një dimension të ri sivjet shitjeve online dhe trasmetimeve të drejtëpërdrejta, ku publiku në Kinë, po edhe në Itali, Spanjë, Gjermani bashkoi vëmendjen me interesin e gjithësejcilit. Pjesmarrja në shitjet online dhe në trasmetimet televizive dëshmoi se rrugët për shkëmbimet tregtare kalojnë përmes strategjive të reja.

Gëzim Podgorica