
Kina po ndjek një politikë të rritjes së tregëtisë ndërkombëtare dhe investimeve me qëllim integrimin e ekonomisë së saj me vendet e tjera të globit. Autoritetet kanë përsëritur angazhimin e Kinës për tregtinë e lirë dhe multilateralizmin. Pesëmbëdhjetë vende kanë nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë duke formuar bllokun më të madh tregtar në botë. Ekonomitë e vëndeve në këtë bllok përfaqësojnë rreth 29 përqind të ekonomisë globale si dhe rreth 30 përqind të popullsisë të saj. Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP) është një marrëveshje e tregtisë së lirë në rajonin e Azi-Paqësorit ndërmjet Bruneit, Kamboxhias, Indonezisë, Laosit, Malajzisë, Myanmarit, Filipineve, Singaporit, Tailandës dhe Vietnamit, me pesë nga partnerët e tyre kryesorë tregtarë: Australisë, Kinës, Japonisë, Zelandës së Re dhe Koresë së Jugut. India ishte gjithashtu pjesë e negociatave, por ajo u tërhoq vitin e kaluar për shkak se vendosja e tarifave më të ulëta mund të dëmtonin prodhuesit vendas. Megjithatë, nënshkruesit e marrëveshjes janë shprehur se përfshirja e Indisë mbetet e hapur për tju bashkuar marrëveshjes.
Këto vende, të gjitha së bashku, kanë një popullsi prej 2.2 miliard njerëz, dhe niveli i Produktit të Brendshëm Bruto është rreth 27.2 trilion dollarë. Blloku i ri i tregtisë së lirë do të jetë më i madh se marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (CUSMO) dhe Bashkimit Europian. Popullsia dhe PBB-ja e kombinuar e anëtarëve të RCEP tejkalon popullsinë dhe PBB-në e kombinuar të Marrëveshjes së Shteteve të Bashkuara - Meksikë - Kanada (CUSMO), si dhe marrëveshjes së Bashkimit Europian.

Burimi : World Economic Outlook, IMF, October 2020
Negociatat mbi marrëveshjen RCEP kanë filluar në 2012. Marrëveshja është nënshkruar në Samitin virtual ASEAN të organizuar nga Vietnami në 15 Nëntor 2020 dhe pritet të hyjë në fuqi brenda dy viteve pasi të jetë ratifikuar nga vendet anëtare. Kina tashmë ka një numër marrëveshjesh dypalëshe tregtare me vendet e rajonit, por kjo është hera e parë që ajo nënshkruan një pakt rajonal tregtar multilateral. RCEP integron partneritetet ekzistuese të tregtisë së lirë midis vendeve pjesëmarrëse, ndërsa krijon partneritet te ri midis Kinës dhe Japonisë dhe midis Japonisë dhe vendeve te tjera. Nënshkruesit e RCEP do të promovojnë hapjen në tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve, të investimeve dhe mobilitetit të kapitalit njerëzor. Pas hyrjes në fuqi të paktit, më shumë se 90 përqind e tarifave të importit midis vendeve pjesëmarrëse do të hiqen gradualisht, gjë që do të zvogëlojë kostot e prodhimit dhe çmimet e mallrave, dhe do të sjellë përfitime si për sipërmarrjet dhe konsumatorët.

RCEP përfshin dispozita mbi pronësinë intelektuale, telekomunikacionin, shërbimet financiare, tregtinë elektronike dhe shërbimet profesionale si dhe lëvizjen e përkohshme të personave fizikë. Marrëveshja RCEP mbulon tregtinë e mallrave, përfshirë rregullat e origjinës; procedurat doganore dhe lehtësimin e tregtisë; masat sanitare e fitosanitare; standardet, rregulloret teknike dhe procedurat e vlerësimit të konformitetit të mallrave; etj. Përveç kësaj, ka kapituj mbi investimet; pronë intelektuale; tregtinë elektronike; konkurrencën, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; bashkëpunimi ekonomik dhe teknik; prokurimet publike, si dhe dispozitat ligjore dhe institucionale përfshirë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Kryeministri kinez Li Keqiang është shprehur se "fakti që RCEP është nënshkruar pas tetë vjet negociatash, sjell një rreze drite dhe shprese mes reve" dhe se marrëveshja është “një fitore e multilateralizmit dhe tregtisë së lirë”.
Shumë shtete anëtare kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me njëri-tjetrin, por këto marrëveshje kanë kufizimet e tyre. Marrëveshja e re do të eliminojë fillimisht tarifat, kryesisht për mallrat që tashmë kualifikohen për trajtim pa taksa, sipas marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë. Kjo do t’i mundësojë vendeve nënshkruese të mbajnë tarifa për importet në sektorë që ata i konsiderojnë veçanërisht të rëndësishëm ose të ndjeshëm. Rregulla të origjinës do të vendosin standarde të përbashkëta për të përcaktuar në cilën masë një produkti do të duhet të prodhohet brenda rajonit, me qellim që produkti përfundimtar të kualifikohet për trajtim pa taksa. Këto rregulla mund ta bëjnë më të thjeshtë për kompanitë me zinxhirin e furnizimit duke përfshirë disa vende. Sipas marrëveshjes çdo vend anëtar do të trajtohet në mënyrë të barabartë, gjë që do të nxisë kompanitë e vendeve anëtare për të kërkuar furnizues në një rajon më të gjërë. Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal si rezultat i madhësisë ekonomike dhe mbulimit më të gjërë gjeografike do të kontribuojë në rritjen e ekonomisë dhe tregëtisë së lirë në nivel global dhe të ekonomisë së vendeve anëtare.
E një rëndësie të veçantë për Kinën është dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse e investimeve ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Europian. Kina dhe Bashkimi Europian kërkojnë të sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe po përshpejtojnë negociatat për të nënshkruar marrëveshjen brenda vitit. Bashkimi Europian dhe Kina filluan negociatat në vitin 2013 për një marrëveshje investimi. Objektivi kryesor i BE është të përmirësojë ndjeshëm hyrjen e investitorëve të Bashkimit Europian në tregun kinez duke siguruar një konkurrim në baza të barabarta krahasuar me kompanitë kineze dhe atyre të vendeve të treta.
Mareveshja do të krijojnë një kornizë ligjore uniforme për lidhjet e investimeve Bashkim Europian - Kinë, duke zëvendësuar traktatet e mëparshme të investimeve bilaterale të përfunduara para hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës në 2009. Marrëveshja do të shkojë përtej mbrojtjes tradicionale të investimeve, me qëllim të lehtësimit të hyrjes në treg, zhvillimin e qëndrueshëm të lidhur me investimet dhe trajtimin e barabartë si transparenca e subvencioneve, rregullat për ndërmarrjet shtetërore dhe transferimin e detyruar të teknologjisë. Kjo do t'u sigurojë investitorëve nga të dy palët, një qasje të parashikueshme afatgjatë në Bashkimin Europian dhe në tregjet kineze, si dhe për të mbrojtur investitorët e investimet e tyre. Lidhjet tregtare dhe investuese midis Bashkimit Europian dhe Kinës janë shumë të rëndësishme dhe përfaqësojnë respektivisht tregje strategjike për njëri-tjetrin. Tregu i brendshëm dhe pesha ekonomike në rritje e Kinës përfaqësojnë mundësi të konsiderueshme biznesi për kompanitë europiane.


Burimi: Eurostat, 2019
Bashkimi Europian dhe Kina janë dy partnerë të mëdhenj në botë. Kina është aktualisht partneri i dytë më i madh tregtar i Bashkimit Europian mbas Shteteve të Bashkuara. Kina është partneri më i madh i importeve të BE-së si dhe tregu i saj i dytë më i madh i eksporteve. Tregtia e mallrave dhe shërbimeve të Bashkimit Europian - Kinë arrin në rreth 14 përqind të tregtisë totale të Bashkimit Europian. Tregtia e eksporteve të Bashkimit Europian në tregun e Kinës përbejnë 9.3 përqind të totalit të unionit, ndërsa importet nga Kina përbejnë rreth 19 përqind të totalit të importeve. Në periudhën 2014-2019 importet e Bashkimit Europian janë rritur me një mesatare vjetore në 7.3 përqind, ndërsa eksportet e Bashkimit Europian në Kinë janë rritur mesatarisht në 6.8 përqind. Importet kryesore të Bashkimit Europian nga Kina janë mallra industriale dhe të konsumit, makineri dhe pajisje, këpucë dhe veshje. Eksportet kryesore të BE-së në Kinë janë makineri dhe pajisje, mjete motorike, aeronatike, dhe kimikate. Produktet industriale zënë peshën kryesore, ne rreth 98 përqind për importet e Bashkimit Europian, dhe 92.3 përqind për eksportet e tyre.
Stoku i IHD te Bashkimit Europian ne Kine llogaritet ne 175.3 Miliard Euro, ndërsa stoku i IHD të Kinës në Bashkimin Europian llogaritet në 59 Miliard Euro në fund të vitit 2018. Marrëveshja gjithëpërfshirëse BE - Kinë për investimet do të krijojë mundësi të reja investimi për kompanitë si dhe hapjen më shumë të tregut në mënyrë të veçantë të atij të Kinës. Hyrja e investitorëve të huaj në një numër sektorësh është e kufizuar dhe kompanitë europiane që veprojnë në Kinë nuk përfitojnë nga një konkurrencë e barabartë si ato që gëzojnë kompanitë kineze në tregun e Bashkimit Europian. Marrëveshja konsiderohet që do të jetë mekanizmi kryesor për të adresuar këtë mungesë ekuilibri si dhe eliminimin e praktikave diskriminuese. Hapja e tregut potencialisht do të kishte nje efekt në rritje të stokut ekzistues të IHD të Bashkimit Europian në Kinë, si dhe të IHD-ve kineze në BE. Transparenca e përmirësuar, kuadri rregullator, barazia si dhe siguria ligjore do të stimulojnë investitorët e rinj të BE-së dhe Kinës për të hyrë në të dy tregjet.
Prof. Dr Petraq Milo







