Kohët e fundit, katër anëtarë të Këshillit Legjislativ të Hong Kongut u skualifikuan nga detyra pasi shkelën ligjin e sigurisë kombëtare. Çdo vend ka ligje për të ruajtur sigurinë kombëtare, por sipas autoriteteve kineze, ky ligj, specifikisht disa nene të tij, nuk janë miratuar dhe aplikuar në Hong Kong për shkak të presionit ndërkombëtar të disa shteve të fuqishme, presion ndërkombëtar që solli valë protestash të dhunshme të atyre që vetëquhen “forcat pro-demokratike”, të cilat kërkuan në atë kohë pavarësinë e territorit.

Asambleja Kombëtare Popullore, sipas Kushtetutës dhe Ligjit Themeltar të Hong Kongut, mori vendimin të shtojë në ligj elemente të rëndësishme të ruajtjes së sigurisë kombëtare, për të goditur separatizmin.

Analistët mendojnë se “Kina ka toleruar forcat vendore, që kundërshtonin qeverisjen qendrore përtej asaj që quhet normale. Kjo me argumentin se ata ishin njerëzit që mbanin thjesht qëndrim të ndryshëm politik, duke njohur tërësinë territoriale të Kinës dhe përkatësinë ndaj atdheut, por me kalimin e viteve, separatistët devijuan çështjen, duke nxitur autoritetet qendrore të përdorin mjetet ligjore dhe aplikimin e procedurave legjislative, sipas Kushtetutës dhe Ligjit Themeltar të Hong Kong-ut”.

Ky ligj kriminalizon aktet që më parë konsideroheshin “fjalime të mbrojtura” sipas ligjit të Hong Kongut dhe po mbi bazën e këtij ligji u krijua Zyra për Ruajtjen e Sigurisë Kombëtare nën autoritetin e Qeverisë Qendrore.

Në tetor 2020, autoritetet e Hong Kongut arrestuan shtatë politikanë, që vepronin në kundërshtim me parimet e përcaktuara, që sollën edhe mosmarrëveshje themelore me qasjen e politikës së qeverisjes qendrore, që u akuzuan për përbuzje të Këshillit dhe ndërhyrje në çështjet e tij.

Mbretëria e Bashkuar konsideron ligjin si shkelje serioze të Deklaratës së Përbashkët, ndërsa, autoritetet amerikane shpallën sanksione ndaj politikanëve të qeverisë qendrore dhe ndaj politikanëve të qeverisë vendore.

Rajoni Administrativ Special i Hong Kongut i Republikës Popullore të Kinës është një zonë metropolitane dhe rajon special administrativ i Republikës Popullore të Kinës në Deltën Lindore të Lumit Pearl të Detit të Kinës Jugore. Në këtë zonë me qipërfaqe rreth 1.104 km2, banojnë më shumë se 7.5 milionë banorë të kombësive të ndryshme, duke e bërë këtë territor ndër më të populluarit në botë.

Në vitin 1842 Hong Kongu ra në duart e britanikëve pasi Perandoria Qing u gjunjëzua në Luftën e Parë të Opiumit (1842). Pas Luftës së Dytë të Opiumit, britanikët morrën me qera për 99 vite territorin, që në 1997 iu transferua Kinës. Mbi bazën e marrëveshjes së transferimit, Hong Kongu mbeti rajon i veçantë administrativ, ku aplikohet një sistem qeverisjeje dhe një sistem ekonomik i veçantë nga Kina kontinentale, nën parimin “një vend, dy sistemeve”

Ky territor gëzon kompetenca ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të transferuara nga qeveria kombëtare dhe kjo pasi Deklarata e Përbashkët e nënshkruar me britanikët parashikon vazhdimësinë ekonomike dhe administrative përmes transferimit të sovranitetit, që lejon një system të qeverisë të udhëhequr nga ekzekutivi, që operon nën Ligjin Themelor të Hong Kongut (kushtetuta rajonale).

Territori, fillimisht një zonë rurale, me peshkim të zhvilluar, gradualisht u kthye në qendër të rëndësishme fnanciare në botë dhe në port detar me rëndësi shumë të madhe për rajonin dhe më gjerë. Hong Kongut është i dhjeti në botë për veprimtari eksporti dhe i nënti në botë për veprimtari importi. Kjo është nxitur nga taksat e ulëta dhe zgjerimi i sektorit të shërbimeve.

Në Hong Kong banojnë pjesa më e madhe e njerëzve më të pasur të Azisë dhe botës.

Hong Kongu renditet i 5-ti në botë për Indeksin e Qendrave Globale Financiare dhe i 3-ti në Azi pas Shangait dhe Tokios.

Hong Kongu është ekonomia e 35-të më e madhe në botë dhe renditet në krye të vendeve për liritë ekonomike. Bursa e Hong kongut është e shtata në botë. Është porti i shtatë në botë për nga lëvizshmëria e konteinerëve. Më shumë se 40% e produkteve të këtij trafiku vijnë nga Kina kontinentale. Aeroporti i është ndër më të ngarkuarit në botë për numrin e fluturimeve. Partnerët më të mëdhenj tregtarë janë Kina dhe SHBA-ja.

Por kjo është njëra anë e medaljes.

  • Në vend ka nivel të lartë të pabarazisë.

  • Pjesa më e madhe e ushqimeve importohen (90%).

  • Ekonomia dominohet nga shërbimet (rreth 93%)

  • Ka dizbalancim sektorial dhe rajonal.

  • Zhvillimi i sektorit të turizmit (rreth 28 milionë turistë vizitojnë territorin në vit), meqë mungonin kqyrjet nga ana e pushtetit vendor, u bë shkak për lulëzimin e trafikut të substancave narkotike dhe qenieve njerëzore.

  • Ka konkurrencë të pajustifikuar ekonomikisht midis porteve detare dhe linjave hekurudhore të Kinës kontinentale dhe Hong Kongut.

  • Këto janë disa nga çështjet që e detyruan qeverinë e Kinës të ndërhynte në zbatim të ligjit kombëtar, në mbështetje të interesave të ekonomisë kombëtare dhe të qytetarëve në përgjithësi.

    Analistët mendojnë se “arsyetimi që meqënëse Hong Kongu ka një autonomi të gjerë, atëhere Qeveria Qendrore s’ka përse të ndërhyjë”, nuk është i përshtatshëm, pasi “ajo ka të drejtë të ushtrojë juridiksionin e përgjithshëm mbi Hong Kongun”. Pretendimet e Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, që kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e juridiksionit të qeverisë qendrore mbi Hong Kong, pasi sipas tyre “Pekini ndërhyn në autonominë e territorit”, shkojnë në të njëjtën linjë, por nuk duhet anashkaluar fakti se punët e Hong Kongut janë çështje të brendshme të Kinës”, thonë analistët.

    Është e dukshme se parimi “një vend, dy sisteme” s’do të thotë që Pekini s’ka sovranitet mbi Hong Kongun dhe se siguria kombëtare nuk ekziston. Përkundrazi, parimi “një vend, dy sisteme” dhe ligji për sigurinë kombëtare bëjnë të mundur që me dëshirën e mirë dhe respektimin e lirve dhe të drejtave themelore të njeriut, Hong Kongu të jetë dhe të mbetet i lirë dhe qytetarët e tij të vazhdojnë të jetojnë të qetë, të sigurt dhe të ushtrojnë verimtarinë e tyre në përputhje me angazhimet, traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që Repubika Popullore e Kinës ka nënshkruar në të mirë të qytetarëve të saj, duke garantuar se ajo që është kineze është kineze, nën parimin “Jepi Çezarit atë që i takon Çezarit”.

    Nga: Enriko Ceko