
Organizimi i ekspozitave ndërkombëtare është një nga veprimtaritë më të rëndësishme për Kinën dhe e ka kthyer Shangain si vënd organizues në një qendër ekonomike dhe financiare globale. Në vitin 2018, PBB-ja për banorë e Shangait renditet e dyta pas Pekinit në nivelin e 134 982 Yuan. Edhe niveli i të ardhurave të disponueshme për banor në vitin 2018 në Shangai, llogaritet 63 361 Yuan, duke u renditur i dyti mbas Pekinit dhe rreth 2.2 herë më lart se mesatarja kombëtare. Prodhimi i Brendëshem Bruto i provincës së Shangait llogaritet në 3.3 Trilion Yuan në vitin 2018, duke kontribuar në 3.6 përqind të totalit të vendit. Ndërsa në vitin 2019, Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në rreth 3.82 trilion Yuan. Nga këndvështrimi sektorial, kontributi i sektori terciar në produktin e brendëshëm bruto në vitin 2018 është mbi 82 përqind krahasuar me 59.7 përqind të mesatares kombëtare. Përqindja e lartë e sektorit terciar e vendos Shangain provincën e parë në Kinë përsa i përket kontributit të këtij sektori të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Industria terciare është sektori i shërbimeve duke përfshirë shërbimet tregtare dhe financiare, të turizmit, etj. Ndërsa ekonomia bëhet më e zhvilluar, ajo tenton ta zhvendosë fokusin e saj nga industritë primare në ato dytësore dhe terciare. Në ekonomitë e zhvilluara, studimet ekonomike tregojnë, se sektori terciar zgjerohet, ndërsa sektori primar që prodhon lëndë të parë, tkurret. Degët në sektorin e shërbimeve të ekonomisë që përjetuan zhvillimin më të shpejtë ishin industritë e ndërmjetësimit financiar dhe të informacionit.

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave, në vitin 2018 Shangai është rezulton të jetë një nga qendrat më të mëdha ekonomike dhe financiare globale të Kinës. Shangai numëron mbi 60 533 projekte të financuara nga Investime të Huaja Direkte, me një nivel të stokut të llogaritur në 13.5 miliard dollarë amerikanë $. Numri i kompanive të financuara nga investimet e huaja në vitin 2018, vlerësohet të ketë arritur në 87 000 , ose 16.2 përqind e numrit total të vendit. Ndërsa numri i kompanive që ushtrojnë aktivitetin e tyre të import-eksportit për vitin 2018, vlerësohet në 34 012, duke e vendosur Shangain vendin e dytë mbas provincës Jiangsu. Shangai konfirmohet si një destinacion i kompanive më të mëdha ndërkombëtare të thithjes së Investimeve të Huaja Direkte.
Gjatë vitit 2020, ekonomia kineze në nivel kombëtar, si dhe ajo e provincës së Shangait po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Rritja ekonomike në tremujorin e tretë është 4.9 përqind dhe në periudhën nëntëmujore rritja ekonomike llogaritet në 0.7 përqind. Volumi total i importeve dhe eksporteve në tremujorin e tretë është rritur 7.5% dhe në periudhën tremujore në 0.7%. Investimet e huaja direkte janë rritur 5.2 përqind. Ndërsa sipas agjencisë Xinhua, prurjet e kapitalit të huaj në Shangai u rritën me 6.1 përqind nga viti në vit, në tre tremujorët e parë të vitit 2020, duke arritur mbi 15.5 miliardë dollarë. Në nëntë muajt e parë të vitit 2020, në Shangai u krijuan 38 zyra të reja rajonale të kompanive shumëkombëshe të financuara nga investime të huaja direkte.

Pavarësisht nga situata e rënduar e pandemisë COVID-19, në Shangai nga data 5 Nëntor deri në 10 Nëntor, u organizua Ekspozita e Tretë Ndërkombëtare e Import – Eksportit të Kinës. Ekspozita e këtij viti mbuloi një sipërfaqe totale prej gati 360.000 metra katrorë, 30.000 metra katrorë më shumë se vitin e kaluar, dhe tërhoqi mijëra ekspozues dhe më shumë se 400.000 blerës nga e gjithë bota. Ekspozita vlerëson një total prej 72.62 $ miliardë dollarë amerikanë të marrëveshjeve të nënshkruara, një rritje prej 2.1 përqind krahasuar me ekspozitën e dytë të vitit 2019. Marrëveshjet e nënshkruar në ekspozitën e vitit 2018 llogariten në 57.83 $ miliardë dollarë amerikanë, ndërsa marrëveshjet në ekspozitën e viti 2019, llogariten në 71.13 miliardë dollarë amerikanë.
Ashtu si ka theksuar Presidenti i Republikës Popullore të Kinës , në ceremoninë e hapjes në datën 4 Nëntor 2020, “ekspozita gjatë tre viteve ka mundësuar lehtësimin e shkëmbimit të ideve të reja dhe krijuese dhe ka lidhur më mirë Kinën me botën e gjerë. Kina ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorë dhe një grup me të ardhura të mesme që tejkalon 400 milion, duke e shndërruar tregun e saj jashtëzakonisht te madh më premtuesin në botë”.

Ekspozita ka tërhequr 2,600 ekspozues globalë, dhe mbi 50 nga 500 kompanitë të klasifikuara në “Fortune Global 500’’. Kompanitë si Michelin, Abbott, Nike, Icona dhe Uniqlo, bënë debutimin e tyre në ekspozitën e këtij viti dhe mbuluan më shumë se 90 përqind të ekspozitës. Qindra produkte, teknologji dhe shërbime të reja u prezantuan në tregun kinez për herë të parë. Në ekspozite e këtij viti u kthyen gati 80 përqind e 500 kompanive më të mira në botë të cilat kishin marrë pjesë në ekspozimet e mëparshme.
Në ekspozitë debutuan mbi 400 produkte, teknologji ose shërbime të reja. Ekspozita e këtij viti tregoi që zona e ekspozitës së ushqimit dhe produkteve bujqësore ka pasur numrin më të madh të ekspozuesve, me 1.264 kompani nga 93 vende. Në zonën e automobilave kanë qenë të pranishëm shtatë grupet më të mira të automobilave në botë. Industria e inteligjencës dhe zona e teknologjisë së informacionit promovuan arritjet në automatizimin, prodhimin inteligjent, dixhitalizimin industrial, energjinë, etj. Seksioni i mallrave të konsumit ka mbuluar një sipërfaqe të përgjithshme prej më shumë se 90.000 metra katrorë, zona më e madhe e ekspozitës këtë vit. Pavijoni i tregtisë në shërbime bashkoi ndërmarrjet kryesore globale në shërbimet financiare, logjistikë, këshillim, inspektim dhe testim, kulturë dhe turizëm, duke promovuar shërbime inteligjente për të fuqizuar të gjithë zinxhirin e industrisë terciare. Në zonën e pajisjeve mjekësore dhe të kujdesit shëndetësor, 10 firmat më të mira farmaceutike dhe 14 ndërmarrjet më të mira të pajisjeve mjekësore në botë, prezantuan 120 produkte dhe teknologji të reja duke u promovuan për herë të parë globalisht ose në shkallë kombëtare. Gjithashtu ne një zonë të veçantë, janë prezantuar produkte, teknologji dhe shërbime për parandalimin e pandemisë COVID– 19.







