Në fillim të Nëntorit u mbajt në Shangai Edicioni i tretë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (third China International Import Export-CIIE). Shangai, që është një nga polet më të rëndësishme të ekonomisë së Kinës dhe një qendër ndërkombëtare biznesi, për 5 ditë ishte epiqendra e veprimtarisë së disa prej firmave më prestigjioze nga e gjithë bota që prodhojnë nga mallrat bujqësorë e deri te ato me teknologjitë më të sofistikuara. Panairi u mbajt nën masa të forta kontrolli kundër epidemisë së virusit COVID-19 në mënyrë që të sigurohej mbarëvajtja e zhvillimit të tij. Këtij panairi ju drejtuan me fjalime një numër udhëheqësish botërorë, dhe gjithashtu edhe presidenti i Kinës Xi Jinping.

Panairi ishte një mundësi tjetër për të promovuar intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike mes Kinës dhe shumë vendeve që morën pjesë në këtë forum. Për fatin e keq Shqipëria, me sa u kuptua, nuk kishte asnjë firmë që të merrte pjesë. Nuk është e hera e parë që Shqipëria i humb shanset që Kina ofron me tregun e saj prej rreth 1.4 miliardë njerëzish. Megjithatë gjasat janë që e ardhmja të ofrojë edhe më shumë oportunitete dhe ndoshta firmat shqiptare do të tregojnë më shumë vëmendje ndaj këtij tregu në zgjerim.

Megjithëse situata ekonomike ndërkombëtare nuk është në momentin e vet më të mirë, ekonomia kineze duket se do të ketë një të ardhme shumë premtuese. Në fakt ky panair nuk mund të ishte në një moment më të mirë për Kinën e cila ja ka dalë që të vërë nën kontroll të plotë epideminë e shkaktuar nga virusi COVID-19, dhe ja ka dalë që pavarësisht efekteve negative në ekonomi, të rifutet në shinat e rritjes. Kjo ekspozitë vjen vetëm pak kohë pasi dy dokumente programore, që janë plani 5 vjeçar i ardhshëm, dhe ai për 15 vitet e ardhshme, kanë vënë theksin në vullnetin e Kinës për të kaluar në një shkallë tjetër zhvillimi, nga ai sasior në atë cilësor. Në të dy dokumentet e mësipërme Kina ka ritheksuar teorinë e vet të zhvillimit të bazuar në qarkullimin e dyfishtë i cili në thelb ka për synim krijimin e një tregu të brendshëm të fuqishëm. Pikërisht duke u bazuar në arritjet e deri sotme të ekonomisë së Kinës dhe në projeksionet dhe programet e rritjes e zhvillimit në të ardhmen, ekspozita të tilla janë forume të rëndësishme për investitorët e ndryshëm që e shikojnë Kinën si një treg me një potencial të madh akoma plotësisht të pashfrytëzuar. Në këtë nivel zhvillimi tregu kinez synon të përforcojë fuqinë blerëse të popullsisë së saj, duke u transformuar kështu në një mundësi të madhe për eksport nga vende të ndryshme të cilat janë të interesuara që firmat e tyre të investojnë dhe të tregtojnë mallrat e tyre.

Gjatë fjalimit të tij drejtuar kësaj ekspozite, Presidenti Xi bëri thirrje që sistemi multilateral i tregtisë në botë duhet të ruhet dhe të mos cënohet. Fjala e presidentit Xi kishte një domethënie të qartë politike. Është shenja se Kina i jep një rëndësi të madhe shkëmbimeve ekonomike me botën me baza përfitimi reciprok. Ishte gjithashtu edhe një mundësi për Kinën që të ritheksojë se kursi i Kinës për hapje ekonomike dhe bashkëpunim ndërkombëtar është i qëndrueshëm dhe solid.

Nga kjo ekspozitë mund të bëhen disa konsiderata.

E para dhe më e thjeshta është fakti se Kina pas një ndërprerje për shkak të pandemisë të eventeve të tilla si panairet ndërkombëtare, po i rikthehet normalitetit dhe ekspozita të tilla ekonomike do jenë pjesë normale e një bote post pandemike. Në fakt Kina është vendi i shumë ekspozitave dhe forumeve të ndryshëm ekonomikë gjatë gjithë vitit, si në Shangai e Guangzhou, ashtu edhe në qytete të tjera të mëdha.

E dyta është fakti se, sikurse edhe Presidenti Xi e pohoi, Kina është e gatshme të japë kontribut në rimëkëmbjen ekonomike globale. Aq e vërtetë është kjo sa në 5 ditët e mbajtjes së ekspozitës u nënshkruan marrëveshje paraprake mes operatorëve të ndryshëm ekonomikë me një vlerë prej më shumë se 72 miliardë dollarësh për mallra e shërbime për një hark vetëm një vjeçar.

Më e rëndësishmja, në opinionin tim, është fakti se mesazhet e vazhdueshme që lidershipi kinez po përçon janë pozitive dhe qetësuese e siguruese se Kina, pavarësisht shumë paragjykimeve ndaj saj të shkaktuara vitet e fundit nga një fushatë e egër nga administrata Trump, janë në të kundërt një vend që ofron mundësi të mëdha ekonomike në një sistem ligjor që përforcohet dita ditës dhe që garanton investimet e huaja.

Në një plan më të gjerë, disa nga komentet e presidentit Xi janë mesazhe politike të vlefshme në të gjitha rrafshet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe jo vetëm ato ekonomike. Në fakt presidenti Xi theksoi se si në momente krizash si kjo e pandemisë, ‘askush nuk është imun nga një krizë e madhe’, dhe se ‘duhet ti përmbahemi parimit të bashkëpunimit me përfitime reciproke’ dhe ‘nuk duhet të lejojmë që unilateralizmi dhe proteksionizmi të minojnë rendin ndërkombëtar‘.

E përkthyer në fjalë të tjera, megjithëse me teorinë e qarkullimit të dyfishtë Kina po përgatitet të krijojë një ekonomi kombëtare më pak të varur nga tregjet e jashtme, në të njëjtën kohë dëshiron të veprojë në tregjet ndërkombëtare me një frymë bashkëpunimi dhe hapje. Në fakt si asnjëherë më parë, dhe në kontradiktë me traditën e deri viteve të fundit, Kina dhe jo Amerika, i ka dalë në mbrojtje një rendi ekonomik botëror të hapur, ku globalizimi shihet si një pashmangshmëri, dhe se rregullat e lojës duhen respektuar me një qasje për bashkëpunim reciprok në një botë shumë polare. Kjo nuk është një rastësi. Me ngritjen e Kinës në një fuqi globale, edhe pesha e përgjegjësisë që ajo ka ndaj zhvillimeve ekonomike e politike ndërkombëtare shkon në rritje. Në shumë raste Kina ka treguar se është e gatshme të mbajë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe të japë kontribut në zhvillimin ekonomik botëror.