Sondazhet e zgjedhjeve në SHBA kësaj radhe nuk gabuan, ato janë në të njëjtën gjatësi vale me parashikimet dhe fitorja shkoi, të paktën sipas rezultateve që akoma nuk janë zyrtarizuar e pranuar nga palët, për kandidatin demokrat, Joe Biden. Përkundër parashikimit të rezultatit, analistët e diplomatët, parashikuan gjëra më esenciale në këto zgjedhje, siç po rezultojnë tani. Zgjedhje të kontestuara, manipulime masive, ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe së fundi një Amerikë e ndarë në dysh dhe me probleme shumë të mëdha.

Skenat e ditëvë të fundit përpara 3 nëntorit, kur mbylleshin dyqanet dhe bëheshin përforcime të tyre në rrugët e New York-ut, Washingtonit e të tjerë nuk i shikon në vende me demokraci të brishtë. Por ato u bënë të zakonëshme në vendin që standardet demokratike i ka krenarinë më të madhe. Pikërisht këto standarde pësuan një goditje të rëndë, pasi jo vetëm dhuna masive në qytete të ndryshme, por përplasjet përpara qendrave të votimit, pezullimi i procesit të numërimit, tensionet dhe akuzat që vazhdojnë të kenë një kurbë shumë të lartë, tregojnë se ka një realitet tjetër në SHBA, të cilin e dëshmuan zgjedhjet e fundit.

Thirrja luftarake e cila gjithnjë e më shumë është artikuluar së fundi “America first” nuk bëri të mundur përsëritjen e mandatit të dytë presidencial për Trump, por shfaqi një anë më problematike. Shumë amerikanë shfaqën hapur racizmin e tyre, armiqësinë ndaj të huajve dhe grave. Kjo urrejtje e mbjellë nga Trump vështirë se mund të kalojë lehtë dhe do të jetë një plagë e rëndë e me pasoja në trupin e shtetit.

Ish presidenti Obama, duke analizuar situatën në SHBA pas zgjedhjeve, pohonte që vendi me konfliktin e hapur tashmë bëhet edhe më radikal, por edhe dëshmon se kjo nuk ndodhi vetëm në një ditë dhe vetëm për një ngjarje, apo një moment politik. Të çarat e sistemit janë konstatuar me kohë, ato kanë prodhuar një sërë problemesh të tjera me të cilat ballafaqohen sot SHBA.

Pikërisht se kishte një politikë unilaterale të ndjekur nga administrata e tanishme, duke u futur në sfida të panevojëshme dhe në përpjekje për të bërë një protagonizëm që nuk i shkon për shtat zhvillimeve e qasjeve globale, është arritur në këtë pikë, që hendeku brenda vetë SHBA të jetë i madh, por edhe marëdhëniet me BE-në, Kinën, Rusinë e qendra të tjera të fuqishme të globit, të jenë të karakterizuara nga një temperaturë e lartë.

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden

Presidenti në ardhje Joe Biden, krahas sfidës për të rivendosur në normalitet demokracinë, ballafaqohet edhe me problemet komplekse që shfaqen nga epidemia e egër dhe në rritje, nga të çara të forta në sistemin e drejtësisë, ekonomia në rënie dhe situata me klimën, kur nga Marrëveshja e Parisit, Presidenti Trump u largua në mënyrë arrogante. Ishte një marrëveshje për të cilën bota po mbante frymën dhe njerëzimi ka në pikëpyetje të ardhmen e vet normale. Arritja e marrëveshjes për klimën, që ishte përtej të cilësuarit historike, u hodh poshtë, duke dëmtuar rëndë ekuilibrat për të cilët investimi dhe angazhimi global ishte imadh. “Kërcënim ekszistencial “e ka konsideruar Biden situatën me klimën, duke pohuar se ai menjëherë do i rikthehet Marrëveshjes së Parisit, nga e cila Trump u tërhoq pa u menduar dy herë.

“ Do të ribashkohem në Marrëveshjen për Klimën dhe më pas do të mbaj një samit me emetuesit më të mëdhenj të karbonit në botë, duke mbledhur shtetet që shprehin ambiciet e tyre dhe të shtyjmë progresin përpara më shpejt” - ka deklaruar Biden lidhur me këtë çështje, të cilën Trupm e zgjidhi në mënyrë të njëanëshme, si mjaft çështje të tjera.

Ky veprim, pjesë e politikës unilaterale të Trumpit, është shoqëruar me sjellje të kësaj natyre në një plan edhe më të gjerë, në marëdhënie me qendrat e mëdha të vendimarrjes globale, çfarë ka dëmtuar raporte e prirje, që përcaktojnë drejtime të rëndësishme zhvillimi e marëdhëniesh. Përmes një impulsiviteti shkatërrues janë dëmtuar balanca të ndryshme. Sjelljen politike multilaterale janë ato që presin jo vetëm amerikanët dhe që e bën Amerikën më të besueshme, por edhe të gjithë ata që e shohin rendin e ri botëror, si sfidë e një gare të përbashkët, përmes rregullave të pranuara e që respektohen deri në fund.

Nismat e politikës së jashtme, për të cilat zoti Biden spikat më shumë në aftësitë e tij shtetdrejtuese, në momentin e tanishëm dhe në problemet me të cilat ai do të ballafaqohet, do të duan një përqëndrim tepër të madh për të mbetur parësore përballë shtetit të ndarë në dysh. Protestat e shumta mbi dhunën policore ndaj njerëzve me ngjyrë, kanë qënë prezente në SHBA prej gati më shumë se një viti, duke krijuar jo vetëm tensione, por edhe duke vënë pikëpyetje standardet demokratike e funksionimin e ligjit. Trump është ballafaquar me akuza të rrepta si nxitës i ndarjeve të thella, veçanërisht ato që lidhen me problemet racore dhe imigrimin, dhe Biden është përballë një sfide që nuk do jetë e lehtë për t’u tejkaluar e bashkuar vendin.

Problemet me koronavirusin janë një tjetër situate e mprehtë e shumë serioze për mbarë globin, por specifikisht në SHBA, e në mënyrë të veçantë këto ditë, kur rastet po rriten dhe sistemi mund të kolapsohet. Duke qënë vendi i parë me raste në botë, situata bëhet më problematike dhe shkuarja drejt një izolimi të ri do e ballafaqojë vendin me raporte ekonomike që përkeqësohen dhe papunësi në rritje, duke prekur kryesisht punonjësit me paga më të ulta e për pasojë duke rritur pabarazinë.

Shtepia e Bardhe

Shtëpia e Bardhë

Analiza e problemeve të brendshme është më e gjerë dhe ka pak gjasa t’i lere zotit Biden kohën e mjaftueshme për të rishikuar e çuar drejt normalitetit marëdhëniet me qendrat e mëdha të fuqisë globale.

Marëdhëniet e SHBA me BE-në dhe NATO-n kanë pësuar në periudhën e administratës Trump krisje të thella, jo vetëm si pasojë e tërheqjes nga marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe me tarifat e vëna ndaj mallrave evropiane si dhe kritikat jo diplomatike të adresuara në mënyrë të vijueshme ndaj liderve evropiano-perëndimorë. Biden, i cili është më i kujdeshsëm në këto raporte, në mënyrë të veçantë me evropianët, do jetë sigurisht i investuar pozitivisht në këtë drejtim, pavarësisht barrës së rëndë që ka mbi supe nga situata e brendshme, problematike më tepër se asnjëherë tjetër.

Marrëdhëniet me Kinën, Rusinë dhe Iranin janë pista ku Biden i duhet të jetë shumë i vëmendshëm, pavarësisht deklaratave të dhëna më parë, lidhur me politikën që do ndjekë me këto shtete.

Gjatë fushatës presidenciale Biden ka patur një qasje tjetër në raport me Kinën, nga ajo e kohës kur ishte zv.president. Por pavarësisht ndryshimit të qëndrimit, ai ka kritikuar Trumpin se nuk ishte e nevojëshme të krijonte koalicion me aleatët për të luftuar Kinën, për politikat tregtare. Sipas analistëve, pritet që administrata e re të hyjë në negociata me Kinën lidhur me tregëtinë, dhe ky do të përbënte një hap pozitiv për gjetjen e gjuhës midis dy ekonomive më të mëdha të botës, pa qenë nevoja për të rreshtuar palët kundër njera –tjetrës .

Rusia do të përbëjë një optikë tepër të rëndësishme për administratën e re amerikane dhe termat e ashpra si “kundërshtare” dhe “ kërcënim” i madh për sigurinë e SHBA, do të jenë pjesë e fjalorit të ardhshëm politik të Biden. Sulmet e drejtëpërdrejta ndaj presidentit rus Putin, me siguri do rrisin përplasjen gjithnjë e më të fortë midis dy vendeve. Duke ndjekur deklaratat e Biden si para, ashtu edhe gjatë fushatës, ku ka kritikuar ashpër Kremlinin për aneksimin e Krimesë dhe rolin që ka luajtur në luftën ndërmjet Kievit e separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit, është e qartë se nuk pritet të ketë detantë, të paktën në këtë periudhë të parë.

Kandidatët për president në SHBA, Trump dhe Biden

Kandidatët për president në SHBA, Trump dhe Biden

Ajo që shihet me pozitivitet në marëdhënie me Iranin nga Biden, është fakti se ka pohuar që do t’i rikthehen marrëveshjes, pas mirëkuptimit me shtetet e tjera që kanë qënë pjesë e saj, por me kushtin që Teherani të dëshmojë që respekton paktin, duke zvogëluar aktivitetin bërthamor.

Irani është goditur shumë rëndë nga sanksionet dhe ekonomia e vendit ka pësuar një rënie të vazhdueshme, çfarë ka rritur pakënaqësinë në vend. Demostrata të fuqishme kanë përfshirë disa herë këtë vend, por pandemia e rritur duket se neutralizoi një reagim të madh popullor. Nuk është definuar, nëse marrëveshja do përfshijë edhe çështje të brendshme të Iranit, apo do të mbetet vetëm në atë kuadër që është pranuar më parë nga Britania, Franca, Gjermania, Kina, Rusia si dhe BE -ja.

Gjithsesi rikthimi në marrëveshje të rëndësishme, i hap rrugë një politike multiraterale, çfarë bën të shpresosh se arroganca dhe politika e emocioneve nuk janë ato që përcaktojnë qëndrimin e një shteti serioz dhe që shprehet e lufton për një ekuilibër botëror.