Ballkani Perëndimor, pas një periudhe të gjatë konflikti e tensionesh që morën vëmendjen e shtuar të komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë e zgjidhur situatën, është tani në një situatë qëndrueshmërie. “Vullkani në gjumë”, siç konsiderohet shpesh, ka prirjen për të intensifikuar lëvizjen e vet drejt BE-së, duke u përpjekur për të lënë pas periudhës e konflikteve që i kanë shkaktuar trauma të mëdha. Historia është aty dhe e kaluara nuk është aq e largët, sa të ketë humbur ndikimin e saj në marëdhëniet që kanë kurbën e vet të ulje- ngritjeve.

Gjetja e një ekuilibri paqësor raportesh ndërmjet shteteve mbetet akoma një mision jo i lehtë, pavarësisht se nisma të shumta rajonale janë implementuar dhe shumë tensione i kanë lënë vendin një raporti më paqësor. Megjithatë fakti që një shtet i ri siç është Kosova akoma nuk njihet nga dy shtete : Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe kjo e fundit disa herë në prag të shpërbërjes, bëjnë që shprehja “vullkani në gjumë” të ketë një përshtatshmëri me situatën që po kalon.

Aspirata e përbashkët e shteteve të këtij rajoni për t’u integruar në BE dhe në strukturat e NATO-s, nuk është e tillë në standardet dhe në hapat konkretë që kanë realizuar. Mali i Zi, shteti më i vogël ka bërë hapat më bindës duke iu afruar standardeve që kërkon BE-ja. Ndërkohë Serbia është edhe ajo disa hapa përpara Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve që kërkohen në këtë rrugëtim të vështirë.

Serbisë i është thënë qartë se pa njohjen e shtetit të Kosovës, rruga për në BE mbetet një mision i pamundur. Valët e njëpasnjëshme të zgjerimit të BE-së gjatë kësaj periudhe gati prej 5 dekadash kanë gjeneruar stabilitet më të gjerë, kanë inkurajuar rritjen ekonomike dhe prodhuar paqe e pajtim midis kundërshtarësh, por edhe armiqsh të vjetër. Kjo i nevojitet më së shumti kësaj zone dhe që është aspiratë e brezave të tërë.

Si vende me stabilitet dhe ekononomi të brishtë, por edhe shtete të reja, të dala nga shpërbërja e ish Jugosllavisë (me përjashtim të Shqipërisë), nevoja për një ekonomi të qëndrueshme dhe paqe afatgjatë, kërkon orientim të kujdesshëm dhe pragmatist në udhëkryqin global. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë disa karakteristika specifike për dallim nga vendet e tjera në procesin e integrimit europian. Këto vende, me përjashtim të Shqipërisë siç theksuam në sipër, kanë qënë pjesë e një sistemi të përbashkët politik dhe ekonomik të kohës së ish-Jugosllavisë. Pas shpërbërjes së saj, këto vende në mënyrë të dyfishtë e dëmtuan pozitën e tyre në rajon. Së pari, për shkak të përbërjes së brendshme etnike që u determinua me siguri dhe jostabilitet dhe së dyti, për shkak të raporteve ndërmjet këtyre shteteve të sapokrijuara, e cila u shoqërua me një ndërtim jo të mirë të komunikimit fqinjësor si rezultat edhe i aspekteve etnike, fetare, gjeografike, politike, ekonomike e të tjerë. BE-ja është përpjekur t’ua bëjë të qartë të ardhmen evropiane dhe anëtarësimin e këtyre vendeve. Megjithatë kjo perspektivë integruese shpesh herë nuk ka qënë e qartë, nuk është mbështetur në aspiratat e këtyre vendeve dhe nuk ka mbështetur traditën dhe komunikimin që këto vende kanë patur me shtete të mëdha edhe jashtë Evropës.

Duke vështruar dashurinë në të dy krahët, atë të këtyre vendeve ndaj BE-së dhe të BE-së ndaj këtyre vendeve, konstaton lehtësisht se ka një asimetri të dukshme. Ëndrrat e popujve të këtyre vendeve ndeshen shpesh përballë burokracisë së ftohtë të Brukselit, e cila i mban nën një presion të madh këto vende, rrugëtimi i të cilëve drejt demokracisë e zhvillimit ka qënë i vështirë, dhe krejt i ndryshëm në raport me vendet anëtare të BE-së. Kjo ka ardhur duke e zbehur besimin e popujve të këtij rajoni, në zbatimin e drejtë të standardeve demokratike, nga vete ata që mund të quhen trashëgimtarët e etërve themelues të këtij Unioni.

SHBA kanë vëzhguar me qetësi dhe nga larg situatën dhe në momentet e zhgënjimit të herëpashershëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së, ndërhyjnë duke luajtur një rol të fuqishëm në politikat e brendshme, por në mënyrë më specifikë të komunikimit me jashtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo ka ndikuar jo pak që sfidat dhe orientimet në këtë rajon të jenë të vështira dhe të kenë përplasje me atë që përcaktohet si prirje e së ardhmes.

Vetëm ditët e fundit, në mënyrë zyrtare Maqedonia e Veriut dhe Kosova, por në të njëjtën gjatësi vale edhe Serbia e Shqipëria, janë dakordësuar për t’u investuar në rrjetin e pastër 5G, çfarë do të thotë që të mos jenë pjesë e këtij rrjeti nga kompani kineze. Secili është në të drejtën e vet të përzgjedhjes së teknologjisë dhe të investimeve, por kur kjo vjen e imponuar, në analizë tregon se ky rajon shikohet edhe si një fushëbetejë e luftës së të mëdhenjve.

Dhe kjo fushëbetejë nuk është vetëm midis SHBA-së dhe Kinës, por edhe nepërmjet SHBA-së dhe BE-së. Shpatullat e brishta të Ballkanit Perëdimor nuk kanë fuqinë të mbajnë pasojat e këtyre përplasjeve, aq më shumë që hapat që hedhin këto shtete në drejtim të konsolidimit të ekonomisë e të demokracisë, kërkojnë mbështetje nga më të mëdhenjtë dhe jo imponime të kushtëzuara.

Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina janë në komunikim e në përpjekje intensive për të plotësuar kushtet për t’u integruar në BE, vijojnë në reformat që përcaktohen si prioritare për një komunikim të hapur me SHBA-në, por në të njëjtën kohë këto shtete janë pjesë edhe e nismave me impakt të fuqishëm global si ajo “17 +1” . Projektet infrastrukturore që ofron “Nisma 17+1”, por edhe ato që lidhen me fusha të tjera në drejtim të zhvillimit ekonomik, që presin të implementohen në disa vende në mënyrë kapilare, përbëjnë për Ballkanin Perëndimor një mundësi dhe hapësirë zhvillimi. Rritja e presionit ndaj shteteve të këtij rajoni për të qënë indiferent deri në shkëputje nga këto nisma, penalizon rëndë ekonominë në zhvillim, dhe njëkohësisht e bën orientimin e këtyre vendeve të njëanshëm.

Kina si një shtet i fuqishëm dhe fuqi përcaktuese globale ka përfshirë në një nismë të rëndësishme shtete ku standardet ekonomike mbeten prej kohësh në nivele të ulta. Asnjeri nga këto shtete nuk ka luksin të mos marrë në konsideratë opsionet pozitive që vijnë nga “Nisma 17+1”, aq më shumë kur pjesë e kësaj nisme, janë shtete me ekonomi të qëndrueshme dhe anëtare prej kohësh të BE-së si Polonia, Hungaria, Letonia, Lituania e të tjerë.

Hungaria, Polonia dhe Serbia, si përfitueset me të mëdha të këtij projekti, kanë realizuar investime, impakti i të cilave ka qënë i dukshëm. Investimet e kryer më së shumti në këto vende janë vlerësuar për trendin pozitiv në ekonomi dhe kreditë e marra me kushte lehtësuese brenda projekteve te “17 +1”, si një mundësi që nuk mbart penalitete apo vartësi.

Nisma që ishte “16 +1” dhe më pas në të u përfshi edhe Greqia, një vend i hershëm e me lidhje të fuqishme me BE-në, po dëshmon hapësira zhvillimi, krijon një komunikim të brendshëm në mes palëve, dhe megjithë paralajmërimet për teori konspirative të Kinës ndaj këtyre vendeve, praktika dëshmon se avantazhet dhe përfitimet, janë konkrete e të certifikuara. Komunikimi i balancuar, në përputhje me politikat dhe pragmatizmin zhvillues të secilit vend, është një e drejtë sovrane, ku imponimi gjithnjë e më shumë shfaqet i padrejtë dhe i papranueshëm.

Ballkani Perëndimor ëndrrën e tij evropiane nuk e kompromenton nëse ka lidhje të konsoliduara me Kinën, apo shtete të tjera të fuqishme, për aq kohë sa ruan integritetin e vet territorial, nuk cënon sigurinë kombëtare të shteteve dhe ka të balancuara e të qarta orientimet e së ardhmes. Trysnia që ushtrohet ndaj Ballkanit Perëndimor për të forcuar një aleancë, në kundërshtim me një aleancë tjetër, e çon këtë zonë në periudhën e Luftës së Ftohtë dhe bën edhe më të vështirë qasjen e tij integruese ndaj BE-së.

Politikat përjashtuese kanë sjellë fatura të rënda për shtete edhe më të fuqishme se vendet e këtij rajoni, ndaj kujdesi për të ruajtur një marëdhënie të balancuar me shtetet, të mëdha apo të vogla qofshin, konsolidon integritetin dhe pavarësinë e vendimarrjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, por njëkohësisht e bën edhe më sfiduese periudhën që po kalon.

Në se flasim sot për sfida të Ballkanit Perëndimor, ato janë të shumta e lidhen jo vetëm me politikën dhe drejtimet nga duhet orientuar ajo, por edhe ekonominë, komunikimin në mes vetes, të drejtat e pakicave, standardet demokratike, forcimin e ligjit, lufta kundër korrupsionit e të tjerë. Nëse në këtë ballafaqim të vështirë të zgjidhjes së ekuacionit se cilat janë përparësitë dhe ku duhet këmbëngulur për prioritet, në gjykimin tim parësore është: Ruajtja e ekuilibrave në marëdhëniet e balancuara me qendrat e fuqishme të vendimarrjes globale, pa u kompleksuar nga interesat që ato kanë përtej kufijve të këtij rajoni. Sfidat e sotme nuk fitohen në krah të njërit, në luftë kundër tjetrit .

Ecja dhe zhvillimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor luhatet në funksion të disa forcave kryesore, të cilat janë prezente për një kohë të gjatë, por edhe që kanë ndryshuar në funksion të zhvillimeve të brendshme, por edhe atyre globale. Ato janë disa : Roli që ka SHBA në sistemin liberal ndërkombëtar dhe theksimi i nevojës për të rritur prezencën në rajone ku problemet janë ende prezente; E sotmja dhe e ardhmja e BE-së si një fuqi politike dhe ekonomike që kërkon të balancojë protagonizmin e SHBA dhe ndikimin e saj; Roli i Rusisë që investohet në rritjen e zonës së influencës sidomos në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i Kinës përmes projektesh konkrete që sjellin impakt në ekonomi, duke ruajtur politikën e vet paqësore dhe jashtë çdo interesi territorial.

Deshifrimi i saktë i këtyre prirjeve dhe gjykimi sovranist i secilit shtet, do ta bëjë më të lëhtë përballimin e sfidave që ka sot ky rajon.

Gëzim Podgorica