Një ngjarje e pazakontë tërhoqi ditët e fundit vëmendjen e opinionit publik shqiptar, të përqëndruar tek epidemia Covid 19. Bëhet fjalë për riatdhesimin nga kampi Al Hawl në Siri të Floresha Rashës dhe fëmijëve të saj Amar, Emel dhe Hatixhe si dhe Endrit, djalit të familjes Dumani.

Sipas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendëshme Sandër Lleshaj: “Fatmirësisht, sot mund të njoftojmë publikun se katër jetë njerëzore janë shpëtuar nga ai kamp i ferrit, që njihet si i tillë për shkak të kushteve të tmerrshme në të cilat kanë mbijetuar këta fëmijë dhe mamaja e tre fëmijëve”.
Prej një muaji një ekip i Policisë së Shtetit që ka vepruar në terren në bashkëpunim me autoritetet e sigurisë së Libanit dhe me autoritetet e tjera të përfshira, ka vizituar kampet e refugjatëve, ka marrë kontakte me familjet, ka kontaktuar fëmijët, ka marrë deklaratat e prindërve për tërheqjen e tyre në Shqipëri.
Në një intervistë televizive, duke folur nga Libani, Lleshaj theksoi se në ditët e ardhshme pritet të finalizohet faza e dytë të procesit të riatdhesimit edhe për fëmijët e tjerë. “Ne duam t’i heqim këta fëmijë nga duart e terrorit, t’i sjellim këta fëmijë në Shqipëri për të sjellë një mesazh të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Këta fëmijë dhe këto familje e kanë vendin në atdheun e tyre dhe kauza e tyre do të jetë Shqipëria”, u shpreh Lleshaj.
I pyetur se sa gra dhe fëmijë ndodhen në kampet siriane, ministri Lleshaj u shpreh se “sipas burimeve tona të inteligjencës janë rreth 50”.

“Kësaj radhe kemi arritur të kontaktojmë fizikisht rreth 25 prej tyre dhe kemi arritur të marrim 5. Ekipi i Policisë së Shtetit që ka qenë në Al Hawl dhe në kampe të tjera në Siri, ka arritur të marrë kontakte fizike personalisht me familjet, fëmijët, me nënat e atyre që i kanë nënat dhe me autoritetet përgjegjëse të kurdëve”, theksoi Lleshaj.
Ministri i Brendshëm ka shpjeguar për mediet se operacioni i riatdhesimit të fëmijëve dhe gruas shqiptare ka zgjatur shumë pasi ishte operacion mjaft i komplikuar, i cili ka përfshirë në vetvete disa shtete si Shqipëria, Libani, Siria dhe pjesa e Sirisë verilindore, zona e administruar nga kurdët, si dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një operacion të gjatë që u frenua për shkak të pandemisë, por u finalizua faza e dytë e tij.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka luajtur një rol të rëndësishëm në operacionin e riatdhesimit të fëmijëve dhe gruas shqiptare nga kampi sirian i Al Howl. Ai vetë shkoi në Liban javën e kaluar për të kontaktuar me autoritetet përgjegjëse dhe me vetë të riatdhesuarit, me të cilët është kthyer në aeroportin e Rinasit, duke finalizuar këtë operacion të rëndësishëm. Para medieve shqiptare, që prisnin në mjediset e aeroportit, kreu i qeverisë shqiptare tha se “qeveria e tij shpresonte, gjithashtu, të siguronte riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, të mbetur në Siri në rrethana të ngjashme”.
“Ndjehem mire që kemi mbyllur fazën e pare të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Ajo që është më e rëndësishme është që tani kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mire e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që do të kthejmë dhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri”, tha kryeministri Edi Rama.

Sipas zëvendësministrit të brendshëm Nano janë identifikuar dhe 4 familje të tjera. “Të gjithë ato familje janë transferuar në kapin Rozh me kërkesën tonë dhe transferimi është bërë nga autoritete lokale dhe janë transferuar në këtë kamp sepse ka siguri më të madhe dhe me kushte akoma më të mira”.
Endri Dumani është një ndër fëmijët e kthyer nga kampi sirian Al Howl. Në aeroportin e Rinasit atë e priste nëna, daja dhe të afërmit. Pas 6 vitesh Endri përqafoi nënën, ndërsa daja i tij falenderoi qeverinë shqiptare për realizimin me sukses të operacionit të riatdhesimit
“Ndjejmë shumë gëzim. Emocion i papërshkruar. Falë Zotit dhe përkushtimit të qeverisë dhe autoriteteve na u bë e mundur ardhja e Endrit. Ka ardhur në kohën e duhur se paska qenë shumë, shumë i lodhur. Më përqafoi, më tha vetëm tre fjalë në shqip “Daja, jam mire”, u shpreh për medien shqiptare daja i Endri Dumanit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, të mërkurën, njoftoi zyrtarisht përfundimin me sukses të plotë të operacionit të riatdhesimit të pesë qytetarëve shqiptarë nga Siria Verilindore, prej të cilëve katër fëmijë dhe një grua me probleme të theksuara shëndetësore.
“Finalizimi i këtij operacioni të rëndësishëm humanitar u bë i mundur falë bashkëpunimit, profesional e serioz si dhe mbështetjes së pakursyer të autoriteteve Libanit, Sirisë dhe atyre Administratës Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore”, thekson Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në deklaratën e ministrisë theksohet më tej se “Kthimi i fëmijëve dhe i personave të tjerë të pa përfshirë në akte kriminale apo terroriste është një detyrim humanitar i rëndësishëm, por edhe një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”.
Media ndërkombëtare shkruan për operacionin
Riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga Siria ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i tha agjencisë Associated Press në një intervistë telefonike nga Bejruti, se kthimi i këtyre pesë personave ishte kryer pas negociatave 12-mujore dhe se qeveria e tij shpresonte, gjithashtu, të siguronte riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, të mbetur në Siri në rrethana të ngjashme.

Vëmendje operacionit të riatdhesimit të 4 fëmijëve dhe gruas shqiptare nga kampi al Howl në Sirinë Veriore i ka kushtuar dhe agjencia franceze e lajmeve AFP, gazeta amerikane Star Tribune, media e njohur e botës arabe Al Arabyia, gazeta e njohur britanike ”The Independent”, si dhe “The Washington Post”
Që para rënies në mars 2019 të të vetëshpallurit “Kalifat” të ISIS-it në Siri, forcat kurde kanë menaxhuar disa kampe që strehojnë mijëra civilë në verilindje të vendit që u larguan nga luftimet. Më i madhi është al-Howl, i cili gjithashtu strehon gratë e luftëtarëve të huaj të ISIS dhe fëmijëve të tyre. Kampi al Howl nuk ka asnjë evidencë kush është në kamp dhe ku ndodhet, pasi në kamp janë 70 mijë njerëz të vendosur në çadra.Disa qindra burra shqiptarë u bashkuan me Shtetin Islamik dhe grupe të tjera që luftonin në Siri dhe Irak në fillim të viteve 2010. Shumë u vranë dhe gratë dhe fëmijët e tyre ndodhen në kampet siriane. Administrata gjysmautonome kurde vazhdon të kërkojë riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të huaj, por vendet perëndimore po lëvizin ngadalë me dosjet. Policia shqiptare thotë se të paktën 40 fëmijë shqiptarë janë në Al Howl, përfshirë disa jetimë ndërsa shtetasit shqiptarë që morën pjesë në luftime do të përballen me ndjekje penale, nëse arrestohen dhe riatdhesohen.
Eda Merepeza







