Në fillim të Nëntorit do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të cilat amerikanët do të zgjedhin kush do të jetë presidenti i tyre për katër vitet e ardhshme mes kandidatëve Joe Biden dhe Donald Trump. Sfida elektorale në Amerikë ka hyrë në fazën e vet vendimtare dhe si gjithnjë një nga pikat më të nxehta është politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara. Në kohë të ndryshme ka patur tema të ndryshme përsa i përket pozicionit amerikan në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2004 e gjithë fushata e presidentit George Bush junior u përqendrua në atë që Bush e quajti fitore të Amerikës në luftën kundër terrorizmit islamik. Sigurisht në dritën e fakteve sot mund te thuhet se fitoret në Afganistan kanë qenë aq të brishta saqë Talebanët janë ulur përsëri në tavolinën e negociatave si interlokutorë të pashmangshëm. Ndërsa dihet botërisht se pushtimi i Irakut me pretekstin se financonte terrorizmin dhe kishte armë kimike është bazuar totalisht në prova të rreme.

Në fushatën e sivjetshme, si asnjëherë më parë, Kina ka zënë një pozicion të rëndësishëm që rrjedh nga rëndësia që ka marrë ajo si fuqi në konsolidim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Disa analistë në media të rëndësishme po debatojnë se cili nga kandidatet, Biden apo Trump, do ishte më i ashpër dhe cili më dialogues me Pekinin. Nga ana tjetër të tjerë akoma e shikojnë çështjen nga perspektiva e Kinës dhe analizojnë se cili sipas tyre mendojnë është më mirë për interesat e Kinës. Të gjithë me pak fjalë shikojnë se Kina dhe marrëdhëniet Kinë-Amerikë do jenë përcaktuese për fatin e stabilitetit të marrëdhënieve ndërkombëtare në të ardhmen.

Nga një pikëpamje më e gjerë mund të vihen re disa tendenca që shkojnë përtej kandidatëve aktualë për presidencën amerikane. E para është fakti se politikat amerikane të viteve të fundit kundër Kinës kanë shtyrë opinion publik amerikan të ketë një perceptim të njëanshëm për Kinën si një vend kërcënues i interesave amerikanë. Kjo ka bërë që në vend që të sqarohet se sa e vërtetë ose e pavërtetë kjo është, edhe demokrati Joe Biden, të tregohet i matur dhe jo shumë distant nga Donald Trump në qasjen e tij drejt Kinës. Sigurisht kjo më shumë për efekte elektorale sesa për bindje politike. Kur vjen puna te bindjet në politikën e jashtme, duket se Joe Biden është më i ndërgjegjshëm se në botën e sotme kaq shumë të ndërlidhur, politikat unilaterale si ato të promovuara nga ana e presidentit Trump vitet e fundit janë kundër produktive dhe cenojnë besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.

Element tjetër që bie në sy në ktë fushatë, është fakti se duket qartazi se liderët evropianë do dëshironin Biden në Shtëpinë e Bardhë më shumë sesa Trump, i cili në shumë raste nuk e ka kursyer veten në akuza kundër shumë liderëve evropianë si Macron apo Merkel. Këta të fundit disa herë kanë treguar se edhe në politikat ndërkombëtare, sikurse për shembull marrëdhëniet me Kinën, do dëshironin më shumë bashkëpunim e më pak konfrontim. Kjo edhe për faktin se për Evropën problemi në kufijtë e saj të jashtëm, sidomos në sferën lindorë të saj, nuk ka qënë Kina, e cila është larg, por Rusia. Për pasojë politika e jashtme evropiane, pavarësisht diferencave mes vendeve përbërëse, ka treguar se më shumë se mure, ka vullnet për të ndërtuar ura lidhëse me Kinën dhe marrëdhënie të bashkëpunimit ekonomik me përfitime të ndërsjella.

Element tjetër i rëndësishëm është fakti se Evropa ka kuptuar se pavarësisht kush do të jetë presidenti i ardhshëm amerikan, në një plan më afatgjatë do duhet që të ndërtojë vetë kapacitetet e një fuqie në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo sepse në të ardhmen mund të dalin të tjerë Trumpë që të vënë në dyshim aleancën Evrope-Amerikë, sikurse Donald Trump ka bërë duke kërcënuar vazhdimisht të tërhiqet nga impenjimi për të marrë përsipër barrën më të madhe në aleancën ushtarake të NATO-s.

Në këtë prizëm duket një tjetër tendencë. Evropa kërkon të krijojë një profil të ndryshëm nga ai i Shteteve të Bashkuara përsa i përket qasjes ndaj shumë çështjeve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nëse në krizat rreth e përqark Mesdheut, Evropa mundohet të jetë më aktive për shkak të interesave të ngushta që ka në Mesdhe, në skenarë të tjerë siç janë Azia Lindore, aktivizimi i Evropës është më shumë në fushën ekonomike dhe është kryesisht i kufizuar në atë fushë. E kundërta ndodh me Amerikën, e cila ka interesa strategjike në Azinë Lindore që rrezikojnë të përballen me interesat që ka edhe Kina. Kjo është edhe arsyeja se përse në fushatën elektorale Amerikane, Kina zuri një vend të rëndësishëm në temat që kanë lidhje me politikën e jashtme të ShBA-ve.

Janë të shumtë analistët që mendojnë se në të ardhmen Kina do jetë tema kyçe në axhendën e politikës së jashtme Amerikane, dhe se terreni kryesor i këtij konfrontimi mund të mos jetë më ekonomia dhe çështjet e luftës tregtare të nisura me administratën Trump. Terren kryesor përballje mund të bëhen lehtësisht mosmarrëveshjet për çështjen e Taiwanit, ku së fundmi administrata Trump ka vendosur të eksportojë armatime të sofistikuara, apo pikëpamjet e kundërta përsa i përket zonave ekskluzive ekonomike në Detin Jugor Kinez ku shumë shtete kanë pretendime dhe mbështeten haptazi nga Washingtoni kundër Kinës.

Interesante është të shihet pozicioni i Evropës në të ardhmen. Nëse do të vazhdojë si deri tani duke u munduar të ndërtojë politika bashkëpunimi ekonomik me Kinën, pa hyrë direkt në mosmarrëveshjet Kinë-Amerikë, shanset janë që të mund të shikojmë në të ardhmen një marrëdhënie Kinë-BE akoma më të ngushtë në aspektin ekonomik, pavarësisht diferencave politike. Një problem i madh gjithsesi lind nga fakti se Evropës i duhet akoma një rrugë e gjatë para se të arrijë të flasë me një zë të vetëm.

Nga ana e Kinës po bëhet e qartë se kushdo që të vijë në pushtet në Amerikë, Pekini nuk do të heqë dorë nga interesat e saj të qenësishme si në fushën marrëdhënieve ekonomike me botën, ashtu edhe interesat kombëtare strategjike. Në të njëjtën kohë Pekini vazhdimisht ka theksuar se ngritja e saj si një fuqi botërore është sa e pashmangshme aq edhe paqësore. Mbetet për tu parë nëse në të ardhmen udhëheqësit amerikanë do ta shikojnë marrëdhënien me Kinën më shumë nga perspektiva e konfrontimit apo ajo e bashkëpunimit.