Që kur u hodh ideja e Mini-Shengenit në takimin e Nishit midis Presidentit serb Vuçiç dhe dy kryeministrave të Shqipërisë Rama dhe të Maqedonisë së Veriut, Zaev, ka patur më shumë një retorikë propagandistike, takime të tjera në Ohër dhe Tiranë dhe asgjë të materializuar. Në Shqipëri dhe Kosovë, më të drejtë është trajtuar në media edhe nevoja, por më shumë se kaq platforma e kësaj nisme, e cila pritet të materializohet në vitin e ardhshëm. Kjo temë, disi e anashkaluar për një periudhë disamujore, doli në sipërfaqe në takimin e Uashingtonit dhe Kosova megjithë kundërshtimin e hapur që në fillim, ka vendosur t’i bashkohet kësaj nisme, mbështetur edhe mbi Marrëveshjen e nënshkruar. Në takimin e së premtes në Shkup treshja Zaev, Vuçiç dhe Rama pritet t’i bëjnë ftesën zyrtare qeverisë Hoti. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Bosnja mbeten të pavendosura dhe është i paqartë qëndrimi i tyre nëse do i bashkohen kësaj nisme apo jo. Në Mal të Zi për më tepër qeveria e re ende nuk ka marrë votëbesimin në parlament dhe qëndrimi zyrtar normalisht që do të vonojë.

Reagimet për bashkimin në këtë nismë të Kosovës, janë shoqëruar më një emfazë euforike nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit u shpreh: “Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal, si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin evropian të shteteve tona”.

Koha e humbur në fakt akoma nuk është verifikuar, pasi në të tre takimet e para të drejtuesve të lartë shtetërorë, më shumë është prodhuar propagandë se sa është prezantuar projekti i kësaj nisme dhe se cilat konkretisht do të jenë avantazhet që do të kenë vendet pjesmarrëse në këtë nismë. E shoqëruar me shumë pika dyshimi dhe pikëpyetje serioze, nismëtarët nuk kanë arritur akoma t’i shuajnë ato, por vetëm kanë gjetur shtegun për të sulmuar e anatemuar të gjithë hezituesit për t’u bashkuar. Kosova me një imponim të hapur po bashkohet, ndërsa nuk bëhet e qartë përse dy shtete, që sipas arsyes kanë nevojë më shumë se të tjerët për koridore komunikimi e integrimi, vijojnë të mbeten skeptike. Po kështu një ndër argumentet e palës kosovare se përfshirja në këtë nismë, i jep epërsi Serbisë si prodhuesi më i madh i mallrave në rajon, nuk është kundërshtuar me argumente nga shtetet e dakordësuara për të qënë pjesë e këtij projekti.

Kosova nga ana e saj ka shprehur edhe një sërë rezervash të tjera dhe faktori politik atje ishte në unison përsa i takon mospjesmarrjes në këtë nismë, përpara nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit. Një nga miqtë më të afërt të zotit Rama, zoti Thaçi e kundërshtoi hapur këtë, dhe si në asnjë rast më parë, ata shkëmbyen replika në distancë lidhur me këtë çështje. “Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por Kosova nuk mund të jetë pjesë e një samiti në të cilin marrin pjesë shtete, që ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur” – shprehej Thaçi në përgjigje të ftesës së takimit të Ohrit.

Në të njëjtën linjë, por edhe më të ashpër kanë qënë Albin Kurti, Isa Mustafa dhe liderë të tjerë politikë të Kosovës. Ndryshimi i menjëhershëm dhe radikal i qëndrimit ndodhi pas Uashingtonit, gjë që tregon se SHBA kanë një tjetër trajektore komunikimi e strategjie me këto vende, që në mënyrë të heshtur BE nuk është dakord.

Në mungesë të një dokumenti zyrtar për platformën e nismës, me të drejtë pista në të cilën do të vijojë ajo, mbetet e mjegullt për publikun. Vuçiç, Zaev dhe Rama kanë nënvizuar se kjo platformë e re bashkëpunimi është në përputhje me “Procesin e Berlinit”. Por vetëm kaq, këtu ndalon detajimi se ku kjo nismë ka pikat e takimit me platformën e “ Procesit të Berlinit”.

Ky proces siguron dhe garanton të gjitha hapsirat e nevojshme për të përfshirë në materializim katër liritë themelore të BE-së. Nuk mendoj se rastësisht, Gjermania ka qënë gjatë gjithë kësaj kohe indiferente në këtë pikë, po ashtu edhe BE, ndryshe nga SHBA e cila ka shfaqur hapur mbështetjen ndaj saj, gjë që u verifikua edhe nga kërkesa specifike në Marrëveshjen e 4 shtatorit 2020.

Më shumë, sipas analistëve Mini – Shengeni do të jetë një mundësi për SHBA-të për të mbajtur ndikim të drejtëpërdrejtë në Ballkanin Perëndimor dhe për të krijuar një koridor tjetër komunikimi.

Vendin e munguar të BE-së, e cila nuk ka ofruar asnjë lloj mbështetjeje ndaj kësaj nisme, po punon fuqishëm për ta zënë SHBA.

Duke qënë se bashkëpunimi midis BE dhe SHBA funksionon jo përmes një ingranazhi normal dhe ka shfaqur ngecjet e veta, mbështetja ndaj nismës, është një mundësi tjetër e përfshirjes së SHBA intensivisht në zhvillimet rajonale. Kjo nismë e cila erdhi pas refuzimit të përsëritur për hapjen e negociatave me BE-në, shtron një pikpyetje të madhe në se e zhvendos rajonin nga aksi i integrimit të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe mund të krijojë një mosrakordim strategjish midis SHBA dhe BE –së.

Në takimin e së premtes në Shkup, ashtu si edhe në të tre takimet e tjera, mungon për publikun platforma e diskutimeve dhe çështjet konkrete që do diskutohen. Përveç faktit që do të ketë një ftesë për Kosovën, asgjë tjetër nuk dihet. Një marrëveshje e cila thuhet se do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitaleve në këtë rajon, asgjë tjetër nuk është detajuar, apo të ketë marrë udhën e procedurave institucionale. Një hap në letër që u hodh në takimin midis dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës për heqjen e barrierave administrative kufitare, u pasua me një reagim shumë të ashpër nga autoritetet në Beograd dhe me paralajmërime të forta kundër. Në se brenda marrëveshjes së Mini-Shengenit kjo gjë parashikohet si një nga pikat më të rëndësishme, reagimi aq i ashpër në Beograd, tregon se sinqeriteti i marrëveshjes dhe implementimi i saj, nuk janë aq të thjeshta dhe nuk shikohen me aq dashuri sa thuhet.

Ajo që nënvizohet se Mini Shengeni do ketë efekte të ndjeshme pozitive në ekonomi, specialistë të kësaj fushe kanë shfaqur e vazhdojnë të shfaqin rezervat e tyre. Modeli CEFTA është i mjaftueshëm nënvizojnë ato për t’u ndjekur dhe nismat alternative nuk bindin se mund të krijojnë pozitivitete të garantuara.

Eksperti i njohur i ekonomisë, Ilir Ciko do shprehej disa kohë më parë se : “ Liritë themelore të rajonit tonë trajtohen më së miri nga Marrëveshja CEFTA, në të cilën tre vendet nismëtare të Mini Shengenit bëjnë pjesë. Mendoj se rruga e duhur për arritjen e lirive nis së pari nga ndërtimi i tyre brenda vetë vendeve, e më pas brenda rajonit përmes zbatimit të CEFTA-s, për të cilën të gjitha vendet kanë rënë dakord. Cefta është provuar si model i sukseshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e vendeve për integrimin në BE. Të gjitha vendet e Evropës Lindore e deri Bullgaria, Rumania e Kroacia, kanë qënë pjesë e marrëveshjes deri në pranimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Tregëtia e lirë me institucione të Unionit doganor brenda dy vitesh shikohet si një ëndërr e bukur, por megjithë dëshirën për ta besuar, ajo mbetet e pamundshme për t’u realizuar. Jo vetëm në këtë pikë, po në mjaft nga ato që parashikohen si mundësi që do vijnë nga Mini Shengeni, ka pikpyetje të mjaftueshme në ato që mund të arrihen. Iniciativat rajonale para së gjithash duhen mbështetur mbi parimet e gjithëpërfshirjes dhe të reciprocitetit. Këto parime bazike për një bazë solide e të qëndrueshme marrëveshjesh e bashkëpunimi, që në fillim kur është hedhur kjo ide, janë parë me mosbesim në dy plane : E para për mundësinë e realizimit, e dyta për sinqeritetin e tyre.

Takimi i së premtes në Shkup nuk dihet në se do të hapë mundësi të reja komunikimi, por ajo që nevojitet të përcaktohet si rrugë efektive bashkëpunimi është që secili shtet duh

et të trajtohet në mënyrë të barabartë, për të patur pastaj mundësi të barabarta. Sipas analizave paraprake, në parim Mini Shengeni favorizon Serbinë si tregun më të madh të rajonit, duke i dhënë asaj një pozicion të avancuar në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në rajon. Në kushtet e një zhvillimi joproporcional të industrisë, ekuilibri i komunikimit dhe aftësitë konkuruese, është vështirë t’i përgjigjen skemës përfituese në mënyrë korrekte, gjë që mund të sjellë shumë shpejt përplasjet e interesave midis shteteve pjesmarrëse. Ekonomia në një drejtim, por çështje të natyrës politike që fillojnë më mosnjohjet reciproke dhe të tjera që kanë mbetur peng i së kaluarës problematike e konfliktuale, vështirë se mund të japin garancitë e një nisme me efekte e me rezonacë pozitive në të gjithë rajonin.

Gezim Podgorica