Plani i 13-të pesë vjeçar gradualisht po i lë vendin planit të 14-të pesë vjeçar të zhvillimit të Republikës Popullore të Kinës dhe tashmë është momenti më i përshtatshëm që të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes dhe thellësisht rezultatet e zbatimit të këtij plani dhe rruga që ky plan hap për më tej.

Është Mbledhja Plenare e 5-të e Komitetit të 19-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, mbajtur në Pekin, midis 26 – 29 tetor që bën analizën e punës, arritjeve dhe sukseseve të popullit kinez në periudhën 2016 – 2020, që janë vitet e planit të 13-të pesë vjeçar.

Duke shtjelluar idetë e planit të 13–të pesë vjeçar të Kinës nuk ka se si të mos të shkojë mendja te thënia e famshme e udhëheqësit të popullit kinez Mao Ce Dun që, kur popullsia e Kinës ishte vetëm 600 milionë banorë ka thënë: “ne me planifikim marrim në konsideratë interesat e 600 milionë banorëve të vendit tonë, sepse duke hartuar plane, ne mendojmë se si të eliminojmë problemet…”

Është e dukshme se thënia e Benjamin Franklin, “…duke dështuar në përgatitje, ju përgatiteni të dështoni…”, shërben për të kuptuar edhe më mirë filozofinë e konceptit të planifikimit, që në aspektin e planeve pesë vjeçare ka të bëjë me hartimin dhe përzgjedhjen e objektiva politike, ekonomike dhe sociale, mbështetur në gjendjen aktuale dhe në synimet drejt së ardhmes.

Këto objektiva, të hartuara me afate kohore pesë vjeçare, janë përmbledhje e vizionit dhe misionit të qeverisë së Kinës për reformat e ardhëshme dhe komunikimin e tyre me të gjitha shtresat e popullsisë dhe padyshim edhe me administrtën publike dhe aparatin e partisë në mbarë vendin.

Plani pesë vjeçar është një dokument i rëndësishëm që rishikohet dhe analizohet çdo pesë vite nga ana e Partisë Komuniste Kineze.

Planet pesë vjeçare në Kinë janë bërë traditë duke filluar që nga viti 1953, plane për të cilat PKK dhe Komiteti i saj Qendror luajnë një rol shumë të madh përcaktimin e parimeve dhe hartimin e strategjive për zhvillimin ekonomik, social, kulturor, ligjor, sportiv, mjedisor, etj, dhe për përcaktimin e synimeve dhe paraqitjen e zbatimin e reformave të caktuara.

Duke filluar që nga viti 2012, Presidenti Xi Jinping ka synuar “rivitalizimin e kombit kinez”, duke premtuar ristrukturimin ekonomik dhe ligjor në vend, dhe, këtë ai e prezantoi në mënyrë konkrete edhe në planin e 13-të pesë vjeçar të zhvillimit, që është edhe plani i parë pesë vjeçar nën drejtimin e tij.

Në këtë plan pesë vjeçar është e dukshme se gjendet vizioni i tij për të ardhmen e Kinës.

Në këtë dokument shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Republikës Popullore të Kinës, që mban vulën e Presidentit Xi, pesë parimet kryesore ishin (1) inovimi si motor për zhvillimin ekonomik, (2) përdorimi i tregut vendas dhe atij global për të qenë më aktivë në qeverisjen globale, (3) zhvillimi i gjelbër për një marrëdhënie më të drejtë midis ekonomisë dhe mjedisit, (4) balancim i zhvillimit rural dhe urban, (4) gjithpërfshirje në prosperitet dhe shërbime sociale.

Kina e adoptoi planin e saj të 13-të pesë vjeçar në 15 Mars 2016, që është edhe plani i parë pesë vjeçar nën të cilin Kina hyri në epokën e “normalitetit të ri” që lidhet edhe me stabilitetin e rritjes ekonomike në shifra mbi mesataren botërore

Ky plan mishëronte në fakt objektivin madhor të Presidentit Xi Jinping që aspironte për transformimin e modelit të rritjes ekonomike nga investimet dhe eksporti drejt konsumit dhe shërbimeve, një lëvizje mjaft inteligjiente kjo, marrë parasysh edhe zvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe sektorët e industritë e ekonomisë botërore.

Rezultatet e këtij plani pesë vjeçar ishin: (1) rritje ekonomike 6.5%, dyfishim i GDP dhe i të ardhurave për frymë në vitin 2020, krahasuar me vitin 2010, (2) përmirësim i gjendjes me investimet e huaja, duke patur edhe më shumë transparencë në rregullat për investimet e huaja, (3) shtim i produkteve industriale “Made in China” dhe programi “Internet Plus”, (4) monedha vendase “yuan” të bëhet e konvertueshme në vitin 2020 për të qenë monedhë e shportës së FMN për monedhat e rezervës së saj, (5) zgjerim i politikës sociale nga një fëmijë në dy fëmijë për çift, (6) zgjerim i shërbimeve sociale dhe shëndetsore për të tërë qytetarët, plane shëndetsore për sëmundjet kritike si dhe largim nga varfëria e më shumë se 70 milionë qytetarëve deri në vitin 2020, (7) arritjen e një norme urbanizimi rrerth 60% deri në vitin 2020, nga 55% që ishte në vitin 2016, (8) zhvillim i gjelbër dhe reduktim i emetimit të substancave të dëmshme në atmosferë nga 40% në 45% për njësi GDP deri në vitin 2020, krahasuar me nivelet e e vitit 2005, (9) politika anti – korrupsion dhe (10) projekti gjigand “Një Brez, Një Rrugë”, që përfshin 65 vende, 65% të popullsisë së botës dhe 30% të mirëqenies botërore.

Këto rezultate kanë sjellë edhe më shumë mundësi për investime dhe shërbime të avancuara, nxitje të transformimit industrial, stabilizim të modeleve moderne të zvillimit rajonal, avancim të zhvillimit të gjelbër, ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve, cilësi, siguri dhe garanci në konsum, sektor më të përshtatshëm edukimi dhe krijim i një mjedisi më të përshtatshëm për zhvillim institucional.

Padyshim që arritjet më të mëdha të kësaj periudhe pesë vjeçare janë përmirësimi i konsumit vendas, dhënia krahë e shpirtit sipërmarës dhe inovimit teknologjik si dy nga faktorët më të rëndësishëm të prodhimit në kohët moderne.

Është e dukshme se suksesi i planit të 13-të pesë vjeçar ka bërë që Kina të gëzojë një zhvillim të qendrueshëm edhe për periudhën e ardhshme dhe garanton që plani i 14-të pesë vjeçar të synojë një zhvillim të harmonizuar dhe zhvillim demokratik e kulturor drejt vitit 2049, që është edhe 100 vjetori i Republikës Popullore të Kinës.

Të gjitha këto, nën një këndvështrim shkencor, me anë të reformave të vazhdueshme, zbatim dhe respektim të ligjit, planifikim të koordinuar nën lidershipin e Partisë Komuniste Kineze.

Nga: Dr. Enriko Ceko