Para dy javësh Donald Trump i rekomandoi kryeministrit të Shqipërisë që të dalë nga iniciativa 17+1. Ndërkaq ekonomia shqiptare vuan pasojat e rënda të krizës së pandemisë dhe vendi shkon drejt kolapsit financiar. Në këto kushte lind pyetja normale, nëse është në interesin e Shqipërisë të vetizolohet, si në fund të viteve 1970 dhe të mbyllet përballë një shansi të dytë ose të tretë për të përfituar nga investimet kineze?!

Shqipëria ka një histori të gjatë bashkëpunimi më Republikën Popullore të Kinës. Por ky bashkëpunim u ndërpre për shkak të konfliktit ideologjik midis dy partive në pushtet. Në fakt ishte partia shqiptare në pushtet ajo që në fillim të viteve 1970 kushtëzoi marrëdhëniet me Kinën me ideologjinë komuniste dhe izolimin e e saj. Kur Kina u hap ndaj Perëndimit dhe SHBA-ve, atëherë Shqipëria filloi gjuetinë e shtrigave kundër atyre që i konsideronte bashkëpunëtorë të Pekinit. Deri në këtë kohë 40 përqind e investimeve të parashikuara në planet 5 vjeçare të Shqipërisë realizohej me ndihmën kineze. Ndërprerja e marrëdhënieve midis dy vendeve e izoloi tërësisht vendin e vogël ballkanik dhe krijoi automatikisht një defiçit prej 40 përqind në realizimin e investimeve.

Ndaj në fund të viteve 1980, kur sistemi komunist filloi të tronditej, qytetarët shqiptarë shtruan pyetjen: "Mirë xhanëm me jugosllavët dhe sovjetikët, po me Kinën çfarë patën? Pse i prishën marrëdhëniet me të"?! Ishte një pyetje logjike e legjitime, sepse lidhjet ekonomike, politike e kulturore me Kinën ishin shumë të suksesshme. Nga viti 1961 deri më 1978 mbi 460 fabrika dhe objekte industriale u ndërtuan në Shqipëri me kontributin dhe financimet kineze. Ndërkohë që marrëdhëniet dhe ndihmat në fushën ushtarake, me kërkesën këmbëngulëse të palës shqiptare, kapnin miliarda dollarë. Ndërsa nga pikëpamja gjeostrategjike as që mendohej se "Kina përbën ndonjë rrezik potencial për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë".

Bazuar në eksperiencën gati 20 vjeçare të asaj kohe të bashkëpunimit Shqipëri-Kinë, ka ende sot eksponentë të politikës shqiptare të së majtës, të cilët mendojnë se "Kina duhet të ndihmojë falas Shqipërinë, si në vitet'60-'70 të shekullit të kaluar"! Ky mentalitet përbën një pengesë serioze për ndërtimin e një marrëdhënie të ngushtë ekonomike midis të dy vendeve në kushtet e ekonomisë së tregut.

Por investimet e pakta kineze në Shqipëri, krahasuar me ato në vendet e tjera të rajonit, shpjegohen me një lloj paragjykimi absurd, për "rrezikun kinez ndaj Shqipërisë"! Megjithatë kjo hipotezë rrëzohet nëse mbajmë parasysh investimet dhe marrëdhëniet e ngushta e të gjithanshme kineze në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, në Europën Qendrore e Juglindore, si Serbia, Hungaria, Italia, Gjermania etj.

Ndihma kineze anti-epidemike në aeroportin Nënë Tereza

Ndihma kineze anti-epidemike në aeroportin Nënë Tereza

Republika Popullore e Kinës ka implementuar tashmë një iniciativë konkrete, atë të 17+1, iniciativë e cila konkretizohet vazhdimisht me transferimin e kapitalit kinez për investime në 17 vende europiane, përfshirë edhe Shqipërinë. Kosova mund ta kërkojë zyrtarisht përfshirjen në këtë iniciativë, duke ndërruar shifrën nga 17 në 18+1. Por Shqipëria ka përfituar nga kjo iniciativë më pak sesa çdo vend tjetër i përfshirë në të. Përveç disa sektorëve, si aeroporti dhe përpunimi i naftës, investimet e tjera kineze në Shqipëri janë në nivele shumë të ulëta. Edhe këto dy vepra të sipërpërmendura janë në duart e investitorëve kinezë si rezultat i kontraktimit me kompanitë e mëparshme, përkatësisht gjermane dhe kanadeze.

Kjo do të thotë se investimet e kapitalit të kompanive kineze si dhe ndihmat e RP të Kinës në Shqipëri janë në nivelet më të ulëta të mundshme. Ende nuk duket një perspektivë e mundshme për thellimin dhe zgjerimin e këtyre investimeve, aq të nevojshme për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë. Qeveria shqiptare është pengesa kryesore e zhvillimeve të mëtejshme në këtë aspekt. Ndonëse qeveria e mëparshme e para vitit 2013 kishte hartuar një platformë të këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme, si energjetikë, infrastrukturë, përpunimin e mineraleve etj, qeveria e sotme për shkaqe konjukturale dhe të pushtetit hoqi dorë nga projektet e mëparshme. Madje bllokoi gjithashtu zhvillimin e parkut energjetik në Durrës, të parashikuar nga qeveria paraardhëse. Ndërkaq sjelljet e qeverisë së Tiranës me biznesin kinez kanë tejkaluar shpesh herë limitet e arrogancës. Nga një studim i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore rezulton se ka biznese kineze, në të cilat agjentët tatimorë shkojnë çdo javë për kontroll. Në një prej tyre këta agjentë kishin shkuar 53 herë gjatë një viti. Gjobat gjithashtu ndaj bizneseve kineze si Bankers Petroleum, shkojnë në shuma marramendëse. Kërkesat jashtëkontraktuale me autoritetet kineze të aeroportit "Nënë Tereza" shkaktojnë dëme financiare të mëdha.

Sjellja arrogante e përfaqësuesve të shtetit me bizneset e vështirëson veprimtarinë e tyre dhe për pasojë krijon një klimë tepër negative për investime. Nëse një ose disa biznese të një vendi si Kina pësojnë episode të tilla, atëherë krijohet mosbesim nga pala investitore. Në kushtet e Shqipërisë, kur udhëheqja komuniste shqiptare kishte ndërprerë me arrogancë çdo marrëdhënie me Republikën Popullore të Kinës, përsëritja e fenomeneve të tilla krijojnë probleme mosbesueshmërie jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Bankers Petroleum

Bankers Petroleum

Nga ana e saj pala kineze duket e gatshme të shtrijë investimet e saj edhe në Shqipëri. Së paku deri tani asnjë përfaqësues zyrtar i ambasadës ose të institucioneve të Kinës nuk ka shprehur publikisht pakënaqësi lidhur me vështirësitë e marrëdhënieve ekonomike midis tyre. Megjithatë, për shkak të një propagande për krijimin e një opinioni të gabuar, Kina obligohet që në marrëdhëniet me vendet e tjera, sidomos me Shqipërinë, të dëshmojë gjithnjë një lloj pragmatizmi specifik, sigurisht në kufijtë e të mundshmes. Gjithashtu është e nevojshme transparenca maksimale në projektet investuese, si dhe angazhimi i saj në sektorët më produktivë.

Pavarësisht problematikave në marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Kinës, ka mundësi që këto problematika të adresohen dhe të gjenden rrugë e mundësi konkrete për të rritur investimin e kapitalit kinez në Shqipëri në të gjitha format e mundshme, si investimet direke, për ato kontraktuale, ose të ndihmave përmes një axhencie të specializuar në modelin e vendeve të tjera perëndimore.

Bashkëpunimi Shqipëri-Kinë diktohet kesisoj për shkak të pasojave të krizës që ka shkaktuar COVID-19. Kjo për arsyen e thjeshtë se ekonomia e dytë më e madhe në botë është ndër të paktat me rritje progresive. Statistikat dëshmojnë se gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti GDP e Kinës u rrit me 4,9 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Në këto kushte ajo është e aftë të gjenerojë investime kapitale në vendet e tjera. Këtë mundësi do të duhet ta shfrytëzojë edhe Shqipëria, së paku në të njëjtën masë sa edhe vendet e tjera të Europës Qenrdore e Juglindore.