Këto ditë presidenti i Kinës Xi Jinping bëri një udhëtim në provincën Guangdong, një nga më të pasurat dhe më të zhvilluarat në Kinë, e cila është bërë model i Kinës së shekullit të ri. I veçantë ishte udhëtimi në Shenzhen, një qytet i cili nga një qytezë e vogël peshkatarësh para 40 vjetësh, falë vendosjes aty të një Zone të Posaçme Ekonomike në vitin 1980, është kthyer në një metropol të fuqishëm dhe simbol i Kinës së mijëvjeçarit të ri.
E gjitha e ka fillimin në politikat e reformimit ekonomik të ndërmarra në fundvitet 1970 nën drejtimin e Deng Xiaoping. Në vitin 1992 Deng Xiaoping zhvilloi një vizitë në jug duke i dhënë hov të ri politikës së hapjes dhe reformimit, 改革开放, si një rrugë që do të ndihmonte Kinën të zhvillohej ekonomikisht duke mposhtur varfërinë dhe siguruar stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin shoqëror. Që atëherë Kina është zhvilluar intensivisht duke arritur të bëhet ekonomia e dytë në botë, dhe në dekadat që vijnë të gjithë ekonomistët botërorë parashikojnë që do të bëhet e para.

Prandaj, vizita e presidentit Xi ishte njëkohësisht një rast celebrimi të këtyre 40 vjetëve reforma dhe hapje, por edhe një rast për të parashtruar vizionin e lidershipit kinez për të ardhmen e Kinës. Një vizion që në fakt, për rëndësinë që ka Kina për të gjithë ekonominë dhe çështjet botërore, merr interes edhe për audiencën jashtë Kinës. Kështu presidenti Xi, përveç homazheve që i bëri figurës së Deng Xiaoping, bëri gjithashtu të qartë edhe një herë se Kina dhe populli i saj punëtor së bashku mund të bëjnë hapa të paimagjinueshëm përpara dhe se zhvillimi ekonomik e shoqëror janë ngushtësisht të lidhura me kapacitet inovuese dhe krijuese të popullit kinez duke ndjekur pikërisht modelin e Shenzhenit.

Pikë së pari, Shenzheni pritet të forcojë pozicioni e vet si një qendër e zhvillimit teknologjik dhe industrial. Por mbi të gjitha, një qendër model i inovacionit digjital për një ekonomi të së ardhmes sa më afër nevojave të njerëzve dhe të vendit. Gjithashtu gjatë kësaj vizite u vu theksi te integrimi i ekonomive në atë që quhet Zona e Madhe e Gjirit (Greater Bay Area), ajo pjesë e detit që bashkon Guangzhou me Makao dhe Hong Kong. Ky gji mund ti kthejë ekonomitë e fuqishme të këtyre anëve në një ekonomi të integruar e cila të jetë pararojë e inovacionit dhe eksperimentit inovativ dhe forcës krijuese të talenteve më të mira që ka Kina. Kjo lihet të kuptohet, do të bëhet duke përforcuar akoma edhe më shumë modelin e qeverisjes së këtyre territoreve sipas parimit, Një Vend Dy Sisteme. Ky mesazh merr një rëndësi të veçantë sidomos në dritën e shumë protestave të ndodhura në Hong Kong gjatë vitit të kaluar. Në fakt, presidenti Xi ju drejtoj një ftesë rinisë së Hong Kongut që ta shohin Shenzhenin si një mundësi për të jetuar dhe punuar, dhe t'i përqafojnë pa druajtje mundësitë e mëdha që e gjithë Kina ofron.

Në një plan më të gjerë mund të vihen re disa pika të rëndësishme të këtij udhëtimi.

E para, pavarësisht goditjes së ekonomisë nga pandemia e covid-19, Kina ja ka dalë me sukses që jo vetëm ta mposhtë virusin, por ekonomikisht të kalojë relativisht pak e dëmtuar, të paktën kur e krahason me ekonomitë e vendeve perëndimore, ku pandemia ka ulur në gjunjë shumë ekonomi të zhvilluara dhe ka prekur buxhetet e të gjitha shteteve që janë duke u detyruar të marrin çdo ditë masa shtrënguese si ekonomike ashtu edhe shëndetësore. Në ktë kuptim Kina është tashmë jashtë skemës së menaxhimit të një krizë, dhe mund t'ja lejojë vetes të diskutojë për të ardhmen me vetëbesim.

E dyta, Kina falë reformave të gjithanshme, që përfshijnë ndër të tjera edhe luftën kundër korrupsionit veçanërisht e theksuar kjo luftë nën presidentin Xi Jinping, është e vendosur të krijojë një ekonomi sa më solidale për shtresat në nevojë, dhe mbi të gjitha sa më afër nevojave të shoqërisë për një ekonomi të shekullit të ri sa më të gjelbër.

E treta, në një botë që siç tha presidenti Xi është plot ‘trazira dhe ndryshime’ Kina do mbetet e hapur dhe ‘do të promovojë një ekonomi botërore të hapur, dhe një komunitet ndërkombëtar që ndan një fat të përbashkët’. Kjo është në kontrast me disa diskutime publike në pjesë të ndryshme të botës ku kanë dalë në shesh tendenca proteksioniste në ekonomi, dhe diskutime dhe tendenca unilateraliste në politikën botërore. Pra, pavarësisht se sa i komplikuar do të jetë ambienti ekonomik e politik në arenën ndërkombëtare, Kina impenjohet të mbajë të palëvizshëm kursin e saj politik e ekonomik të hapjes dhe reformimit të vazhdueshëm. Kjo është gjithashtu një sfidë për disa politika amerikane që kanë ndërmarrë hapur një politikë sulmi dhe kërcënimi të firmave të mëdha kineze që janë pararojë e teknologjisë së informacionit. Me politikën e vet të hapjes, Kina i shtrin dorën botës për një bashkëpunim në të ardhmen akoma edhe më të madh, por edhe paralajmëron se Kina duhet të jetë gati të kalojë në një fazë të mbështetjes në forcat e veta në fusha ku ky bashkëpunim me jashtë kërcënohet nga politika proteksioniste dhe përjashtuese të firmave kineze.

Për më shumë, lidershipi Kinez e ka bërë Shenzhenin si një simbol të asaj që do të jetë ekonomia kineze e së ardhmes. Kjo nënkupton se rritja në sasi e ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme do të zëvendësohet me rritje ekonomike cilësore. Në fakt ekonomistët nga shumë anë theksojnë se Kina ka hyrë në një fazë ekonomike të stabilizuar, që do të thotë se po kalon me shpejtësi nga një vend në zhvillim e sipër, në asnjë vend të zhvilluar, dhe për pasojë rritja ekonomike do të kalojë nga rritje sasiore në cilësore. Shenzheni me fuqinë e tij inovatore, i prirur drejt një modeli high tech, është emblema e asaj sesi gjithë ekonomia kineze mund të jetë. Mbi të gjitha është emblema e një fuqie nga e cila e shpesh herë e gjithë bota e kthen vështrimin, dhe me të cilën marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, dhe politikëbërja e lidhur me to, janë ngushtësisht të lidhura.