Këtu jemi në “Republikën Popullore të së Ardhmes” - kështu do të titullohej një analizë e thëllё Bloomberg, një konglomerat mediatik i përqëndruar në botën e biznesit dhe fianancave, duke ju referuar Shenzhenit. Mirë se vini në Shenzhen, ku e ardhmja po krijohet sot – shënon një banderolë në hyrje të aeroportit të këtij qyteti duke reklamuar teknologjinë e avancuar të një prej mijёra kompanive tё fokusuara në Inteligjencën Artificiale (AI) që po evoluon me hapa gjigandё dhe me ritme të pandalshme në një qytet ku vetëm katёr dekada më parë industria më e madhe ishte peshkimi.

Shenzheni ishte Zona e parë e Posaçme Ekonomike e Kinës (SEZ), ishte vendi që Deng Xiaoping zgjodhi për të filluar hapjen ndaj botës dhe u bë qyteti ku zhvillimi ekonomik u planifikua në një tabula rasa. Për vetëm 4 dekada ka zhvilluar një kulturë unike inovacioni dhe duke tërhequr shumë sipërmarrës ambiciozë që kërkojnë të bëjnë pasurinë e tyre dhe janë të uritur për të mësuar dhe përtërirë. Dhe këto ditë, Shenzhen gumëzhin me ide të reja dhe një energji të pakonkurueshme që sigurojnë se do të luajë një rol të madh në formësimin e të ardhmes kolektive.

Ky është vendi i urbanizimit më të shpejtë dhe në shkallën më të madhe në botë. Në dyzet vjet, Shenzhen është rritur nga një fshat peshkimi prej 30,000 në një qytet me 13 milion banorë, duke u bërë kështu një nga qytetet kryesore të Kinës për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). PBB-ja rajonale e Shenzhenit është rritur 14,000 herë nga 1979 në 2019 me një normë vjetore mesatare prej 21,6%.

Shenzhen në vitin 1980

Shenzhen në vitin 1980

Shenzheni është njё qytet pionier në atë që po fillon të marrё rrënjët e një Revolucioni tё Katërt Industrial i cili do të implikojë komunikimin në shkallë të gjerë makinë në makinë (M2M) dhe interneti i gjërave (IoT) të cilat janë integruar për rritjen e automatizimit. Kjo shkallë e gjerë kompjuterizimi e prodhimit, do të variojë nga robotika ne inteligjencë artificiale, nga nanoteknologjia në llogaritje kuantike, bioteknologjia në 5G. Me 46,000 stacione bazë Shenzheni u bë qyteti i parë në Kinë që ka mbulim të rrjetit 5G në shkallë të plotë duke treguar se po bëhet sërish terren testimi për të ardhmen.

Sot, 90% e pajisjeve elektronike në botë kanë të paktën një përbërës të prodhuar në Shenzhen. Të gjitha markat kryesore të teknologjisë prodhojnё atje, duke përfshirë Apple, Intel dhe Microsoft. Disa ndër një milion firmat private në Shenzhen janë DJI, prodhuesi kryesor i dronëve në botë, Tencent, Wechat dhe shumë marka tashmë globale si Huawei, BYD, ZTE dhe Vivo. Kompanitë e tekonolgjisë tërhiqen nga Shenzheni për shkak të shpejtësisë së inovacionit dhe ku konkurrenca vetëm shton kapacitetet.

Simbolizmi i këtij qyteti: nga “Prodhuar në Kinë” në “Krijuar në Kinë”!

Historia e Shenzhenit është historia e Kinës moderne, kombit që në një brez është zhvilluar më shpejt dhe në një shkallë më të madhe se çdo vend tjetër në histori. Përveç kësaj, Shenzheni po eleminon mentalitetin se në Kinë vetëm prodhohet. Sigurisht, Kina ka ende shumë sfida për të ardhmen, por Shenzheni demonstron se trajtimi dhe menaxhimi i ekonomisë është një pjesë e madhe e zgjidhjes. Se si do të evoluojë historia Shenzhenit, nga këtu është e pamundur të parashikohet, me industri kaq të shpejta dhe një mendësi të tillë lehtësisht të adaptueshme, parashikimet janë thuajse të pamundura, megjithate Kina ka befasuar në të kaluarën dhe me shumë gjasa do ta bëjë përsëri. Ashtu si eksperimenti Shenzhen në reformën ekonomike është përsëritur në të gjithë Kinën, ky qytet mund të jetë vendi për të parë reformat e së ardhmes. Shenzhen është gati të marrë një nxitje të madhe të identitetit si qendër e vizionit të Kinës për të gjithë grupin e qyteteve të deltës së Lumit Pearl, shënuar si plani "Zona e Gjirit të Madh” që përfshin Guangdong-HongKong-Macao, e cila mendohet se në të ardhmen e afërt do tё marrë hov të paprecedent në financa, logjistikë, teknologji dhe inovacionin.

- Domethënia e vizitës së Presidentit Xi Jinping në Shenzhen

Duke festuar dyzet vitet e hapjes së Kinës në një mega-qytet si Shenzheni i cili në fillimet e tij u bë terreni eksperimental për atë që quhet “Socializëm me Karakteristika Kineze” Presidenti i Kinës shpalosi një plan me 10 pika duke parë nga e ardhmja. Këto pika variojnë nga vijimi i hapjes së gjithanshme ndaj botës tek përsosja e sistemit, nga guximi për të eksploruar në mbrojtjen e mjedisit, e nga rritja e përfitimit dhe mirëpërhapja e rezultateve të reformave në sundimin e ligjit. Presidenti rishikoi historinë dhe zhvillimin e zonave të tilla speciale, pohoi kontributin thelbësor të Shenzhenit në reformën totale, hapjen dhe modernizimin e Kinës, dhe gjithashtu paraqiti pritshmëritë e qeverisë qëndrore për drejtimin dhe zhvillimin e saj të ardhshëm.

Spektri ekonomik.

Presidenti Xi Jinping i bëri thirrje Shenzhenit të bëhet pararojë në udhëheqjen globale në inovacionin teknologjik dhe industrial, duke vënë në dukje se qeveria do e mbështesё qytetin në zbatimin e programeve pilot për të thelluar më tej reformën gjithëpërfshirëse. “Të guxojmë të jemi të parët, duke ndjekur reformën dhe inovacionin me mendim krijues, duke qenë të përkushtuar në misionin historik të të qenit pararojë”.

Mësimet e Shenzhenit do të sigurojnë gjithashtu drejtim për modelin e ardhshëm të zhvillimit të Kinës, ku azhornimi industrial është bërë një detyrë urgjente me vëllimin e përgjithshëm të PBB-s. Si forca pilot në raundin tjetër të reformës dhe hapjes së Kinës, Shenzheni ka të ngjarë të arrijë qëllimin e modernizimit paraprakisht në 5 deri në 10 vitet e ardhshme, duke siguruar një referencë për pjesën tjetër të vendit.

Shenzhen

Shenzhen

Për të çliruar potencialin e madh të ekonomisë së brendshme nën modelin e ri të zhvillimit, tregu duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në drejtimin e një alokimi më efektiv të burimeve. Kjo është arsyeja pse reformat e reja janë thelbësore. Xi u zotua të bëjë Shenzhen një provë për zhvillimin e ekonomisë së Kinës dhe forcimin e inovacionit, duke përmendur planet për të rritur shpenzimet për kërkimin e teknologjisë. Qëllimi përfundimtar: Kina duhet të kërkojë të udhëheqë revolucionin teknologjik global dhe ta bëjë inovacionin drejtuesin kryesor të rritjes ekonomike.

Spektri ideologjik.

Në spektrin ideologjik “Kombi-Lidershipi-Sistemi” është një trinom vazhdimësie në Kinë. Duke parë nga e kaluara shumë teori i janë përshtatur kohës dhe kushteve. P.sh., Deng Xiaoping nuk besonte se ekonomia e tregut ishte sinonim i kapitalizmit ose se, planifikimi ishte sinonim i socializmit. Një ekonomi e planifikuar nuk është përkufizimi i socializmit, sepse ka planifikim nën kapitalizëm; ekonomia e tregut ndodh gjithashtu nën socializëm. Planifikimi dhe forcat e tregut janë të dyja mënyrat e kontrollit të veprimtarisë ekonomike. Në vendet jashtë Kinës kësaj doktrine i kanë dhënë shumë emra, nga “post-socializëm” në “socializëm i tregut” deri në “kapitalizëm shtetëror”, por brenda Kinës dihet mirë se lidershipi, duhet të pasqyrojë dinamizmin e ndryshimit historik dhe ideologjia udhëzuese duhet të sigurojë një hartë që merr parasysh evolucionin e ekonomisë njerëzore, kulturës dhe shoqërisë.

Socializmi me Karakteristikat Kineze për një Epokë të Re : Doktrina e Xi Jinping

“Mendimi i Xi” është një grup politikash dhe parimesh që rrjedhin nga Presidenti kinez dhe për herë të parë u përmend zyrtarisht në Kongresin e 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste Kineze në vitin 2017. Në aspektin zhvillimor ky vizion i Presidentit kinez ka siguruar një plan afatgjatë me dy faza: faza e parë nga viti 2020 deri në vitin 2035 kushtuar realizimit të modernizimit socialist, përfshirë arritjet e nismës “Një Brez, Një Rrugë”; dhe faza e dytë nga 2035 deri në 2050 ‘për të zhvilluar Kinën në një vend të madh modern socialist që është i begatë, i fortë e i përparuar me qëllim final për mesin e këtij shekulli, arritja e njё shoqërie mesatarisht tё begatë.

Një zgjatim i kësaj doktrine është edhe qasja ndaj pjesës tjetër të botës, ku Kina shihet si njё pjesë thelbёsore e integrimit global ekonomik, dhe ndërkohё që intesifikohet kjo linjë, do të bëhet në bazë të modelit të ri të zhvillimt kinez. Xi shprehu se ky model nuk duhet të jetë një cikël i mbyllur i brendshëm, por një cikël i dyfishtë, i hapur që përfshin cikle të brendshme dhe ndërkombëtare ekonomike. Vendi do të çlirojë më tej potencialin e kërkesës së brendshme, do të rritë lidhjen midis tregjeve vendase dhe ndërkombëtare dhe do të përdorë më mirë burimet e të dy tregjeve për rritje të qëndrueshme

Në marrëdhёnie me botën dhe kohët që jetojmë, u vu në dukje se Kina nuk do t'i pushojë kurrë përpjekjet, për të hapur ekonominë e saj më tej në botën e jashtme. Kjo është veçanërisht e vërtetë tani pasi bota po pëson "ndryshime të thella të papara në një shekull". Ndjenjat e proteksionizmit në rritje dhe pandemia COVID-19 që goditi botën në një shkallë të lartë kanë përshpejtuar më tej këto ndryshime. Me sa më shumë sfida të jashtme të përballet Kina, aq më urgjente është nevoja e vendit për të zgjeruar hapjen e saj.

Kur flitet për Shenzhen-in, ky qytet nuk paraqet vetëm një vend, por edhe gjithë konceptin, tërë historinë e reformës së Kinës dhe hapjen e saj, është një simbol pararoje. Ky fjalim nuk u drejtohet vetëm njerëzve në Shenzhen, por më tepër të gjithë Kinës dhe botës. Kina është mjaft e vendosur, jo vetëm për të mbajtur këtë politikë hapëse por impenjohet pёr të ngritur nivelin e sofistikimit të kësaj politike.

Le të krijojmë mrekulli të reja edhe më të mëdha se kjo – tha Xi duke ju referuar Shenzhenit – mrekulli që do të mahnisin botën.