Pas një heshtjeje 4 vjeçare, konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, që ka në themel Republikën e vetëshpallur të Nagorni- Karabakut, shpërtheu me 27 shtator. Ndërkohë që vëmendjen deri ato ditë po i merrnin përplasjet në Mesdhe midis Turqisë dhe Greqisë, pati menjëherë një zhvendosje të fokusit ndërkombëtar.

Përplasja kësaj radhe nuk është as në formën e ultimatumeve dhe as kërcënimeve të palëve. Sipas të dhënave nga terreni, mëngjesit e 27 shtatorit, forcat azere sulmuan përmes artilerisë së rëndë Republikën e vetëshpallur dhe dy vendet tashmë janë në gjendje lufte, pavarësisht një marrëveshjeje për armëpushim të arritur në Moskë, por që nuk po zbatohet rigorozisht.

Në këto ditë të shpërthimit të konfliktit Armenia akuzon Azerbajxhanin se ka ndërmarrë një operacion ushtarak brenda nje territori të diskutuar prej shumë vitesh, në Nagorni – Karabak. Ky rajon, pa dalje në det, me pyje të shumta brenda kufijve administrativë të Azerbajxhanit, është një burim mosmarrëveshjesh shumë i vjetër, por në fillim të shekullit të XX mori përmasa përplasjesh. Republika e vetëshpalllur është një territor brenda shtetit azer, por me popullsi armene, duke nxitur kështu tensione që trashëgohen nga dekada të tëra. Qysh nga koha parakristiane, Karabaku banohet nga armenë. Karabaku ka arritur të ruajë pavarësinë, më shumë se territore të tjera armene dhe që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII, është qeverisur nga princa armenë, ndryshe nga Armenia që gjatë pushtimeve të ndryshme ka pësuar periudha të gjata sundimesh të huaja. Në fillimet e shekullit të XIX u bë pjesë e Perandorisë Ruse, pavarësisht faktit se Princat e ndryshëm kishin qënë vasalë të Shahut të Persisë. Për dekada të tëra tensioni nuk ka pushuar në këtë zonë . Qetësia e vendosur në këtë rajon, i përket periudhës kur republikat ruse ishin nën pushtetin komunist të Bashkimit Sovjetik, ndonëse edhe atëherë, shkëndijat e përplasjeve nuk kanë munguar.

Konflikti në Nagorni – Karabak nisi gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur ky rajon dhe 7 qarqe të tjera të Azerbajxhanit u morën nën kontroll nga seperatistët e mbështetur nga Armenia. Rajoni shpalli pavarësinë pas konfliktit që zgjati nga viti 1988 deri me 1994, ku u vranë mbi 30.000 njerëz dhe qindra e mijëra të tjerë u zhvendosën. Shpallja e pavarësisë së Nagorni-Karabakut, duke u quajtur Republika e Artsakhit, bëri që pas një përplasjeje 6 vjeçare, në vitin 1994 të vendosej një armëpushim ku palët arritën të merrnin frymë dhe pushteti armen të ishte kontrolluesi i situatës në këtë Republikë të vetëshpallur. Megjithë përpjekjet, Nagorni-Karabak nuk u njoh ndërkombëtarisht dhe fitili i konfliktit mbeti ndezur. Edhe pse Nagorni–Karabak është pjesë e Azerbajxhanit , armenët përbëjnë shumicën e popullsisë, rreth 150.000 banorë dhe refuzojnë të qeverisen nga azerët. Ata kanë ngritur një qeveri lokale dhe mbështeten financiarisht nga Armenia.

Që nga viti 1994, kur dukej se gjërat do rridhnin më qetë, tensionet e provokimet kanë qënë të vazhdueshme, por përmasat në të cilat po shfaqet konflikti tani japin shenja të zgjerimit dhe ashpërsisë së tij. Kryeministri armen Nikol Pashynian kur konflikti u ndez bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm dhe në rrugët e Erevanit shikoje çdo ditë vullnetarë të gatshëm për t’u përballur në front. Në anën tjetër, qeveria azere e cila ka mbrojtjen e hapur të Turqisë përgjatë gjithë kohës që është shfaqur konflikti, shprehet se zonat ku u përqëndruan luftimet, janë ligjërisht territor i saj dhe përgjigja që po i jep forcave armene, është cilësuar prej saj si një përgjigje ndaj trupave seperatiste armike.

Konflikti Nagorni Karabak

Konflikti Nagorni Karabak

Konflikti doli nga binarët dhe tensioni diplomatik u rrit, pasi të vrarët rezultojnë jo vetëm ushtarë, por edhe civilë. Ana humanitare e shqetësimit është njera anë, ana tjetër është edhe fakti se Kaukazi i Jugut, zona ku u zhvilluan luftimet, është një arterie kryesore për gazin dhe naftën nga Azerbajxhani në Turqi, Europë dhe në tregje të tjera botërore. Duke njohur fuqinë potenciale të Azerbajxhanit në furnizimet me gaz dhe naftë drejt Evropës, shtetet rajonale kanë interes direkt që përplasja të mbyllet, pasi në të kundërt, ndërprerja e furnizimit do të rrisë varësinë nga Rusia. Frika është se në përplasjen e dy ish-republikave, mund të përfshihen një nga një edhe fuqi të mëdha, dhe përmasat mund të jenë të paparashikueshme. Gjatë ditëve të luftimeve, palët kanë përdorur helikopterë, tanke, dronë dhe artileri të rëndë, çfarë nuk i mungon një lufte me përplasje të mëdha.

Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për përmasat që mori konflikti. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë bërë vazhdimisht thirrje për fundin e menjëhershëm të luftimeve midis forcave armene dhe azere për rajonin e kontestuar të Nagorni-Karabakut. Megjithë izolimin gjeografik, rajoni ka një rëndësi ndërkombëtare, për faktin se në dekadat e fundit tubacionet e naftës dhe gazit i kanë dhënë një dimension tjetër. Vendndodhja është shumë strategjike. Turqia është në perëndim, Irani në jug, Rusia në veri dhe sasitë e mëdha të rezervave të gazit në detin Kaspik në Lindje, të cilat kalojnë shumë afër vendit ku u zhvilluan luftimet, dëshmojnë edhe për mpleksjen e interesave.

“Humbjet e jetëve të civilëve janë të papranueshme. Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake të konfliktit e as ndonjë ndërhyrje të jashtme”, thuhet në deklaratën e Këshilli të Evropës, lëshuar pas një samiti në Bruksel. BE tha se mbështet bashkëkryesuesit e të ashtuquajturit “Grup i Minskut”, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili ka bërë përpjekje të ndërmjetësojë konfliktin që në fillim të viteve 90-të. Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar ishte e fuqishme dhe Rusia që udhëhoqi këtë ndërhyrje arriti t’i ulë palët në bisedime, që ndonëse të vështira dhanë rezultat, por nuk ka akoma një frymëmarrje të qetë.

Azerbajxhani dhe Armenia janë pajtuar për armëpushim, që ka për qëllim dhënien fund të luftimeve më të ashpra në Nagorni- Karabak këto vitet e fundit. Por, marrëveshja u vu në rrezik vetëm disa orë pasi hyri në fuqi, për shkak të raportimeve se sulmet me arileri dhe dronë kanë vazhduar.

Të dyja palët arritën marrëveshje gjatë ditës së shtunë, pas bisedimeve në Moskë të ndërmjetësuara nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Marrëveshja e armëpushimit ka hyrë në fuqi mesditën e së shtunës, sipas kohës lokale. Përveç ndaljes së armiqësive, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, sipas marrëveshjes, do të marrë pjesë në shkëmbimin e të burgosurve dhe do të lehtësojë edhe aspekte të tjera të armëpushimit. Marrëveshja po ashtu bën thirrje për kthimin e trupave të të vrarëve në dhe përreth Nagorni- Karabakut, që prej se luftimet nisën më 27 shtator. Qindra ushtarë dhe një numër i panjohur i civilëve janë vrarë që atëherë.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, bisedimet e paqes do të rinisin dhe do të ndërmjetësohen nga “Grupi i Minskut”, që përbëhet nga Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja po ashtu thotë se formati ekzistues i negociatave do të vazhdojë dhe nuk do të ndryshojë. Në kohën kur armëpushimi duhej të hynte në fuqi, Azerbajxhani fajësoi Armeninë se ka shkelur marrëveshjen dhe ka zhvilluar luftime në dy lokacione përgjatë vijës së frontit. Ndërkaq, një zëdhënëse e Mbrojtjes së Armenisë tha se Azerbajxhani ka sulmuar një qytet në pjesën lindore të rajonit të shkëputur të Nagorni- Karabakut.

Presidenti Aliyev me ushtarët

Presidenti Aliyev me ushtarët

Më herët, ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve nisën bisedimet e tyre në Moskë dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se Armenisë po i jepej “shansi i fundit” për zgjidhje paqësore të konfliktit.

“Konflikti tani po zgjidhet me mjete ushtarake dhe mjetet politike do të vijnë më pas”, paralajmëroi ai, duke shtuar se për pothuajse tri dekada, bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët “nuk kanë dhënë aspak përparim dhe ne nuk na është kthyer asnjë pëllëmbë e tokës sonë të pushtuar”.

Forcat e mbrojtjes së Nagorni-Karabakut, që është qeveria “de facto” e këtij rajoni, thanë më 9 tetor se ka pasur luftime të ashpra në Stepanakert, që është qyteti më i madh në këtë rajon.

Një ditë më parë, Armenia ka akuzuar Azerbajxhanin se ka bombarduar një katedrale historike në Shushi, vetëm disa kilometra në jug të Stepanakert. Banorët e këtij qyteti thanë se Katedralja e Shpëtimtarit të Shenjtë ka pësuar dëme të konsiderueshme nga bombardimet. Kjo katedrale njihet edhe me emrin Katedralja Ghazanchetsots dhe është ndërtuar në shekullin e 19, si pjesë e Kishës Apostolike Armene.

Gjatë këtyre ditëve e rëndësishme është se tensioni i fillimit ka rënë, gjë që krijon mundësinë për t’i shtyrë përpara bisedimet dhe marrëveshjen. Se sa do jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë, pikëpyetjet janë të shumta. Konflikti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, ka përfshirë fuqi të mëdha. Nëse ai vazhdon Rusia dhe Turqia do të jenë pjesë e tij.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar disa herë se vendi i tij do të vazhdojë t’i sigurojë "të gjitha llojet e mbështetjes" për Azerbajxhanin. Armenët janë shumë të shqetësuar për mbështetjen e Turqisë. Presidenti turk pas një komunikimi me presidentin azer, u ka bërë thirrje armenëve të dalin kundër udhëheqësve të tyre, të cilët ai pretendon se ishin “ duke i tërhequr ata drejt katastrofës “. Presidenti turk ka ripërsëritur se solidariteti i tij me Bakun, është i padiskutueshëm. Kryeministri armen u ka bërë thirrje fuqive botërore që të parandalojnë Turqinë në përfshirjen në konflikt. Potenciali për përfshirjen e Turqisë në konflikt, po shikohet me kujdes nga Rusia, e cila është në anën e kundërt me vendet e Nato-s në konfliktet në Libi dhe Siri. Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe favorizon këtë partneritet strategjik.

Përfshirja e Turqisë në konfliktin e Nagorni – Karabakut nuk mund të kontestohej vetëm nepërmjet deklaratave. Një pjesë e vendeve anëtare të NATO-s jo vetëm e kundërshtojnë mbështetjen turke ndaj qeverisë azere dhe forcave të saj të përfshira në konflikt, por e konsiderojnë këtë një politikë agresive, ndaj së cilës duhet reaguar fuqishëm.

Lufta Nagorni Karabak

Lufta Nagorni Karabak

Stoltenberg gjatë një vizite në Ankara i bëri thirrje Turqisë të ushtrojë ndikimin e saj për zbutjen e situatës. Pavarësisht kësaj, Turqia vijon në linjën e vet të mbështetjes , duke rritur e thelluar konfliktet me mjaft vende te BE-së. Përfshirja e Turqisë në konfliktin në Republikën e vetëshpallur të Nagorni-Karabakut ka vendosur në një pozicion disi të çuditshëm mjaft anëtarë të NATO-s. Kjo për faktin se ata në kushtet e krijuara, kanë vendosur një komunikim me Moskën, e cila është në mbështetje të forcave dhe qeverisë armene. Përshkallëzimi i konfliktit në përplasje rajonale, është tensioni dhe frika që mbizotëron sot. Politika e jashtme e Turqisë ka vënë gjithnjë në pozita të vështira vendet anëtare të NATO-s lidhur me qasjen e tyre ndaj saj. Duke njohur avantazhin e saj gjeografik dhe faktin se disponon një nga ushtritë më të fuqishme brenda NATO-s , ajo po luan prej kohësh në pozicionin e të fortit.

Ushtria turke, me një arsenal e fuqi të konsiderueshme, kishte dekada që qëndronte brenda kazermave dhe dalja kohët e fundit në terrenin e luftimeve që nga Siria e Libani e së fundmi në Nagorni – Karabak e rajonet përreth, ngre shqetësime të mëdha, pasi përballja nuk është e lehtë.

Armëpushimi i inicuar nga Moska dhe që po mbahet me mjaft vishtirësi, sjell jo vetëm një situatë normaliteti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, por krijon premisa për një qetësi në rajon dhe një tërheqje nga përplasja e shteteve me potenciale të fuqishme ushtarake. Në rast të një tensioni e përplasjeje të re, rrezja e konfliktit ka gjasa të zgjerohet shumë.

Gëzim Podgorica