Nocioni për Luftën e Ftohtë lindi për herë të parë në vitin 1945. Autori anglez, George Orwell, e përdori këtë nocion në esenë e tij "Ju dhe bomba atomike". Më pas ishte këshilltari politik e financieri amerikan, Bernard Barush, ai që përdori termin "Lufta e Ftohtë" në Komisionin e OKB-së për Kontrollin Bërthamor të Energjisë Atomike". Ndërsa librin e parë kushtuar Luftës së Ftohtë të shekullit XX e ka shkruar gazetari amerikan, Walter Lippmann.

Më 12 mars të vitit 1947 u shpall doktrina Truman, në të cilën SHBA-të përcaktuan pozicionin e tyre ndaj perandorisë komuniste të Lindjes. Doktrina Truman shënoi njëkohësisht fundin e Doktrinës Monro, e cila izoloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, më 5 qershor të vitit 1947, u shpall në plani Marshall, i cili mbante emrin e sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Georg C. Marshall, një program ky që mbështeti rimëkëmbjen e Europës Perendimore nga pasojat e shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore. Dhe vetëm tre muaj pas Planit Marshall, më 22-27 shtator 1947, shtetet komuniste të Lindjes Europiane shpallën krijimin e organizatës së Kominform.

I paraqita këto të dhëna për të përkujtuar faktin se Lufta e Ftohtë filloi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Sovjetik dhe blloku lindor qëndruan në një anë të frontit të kësaj lufte, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj në Perendim u korracuan kundër Lindjes komuniste. Lufta e Ftohtë krijoi gjithashtu dy blloqe ushtarake, NATO-n (4 prill 1949) dhe Traktatin e Varshavës (11-14 maj 1955), si dhe dy blloqe ekonomike KNER-in sovjetik (5-8 janar 1949) dheTregun e Përbashkët Europian (5 Maj 1949). Nga datat e krijimit duket rendja pas garës së rivalitetit midis dy blloqeve përkatëse. Kina asokohe ende nuk e kishte krijuar Republikën e saj të Bashkuar!

Prej këtyre organizatave ndërkombëtare, kundërshtare të njëra-tjetrës në periudhën e Luftës së Ftohtë, kanë mbetur vetëm NATO dhe Bashkimi Europian. Por me ardhjen e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë edhe këto dy organiyma të fuqishme ekonomike dhe të sigurisë e kanë humbur në një farë mase lidhjen midis tyre. OKB, e themeluar për të kontrolluar rendin e ri botëror të pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mundi dhe nuk po mundet që ta realizojë misionin e saj thuajse në asnjë rast, për shkak të rivalitetit të Fuqive të Mëdha dhe rendjes pas interesit të tyre.

Në horizont duket se do të krijohet një rend i ri botëror. Këtë e diktojnë ndryshimet rrënjësore që ndodhën para 30 vitesh me rënien e Murit të Berlinit, por edhe për shkak të ngritjes së Republikës Popullore të Kinës në vendin e dytë, pas SHBA-ve, në rangun e Fuqive Botërore. Tashmë Kina është një gjigand ekonomik, politik, ushtarak dhe demografik. Pas këtyre dy zhvillimeve bota është në një lloj kaosi. Ende nuk është e qartë nëse njerëzimi do të përballet nga një luftë e re, e ngjajshme me Luftën e Ftohtë të para vitit 1990, apo do të ndërtohet një rend i ri botëror bazuar në kriteret e bashkëpunimit, ekuilibrit dhe harmonizimit të interesave të Fuqive të Mëdha midis tyre e njëkohësisht me interesat e vendeve të vogla.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Popullore e Kinës kanë si filozofi të tyre bashkëpunimin me vendet e vogla dhe mbështetjen e tyre në rezistencën ndaj Fuqive të Mëdha me mendësi kolonialiste. E përafërt me këtë filozofi është edhe qëndrimi i politikës gjjermane. Ndërsa Fuqitë e tjera Europiane ende nuk janë shkëputur nga mentaliteti kolonialist. Më agresive në këtë rast shfaqet Rusia, e cila për të mbrojtur interesat e saj shpesh herë ka rrezikuar paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, si në rastin e ndërhyrjes në Gjeorgji, Ukrainë (Krime) etj.

Por në praktikë, pas ardhjes së Presidentit Trump me doktrinën "Amerika është e para", po ndodh një zhvendosje e marrëdhënieve midis Fuqive të Mëdha, bazuar në interesa gjeopolitike dhe jo në idetë, vizionet, konceptet dhe në një doktrinë moralo-politike të qëndrueshme. Praktikisht Rusia nuk dëshiron të heqë dorë vullnetarisht nga roli i saj si superfuqi ose së paku si fuqi globale. Kjo i shkaktoi p.sh Sirisë një gjakderdhje të paparë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq Bashkimi Europian nuk është aq homogjen sa të krijojë mekanizmat e saj klasike të fuqisë së përbashkët kontinentale, ndonëse një Europë e Bashkuar konkuron edhe vetë Republikën Popullore të Kinës e madje SHBA-të, veç e veç. Kina pa zhurmë është pranuar tashmë si fuqi planetare dhe konkuron SHBA-të.

Ndërsa Shetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos gjatë këtij viti kur atje ndodhin zgjedhjet presidenciale, janë përfshirë në një retorikë të frikshme kundër Republikës Popullore të Kinës, e cila të kujton periudhën e Luftës së Ftohtë. Lufta e Ftohtë post-hitleriane solli një rivalitet të paparë në histori midis dy blloqeve. Solli armatimin e Fuqive të Mëdha, zhvillimin e teknologjisë së armëve bërthamore, rrezikun e një luftë të tillë me këto armë, pra kërcënimin për zhdukjen e njerëzimit. Praktikisht ndodhën shumë konflikte lokale si Lufta e Koresë, ajo e Vietnamit e deri te lufta në Afganistan pas pushtimit të tij nga ana e ish-Bashkimit Sovjetik. Pre e Luftës së Ftohtë dhe politikave të ndarjes së zonave të influencave midis dy superfuqive ishte gjithashtu Lindja e Mesme dhe Lindja e Largët. Në këtë kontekst duhen parë zhvillimet në Iran, në konfliktin izraelito-palestinez, në Kili, Guatemalë, Hungari, Çekosllavaki, derisa Mihail Gorbaçov dhe Ronald Regan u pajtuan që t'i jepnin fund kësaj marrëzie. Kurse mjetet e tjera të përdorura në Luftën e Ftohtë, si bllokada e Berlinit, kriza kubane etj, janë mësim i vyer për të mos përsëritur të njëtën histori në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në kushtet e sotme duket gjithashtu se ngjarjet në Siri, Libi, Liban, Iran dhe vende të tjera sinjalizojnë përsëritjen në forma dhe me mjete të tjera të një lloj konflikti global të Fuqive të Mëdha të ngjajshëm me atë që u quajt Lufta e Ftohtë. Por në këtë rast ka shenja se aktorët janë ose do të jenë të tjerë e në korrelacione të ndryshme nga ato të Luftës së Ftohtë. SHBA-të duken më afër Rusisë së Vladimir Putin, sesa aleatëve të përhershëm, Bashkimit Europian. Për këtë arsye Moska po përfiton që ta dobësojë e mundësisht ta shpërbëjë Bashkimin Europian, duke nxit populizmin në Europë. Ndërsa administrata Trump nuk është shqetësuar për këto zhvillime, duke sinjalizuar se edhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk është më në radarin e interesave të saj. Kjo do të thotë se Uashingtoni dhe Moska duan ta dobësojnë Bashkimin Europian. Marrëdhëniet e zotit Trump me zonjën Merkel të Gjermanisë kanë lënë të kuptojnë se vendet që ata përfaqësojnë nuk janë më në lidhje të qëndrueshme e të padiskutueshme. Edhe tërheqja e një pjese të trupave amerikane nga Gjermania ishte sinjal i tërheqjes së SHBA-ve nga lidhja tradicionale me Gjermaninë. Vetëm Republika Popullore e Kinës shfaqet aktualisht e interesuar për forcimin e kohezionit në Bruksel.

Retorika e administratës Trump kundër Kinës rrit rrezikun e krijimit të një perdeje të re të hekurt e për pasojë shton tensionin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Konfliktet e mëdha të Fuqive kur shoqërohen me diskurse armiqësore gjithmonë përfundojnë me dëme të pariparueshme për njerëzimin. Lufta e Ftohtë e shekullit XX është një mësim i madh për këtë. Ndërkaq bota e sotme ka nevojë për bashkëpunim dhe harmoni. Kjo do të thotë se duhet promovuar paqja, stabiliteti dhe siguria planetare, mundësisht pa shkaktuar asnjë konflikt lokal. Solidariteti është çelësi i arritjes së ekulibrit ndërkombëtar. Nëse do të ketë solidaritet dhe bashkëpunim, atëherë do të reformohen të gjitha organizatat ndërkombëtare e para së gjithash OKB dhe Këshilli i Sigurimit. Nëse ndodh reformimi i këtyre instrumenteve që ruajnë paqen dhe sigurinë në botë, nëse mbështetet bashkëpunimi europian dhe bashkëpunimi rajonal me Fuqitë e Mëdha, atëherë bota do të jetë më e mirë, madje njerëzimi do të jetojë jo vetëm pa frikë, por edhe në mirëqenie. Por kjo arrihet vetëm me reformimin dhe riaktivizimin e njëmendtë të një funksioni real të OKB-së, gjë që arrihet nëse Fuqitë e Mëdha heqin dorë nga egoja dhe interesat e ngushta që ato kanë.