Protestat e fundit në SHBA lidhur me të drejtat e zezakëve, të organizuara kryesisht nga lëvizja BLM (Black Lives Matter) kanë nxjerrë në pah edhe pozicionet e pakicave të tjera etnike apo racore. Me interes të veçantë janë këtu sidomos ato aziatike, përkatësisht kineze, për rolin që kanë pasur në marrëdhëniet midis grupeve të ndryshme.

Tashti, nga njera anë duhet mbajtur parasysh se territori i vendit s’ka qenë ndonjëherë i banuar vetëm prej të bardhëve e të zinjve. Por nga ana tjetër është e pamohueshme që marrëdhëniet ndërmjet këtyre të dyve kanë mbizotëruar e kushtëzuar historikisht edhe pozitën e problemet e grupeve të tjera, pra krejt peizazhin racor amerikan. Dhe aziatikët ofrojnë një rast shumë kuptimplotë për ta bërë më të qartë atë peizazh, prej të cilit ndikohen ende pjestarët e sotëm të kësaj pakice.

Grupet e para të imigrantëve aziatikë, përkatësisht kinezë, u vendosën në Shtetet e Bashkuara në vitet 1850 gjatë dyndjes masive drejt Kalifornisë kur atje u zbulua ar, duke u punësuar kryesisht në miniera, në bujqësi e nëpër fabrika, sidomos ato të tekstileve. Ndihmesa e kino-amerikanëve në shtrirjen e SHBA drejt perëndimit ishte veçanërisht për t’u shënuar gjatë ndërtimit të hekurudhës së parë transkontinentale në vitet 1860, kur shumë prej tyre krijuan edhe biznese e sipërmarrje të sukseshme duke e përmirësuar ndjeshëm jetesën e krejt bashkësisë kineze. Kjo prirje suksesi ka vazhduar qysh atëherë e deri në ditët e sotme, por ka sjellë edhe tensione në marrëdhëniet me shumicën e bardhë, të ashpërsuara me kohë edhe nga rritja e konkurencës në treg.

Presioni i madh nga ana e të bardhëve u kurorëzua më 1882 me ligjin e përjashtimit të kinezëve (Chinese Exclusion Act) që ndaloi hyrjen e mëtejshme të imigrantëve kinezë në Amerikë, si edhe dhënien e shtetësisë rezidentëve me origjinë kineze. Ligji krijoi gjithashtu pengesa të shumta burokratike ndaj ripranimit të rezidentëve të ndodhur përkohësisht jashtë vendit, pra atyre që kishin shkuar të vizitonin familjet në atdhe. Ky akt ligjor u pasua edhe nga të tjera të ngjashme, që kushtëzuan në masë të madhe mundësitë e rritjes dhe zhvillimit të pakicës kineze. Ligji në fjalë u shfuqizua vetëm më 1943, kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Kina ishin aleatë në luftën e përbashkët kundër Japonisë. Ai ka mbetur në historinë juridike amerikane si i vetmi ligj i drejtuar kundër një pakice me prejardhje etnike posaçërisht të cilësuar.

Gjatë periudhës 1850-1950 kino-amerikanët u shquan për arritjet e tyre, por ranë njëkohësisht edhe viktima të paragjykimeve racore nga të bardhët. Këta të fundit flisnin vazhdimisht për “rrezikun e verdhë” që gjoja i kanosej vendit nga shtimi i banorëve me prejardhje aziatike. Paragjykime të tilla bënin që ata të perceptoheshin si të lidhur me kazinot, klubet e bixhozit, trafikun e seksit e me gjithfarë vesesh të tjera. Kështu tensionet ndërmjet dy komuniteteve u shkallëzuan në disa raste deri në dhunë fizike, bile edhe deri në masakra ndaj banorëve me prejardhje aziatike.

Ky diskriminim ngjalli në mënyrë të natyrshme solidaritetin e fuqishëm të zezakëve, dhe Frederick Douglass, udhëheqësi më i shquar afro-amerikan i shekullit XIX, dënoi me forcë më 1882 ligjin e lartpërmendur. Ai shprehej se kombi i ri amerikan vetëm se do bëhej më i fortë nga prania e kinezëve dhe e etikës së tyre të përkushtimit ndaj punës. Dëshmi e solidaritetit mes pakicave zezake e aziatike ishte edhe drejtimi për vite me rradhë i periodikut popullor zezak, të përjavshmes Negro World, nga imigranti indian H.G. Mugdal.

Ky solidaritet e bashkëpunim vazhdoi me sukses për një kohë të gjatë, por u vështirësua disi gjatë lëvizjes për të drejtat civile në vitet 1960.

Ajo lëvizje shtroi para opinionit publik amerikan mënyra të reja të menduari rreth drejtësisë e barazisë si ideale themelore të qeverisjes, që u përdorën fort edhe prej liderëve kino-amerikanë në përpjekjet për trajtim të barabartë ndaj këtij grupi etnik. Duke përqafuar ato mënyra e konceptime të reja, të njëjtët liderë përkrahën fuqimisht përpjekjet zezake për drejtësi dhe emancipim të plotë.

Nga ana tjetër një ide e re filloi të përhapet në ato vite, ajo e “pakicës model”, që pretendonte të shpjegonte arritjet e aziatikëve vetëm e vetëm me cilesitë e tyre “të natyrshme” si pasioni dhe zelli për punë, dëshira e prindërve për shkollimin e fëmijëve, apo respekti i madh për ligjin. Ideja linte kështu në harresë faktorë të tjerë sistemikë që kishin ndikuar dukshëm në ato arritje. Ndër to ishte p.sh. ligji për imigrimin i miratuar në vitin 1965 i cili shfuqizoi masat e mëparshme kundër kësaj pakice, duke i dhënë përparësi të dukshme hyrjes së personave të kualifikuar, me fjalë të tjera “thithjes së trurit”. Një tipar interesant i debateve të kohës u bë kështu instrumentalizmi i suksesit të aziatikëve në përballjen kryesore raciale, atë mes të bardhëve e të zinjve.

Fakti është se para daljes së idesë së “pakicës model” aziatikët shiheshin nga të bardhët si një pakicë ndërmjet të tjerave, si një grup thjesht “i ndryshëm” e që shfrytëzohej për punë, por gjithmonë burim i “rrezikut të verdhë”. Mirëpo me fuqizimin e vazhdueshem të lëvizjes së zezakëve, politikanët e bardhë filluan të përdornin kundër tyre suksesin e aziatikëve. Këta lavdëroheshin se, ndryshe nga zezakët, kishin mundur ta kapërcenin racizmin dhe të bëheshin të suksesshëm në saje të cilësive të tyre “natyrore”. Rrjedhimi logjik ishte se për gjendjen e zezakëve e kishin fajin ata vetë, dhe jo shoqëria raciste ku jetonin. Ideja e “pakicës model” u kthye kështu në një armë për kundershtimin e të drejtave të zezakëve, duke dëmtuar solidaritetin ndërmjet pakicave jo të bardha: nëse një pakicë quhet “e mirë”, kjo detyrimisht nënkupton ekzistencën e pakicave “të këqia”. Po ashtu koncepti injoron problemet e bashkësive aziatike duke i trajtuar ata si një grup i vetëm, dhe pretendon se qëllimi kryesor i çdo grupi etnik është asimilimi në shumicën e bardhë.

Megjithatë aziatikët dhe të zinjtë vazhduan të ishin solidarë në përpjekjet e tyre për të drejta të barabarta, siç u dëshmua në disa raste gjatë viteve 1980. Por më vonë marrëdhëniet e tyre u tronditën sidomos pas trazirave raciale në Los Angeles më 1992 si pasojë e keqtrajtimit të një automobilisti zezak prej policisë. Pasi asnjeri nga policët s’u gjet fajtor, pati shumë protesta të shoqeruara me vandalizma, gjatë të cilave u shkatërruan edhe mjaft biznese të aziatikëve.

Prej atëherë marrëdhëniet mes këtyre dy pakicave janë përshkruar si të karakterizuara më tepër nga tensionet se sa nga bashkëpunimi, mirëpo mjaft ekspertë mendojnë se kjo s’është e saktë. Dihet që janë tensionet ato që krijojnë sensacione për mediat, por kjo duhet kapërcyer nëse këto bashkësi synojnë ta shkruajnë vetë historinë e tyre.

Nevoja për solidaritet ndërmjet këtyre grupeve ka dalë përsëri gjatë muajve të fundit, mes trazirave raciale nën ndikimin e lëvizjes BLM. E vërteta është se personat me prejardhje aziatike, përkatësisht kineze, janë ende viktima të racizmit, siç u dëshmua nga sulmet e keqtrajtimet ndaj tyre sidomos në fillimet e pandemisë Covid-19. Por megjithatë nuk mund të thuhet se ata ndeshen me të njëjtat diskriminime e probleme si afro-amerikanët. Prej këtu edhe nevoja për të theksuar më tepër aspektet e bashkëpunimit, apo faktin që prania dhe sukseset e aziatikëve dhe kino-amerikanëve u detyrohen shumë, sipas autorit J. Chang, “përpjekjeve të të zinjve për liri...Ne duhet të jemi në anën e drejtë të historisë, në anën e luftës kundër racizmit anti-zezak”.

Po ashtu, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e literaturës anti-raciste në vend u drejtohet të bardhëve, shumë veprimtarë janë angazhuar në përgatitjen e materialeve të tilla specifikisht për aziatikët, meqë rrugëtimi i tyre ka qenë i ndryshëm. Këto përpjekje në përgjithësi po synojnë të venë në dukje historinë solidaritetit ndërmjet aziatikëve dhe të zinjve gjatë mëse 150 viteve të bashkekzistencës së tyre.

Mund të themi si përfundim se përfshirja e pakicave aziatike, përkatësisht kino-amerikane, në përpjekjet aktuale për të drejtat dhe trajtimin e barabartë të të zinjve në Shtetet e Bashkuara ka rëndësi jo vetëm për këta të fundit. Rëndësia më e madhe qendron në avantazhet për vetë aziatikët, dhe prandaj ajo pritet të intensifikohet. Pavarësisht nga problemet e ndryshme që afro-amerikanët dhe kino-amerikanët kanë në komunitetet e tyre, ato përsëri ndikohen nga i njëjti sistem, i sanksionuar nga shumica e bardhë. Sistemi synon që pakicat të mbeten të paintegruara plotësisht në shoqëri, të mbeten si të thuash diku në periferi të saj, dhe historinë e tyre të vazhdojnë ta shkruajnë të bardhët. Pikërisht mundësia për ta shkruar vetë atë histori është synimi më i dukshëm i angazhimit të kino-amerikanëve në lëvizjen e tanishme.