Mediat shqiptare këto dite kanë publikuar lajmin se nje letër nga Presidenti Amerikan Donald Trump paska mbërritur në duart e kryeministrit shqiptar Edi Rama me të cilën falënderohet ai, ndër të tjera, edhe për mbajtjen e Shqipërisë larg ndikimit kinez.

Shqipëria si një vend i vogël në një nga zonat historikisht nga më të konfliktuarat në Europë ka një pozicion delikat në mbajtjen e ekuilibrave në Ballkan. Por dy faktorë e bëjnë paksa të lehtë qëndrimin e saj ndërkombëtar. Njëri është fakti që si vend anëtar i NATO-s e vendos Tiranën politikisht në kampin euro-atlantik. E dyta është fakti se perspektiva europiane e integrimit përbën një shtysë të madhe dhe luan rolin e një motivimi të fuqishëm për më shumë Europë në Shqipëri. Nga kjo perspektivë edhe pa letrën e ardhur nga administrata amerikane, ishte e qartë se ku qëndron Shqipëria politikisht. Meqenëse në letër përmendet hapur Kina, nuk mund të kalojnë pa përmendur dy gjëra të rëndësishme mbi prezencën kineze.

E para, narrativa e përdorur që është kaq antagoniste ku Kina shpallet një vend nga i cili vijnë kërcënime, e tërheq politikën e jashtme të Shqipërisë në një terren që nuk është ndërtuar për të, por në shërbim të aleatëve të saj. Lufta tregtare mes Kinës dhe Amerikës, ashtu sikurse edhe rilindja e një luftë të re të ftohtë, janë terrene qartësisht të panjohura në politikën ndërkombëtare. Në këto terrene të panjohura, Shqipëria e vogël, pa ju kërkuar të ndryshojë aleancat e veta strategjike, dhe anëtarësimet e veta në organizatat ndërkombëtare, do ishte mirë të lëvizte me një profil të ulët, në interes të ekonomisë kombëtare, dhe pa paragjykime ndaj asnjë shteti, dhe sigurisht pa paragjykime as ndaj Kinës. Nuk është e qartë se ku qëndron dobia për një vend si Shqipëria që të bëhet një vend pararojë i mbrojtjes kundra gjoja rrezikut kinez. Një rrezik që akoma duhet parë se përse bëhet fjalë. Edhe rreziku që Amerikanët i mëshojnë fort që gjoja vjen nga teknologjia Huawei, është i gjithi për t’u provuar se ekziston. Publikisht asnjë provë nuk ka dalë akoma që të tregojë se në fakt Huawei përdoret për qëllime spiunimi dhe suvejimi në vendet perëndimore dhe gjithçka mbetet në kuadrin e spekulimeve shpesh për interesa të politikës së brendshme të Shteteve të Bashkuara. Shqipëria nuk ka nevojë të krijojë armiq të paqenë, sidomos kur bëhet fjalë për Kinën, që historikisht nuk duhet harruar që ka qenë një mik i fuqishëm i vendit tonë, dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet 1960-të e 1970-të për ndërtimin e ekonomisë sonë.

E dyta, përkeqësimi i marrëdhënieve Kinë-Amerikë në këto vitet e fundit nën administratën Trump, ka hapur skenare të reja në përballjen e fuqive të mëdha në arenën ndërkombëtare. Termi Luftë e Ftohtë po përdoret gjerësisht në mediat perëndimore për të përshkruar interesat shpesh të kundërta mes Kinës dhe Amerikës. Por ky është një skenar tërësisht i paeksploruar më parë, dhe konturet e kësaj përballjeje janë akoma të paqarta për të lejuar vendet e vogla si Shqipëria që të rreshtohen me doemos në vijën e parë të një fronti që në fakt shumë pak njerëz e dëshirojnë edhe në politikën amerikane. Përshtypja këtu është se me daljen në pah të rivaliteteve mes Amerikës dhe Kinës, vende të vogla si Shqipëria lehtësisht bëhen pjesë e lojërave më të mëdha të politikës globale, pak nga pakujdesia, e shumë nga qëllimi afatshkurtër i politikave të qeverive momentale. Mesazhi i letrës se Presidentit Trump mund të jetë edhe një mesazh që i drejtohet jo vetëm Shqipërisë, por edhe shumë vendeve të tjera, që duke mos dashur të jenë pjesë e asnjë mosmarrëveshje Kinë-Amerikë, zgjedhin të bashkëpunojnë për interesa reciproke, si me Kinën edhe me Amerikën.

Dhe këtu vijmë te një pikë tjetër të rëndësishme. Në të kundërtën e administratës aktuale amerikane, disa vende të Bashkimit Europian kanë një qasje më bashkëpunuese me Kinën. Nuk është një rastësi që vende të mëdha e themeluese të Bashkimit Europian, siç është Italia, kanë zgjedhur të bashkëpunojnë në fusha të caktuara me Kinën. Në fakt i gjithë Bashkimi Europian ka një qasje krejt tjetër nga ai i Amerikës kur vjen puna te marrëdhëniet ekonomike e tregtare me Kinën. Shqipëria është shprehur së fundmi gjatë vizitës së një zyrtari amerikan se në politikën e saj të jashtme dëshiron të jetë në linjë me atë të Bashkimit Europian.

Nga ajo që ne dimë publikisht, Kina është shpehur hapur pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Edhe në nivelin më të gjerë Europian, Kina në shumë raste, nëpërmjet zyrtarëve të vet të lartë është shprehur në favor të krijimit të një Europe të bashkuar. Në mos për arsye të tjera, për faktin se të paktën në disa fusha bashkëpunimi, me një Europë që flet me një zë të vetëm do ishte edhe më lehtë për Kinën për të bashkëpunuar duke patur përballë një interlokutor të vetëm në vend të disave që shpesh zihen. Europa, dhe Ballkani, për shkak të largësisë gjeografike me Kinën dhe pavarësisht lojërave per influencë të fuqive të mëdha në botë, nuk janë qendra e interesave gjeostrategjikë të Kinës (core interests), dhe për pasojë konkurrenca e Kinës me shtete të mëdha për të patur prezencë ekonomike dhe bashkëpunimi tregtar në Ballkan, që në vetvete nuk është një faj në politikën ndërkombëtare, nuk duhet parë domosdoshmërisht si një politikë përçarëse e Kinës në këto vende nga e cila duhet të ruhemi.

Edhe sot Shqipëria, megjithëse në kohë tjetër dhe me sisteme politike dhe aleancash të ndryshuara, mundet të gjejë përsëri kanale komunikimi dhe fusha bashkëpunimi reciprok me Kinën ashtu sikurse edhe vende të tjera në rajon kanë zgjedhur të bëjnë, si Greqia apo Kroacia – të dyja vende anëtare të Bashkimit Europian.

Si përfundim duhet thënë se do ishte në të mirë të politikës sonë të jashtme, por edhe stabilitetit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, që të zgjidhte të mos bëhet terren konfrontimi mes superfuqive, në një kohë kur ky terren është tërësisht i pa konturuar mirë dhe horizontet e tij janë të mjegullta.