
Viti 2020 shënon 75-vjetorin i themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). E krijuar me 51 nënshkrues në fund të Luftës së Dytë Botërore, tani është organizata ndërkombëtare më e madhe në botë me 193 kombe anëtare. Ndërsa festohet 75 vjetori i saj, vetë guret e themelit që ajo përfaqëson, uniteti dhe multilateralizmi, po përballen me sfida të papreçedentë për shkak të rritjes së unilateralizmit dhe proteksionizmit.
- Përse tani?
Gjatë viteve të fundit, pozicioni i Kinës në skenën ndërkombëtare ka evoluar gradualisht, pas ngritjes së saj si një fuqi ekonomike, e dukshme në tregtinë dhe flukset e investimeve me rritje të shpejtë. Roli evolues i Kinës ka pasur gjithashtu implikime për pozicionin e saj në qeverisjen globale, përmes një përfshirjeje më të madhe në aktivitete që variojnë në intensitet, formë dhe aplikim. Në botën e 2020, me sfidat madhore me të cilat njerëzimi po përballet, zëra përçarjeje dhe ulje angazhimi po bëjnë që në moshën 75 vjeç OKB (dhe jo vetëm) të përballet me një krizë ekzistenciale në aspektin e efektivitetit dhe të së ardhmes së vetë organizatës.
Vlerësohet nga ekspertet se një miliardë njerëz në vitin 2020 do të kenë vështirësi në sigurimin e ushqimit, mbi 80 milion njerëz janë zhvendosur nga vendbanimet origjinale, dhe duke shtuar sa më sipër shqetësimin dhe efektet ekonomike të COVID-19 situata është kritike. Në të tilla kushte vështirësie dhe sfidash, Kina ka shumëfishuar angazhimet e saj, duke u përpjekur ta bëjë OKB-në të funksionojë sa më mirë me anë të impenjimit maksimal në fushat me prioritet të lartë. Fatkeqësisht, kur Kina e ka bërë këtë, u akuzua se do të depërtojë në një farë mënyre, për shembull, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) vetëm sepse bashkëpunoi me të. Në të tilla kushte nuk po kuptohet më se cilat janë “rregullat e lojës” dhe si duhet të proçedohet më tej. Ky ngërç duhej adresuar, dhe këtë bëri numri një i politkbërjes kineze me fjalimin virtual të 21 Shtatorit.
- Përse Kina?

Nismat e propozuara nga Kina në OKB po japin dhe kanë dhënë rezultate të prekshme në mbështetjen dhe promovimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Që prej datës 25 shtator 1971 kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën 2758 që riktheu të drejtat e ligjshme të Republikës Popullore të Kinës në OKB, Kina ka luajtur një rol gjithnjë e më të madh në çështjet rajonale dhe botërore duke mbështetur përpjekjet e OKB-se në paqeruajtje, kundër terrorizmit, energji, bujqësi, infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, etj. Që nga viti 1990 Kina ka dërguar nëpër botë mbi 40,000 paqeruajtës në më shumë se 30 misione duke kontribuar me më shumë paqeruajtës se çdo anëtar tjetër i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Fondi i Paqes dhe Zhvillimit Kinë-OKB ka siguruar një total prej 67.7 milion dollarësh për mbi 80 projekte të ndryshme dhe me një dhurim prej 10 milion dollarësh për UN Women, Kina është kontribuesi më i madh midis vendeve në zhvillim. Përballë COVID-19 Kina i është përgjigjur Planit Global të Reagimit Humanitar të iniciuar nga OKB me një dhurim parash prej 50 milion dollarësh për OBSH-në, ndihmë në natyrë për mbi 150 vende dhe organizata ndërkombëtare dhe ekspertë mjekësorë në më shumë se 200 vende dhe rajone. Me këto angazhime të qënësishme Kina ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë linjën e një fuqie të madhe të përgjegjshme dhe proaktive.
- Përse Xi Jinping?

Doktrina poltike e Presidentit Xi Jinping dhe pozicioni i Kinës në qeverisjen globale nën drejtimin e tij janë ravijëzuar që prej vitit 2013 kur ai do të shpallte vizionin e tij për nismën “Një Brez, Një Rrugë” në Astana të Kazakistanit. Atje u tha qartë se RPK do mbështesë gjithnjë hapjen dhe gjithëpërfshirjen, është e gatshme të punojë së bashku me të gjitha palët për të forcuar ndjenjën e komunitetit për të ardhmen e përbashkët. Në kuadrin e OKB-se për të zbatuar iniciativat e nisura nga Presidenti Xi, Kina ka ndihmuar që nga viti 2015 vendet e tjera në zhvillim me 180 projekte për uljen e varfërisë, 118 projekte të bashkëpunimit bujqësor, 178 projekte të ndihmës për tregti, 103 projekte për ruajtjen ekologjike dhe ndryshimin e klimës, 134 spitale dhe klinika, dhe 123 projekte arsimore dhe institutet e formimit profesional – të gjitha këto në vetem 7 vite.

punonjës kinez për ndërtimin e hekurudhës etiopiane
75 vjetori i OKB-së kishte temën: e ardhma që duam, OKB që duam. Në këtë drejtim Xi hodhi dy pyetje gjate fjalimit të tij - Çfarë lloji OKB-je është ë nevojshme për botën? Si duhet ta luajë Organizata rolin e saj në epokën post-COVID? Në fjalët e tij u duk qartë se ku qëndron Kina në këtë aspekt, dhe ku do jetë në te ardhmen. “Bota tani qëndron në një pikënisje të re historike. Le të rinovojmë angazhimin tonë të vendosur për multilateralizmin, të punojmë për të promovuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe të mblidhemi pas flamurit të OKB-së për të ndjekur unitetin dhe përparimin më të madh.” – tha Xi. Ai më tej u ndal në katër pika të rëndësishme që sipas tij OKB-ja duhet të ketë prioritet: të qëndrojë e vendosur për drejtësi, të mbështesë shtetin e së drejtës, duhet të promovojë bashkëpunimin dhe të përqëndrohet në veprime reale. Bota ka nevojë për një multilateralizëm të vendosur dhe Kina është duke marrë një rol aktiv në promovimin e kësaj qasjeje. Ndërsa OKB-ja 75-vjeçare qëndron në një pikë të re fillestare në histori dhe mbart besimin dhe shpresën e njerëzimit, ne kemi arsye të besojmë se mund të përmbushë pritshmëritë në të ardhmen.
Bota sot po pëson ndryshime të thella e ndërsa COVID-19 e ka bërë njerëzimin të hyjë në një epokë trazimesh dhe ndryshimesh. Gara midis unilateralizmit dhe multilateralizmit po bëhet më e ashpër. Nga ana tjetër, unilateralizmi i favorizuar nga disa vende ka prishur seriozisht axhendat shumëpalëshe. Proteksionizmi dhe unilateralizmi janë në rritje, dhe disa vende janë të etur për "zhvendosjen e fajit", "shkëputjen" dhe "tërheqjen nga organizatat ndërkombëtare", ide të cilat minojnë bashkëpunimin ndërkombëtar. Asnjë vend nuk ka të drejtë të dominojë çështjet globale, të kontrollojë fatin e të tjerëve ose të mbajë përparësitë në zhvillim, të gjitha për vete.
Përse është i rëndësishëm fjalimi i Xi Jinping? – Sepse sikurse në 2013, edhe ne 2020 midis sfidave të mëdha globale qëndrimet e tij janë koherente, diskursi nuk ka ndryshuar dhe ftesa për pjesën tjetër të botës është në baza partneriteti dhe jo rivaliteti.







