Konfliki në Mesdheun Lindor po merr gjithnjë e më shumë vëmëndjen e politikës e diplomacisë ndërkombëtare dhe pavarësisht uljes së temperaturës që gati çoi në përplasje, tensioni mbetet

prezent. Ky tension në mes Turqisë e Greqisë është më i larti i 20 viteve të fundit dhe zgjidhja e tij do të kalojë në shtigje mjaft të vështira. Angazhimi i personaliteteve me peshë në arenën ndërkombëtare më shumë ka kaluar në kërcënime drejt Turqisë dhe përpjekje për të marrë nën mbrojtje Greqinë, se sa drejt shtrimit të një ure në të cilën mund të kalojë zgjidhja.

Provat e forcës dhe të kërcënimeve ndaj Turqisë, pavarësisht se nga kanë ardhur nuk kanë rezultuar aq të suksesëshme, prandaj gjuha diplomatike është e nevojshme të konsumojë të gjitha hallkat, përpara se të tregohen muskujt. Shkëndijat e përplasjes që ndodhën në mesin e gushtit të këtij viti nuk ishin të parat midis këtyre dy shteteve, por ato kësaj radhe morën kurbën më të lartë, pasi edhe sfondi i interesave për zgjerimin e kufijve, nuk është thjesht një çështje krenarie kombëtare, por edhe një mundësi potenciale ekonomike me një leverdi shumë të madhe.

Çështja e përcaktimit të kufijve normalisht ka referenca ndërkombëtare të patjetërsueshme në të cilat politika dhe diplomacia janë të detyruara t’i zbatojnë, por meqenëse problematika e përplasjes është shumë më e gjerë, reshtimi hapur në njerin apo tjetrin krah nuk i kontribuon zgjidhjes. Diplomacia e deklaratave publike po tregon jo vetëm një herë se nuk funksionon. BE-ja e ka shprehur mbështetjen e saj për anëtarët e unionit, Greqinë dhe Qipron. Por blloku është i përçarë mbi mënyrën se si duhet trajtuar kriza aktuale. Gjashtë vendet mesdhetare të BE-së, janë të ndara në mënyrë të barabartë. Greqia, Qipro dhe Franca mbrojnë një veprim të fortë kundër Turqisë, ndërsa Italia, Malta dhe Spanja – që kanë interesa të mëdha tregtare me Turqinë në Mesdheun Qendror dhe atë Perëndimor – e refuzojnë këtë qasje. Ndarja në dy blloqe vështirëson edhe gjetjen e zgjidhjes së drejtë. Gjermania, që drejton presidencën e BE-së që nga korriku, është ajo që mund të diktojë daljen nga ngërçi. Edhe pse Berlini i nënshtrohet zakonisht Parisit kur është fjala për politikën në Mesdhe, ai është i prirur ta mbajë Ankaranë sa më afër BE-së që të jetë e mundur. Megjithëatë Gjermania është treguar e rezervuar në dimensionin e prononcimit publik, ndryshe nga se është shprehur Presidenti francez Macron, apo sekretari amerikan i shtetit, Pompeo.

Turqia e Greqia kanë probleme shumë të vjetra dhe histori konflikti të mbarutur në vite, i cili tani është mbërthyer në kufijtë detar.

Kriza e sotme midis Turqise dhe Greqise, anëtarë të hershëm të NATO-s është vazhdim i krizave të pandërprera, që kanë shoqëruar marrëdhëniet midis këtyre vendeve. Marrëdhëniet midis shtetit grek dhe atij turk kanë patur periudha të alternuara armiqësie reciproke dhe pajtimi që nga koha kur Greqia fitoi pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në 1832. Që atëherë, të dy vendet janë përballur me njëri-tjetrin në katër luftëra të mëdha: Lufta e Parë Ballkanike e viteve 1912-1913, Lufta e Parë Botërore në vitet 1914-1918 dhe më në fund Lufta Greko-Turke 1919-22, e cila u pasua nga shkëmbimi greko-turk i popullsisë dhe një periudhë e marrëdhënieve miqësore në vitet 1930 dhe 1940. Të dy vendet hynë në NATO në vitin 1952. E pas kësaj periudhe krizat midis Turqisë dhe Greqisë kanë qenë të pandërprera. Ndër më të dukshmet kanë qenë krizat që janë thelluar e zgjeruar aq shumë sa i kanë çuar këto dy vende në prag të luftës.

Më pas kriza me përmasa edhe më të mëdha u takon viteve 1963-1964, kur Qipro deklaroi aspiratën e tij për t’ju bashkuar Greqisë. Kontingjente të armatosura dhe të mbështetura nga Greqia dhe Turqia morën pjesë në mënyrë aktive në luftime.

Kriza e vitit 1974 ishte nga më të rëndat, nisja e konfliktit të përjetshëm të Qipros. Tensioni në ishull nisi në mesin e korrikut 1974, pas një grushti shteti kundër presidentit të atëhershëm të Qipros, arkipeshkopit Makarios III. Greko- qiprioti Makarios III ka qenë president i ishullit që nga viti 1959, kur ishulli nuk ishte më një koloni britanike. Ai u bë presidenti i parë i zgjedhur në Republikës e Qipros, pasi ra dakord të hiqte dorë nga çdo plan për bashkimin e ishullit me Greqinë.

Konfliktet në Detin Egje në vitet 1970-1987 shënuan zgjerimin e konfliktit përtej kufijve të Qipros. Në mars të vitit 1987, të dyja vendet ishin në prag të luftës.

Turqia dhe Greqia erdhën në prag të luftës në vitin 1996 mbi disa ishuj jashtë bregut të Egjeut. Më 25 dhjetor të vitit 1996, anija turke “Figen” u përplas pa dashje në njërin prej ishujve. Me të mësuar këtë fakt, marina greke i shkoi në ndihmë, por kapiteni i anijes refuzoi ndihmën e tyre duke thënë se ishte në ujërat territoriale turke. Grekët pranuan t’a shoqëronin atë në portin turk më të afërt duke i plotësuar edhe procesverbalin e ngjarjes së bashku me koston financiare e asistencës së dhënë prej tyre. Ngjarja u mbajt larg syrit të publikut deri në 20 janar të vitit 1997, kur u publikua në revistën greke “Gramma”. Historia e publikuar rriti mjaft tensionet mes dy vendeve me akuza dhe kërcënime nga të dyja palët.

Problemi i Qipros nga viti 1955 e deri në ditët e sotme është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet turko-greke. Në vitin 1974, diktatura ushtarake në Athinë organizoi në Nikosia një puç, me synim bashkimin e Greqisë dhe të Qipros. Turqia që atëherë qeverisej në mënyrë demokratike ndërhyri si fuqi e garancisë, për t’ i mbrojtur qipriotët turq nga sulmet.

Nga ana tjetër, edhe çështja e Egjeut është një nga çështjet kryesore që u shkakton kokëçarje të dyja vendeve. Siç dihet, problemi i Egjeut përbëhet nga katër probleme të ndryshme, që janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Këto katër probleme janë: 1) përcaktimi i kufijve detar dhe platformës kontinentale, 2) gjerësia e ujërave territoriale, 3) kontrolli i hapësirës ajrore dhe 4) armatosja e ishujve që ka Greqia në Egje.

Në të kaluarën janë ndërmarrë shumë nisma me synimin për të afruar Turqinë dhe Greqinë. Por paragjykimet ekzistuese midis dy vendeve kanë reflektuar gjithmonë negativisht në këto përpjekje për afrim.

Historia e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve është e ngarkuar me tensione dhe konflikt, por tani sfida mund të bëhet problematike, pasi krahas asaj që theksuam lidhur me leverdinë ekonomike të zonës, shumë shtete janë të mbërthyera brenda saj. Më shumë se kurrë më parë, ngjarjet e fundit rrezikojnë të përshkallëzohen në një konflikt shumëkombësh. Në një shfaqje të mbështetjes së vendosur ndaj Greqisë dhe kundër Turqisë, Franca dërgoi luftanijet veta në ujërat e kontestuara.

Egjipti dhe Izraeli, që zhvillojnë stërvitje të rregullta ushtarake me Greqinë, kanë shprehur gjithashtu solidaritetin e tyre me Athinën. Me Francën dhe Egjiptin që janë tashmë në një konflikt të hapur me Turqinë në Libi, vëzhguesit në mbarë botën druhen se çdo përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve në Mesdheun Lindor, mund të degradojë në një krizë të madhe nga Evropa në Lindjen e Mesme, por që nuk mund të ndalet këtu. As Turqia nuk është as e vetme dhe as pa përkrahje, aq më tepër që gjykuar nga fuqia ushtarake, Turqia ka shumë më tepër potenciale në këtë drejtim.

Po çfarë ka ndodhur më shumë që u krijua ky ciklon gjeopolitik, ndaj të cilit është sa vështirë të hysh, aq vështirë edhe të dalësh ? Nuk janë vetëm mosmarrëveshjet mbi kufirin detar ato që kanë ndezur konfliktin. Burimet e mëdha në det të gazit natyror kanë bërë që interesa shumëplanëshe të BE me rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës të përplasen në mes tyre. Zbulimet e mëdha të gazit në Zohr që është pjesë e territorit detar egjiptian, nga ana e gjigandit italian ENI, kanë bërë që vëmendja, por edhe oreksi të rritet.

Bashkimi i kompanisë së madhe ENI me ate franceze Total e vendos Francën në mesin e rezervave më të mëdha energjetike të Mesdheut Lindor. Ndërkohë, Qipro ra zyrtarisht dakord të shfrytëzojë infrastrukturën e Egjiptit për eksportin e gazit. Pasi lëvizjes se Nikozias, Izraeli, që më parë kishte menduar të ndërtonte një gazsjellës nënujor Izrael-Turqi, u tërhoq nga projekti, dhe nënshkroi një kontratë për t’ia shitur gazin e vet Egjiptit. Janë disa veprime të dakordësuara mes Francës, Qipros, Italisë dhe Izraelit të cilat nuk janë thjesht një sfidë ndaj Turqisë, por e mënjanojnë dhe dëmtojnë rëndë interest ekonomike të saj.

Turqia ka shprehur hapur pakënaqësinë e saj për këto zhvillime, dhe nga plani diplomatik ka kaluar në kryerjen e eksplorimeve dhe shpimeve në ujërat qipriote, secila e shoqëruar nga luftanijet turke.

Në këtë mënyrë, ajo pretendon se po mbron të drejtat e turqve qipriotë në gjysmën veriore të ishullit, të cilët kanë mbetur jashtë zhvillimit të rezervave të gazit natyror të Qipros, pavarësisht se janë bashkëpronarët e ligjshëm të burimeve natyrore të ishullit të ndarë.

Pas çdo veprimi të Turqisë, fronti Egjipt-Izrael-Qipro-Greqi fitoi gjithnjë e më shumë mbështetje ushtarake nga Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara, ku secila ka investime të rëndësishme ekonomike mbi gazin e Mesdheut Lindor.

Për Turqinë, mbështetja e aleatëve të saj të NATO-s ndaj këtij grupimi është konsideruar si një thikë pas shpine dhe ajo është shprehur e prerë se nuk do ta tolerojë në mënyrë absolute. Menjëherë ajo bëri disa lëvizje të karakterit diplomatik në fillim . E tillë mund të konsiderohet nënshkrimi i marrëveshjes së Turqisë me Qeverinë e Akordit Kombëtar me qendër në Tripoli në nëntorin e 2019-ës për kufirin detar. Kjo marrëveshje u shoqërua edhe me një pakt bashkëpunimi luftarak Ankara – Tripoli, gjë që i jep të drejtë Turqisë të angazhohet hapur në konfliktin e GNA dhe forcave të gjeneralit Kalifa Haftar, i cili ka mbështetjen e Francës dhe Egjiptit.

Duke qënë pjesë e konfliktit në Libi, Turqia është e avantazhuar në ndërhyrjen mbi kufijte detarë në Mesdheun Lindor përkundrejt Qipros, Egjiptit dhe Greqisë. Duke përfituar nga pozicioni i saj rajonal i sapo-përmirësuar, Turqia u përpoq të promovonte pretendimet e saj ndaj Greqisë, duke dërguar anijen e saj të shpimeve “Oruç Reis”, të shoqëruar nga 5 luftanije turke në ujërat e kontestuara pranë Kastelorizo.

Ditët e fundit tërheqja e anijes “ Oruç Reis “ u pa si një frymëmarrje lehtësuese e konflktit, por Ankaraja e cilësoi këtë veprim si një nevojë teknike e anijes, për t’u rikthyer edhe një herë në angazhimin e saj.

Mbështetur mbi Konventën e Ligjit të Detit të Kombeve të Bashkuara (UNCLOS), interpretohet pa sforcim juridik se Turqia ka të drejtë një zonë detare më të madhe nga sa ka aktualisht. Sigurisht kjo kërkon një gjykim të thelluar e shterues por Turqia nuk pranon të nënshkruajë UNCLOS, çka ia mbyll rrugën çdo lloj rekursi juridik mbi këtë çështje.

Është harta e marrëveshjes së kufirit detar Turqi-Libi ajo që në rastin e këtij konflikti anon në favor të Turqisë, pasi përcakton një zonë detare maksimale për Turqinë, duke i mohuar secilit prej ishujve grekë një shelf kontinental ose një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ), që siguron të drejtat sovrane mbi burimet energjitike në det të hapur. Ajo që dihet është fakti se përplasja që ka prodhuar në fillim disa shkëndija, është shumë e vështirë të mos prodhojë të tjera.

Ajo që ndodhi më 6 gusht, kur Greqia iu përgjigj Turqisë duke nënshkruar një marrëveshje të ngjashme të kufirit detar me Egjiptin, siç ajo kishte bërë me GNA e Tripolit, ndezi flakën. Por reagimi turk ishte i menjëhershëm. Disa ditë më vonë, anija kërkimore “Oruç Reis” depërtoi brenda kufijve detarë të Greqisë. Po çfarë pritet të ndodhë më tej? Shumica e palëve në rajon kanë shumë arsye, që të angazhohen në uljen e tensioneve, dhe të gjejnë një zgjidhje të shpejtë të krizës. Pavarësisht se e mbështesin Greqinë, as Egjipti dhe as Izraeli nuk mund t’i lejojnë vetes të zhyten në një luftë me Turqinë në Mesdheun Lindor.

Fryma duhet mbajtur tek zgjidhja e gjetja e rrugëve që mënjanojnë konfliktin, i cili po të shpërthejë, mund të ketë përmasa të pakontrolluara.