
Në Pekin, kryeqytetin e Republikës Popullore të Kinës, 4–9 shtator 2020, u zhvillua Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve, platformë globale, që përfshin 12 sektorë: shërbimet e biznesit, komunikimit, ndërtimit dhe inxhinerive lidhur me të, distribucionit, arsimore, mjedisore, financiare, shëndetsore dhe sociale, turistike dhe të udhëtimeve, sportive, kulturore dhe rikrijuese, transportit dhe shërbime të tjera (sektorë që janë përcaktuar si pjesë e tregtisë së shërbimeve edhe nga OBT).
Panairin e hapi, Zëvendëskryeministri i Kinës Z. Han Zheng. Presidenti i popullit kinez dhe kreu i shtetit, Z. Xi Jinping, në videofjalën me këtë rast tha: “CIFTIS është platformë e madhe ekspozimi, tregtare, kushtuar tregtisë së shërbimeve”. Xi propozoi “të punohet së bashku, për të çliruar fuqinë e inovacionit dhe nxitur mjedis të hapur, gjithëpërfshirës, të dobishëm e reciprok. CIFTIS i këtij viti, me temë “Shërbimet Globale, Prosperiteti i Përbashkët”, paraqet mundësi, shërben si platformë dhe urë për qytetarët nga gjithë bota, të shfaqin plotësisht progresin në tregtinë e shërbimeve, të përdorin teknologjitë e reja dhe të përfitojnë nga përparimet e njerëzimit. Përmes bashkëpunimit, delegatët mund të kontribuojnë me mençuri dhe energji në thellimin e shkëmbimeve në tregti, investimet në shërbime, gjallërimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror”, tha Xi, që kompletoi fjalën e tij, duke specifikuar: “Së pari, le të punojmë së bashku për të nxitur një mjedis të hapur, gjithëpërfshirës për bashkëpunim, së dyti, le të punojmë së bashku për të çliruar fuqinë e inovacionit në zhvillimin e bashkëpunimit dhe së treti, le të punojmë së bashku për të promovuar bashkëpunimin e dobishëm reciprok”, pasi tashmë “bota përjeton ndryshime të thella të papara gjatë shekullit të fundit dhe se COVID-19 po shpejton këtë proces”.
Ky panair, i pari i kësaj natyre me karakter ndërkombëtar, që organizohet pas fillimit të pandemisë, duke shfaqur padyshim objektivin e Kinës për hapje globale dhe rritjen e rolit të saj në tregtinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, është i shtati edicion radhazi. Qeveria qendrore kineze mbështet Pekinin në krijimin e një zone tregtie të lire, për inovacion shkencor e teknologjik, hapjen e sektorit të shërbimeve, zhvillimin e ekonomisë dixhitale, realizimin e një platforme të standardeve të larta, për zhvillimin e koordinuar të rajonit Pekin – Tianxhin – Hebei.

Zgjerimi dhe forcimi i ekonomisë dixhitale është pjesë e përpjekjeve të Pekinit që kapitali kinez të fitojë përvojë dhe të hedhë hapa të qendrueshëm e të mëdhenj, për shumëfishueshmëri dhe përshkallëzim. Ekonomia dixhitale dhe promovimi i kontributit të sektorit të industrisë së shërbimeve janë dy nga objektivat kryesore të reformave të përshkallëzuara politike të Kinës. Pjesë e kësaj strategjie është edhe promovimi i kompanive të telekomunikacionit dhe teknologjive 5G, si Huawei, etj.
Industria e shërbimeve përbën 83% të GDP-së së Pekinit (30% më shumë se mesatarja kombëtare). Synimi i kthimit të Pekinit në zonë për zhvillimin e industrisë kombëtare të shërbimeve e bën atë (bashkë me Guangzhoun dhe Shanghain) një nga tre shtyllat e tregtisë me jashtë.
Victoria Kwakwa, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Azinë Lindore e Paqësorin, përshëndeti CIFTIS me videofjalën e saj në forumin “Lehtësimi i Tregtisë së Shërbimeve: Perspektiva e shumëkombësheve", pjesë e këtij panairi.
Presidenti argjentinas, Alberto Fernandez, tha: “Argjentina shpreson thellimin e marrëdhënieve me Kinën dhe bashkëpunimin me platformën CIFTIS për të nxitur zhvillimin e industrive të dy vendeve”.
Kryeministri tailandez Prayut Chan-o-cha tha: “CIFTIS është platformë e rëndësishme për bashkëpunim dhe planifikim së bashku të zhvillimeve të ardhshëme, përballë sfidave të ekonomisë globale”.
ZëvendësKryeministri i Koresë së Jugut, Hong Nam-ki, tha: “Bota po kalon një krizë. Vendet duhet të mbështesin e ndihmojnë njëritjetrin. CIFTIS është kontribut madhor në thellimin e bashkëpunimit global në tregtinë e shërbimeve”.
Në panair morrën pjesë mbi 18,000 subjekte publike e private, kryesisht biznese nga 148 vende të botës. Me rreth 100.000 njerëz të regjistruar, CIFTIS është panairi më i madh në rang botëror në fushën e tregtisë së shërbimeve. CIFTIS VII, konfiguruar me veprimtari reale dhe virtuale si: konferenca, takime, panele profesionale, etj, me 116 forume dhe pjesëmarrje të 30 organizmave ndërkombëtare (shoqata ndërkombëtare biznesi, përfaqësi të huaja diplomatike, etj), merr rëndësi unike sepse tregon rëndësinë që ka Kina në përpjekjet e përbashkëta të vendeve të botës për rimëkëmbjen ekonomike globale.

Kina renditet e dyta në botë për eksport–importin në sektorin e shërbimeve. Prej 2012, tregtia e shërbimeve është rritur mesatarisht 7.8% në vit, 3.7 pikë përqindje më shumë se norma globale. Në 2019 tregtia ndërkombëtare e shërbimeve të Kinës ishte 775.6 miliardë USD, si një ingranazh shumë i fuqishëm i motorrit të makinës ekonomike kineze, që transformohet vazhdimisht, me potencial rritjeje, drejt mallrave me vlerë të shtuar, të lartë, duke kaluar nga ekonomi me orientim eksportin, në ekonomi me kërkesë të brendëshme me rritje të qendrueshme.
Sektori i shërbimeve formon pjesën më të madhe të GDP-së botërore, duke lënë pas bujqësinë dhe industrinë. Me zhvillimin e globalizimit ekonomik, shërbimet tregtare po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e rëndësishme e tregtisë globale, zonë vitale për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, duke injektuar energji të reja në rritjen globale.
Cilësia e shërbimeve është faktor i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qendrueshëm, dy objektiva madhore të popullit kinez, për të cilat Qeveria Kineze ka hartuar dhe zbaton reforma të përcaktuara me kujdes, mbështetur në plane afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit politik, ekonomik, social, kuturor, sportiv, mjedisor, arsimor dhe ligjor të Kinës së Shekullit XXI. Mukhisa Kituyi, Sekretari i Përgjithshëm i UNCTAD tha: “Tema e këtij viti "Shërbimet Globale, prosperiteti i përbashkët" pasqyron qëllimin e UNCTAD për prosperitet për të gjithë. Përputhet me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Mijëvjeçarit.

Hapja e Kinës zhvillon vendin, sjell përfitime për pjesën tjetër të globit, mbështet krijimin e një aleance globale në tregtinë e shërbimeve, për më shumë fryte nga bashkëpunimi konkret, që popujt e vendeve të ndryshme të përfitojnë nga rritja e tregtisë së shërbimeve, dhe, CIFTIS, si platformë ndërkombëtare shkëmbimi dhe bashkëpunimi për tregtinë e shërbimeve, luan rol të rëndësishëm në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të botës.







